“Organizata Shqiptaria” dhe “Artistët për Artistë”, nesër do të hapin ekspozitën “Fryma e Dashurisë” për nder të ditëlindjes së Shenjtores, Nënë Tereza.
Në njoftim është bërë e ditur se kjo ekspozitë e cila vjen si reflektim mbi vlerat e dashurisë dhe humanizmit do të hapet në sheshin e kryeqytetit “Nënë Tereza”.
“Kjo ngjarje e veçantë është organizuar për nder të shenjtores Nënë Tereza dhe do të jetë një mundësi e mrekullueshme për të reflektuar mbi vlerat e dashurisë dhe humanizmit që ajo përfaqësonte”, thuhet në njoftim.
Ekspozita do të jetë e hapur për të gjithë nga ora 12:00 deri në 18:00./ KultPlus.com
Ki gjithnjë parasysh se lëkura rrudhet, flokët thinjen e ditët bëhen vite.
Megjithatë ajo çka është e rëndësishme nuk ndryshon forca dhe besimi yt nuk kanë moshë. Shpirti yt ështe ngjitësi i çdo rrjetëze merimangash.
Pas çdo linje të mbërritjes është një linjë nisjeje. Pas çdo suksesi është një tjetër zhgënjim.
Përsa kohë je i gjallë, ndjehu i gjallë. Nëse të mungon ajo që bëje, kthehu ta bësh. Mos jeto me fotografi të zverdhura, këmbëngul edhe pse të gjithë presin të braktisësh.
Mos lejo të ndryshket hekuri që është në ty. Bëj që në vënd të mëshirimit të të respektojnë.
Gjej kohë të mendosh Gjej kohë të lutesh Gjej kohë të qeshesh Është burimi i fuqisë Është fuqia më e madhe mbi tokë Është muzika e shpirtit.
Gjej kohë për të luajtur Gjej kohë të duash dhe të duhesh Gjej kohë të japësh Është sekreti i rinisë së përjetshme Është privilegj i dhënë prej Zotit Dita është shumë e shkurtër për të qenë egoistë.
Gjej kohë të lexosh Gjej kohë të jesh mik Gjej kohë të punosh Është burim mençurie Është rruga e lumturisë Është çmimi i suksesit.
Gjej kohë të bësh mirësi Ështe çelësi i parajsës./KultPlus.com
Dita më e bukur? Sot. Pengesa më e madhe? Frika. Gjëja më e lehtë? Të gabosh. Gabimi më i madh? Të heqësh dorë. Rrënja e çdo të keqeje? Egoizmi. Mëndjeheqja më e mirë? Puna. Humbja më e madhe? Mospasja e kurajës. Profesionistët më të mirë? Fëmijët. Nevoja e parë? Komunikimi. Lumturia më e madhe? Të jesh i dobishëm për të tjerët. Misteri më i madh? Vdekja. E meta më e keqe? Të qenit pa humor. Personi më i rrezikshëm? Ai që gënjen. Ndjenja më e shëmtuar? Mëria. Dhurata më e bukur? Falja. Ajo më e paçmuara? Familja. Drejtimi më i mirë? Rruga e duhur. Sensacioni më i kënaqshëm? Paqja e brendshme. Pritja më e mirë? Buzëqeshja. Ilaçi më i mirë? Optimizmi. Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer. Forca më e madhe? Besimi. Personat më të nevojshëm? Shërbyesit e Zotit (priftërinjtë etj). Gjëja më e bukur në botë? Dashuria. /KultPlus.com
Ki gjithmonë parasysh se lëkura krijon rrudha, flokët bëhen të bardhë, ditët shndërrohen në vite… Por ato që janë të rëndësishme, nuk ndryshojnë: forca jote dhe bindja jote nuk kanë moshë. Shpirti yt është ngjitës për çdo rrjetë merimangash. Pas çdo vendi mbërritjeje është një vend nisjeje. Pas çdo suksesi ka një tjetër zhgënjim. Për aq sa të jesh e gjallë, ndjehu e gjallë. Nëse të mungon ajo që bëje, kthehu dhe bëje. Mos jeto me fotot e zverdhura… këmbëngul, edhe nëse të gjithë presin të largohesh. Mos e lër të ndryshket hekurin brenda teje. Vepro në mënyrë që në vend të mëshirës, të tjerët të të tregojnë respekt. Kur për shkak të viteve nuk mund të vraposh, ec shpejt. Kur nuk mund të ecësh shpejt, ec ngadalë. Kur nuk mund të ecësh dot, përdor bastun. Por mos u ndal asnjëherë!/KultPlus.com
Nëna Tereza e Kalkutës, Shenjtorja e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e çmimit ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën, e cila që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që ajo të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86-vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë.
