Flonja Haxhaj
Një ndër simbolet e Prishtinës së vjetër, Hamami i Madh, për kohë të gjatë i kishte dyert e mbyllura dhe restaurimet vazhdonin nga viti në vit. Por, Manifesta ka arritur të hyjë brenda kësaj ndërtese për ta ringjallur e për të rikthyer frymën e njerëzve brenda saj, shkruan KultPlus.
Instalimi i veprës ‘Tell me Your Story’ të artistes, Chiharu Shiota, vepër kjo e realizuar në kuadër të Manifestës, i ka dhënë një pamje të re këtij objekti shekullor.
Mijëra letra të shkruara nga fëmijë e të rritur kosovarë, të lidhura me fije të kuqe e që bashkë kanë formuar një ‘uragan’, e që synojnë të simbolizojnë lidhjet njerëzore do të qëndrojnë të ekspozuara për 100 ditë në këtë objekt.
Artistja thotë se ka zgjedhur pikërisht Hamamin e Madh, një nga monumentet më të vjetra sepse sipas saj vetë ndërtesa nënkupton lidhjen.
“Lidhja”, thotë ajo, “është pjesë e ekzistencës sonë. Ne nuk mund të ekzistojmë pa u ndjerë të lidhur me dikë ose diçka.”
Në “Tell me Your Story”, artisti eksploron fijet që na lidhin së bashku, që na lidhin me qeniet e tjera në hapësirë dhe kohë. Të njëjtat fije, siç zbulojnë linjat endacake, gjithashtu mund të thyhen, nyjëzohen, përdridhen dhe zgjidhen.
Për këtë instalacion, Shiota ka zgjedhur të punojë me fije të kuqe, ngjyrë që ajo e lidh me gjakun, trupin dhe marrëdhëniet njerëzore. Në ndërthurjen e madhe të “vizatimit të saj tredimensional”, artistja ka thurur histori personale të lindjes, fëmijërisë, familjes dhe vendit, fesë, dashurisë dhe vdekjes. Secila është shkruar nga dikush nga Kosova.
Hamami i Madh i Prishtinës daton në shekullin e XV. E ndërtuar si “hamam çifti”, ai përdorej nga njerëz të gjinive të ndryshme për pastrim, relaksim dhe shoqërim. Një nga monumentet më të vjetra dhe të pakta të mbetura në peizazhin kulturor të Prishtinës, nuk është përdorur si hamam që nga viti 1960./ KultPlus.com