Një tjetër tërmet godet Turqinë, një i vdekur mbi 100 të plasogur 

Një tërmet me magnitudë 5.6 goditi Turqinë jugore të hënën, tre javë pas tërmeteve me përmasa katastrofike që shkaktuan dëme të mëdha në rajon. Termeti i të hënës shembi disa ndërtesa që ishin dëmtuar gjatë dridhjeve të mëparshme të tokës, duke vrarë të paktën një person, thanë autoritetet.

Më shumë se 100 persona u lënduan si pasojë e tërmetit të së hënës, me qendër në qytetin Yesilyurt në provincën Malatya, u tha gazetarëve Yunus Sezer, shefi i agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive të vendit, AFAD. Më shumë se 20 ndërtesa u shembën.

Një burrë dhe vajza e tij që ishin bllokuar nën rrënojat e një ndërtese katërkatëshe në Yesilyurt, u shpëtuan. Ata kishin hyrë në objektin e dëmtuar më parë për të marrë gjëra personale të tyre.

Në Malatya, autoritetet po zhvillonin kërkime në rrënojat e dy ndërtesave të dëmtuara që u rrëzuan mbi disa makina të parkuara, raportoi media turke, “HaberTurk”. Ende nuk dihet nëse ka njerëz të bllokuar nën rrënoja.

Malatya ishte ndër 11 provincat turke të goditura nga tërmeti me magnitudë 7.8 që shkatërroi pjesë të Turqisë jugore dhe Sirisë veriore më 6 shkurt. Ky i fundit shkaktoi vdekjen e më shumë se 48,000 njerëzve në të dyja vendet, si dhe në shembjen apo dëmtimin serioz të 185,000 ndërtesave në Turqi.

Shefi i AFAD-it u bëri thirrje njerëzve të mos hyjnë në ndërtesat e dëmtuara, duke thënë se pasgoditjet e forta vazhdojnë të përbëjnë rrezik. Më shumë se 10,000 pasgoditje janë regjistruar në këtë rajon që nga 6 shkurti.

Banka Botërore tha të hënën se tërmeti masiv shkaktoi 34.2 miliardë dollarë “dëme të drejtpërdrejta”, shifër kjo e barabartë me 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) të vendit më 2021.

Kostoja e rimëkëmbjes dhe rindërtimit mund të jetë potencialisht dy herë më e madhe, tha Banka Botërore, duke shtuar se humbjet e PBB-së do të rrisin gjithashtu koston e tërmetit.

Banka Botërore vlerësoi gjithashtu se 1.25 milionë njerëz kishin mbetur përkohësisht të pastrehë.

Ndërkohë, tifozët e ekipit turk të futbollit “Besiktas” mbushën fushën me lodra dhe veshje dimërore gjatë një ndeshjeje të zhvilluar të dielën për të mbështetur fëmijët e prekur nga tërmeti.

Shkon në mbi 50 mijë bilanci i viktimave nga tërmetet

Numri i viktimave nga tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë dhe Sirinë më herët gjatë këtij muaji ka kaluar shifrën prej 50.000, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga të dy shtetet.

Tërmetet e 6 shkurtit – prej 7.8 dhe 7.5 ballësh – kanë marrë jetën e 44.218 personave në Turqi, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, që ka cituar agjencinë shtetërore të fatkeqësive.Në Sirinë fqinje, numri i viktimave deri më tani është 5.900.

Që prej tërmeteve të 6 shkurtit, sipas agjencisë turke të fatkeqësive natyrore, janë regjistruar mbi 9.000 pasgoditje.Pothuajse 530.000 persona janë evakuuar vetëm nga zonat e prekura nga tërmetet në Turqi. Qeveria turke njoftoi se ka nisur puna për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga tërmetet, teksa Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), vlerësoi se 1.5 milion persona kanë mbetur të pastrehë.

Mbi 160.000 ndërtesa me 520.000 apartamente janë shembur ose janë dëmtuar rëndë nga tërmetet e 6 shkurtit.Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan njoftoi se qeveria do të paguajë qiratë e personave të mbetur jashtë ndërsa u zotua të rindërtojë të gjitha shtëpitë brenda një viti, edhe pse ekspertët kanë paralajmëruar se autoritetet duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi sigurisë së ndërtesave sesa shpejtësisë së ndërtimit të tyre.