Nga Dashnor Kaloçi
I gjithë dokumentacioni i plotë (tashmë i deklasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës të saj në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonëshme, për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën, të cilët, me pretekste të ndryshme, penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkomëtar!
Edhe pse në të gjithë botën ajo njihej si Nënë Tereza e Kalkutës, Shenjtorja e famshme Gonxhe Bojazhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare dhe e çmimit ‘Nobel’ për Paqen në vitin 1979, nuk e fshehu kurrë origjinën e saj shqiptare, madje duke kërkuar që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze, italiane etj.,(ku u angazhuan krerët më të lartë të diplomacisë së këtyre dy shteteve), që të vizitonte nënën dhe motrën e saj që jetonin në Tiranë.
Por edhe pse lidhur me kërkesën e vazhdueshme për të vizituar atdheun e saj, asokohe dhe më pas u angazhuan disa prej diplomatëve kryesore të këtyre dy shteteve Perëndimore me të cilat Tirana zyrtare kishte marrëdhënie diplomatike, regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk e lejoi atë kurrsesi të vinte dhe të shikonte nënën e saj që ishte në momentet e fundit të jetës dhe Age Bojaxhi, u nda nga jeta me pengun e madh që s’mundi ta shihte edhe njëherë të bijën e saj, Gonxhen, të cilën s’e kishte pare, që kur ajo ishte fëmijë, kohë kur ajo ishte larguar nga shtëpia për t’u bërë murgeshë.
Por edhe pas kësaj, Nënë Tereza e Kalkutës, siç njihej ajo në të gjithë botën për shkak të misioneve të saj të bamirësisë në ndihmë të të varfërve dhe të vobektëve kudo që ata ndodheshin, në të gjitha skajet e globit, jo vetëm që nuk u zemërua me ata që nuk e lejuan të shihte nënën e saj, para se të ndërronte jetë, por përkundrazi, u lut për ta dhe vijoj të kërkonte pa u lodhur, për vite me radhë, që ajo të vinte një ditë në vendlindjen e të parëve të saj, qoftë dhe për të vënë një tufë me lule mbi varrin e nënës dhe motrës së saj, që tashmë ishin larguar nga jeta.
Por kërkesat e saj, për dy dekada (nga viti 1969, deri në 1989-ën), hidheshin poshtë me pretekste nga më absurdet nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më pas, pasuesit të tij, Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, të cilët shikonin pas saj dhe njerëzve që e shoqëronin: një “agjente të Vatikanit”, etj.!
Lidhur me këto si dhe të gjithë kalvarin e saj prej më shumë se dy dekadash për të ardhur në Shqipëri, ku mendonte që të hapte Shtëpitë e Bamirësisë, siç kishte bërë në vende të ndryshme të botës, si dhe arsyen e vërtetë sepse Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, vendosën që ta pranonin atë në vitin 1989, kur dhe erdhi për herë të parë në atdheun e saj, bëhet fjalë në shumë dokumente arkivore, ku ndodhet një korespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, revista, flet-palosje, fotografi, etj., etj., të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al., në rubrikën historike dossier, duke filluar nga ky numër.
Letra e ambasadës shqiptare në Paris për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, më 29 gusht 1969
AMBASSADE DE LA REPUBLIQUE POPULAIRE D ALBANIE EN FRANCE
131 Rue de la Pompe 16
Nr.5/60 Prot.
E thjeshtë
Paris 29 gusht 1969
MINISTRISE SE PUNEVE TE JASHTME
Tiranë
Bashkangjitur po ju dërgojmë Aide – Memoire-n, datë 29 gusht 1969 që Ministria e Punëve të Jashtme Franceze, i dorëzoi të ngarkuarit me punë të kësaj ambasade përmbajtjen e së cilës jua kemi komunikuar më parë.
Mbi Roza e Agatha Bojaxhiun për të cilat, interesohet Ministria e Punëve të Jashtme franceze dhe vetë ministri Moris Schuman:
Të sipërmet kanë shtetësi shqiptare dhe banojnë në rrugën “Perlat Rexhepi” në Tiranë, në një apartament dy dhoma e një guzhinë. Roza është mbi 85 vjeç. Kohët e fundit është paralizuar dhe nuk lëviz fare nga shtrati. Ndërsa vajza e saj Agatha, është 54 vjeç, e pamartuar dhe punon rrobaqepëse private në shtëpi.
Kanë ardhur në vendin tonë nga Shkupi, në vitin 1930 dhe që në atë kohë, janë vendosur me banim në Tiranë. Bashkë me to ka ardhur dhe djali i Rozës, që ka qenë ish oficer i Zogut. Ky në vitin 1940, shkoi në Itali dhe nuk u kthye më në Shqipëri. Aktualisht punon farmacist në një qytet të Italisë.
