MKRS: Telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të veprimtarit Fahri Buçinca

E nderuara familja Buçinca,

Me pikëllim të thellë e mora lajmin se është ndarë nga jeta i dashuri i juaj, veprimtari i shquar Fahri Buçinca.

Jo vetëm ju si familje por ne si Kosovë humbëm një prej njerëzve më të dashur e më të vlerësuar në fushën e arsimit. Fahriu ka qenë intelektual i cili ka dhënë kontribut të madh përmes shkrimeve publicistike. Kontribut të veçantë ka dhënë me botimin e fejtoneve në fushën e arsimit, kulturës e trashëgimisë kulturore.  Po ashtu, Fahriu me angazhimin e tij kontribut të çmuar ka dhënë edhe për arsimimin dhe emancipimin e femrës shqiptare.

Ikja e tij nga kjo botë ka lënë një boshllëk të madh në shoqërinë tonë.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës.

Ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe dashamirëve të Fahri Buçincës.
/ KultPlus.com

Telegram ngushëllimi i ministres Dumoshi me rastin e vdekjes së Emin Dushullovcit

Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të punëtorit shumëvjecar si dhe njëherësh Sekretar Teknik i Federatës Skitare të Kosovës, Emin Dushullovci.

Baca Emin ashtu siç e thërrisnin të gjithë, ishte punëtor i vyer përgjatë dekadave të shumta të konsolidimit dhe zhvillimit të sportit të skitarisë në vendin tonë. Ishte njeri me vullnet të madh për avancimin e gjeneratave dhe kushteve në të cilën organizoheshin garat e skitarisë në kohën e paraluftës e atë të Republikës së Kosovës.

I përjetshëm do të jetë emri, puna dhe kujtimi për veprën e tij.

Me këtë rast i shpreh ngushëllime familjes, miqve të të ndjerit, FSK-së, komunitetit të skijimit dhe komunitetit sportiv./ KultPlus.com

Osmani: Sot iku njeriu i cili dha gjithçka për baletin, artisti i merituar

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së mjeshtrit të baletit Ahmet Brahimaj

Sot iku rithemeluesi i trupës së baletit të Kosovës. Njeriu, i cili dha gjithçka për baletin, artisti i merituar dhe profesionisti i pakompromis.

Ahmet Brahimaj është përfaqësues i brezit të parë të baletanëve të Kosovës dhe do të mbetet ikona e artit skenik të baletit.

Trupa e Baletit mbeti pa frymëzuesin, bashkëpunëtorin e mirë e vetëmohuesin! Kosova mbeti pa maestron!

Ngushëllime komunitetit artistik!

Pusho në paqe mjeshtër! / KultPlus.com

Dumoshi: Ahmeti ka qenë njeriu me të cilin është identifikuar baleti në Kosovë

Telegram ngushëllimi i ministres Dumoshi për vdekjen e Ahmet Brahimajt

E nderuara familje Brahimaj,

Me pikëllim të madh e morëm lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, Ahmetit.

Ahmeti ka qenë njeriu me të cilin është identifikuar baleti në Kosovë. Me angazhimin e tij, ai ka bërë që të njihet jo vetëm nga artistët e ata që merren me kulturë por edhe në fusha tjera. Kur ka folur dikush për baletin e ka pasur në mendje Ahmetin.

Ahmet Brahimaj është prej njerëzve të parë që është marrë me balet dhe është edukuar në këtë fushë duke qenë prej gjeneratave të para të Baletit të Kosovës. Si një ndër balerinët e parë, ai ka formuar Ansamblin e Baletit në vendin tonë në vitet e 70-ta të shekullit 20.

Ka luajtur në mëse 40 premiera baleti e në shumë premiera tjera artistike duke pasur rolet kryesore në to duke u paraqitur me sukses. Përkushtimi me të cilin Ahmeti ka punuar ka bërë që ai përpos që ka fituar dhe gëzuar respektin e atyre që kanë pasur rastin ta njohin e të punojnë me të, ta marrin për frymëzim dhe nxitje për angazhim më të madh.

Baleti i Kosovës por edhe kultura shqiptare në përgjithësi ka humbur një figurë shumë të madhe duke e lënë një zbrazëti të pazëvendësueshme. Ahmeti do të kujtohet dhe do të mbetet i paharruar përmes veprave të shumta e gjurmëve të pashlyera që la pas. Mes bashkëpunëtorësh, shëmbëlltyra e tij do të mbetet përjetësisht udhërrëfyes i punës dhe angazhimit.

Ngushëllime familjes, miqve e tërë komunitetit artistik për këtë humbje të madhe. / KultPlus.com