Zyrtarët turq thonë se rregullat për ndërtimet do të forcohen dhe zbatimi I tyre do të jetë në lupën e autoriteteve më shumë se kurrë më parë. Po kështu, do të verifkohne lejet e ndërtimit e do të diskutohen ndeshkime më të rrepta pë rata që shkelin rregullat që synojnë ngritjen e godinave më të sigurta.

Mbi 45 mijë viktima nga tërmetet shkatërrimtare në Turqi dhe Siri

Është rritur ndjeshëm numri i viktimave të shkaktuara nga dy tërmetet e fuqishme që goditën më 6 shkurt Turqinë dhe Sirinë. 

Sipas raportimeve, deri tani në të dy shtetet janë konfirmuar 45 mijë të vdekur, nga të cilët 5800 në Siri dhe gati 40 mijë vetëm në Turqi.

Ndërkohë, situata vijon të jetë e rëndë, edhe pse kanë kaluar tashmë 13 ditë nga tërmetet e tmerrshme, sërish ka ende shpresë dhe punohet për të nxjerrë të tjerë persona nga rrënojat.

Në anën tjetër, autoritet turke kanë nisur menjëherë nga puna për rindërtimin. Mediat në Turqi raportojnë se të paktën 70 mijë ndërtesa, të cilat janë ende në këmbë, do të prishen gjatë ditëve në vijim pasi janë vlerësuar si të pabanueshme. Nga zonat e goditura nga tërmeti, deri tani janë evakuuar më shumë se 370 mijë persona.

Ndërkohë, vazhdojnë ndihmat nga OKB dhe organizata të tjera për t’i ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti, paçka se situata në Siri është më problematikja. Gjithsej 178 kamionë që transportonin ndihma nga Turqia në veriperëndim të Sirisë kanë kaluar kufirin që nga 9 shkurti, tha OKB. / KultPlus.com

Të gjitha kafshët dhe shpendët e ndiejnë tërmetin disa sekonda para

Inxhinieri gjeolog, Sazan Guri tregoi në një intervistë për Euronews Albania se kafshët dhe shpendët e ndiejnë tërmetin disa sekonda para se të ndodhë.

Sipas tij nuk ka asnjë formë për të parashikuar tërmetin, përveçse disa sekonda para përmes identifikimit të lëvizjes kaotike të shpezëve.

“Të gjitha kafshët e ndiejnë pa përjashtim sepse kanë 4 milionë marrësa, receptorë, njeriu ka 2 mijë,” – u shpreh Guri.

Goditja e parë e tërmetit shkatërrues në juglindje të Turqisë ishte 7, 8 ballë e pasuar nga qindra pasgoditje 2 prej të cilave 7,5 ballë.

Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Mbi 2700 njerëz kanë humbur jetën deri tani, ndërsa dhjetëra mijëra janë plagosur.

Ekipet e emergjencave po punojnë për nxjerrjen e personave që ndodhen nën rrënoja./ KultPlus.com

Tragjedia me 2600 të vdekur nga tërmeti, presidenti Erdogan shpall shtatë ditë zi kombëtare

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan ka vendosur shpalljen e 7 ditëve zi kombëtare për shkak të tragjedisë së ndodhur nga tërmeti që tronditi sot Turqinë dhe Sirinë.

“Për shkak të tërmeteve të ndodhura në vendin tonë, shpallim 7 ditë, ditë zie kombëtare. Flamuri ynë do të ngrihet në gjysmështizë deri në perëndim të diellit të dielën, 12 shkurt 2023, në të gjitha përfaqësitë e vendit tonë dhe të huaja”, ka shkruar ai në një postim në Twitter. / KultPlus.com

Shembet Kështjella historike e Gaziantep, shikoni çfarë ka mbetur pas tërmetit fatal në Turqi

Kështjella historike e Gaziantep u rrënua plotësisht pas tërmetit të madh me magnitudë 7.7 që goditi juglindjen e Turqisë, epiqendra e të cilit është rrethi Pazarcık i Kahramanmaraş.

Ndërsa disa bastione në pjesët lindore, jugore dhe juglindore të Kalasë historike të Gaziantepit në rrethin qendror të Şahinbeut u shkatërruan nga tërmeti, mbeturinat u shpërndanë në rrugë.

Kangjellat prej hekuri rreth oborrit ishin të shpërndara në trotuaret përreth. U shemb edhe muri mbajtës pranë kalasë. Në disa bastione janë vërejtur çarje të mëdha pas tërmetit.