Si gjatë luftës dhe tani, të dyja ato kanë mbajtur qëndrim indiferent dhe nuk janë përzier në politikë. Agatha, angazhohet në një farë mënyre në problemet e lagjes.
Në Shqipëri, nuk kanë ndonjë pjesëtar tjetër të familjes apo të afërm. Në lagje qëndron mirë dhe mban sjellje korrekte. Jetojnë me të hollat, që nxjerr Agatha nga puna si rrobaqepëse në shtëpi dhe me ndonjë ndihmë të vogël, që u dërgon i vëllai nga Italia, qoftë në emër të tij, qoftë në emër të motrës tjetër të tyre që është murgeshë në Indi.
Letra e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, dërguar ambasadës shqiptare në Paris, për Roza dhe Agatha Bojaxhiun
Tiranë më 16.4.1970
DREJTORIA E IV
LËNDA: Mbi kërkesën e MPJ të Francës, lidhur me Roza dhe Agatha Bojaxhiun.
AMBASADËS SË R.P. TË SHQIPËRISË
PARIS
Kërkesa që ka bërë MPJ e Francës, rreth Roza e Agatha Bojaxhiut që të vijnë në fillim aty si vizitore dhe më pas, të merren në ngarkim nga organizata “Caritas International” e të vendosen me banim të përhershëm në Vatikan, nuk mund të merret parasysh. Për këtë shoku, Nos Qosja, ka marrë takim në ministri, me drejtorin e çështjeve politike, që e ka trajtuar këtë problem dhe verbalisht me korrektësinë e duhur dhe t’i thotë se autoritetet kompetente shqiptare, shqyrtuan kërkesën e tyre dhe rezulton se ata nuk kanë marrë ndonjë kërkesë, nga të mësipërmet për të lënë Shqipërinë.
Dhe as që mendojnë që të shkojnë pranë vajzës së tyre në Indi. Shoku Nos, ti thotë gjithashtu se Roza është 86 vjeç dhe nuk mund të lëvizë nga shtrati. Në fund t’i thotë në taktin e duhur, se nga ana jonë janë marrë të gjitha masat e nevojshme si për të gjithë shtetasit e Republikë Popullore të Shqipërisë, që atyre të mos ju mungojë asgjë.
Mbasi të bëni takimin, na njoftoni lidhur me reagimin e tyre për këtë çështje.
MINISTRI
(Nesti Nase)
Telegrami sekret i ambasadës shqiptare në Paris për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me interesin e shtetit francez për nënën dhe motrën e Gonxhe Bojaxhiut, që jetonin në Tiranë
D E SH I F R I M
Nga: Parisi
Nr. 348 Datë: 7.3.1970
MINISTRISË SE JASHTME
Në një takim që pati Nosi, në MPJ të Francës me nëndrejtorin për çështjet politike, Jurgenser, i komunikoi atij përgjigjen tonë lidhur me çështjen e motrave Bojaxhiu. Ai tha se do të njoftojë për këtë, Moris Schumanin. Dhe se beson që ministri, do të mbetet i kënaqur nga përgjigja. Pastaj Jurgenser e pyeti Nosin, për marrëdhëniet tona me Jugosllavinë si dhe për qëndrimin tonë lidhur me Konferencën e Sigurimit Evropian.
(vijon)
DESHIFRIM
Nga: Parisi
Nr. 349 Data: e dyta
Pasi Nosi, i shpjegoi qëndrimin tonë Jurgensen i tha se qëndrimi zyrtar francez, puqej me atë të qeverisë shqiptare. Franca, është kundër qëndrimit të ushtrive amerikane e sovjetike nëpër vendet e ndryshme të Evropës dhe të flotave të tyre në Mesdhe. Edhe Franca mendon se kjo konferencë nuk do të sjelli asgjë me rëndësi.
(vijon)
DESHIFRIM
Nga: Parisi
Nr. 350 Data: e treta
Por nisur nga fakti që shumë vende evropiane e duan këtë konferencë, mundet që të mos kundërshtohej mbajtja e saj. Edhe një gjë theksoi Jurgenseni: Vendimet që do të marri konferenca, do t’ju lënë rrugë të lirë shteteve të Paktit të Varshavës dhe Jugosllavisë, që në rast agresioni (si ai i Çekosllovakisë) të kërkojnë ndihmën e shteteve të tjera evropiane për vetëmbrojtje.
Relacioni i ambasadorit shqiptar në Romë, Dashnor Dervishi, për ministrin e Punëve të Jashtme në Tiranë, Reiz Malile, lidhur me interesimin e prof. arbëresh, Giuseppe Del Gaudio, i cili kërkonte të lejohej Nënë Tereza të vinte në Shqipëri, duke dhënë edhe biografinë e saj.
AMBASCIATA 00199 Roma 1.6.1989
DELLA REPUBBLICA SOCIALISTA D”ALBANIA VIA.ASMARA, 9
IN ITALIA TEL.83.80.725
MINISTRISE PUNEVE TE JASHTME
(Shokut Reis Malile)
Bashkangjitur, po ju përcjell një letër që me drejton prof. Giuseppe Del Gaudio, arbëresh nga Catanzaro, mik i vendit tonë, i cili parashtron dy kërkesa:
Me ftesë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, të vijë në vendin tonë për një vizitë miqësore, gjatë muajit gusht, 20 vetë që marrin pjesë në Këshillin Drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve Arbëreshë, me makinën e tyre.
Shprehet dëshira e Madre Tereza, për të bërë një vizitë private në Shqipëri, “për të puthur tokën shqiptare përpara se të vdesë…”, shoqëruar nga vetë Giusepse Del Gaudio dhe miku e shoqëruesi i saj, Gjergj Gjergji Gashi.
Dëshira e Madre Tereza për të bërë këtë vizitë në Shqipëri, na ka dalë edhe herë të tjera, nëpërmjet njohjeve tona në rrethet arbëreshe. Si mbas tyre: Madre Tereza, gjatë gjithë veprimtarisë së saj asnjëherë nuk është shprehur kundër politikës dhe sistemit tonë në fuqi, përkundrazi, vazhdimisht ajo përmend me mburrje, faktin që është nga Shqipëria; ka kontribuar në mënyrë aktive, moralisht e materialisht, në mbështetje të çështjes së Kosovës; institucionit që drejton dhe vetë ajo disponon shuma të mëdha financiare, të cilat ajo i jep në shërbim të qendrave shëndetësore për fëmijë e pleq, në të gjithë botën, vizita e saj në Shqipëri, do të shërbente si barrier ndaj ndonjë fushate të mundshme propagandistike, kundër të drejtave të njeriut në Shqipëri, që mund të shfrytëzohet në dëm të vendit tonë, sidomos mbas vdekjes së saj, për mos plotësimin e kësaj dëshire.
Ambasadori
(Dashnor Dervishi)
DREJTORIA E TRETE
Viti 1989
I N F O R M A C I O N Dosja 1204
Prof. Giusepe Del Gaudio, arbëresh nga Katanzaro, mik i vendit tonë dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëresh, në një letër që i dërgon ambasadorit tonë në Romë, parashtron dy kërkesa:
Gjatë muajit gusht, 20 vetë të Këshillit Drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve Arbëresh, të vijnë në vendin tonë për një vizitë miqësore, me ftesë të Lidhjes sonë të Shkrimtarëve dhe Artistëve. Kërkojnë të vijnë me makinën e tyre. Shprehet dëshira e Nënë Terezës (Gonxhe Bojaxhiut), për të bërë një vizitë private në Shqipëri, “për të puthur tokën tonë shqiptare përpara se të vdesë…”, e shoqëruar nga vetë Giusepe Del Gaudio dhe miku e shoqëruesi i saj, Gjergj Gjergji Gashi. Ambasada jonë në Romë sqaron se dëshira e G. Bojaxhiut për të bërë këtë vizitë në Shqipëri, ka dalë edhe herë të tjera nëpërmjet njohjeve në rrethet arbëreshe. Sipas tyre, ajo gjatë gjithë veprimtarisë së saj, asnjëherë nuk është shprehur kundër politikës dhe sistemit tonë në fuqi, përkundrazi, vazhdimisht ajo përmend me mburrje faktin që është nga Shqipëria, ka kontribuar në mënyrë aktive, moralisht e materialisht, në mbështetje të çështjes së Kosovës, institucioni që ajo drejton, disponon shuma të mëdha financiare, të cilat ajo i jep në shërbim të qendrave shëndetësore, për fëmijë e pleq, në të gjithë botën, vizita e saj në Shqipëri, do të shërbente si barrier ndaj ndonjë fush të mundshme propagandistike kundër të drejtave të njeriut në Shqipëri, që mund të shfrytëzohet në dëm të vendit tonë, sidomos mbas vdekjes së saj për mos plotësimin e kësaj dëshire.
Lidhur me vizitën e grupit të shkrimtarëve arbëreshë si të ftuar të Lidhjes së Shkrimtarëve, mendojmë të merret mendimi i Lidhjes dhe të ftohet kryetari prof. Del Gaudio, me 2-3 bashkëpunëtorë të afërt dhe jo 20 vetë. Ose të vijnë si grup turistik.