Nga ana tjetër, kupola dhe muri lindor i xhamisë historike “Shirvani”, pranë kalasë, që thuhet se është ndërtuar në shekullin e 17-të, janë shembur pjesërisht. /A2CNN / KultPlus.com

62 vjet nga lëkundja më vdekjeprurëse e njerëzimit

22 maj 1960, bota përjetoi atë që njihet si lëkundja më vdekjeprurëse e njerëzimit, tërmeti i Valdivisë apo siç njihet ndryshe tërmeti i madh i Kilitshkruan KultPlus.

Me një magnitudë 9.4–9.6 tërmeti shkatërrues ndodhi pasdite dhe zgjati 10 minuta duke shkaktuar një cunami që preku Kilin Jugor, Japoninë, Filipinet, Zelandën e Re lindore, Australinë Juglindore e të tjerë.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara raportoi këtë ngjarje si “tërmeti më i madh i shekullit 20”.

Qeveria e Kilit vlerësoi se rreth 2 milionë njerëz kishin mbetur pa shtëpi. /KultPlus.com

Dy katastrofa natyrore godasin Meksikën

Dy katastrofa natyrore goditën Meksikën gjatë 24-orëve të fundit, një përmbytje në rajonet qendrore dhe një tërmet i magnitudës 7.1 Rihter në brigjet jugperëndimore.

Bilancin më të rëndë deri më tani e shkaktuan përmbytjet me 17 të vdekur.

Përmbytjet goditën qytetin e Tulës në shtetin federal të Higalgos. Shumica e viktimave janë pacientë  në gjendje të rëndë, të cilët e patën të pamundur të largoheshin në kohë nga një spital që u përmbyt menjëherë nga ujërat e furishëm.

Ndërsa rreth orës 4 të mëngjesit të kësaj të Mërkure, tërmeti i fuqishëm i magnitudës 7.1 Rihter goditi qytetin e Akapulkos dhe u ndje deri në kryeqytetin Meksiko, duke shkaktuar të paktën 1 viktimë.

Banorët braktisën ndërtesat të terrorizuar dhe dolën rrugëve, ndërsa dëmet materiale janë të shumta, ku mes rrënojave mund të ketë edhe viktima të tjera. / KultPlus.com

Momenti prekës kur dalin nga rrënojat babë e bir të përqafuar pas tërmetit në Kroaci (VIDEO)

Një tërmet i fuqishëm me magnitutë 6.3 të shkallës Rihter preku ditën e sotme Kroacinë, duke shkatëruar godinat dhe lënduar qindra persona.

Ndërkohë, mediat e huaja kanë publikuar momentin kur ekipet e kërkim shpëtimit nxorrën nga rrënojat e ndërtesave të shembura babanë dhe djalin e tij të vogël.

Siç duket edhe në videon e mëposhtme babai nuk e lëshon nga duart për asnjë moment djalin derisa futen në ambulancë dhe marrin trajtim mjekësor. Petrinja, është qyteti kroat që është goditur më rëndë si pasojë e tërmetit të fuqishëm, i cili u pasua nga disa pasgoditje./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=Kygto91u5UQ

Sarkazmë mbi gërmadha

Nga Flutura Açka

30 sekonda tërmet na i shkokluan 30 vjet jetë dhe shpresë për shtet. Akullorja me duar të pastra që ndërtoi një Durrës të frikshëm, do të bëjë një jetë perandorësh mbi frymët e 50 vetëve nën rrënoja, dhe mbi germadhat e miliona e milionat e kursimeve të shqiptarëve të mbetur nën qiell të hapur. I njëjti njeri që ndërtoi një Tiranë po aq të frikshme, do të rindërtojë Durrësin, madje ka thirrur edhe Opozitën të bëjë pjesë në komitetin e rindërtimit, në një si “biçim” marrëveshje si e 17 majit, që do ta zgjasë edhe më agoninë e shqiptarëve. Si mund të presësh transparencë mbi rrënoja nga institucione që kurrë nuk e bënë në kushte normale?
Por kjo nuk mjafton, mbi gërmadha teatri i strehimit të të mjerëve në hotelet me 5 yje, është aq sarkastik, aq i përshtirë, sa tronditesh. Të varfër që do të ishin përzënë po të shfaqeshin atypari në hollet e hoteleve me 5 yje, pasi varfëria e veshjeve të tyre bënte konflikt me luksin e këtyre hoteleve – që më së shumti kanë orgjira pushtetarësh në historikun e tyre – sot më ne fund do të kenë fatin të shijojnë pak nga luksi i të tjerëve. Shih, çdo e keqe e ka një të mirë! Po i provoni më në fund hotelet me 5 yje që deri më sot vetëm i keni ëndërruar.
Këtë sarkamë njerëzit e pushtetit duhet t’ua kursejnë shqiptarëve, në emër të një sensi human në shpirtin e tyre, sot duhet të jenë më të kujdesshëm. Të pakten sot!
Jo vetëm ata, por edhe klerikët shqiptarë, që nuk po lënë ekran pa dalë. Zoti është aq modest, sa nuk mund të pranojë as qurravitjen e tyre nëpër ekane, as krekosjen e tyre plot bujë. Zoti nuk ka nevojë për kamera, se sheh vetë, ndaj respektojeni mjerimin dhe fatin e shqiptarëve të pastrehë e të pabukë sot, siç do të donte dhe siç ju mëson ai, me modesti! / KultPlus.com