Për sa i përket kërkesës së Nënë Terezës, për vizitë private në Shqipëri, nisur edhe nga mendimi i ambasadës mendojmë të shikohet pozitivisht.
BIOGRAFIA E NËNË TEREZES
Viti 1989
(Anjezë Gonxhe Bojaxhi) Dosja 1204
Nënë Tereza, lindi më 27 gusht 1910-ën, qyteti maqedon të Shkupit, i cili atëherë ishte nën sundimin e Perandorisë Otomane. Ajo ishte e bija e një fshatari shqiptar dhe emrin vashëror e kishte Anjeze Gonxhe Bojaxhiu. E nxitur nga vizita misionare, që një prift katolik i qendrës misionare të Kalkutës, bëri në shkollën elementare të Shkupit, në vitin 1922, ajo vendosi që t’i përkushtohej ndihmës për të varfrit. Ajo zgjodhi Indinë, si fushë të punës së saj dhe nëpërmjet mësimit të gjuhës, u përgatit për veprimtarinë e saj të ardhshme.
Në vitin 1928, ajo hyri në manastirin “Motrat e Loretos” në Rathfarnham, pranë Dublinit. Pas disa muajsh, ajo u dërgua në Darjelin për të kryer arsimimin si murgeshë. Atje ajo mori njëkohësisht arsimin si mësuese e gjeografisë. Po atje, në të njëjtin vit, ajo bëri betimin fetar. Në vitin 1929, u dërgua në shkollën e mesme “Shën Maria” në Kalkutë, ku në fillim punoi si mësuese gjeografie dhe më pas si drejtoreshë. Pas ndarjes së nën kontinentit indian në dy shtete, Indi dhe Pakistan, në Kalkutë vërshuan kolonat e refugjatëve në Pakistani Lindor (sot Bangladeshi). Pikërisht në atë kohë, gjatë një udhëtimi me tren, për në Darjeling, ajo përjetoi atë, që ajo vetë e ka cilësuar si “përvojë e saj e Damaskut”.
Duke parë vuajtjet, para së gjithash, të fëmijëve, ajo i dërgoi një lutje Vatikanit, me anë të së cilës i kërkonte që, në vend që t’u jepet mësim vajzave të rritura, të mund të punonte në lagjet e varfra të Kalkutës. Miratimin e mori në vitin 1948 dhe nënë Tereza, vendoset në lagjen e varfër Tiljala, tek një familje me 7 pjesëtarë. Qëndrimi i saj i vrullshëm në këtë lagje, i nxiti banorët e saj që, pak ditë më vonë t’i dorëzonin nën Terezës, fëmijët e tyre për përkujdesje. Më 19 mars 1949, tek ajo u paraqit vajza e parë bengale dhe kërkoi të pranohej si ndihmëse vullnetare.
Më 7 tetor 1950, me miratimin e Vatikanit, ajo themeloi Urdhërin e “Misionarëve të dashurisë për tjetrin”, i cili sot numëron afro 1600 motra dhe më tepër se 300 vëllezër (këta të dytë i përkasin degës “Misionerët e dashurisë për tjetrin”, i krijuar në vitin 1963) si dhe më tepër se 120 000, ndihmës vullnetarë që u shërbejnë të sëmurëve me sëmundje shëruese dhe vdekje prurës. Përveç këtyre, ky urdhër ka krijuar gjithashtu 158 qendra në afro 15 vende: qendra mes të sëmurë që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme, spitale kundër leprozës, spitale të ndryshme, çerdhe për fëmijë, shkolla – jashtë Indisë, sipas radhës, këto qendra u krijuan: në vitin 1965 në Karakas, në vitin 1968, në Tanzani dhe Romë, në vitin 1969 në Australia për aborigjente, me 1970 në Jordani dhe Londër, me 1971 në lagjet e zezakëve, në New York, në Belfast në një lagje të prekur nga lufta civile dhe në Bangladesh, një vatër për viktimat e akteve të dhunës, nga ushtarët pakistanezë, më 1973 një qendër kundër leprozës në Jemen, si dhe qendra në Rripin e Gazës në Izrael, në Etiopi dhe në Vietnam, më 1974 në Papua Guinea, Palermo dhe Kamboxhia, në vitin 1975 në Napoli, në 1976 krijoi qendra për të sëmurë me sëmundje vdekjeprurëse në Bombej dhe Dar es-Salaam, më 1977, hapi një mision në Romë, një spital për të sëmurët, pa shpresë në Manilë, qendra të tjera në Peru, në Tahiti, në vitin 1978, në Argjentinë Roterdam, në 1979 në Esen. Brenfa Indisë, nën drejtimin e drejtpërdrejtë të nënë Terezës, janë 65 qendra në 25 qytete.
Pjesëtarët e këtij urdhëri në Indi, veshin rroba të ngjashme me ato që mbante nënë Tereza, kur u vendos për herë të parë në Tiljala: sari i bardhë, si ato që mbajnë zakonisht fshatarët, me bordurë blu dhe me një kryq në shpatull. Vlerësimi i parë publik asaj ju bë në vitin 1971, kur Papa Pavli i 6-të i dha Çmimin e Paqes (15 milion lireta) në vitin 1972 India i dha asaj Çmimin, Nehru, në vitin 1973 ajo mori Çmimin e Institucionit Tempëllton (34 mijë stërlina), në vitin 1976, asaj iu dha tituli i Doktorit të Nderit të Universitetit të New Delhit dhe në mars të vitit 1979, asaj iu dha dekorata e Institucionit Balzan, për nxitjen e paqes dhe vëllazërisë midis kombeve (500 mijë franka zviceriane).
Të gjitha këto çmime, u motivuan “për shkak të aktivitetit të saj vetëmohues dhe plot sakrifica në dobi të të uriturve, të sëmurëve të zakonshëm dhe atyre pa shpresë”.
Ndër detyrat e Urdhërit, është ai që asnjëherë të mos punohet për para dhe për pasuri; skema e shërbimit është në thellb kudo e njëjta. Që me lindjen e diellit bëhen vizita në lagjen e të varfërve, mblidhen ata që po vdesin dhe foshnjat e braktisura, dërgohen të sëmurët në qendrat e leprozëve dhe shpërndahen ilaçe dhe ushqime, në vende të caktuara.
Motot e këtij urdhëri janë: “Mos lejo kurrë që të takohesh me dikë dhe pas takimit tënd ai të mos jetë më i lumtur”. “Sëmundja më e keqe nuk është leproza ose tuberkulozi, por ndjenja që askush nuk kujdeset për ty, askush nuk të do më dhe se të kanë braktisur të gjithë”. “Dashuria e zotit duhet të zëvendësohet nga veprim për tjetrin, nëpërmjet këtij veprimi, një hindu bëhet një hindu i mirë, budistit bëhet budistë i mirë, i krishteri bëhet i krishterë më i mirë”, “në vendet e pasura ekziston një varfëri e cila është shumë më e madhe, se sa varfëria që shohim në Afrikë: varfëria e vetmisë dhe e braktisjes”.
Një gazetar e pyeti atë nëse ja vlente të kujdesej për disa foshnje, në një kohë kur në Indi, ka një numër kaq të madh njerëzish. Ja si e komentoi ai përgjigjen e saj: “Për atë kjo ishte një pyetje e cila i kundërvihej kaq shumë këndvështrimit të saj për jetën, sa që ajo e kishte të vështirë ta kuptonte pyetjen. Mendimi se në rrethana të caktuara mund të kishte më shumë fëmijë, se sa duhej, ishte për të po aq i pakuptueshëm sikur t’i kishin thënë në pyje ka më tepër lulekëmborë, në qiell më tepër yje se sa duhet”. Malkom Magariç, ka shkruar për nënën Terezën: “Kjo ka pamjen e një shenjtoreje. Është një grua e jashtëzakonshme, që më ka mbetur në mendje që nga takimi im i parë me të.
Ashtu si të gjithë njerëzit e shenjtë, ajo i kupton hallet e kësaj bote, jashtëzakonisht mirë. Nuk sheh as television dhe as lexon gazeta, megjithatë ka një kuptim të shkëlqyer të atyre që ndodhin në botë. Ashtu si të gjithë njerëzit e shenjtë, ajo nuk do të ndryshojë kurrë dhe do të vazhdojë të jetë shumë e lumtur. Ajo asnjëherë nuk flet keq për dikë tjetër. Në qenien e saj nuk shihet asnjë gjurmë egoizmi”. /Memorie.al
Marrë nga botimi gjermano-perëndimor “Arkiv der gegenvard”. / Memorie.al / KultPlus.com
Enver Hoxha kërkoi që raportimi i bisedës konfidenciale të Ministrit të Jashtëm Francez me ambasadorin shqiptar në Paris Javer Malo të dërgohej menjëherë në zyrën e tij një ditë të vitit 1968. Shefi i diplomacisë shqiptare i kishte bërë edhe një notë shoqëruese, në të cilën sqarohej se problemi për të cilin kryediplomati francez Maurice Couve de Murville i drejtohej ishte një problem me të cilin ambasadat shqiptare po përballeshin shpesh në dy vitet e fundit.
Ai e kishte zanafillën disa vjet më parë, kur Ambasada shqiptare në Romë kishte marrë një letër nga një murgeshë katolike me qendër në Kalkuta të Indisë, e quajtur Nënë Tereza. Themeluese e urdhrit që mbante emrin e saj, shumë e njohur në Europë, ajo kishte kërkuar t’i jepej leje nënës së saj gati 80-vjeçare që të vinte në Romë për kurim. Nënë Tereza sqaronte se qe larguar nga Shqipëria në vitin 1928 dhe se nëna Drane dhe motra Age jetonin në Shqipëri.
Ajo nuk e kishte parë nënën asnjëherë që nga ikja 30 e ca vjet më parë. Kjo ishte edhe mundësia e fundit që ajo të kujdesej për të, ta shihte e t’i puthte duart përpara se të ikte nga kjo jetë. Letra qe nënshkruar edhe nga i vëllai, Lazër Bojaxhi, që jetonte në Palermo të Italisë, një ish-kapiten artilerie i mbretit Zog i ikur që gjatë Luftës së Dytë Botërore.
E lindur në një familje shqiptare të Shkupit, Gonxhe Bojaxhi ishte transferuar bashkë me familjen në Shqipëri pas kalimit të Shkupit në Mbretërinë e re Serbo-Kroato-Sllovene. Ajo vetë kishte zgjedhur rrugën e Zotit. Qe dorëzuar murgeshë me emrin Motër Tereza dhe, pas një qëndrimi në Irlandë, ishte vendosur në Kalkuta të Indisë. I vëllai, Lazër Bojaxhi, pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri, qe larguar drejt Italisë dhe ishte vendosur në Palermo ku jetonte i martuar prej vitesh.
Babai i Bojaxhinjve vdiq herët, por nëna Drane dhe motra Age vijuan të jetojnë në Shqipëri në kushte relativisht të vështira. Sa më shumë Nënë Tereza bëhej e njohur, aq më shumë ato e fshihnin afërsinë me të. Përpiqeshin të mos e përmendnin duke pasur frikë nga ndëshkimi i shtetit komunist që nuk e toleronte fenë. Në vitin 1959 nënë Tereza dhe vëllai Lazër u takuan në Romë.
Takimi i tyre pas 31 vitesh ngërthente një peng: faktin që të dy bashkë kishin vite pa parë motrën dhe nënën që jetonin në Shqipëri. Prej më se dhjetë vjetësh Nënë Tereza nuk kishte pasur ndonjë letër prej tyre. Më së fundi ajo mori vesh se ato jetonin në Tiranë, porse u lejohej të shkruanin vetëm një herë në muaj, edhe pse të gjitha letrat kalonin në duart e një censure shtetërore që kontrollonte edhe hollësitë më të vogla. Biografë të shumtë të Nënë Terezës shkruajnë se ajo kishte dëshirë të zjarrtë të vizitonte Shqipërinë, madje për këtë fliste shpesh me miq të ngushtë. Por Shqipëria, në mënyrë të përsëritur ishte një tokë e ndaluar për të.
Në mes të viteve ’60 nëna Drane u rëndua dhe të dyja bashkë, nënë e motër, i kërkuan Lazrit që t’iu dërgonte disa barna që nuk gjendeshin në Shqipëri. Lazri mendoi se ardhja e nënës për një muaj në Itali ishte zgjidhja më e mirë.
Ajo mund të vizitohej në një spital italian dhe ata, vëlla e motër, do të shihnin për herë të fundit në jetë nënën që i kish rritur me mjaft vështirësi. Të dy bashkë i nisën një kërkesë Ambasadës shqiptare në Romë, por për shumë kohë nuk morën përgjigje. Të njëjtin fat pati një letër e dytë dhe një kërkesë e bërë nga Drejtori Politik i Ministrisë së Jashtme Italiane me shtyrjen e Vatikanit. Menjëherë pas kësaj, Ambasadori shqiptar e thirri atë në një takim dhe i komunikoi se gruaja plakë nuk mund të largohej nga Shqipëria, sepse niveli i spitaleve ishte shumë i mirë, dhe se vajza dhe djali i saj që jetonin jashtë duhej ta kishin marrë parasysh mallin që kur u larguan nga Shqipëria dhe e braktisën nënën e tyre.
Me sa duket, rasti i Nënë Terezës, i bërë publik në media preku edhe shumë vetë. Në harkun e dy viteve pothuajse gjithë vendet që kishin marrëdhënie të mira me Shqipërinë i kërkonin Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme të bënte diçka: për plakën kërkohej vetëm një leje 30-ditore dhe kjo mund të jepej. Në mungesë të përgjigjes pozitive, Nënë Tereza tentoi atë që dukej më e vështira: kërkoi leje hyrjeje në Shqipëri për vetëm një javë, siç dëshmon një biografi i saj:
“Aty kah fillimi i viteve ’70, kohë kur Nënë Tereza mësoi për sëmundjen e nënës së saj, ajo i dendësoi përpjekjet për t’iu dhënë mundësia që të vizitonte vendin e saj. Shkoi të takonte atasheun e Ambasadës shqiptare në Romë me shpresë që të paktën do të lejohej të vizitonte Shqipërinë. “Kur Nënë Tereza po dilte prej ambasade, – shkruan Dom Lush Gjergji në librin “Nënë Tereza Jonë”, – për herë të parë në jetë e pashë t’i shkonin lot nëpër faqe.
U ndal, drejtoi sytë kah qielli dhe tha: “O Zot, unë e kuptoj dhe e pranoj këtë vuajtje për vedi, por shumë e vështirë ta pranoj dhe kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyeme nuk dëshiron asgjë tjetër përpos të na shohë edhe një herë”.
Kishte qenë ky objekti i bisedës konfidenciale që Ministri i Jashtëm Francez kishte bërë me Ambasadorin shqiptar në Paris, duke iu lutur që këtë bisedë t’ia përcillte, në formën e një kërkese, drejtpërdrejt Enver Hoxhës. Por biseda e Ministrit të Jashtëm Francez kishte edhe disa detaje më shumë.
Ajo i drejtohej privatisht Hoxhës dhe shënonte se për këtë çështje kishte shprehur interesim presidenti De Gol, si dhe ish-Gruaja e Parë e ShBA Zhaklinë Kenedi. Ata i luteshin Hoxhës që, në emër të humanizmit, të ndërhynte vetë për ta dhënë lejen speciale.
Hoxha duhet të jetë ndjerë keq. Pak orë më vonë ai thirri ministrin e Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu, i kërkoi më shumë të dhëna për një murgeshë të quajtur Nënë Tereza dhe sqaroi se, me gjasë, ajo ishte një agjente e rrezikshme. Ndër të tjera i kërkoi informacion për plakën dhe të bijën që jetonin në Shqipëri, si dhe gjithë njerëzit që hynin e dilnin te to.
Pas dështimit për vizë në ambasadë, Nënë Tereza nuk rreshti përpjekjet për të nxjerrë të ëmën dhe të motrën nga Shqipëria. Ajo iu drejtua për ndihmë disa prej personaliteteve më të mëdha të Globit, por pa sukses. Kur pa se ëndrra e saj për t’i takuar po shuhej, Nënë Tereza i shkruante të ëmës dhe të motrës:
“Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm se të lutem për ju”.
Më14 korrik 1972 Nënë Tereza mori një telegram, në të cilin i vëllai Lazër Bojaxhiu i shkruante: “Lutu për loken, që ndërroi jetë më 12 korrik”. Siç dëshmon shtypi, Drane Bojaxhiu vdiq me dhimbje në zemër që nuk arriti të shihte përsëri të birin e mbetur në Itali dhe të bijën misionare në Indi. Pas vitit 1990 janë botuar studime, ku shënohet një fakt prekës: Drania bijës së vet, që nuk e shihte prej dyzet e pesë vjetësh, fotografinë e fundit ia dërgoi me këtë nënshkrim:
“Gonxhe, të puth nanëlokja”.
Agia, motra e tyre e mbetur vetëm, vdiq një vit pas vdekjes së të ëmës, më 1973. Në një intervistë të vitit 1979, pasi Nënën Tereza fitoi çmimin Nobel, Lazër Bojaxhi u shpreh:
“Motra e vogël, e përulur, ajo e cila u pati ardhur në ndihmë miliona të braktisurve, ajo që u ka dhënë dashuri dhe solidaritet aq njerëzve të dëshpëruar, u ndalua t’i qëndronte mbi krye të shtratit të vdekjes nënës së vet. Dhe ajo grua e gjorë vdiq e dëshpëruar, duke shtrënguar në kraharor një fotografi të njomur me lot”.
Lazër Bojaxhiu vdiq në vitin 1981, ndërsa Nënë Tereza arriti të hyjë në Shqipëri në vitin1990, pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe pak muaj përpara se regjimi komunist të rrëzohej nga demonstratat e studentëve. E rrethuar nga roja të policisë sekrete, ajo mbërriti në shtëpinë ku kishin banuar e ëma dhe e motra për të mbajtur në dorë të vetmet kujtime të tyre: një radio “Siemens” të kohës së Luftës dhe një mulli për të bluar kafen turke. Murgesha vendosi një tufë me lule në varret e nënës dhe të motrës si shenjë triumfi ndaj atij regjimi që e ndaloi t’i shihte ato në gjallje.
Marrë nga “Enver Hoxha” me autor Blendi Fevziu/KultPlus.com