Erdogan paralajmëron ndërtimin e 500 shtëpive në Shqipëri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se “ekipet e Turqisë do të kryejnë punimet në vendet e përshtatshme në Shqipëri dhe si vëllezër turq do të ndërtojnë 500 njësi banimi”.

Ndryshe, presidenti turk kishte thënë se kishte zhvilluar dy biseda telefonike me kryeministrin shqiptar Edi Rama më 26 nëntor, pasi dëgjoi për tërmetin, për të ofruar ngushëllimet e tij.

Si rezultat, siç thuhet tutje, përcjell Telegrafi, Turqia i ka dërguar menjëherë ndihma Shqipërisë rreth menaxhimit të fatkeqësisë dhe emergjencave.

“Si një vend, i cili vuajti nga tërmete të mëdha në të kaluarën, ne e kuptojmë dhimbjen e Shqipërisë”, citohet të ketë thënë Erdogan.

“Ne të gjithë duhet të qëndrojmë me Shqipërinë kur bëhet fjalë për trajtimin mjekësor të të dëmtuarve ose sigurimin e strehimoreve për ata që kanë humbur shtëpitë e tyre”, kishte shtuar ai.

Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, dy tërmete të fuqishme goditën Shqipërinë.

Tërmeti i parë është regjistruar në orën 04:00 me shkallë të Rihterit 6.4 në Durrës, ndërsa i dyti ishte me magnitudë 5.4 shkallë të Rihterit dhe u regjistrua në ora 07:10.

Si pasojë e këtyre tërmeteve, përcjell Telegrafi, numri i viktimave po vazhdon të rritet dhe bëhet e ditur se janë rreth 700 persona të lënduar, si dhe dëme të mëdha materiale. /Telegrafi/ KultPlus.com

“Save the Children”: 9 mijë fëmijë janë në nevojë pas tërmetit në Shqipëri

Organizata “Save the Children” thotë se rreth 9 mijë fëmijë janë në nevojë pas tërmeti të së martës në Shqipëri.

Ata janë të trembur dhe të shqetësuar dhe përveç tendave, shtretërve, batanijeve dhe mjeteve të higjienës personale, kanë nevojë edhe për mbështetje emocionale dhe mendore, thonë nga “Save the Children”.

Të paktën 4 fëmijë janë mes viktimave të deritanishme të tërmetit.

Save the Children po veprojnë në Durrës, Tiranë, Shijak dhe Fushë Krujë, ku po i përgjigjet nevojave të fëmijëve dhe familjeve të tyre./tch / KultPlus.com

Biznesmeni Samir Mane dhuron 1.2 milion euro për të dëmtuarit nga tërmeti

Biznesmeni shqiptar, Samir Mane, ka vendosur të dhurojë 1.2 milionë euro për qytetarët e dëmtuar nga tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të 26 nëntorit, me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter.

Gjithashtu, presidenti i Grupit Balfin, Mane, së bashku me Bordin Drejtues dhe kompanitë përkatëse, kanë vendosur që, përveç kësaj shume, t’iu vijnë në ndihmë të prekurve nga tërmeti edhe me mjetet e nevojshme e baza ushqimore.

“Bordi Drejtues i Grupit Balfin nën kujdesin e veçantë të presidentit Samir Mane, dhe kompanitë përkatëse të Grupit vendosen sot që të akordojnë shumën prej 1.2 milion eurosh për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri.

Përveç kësaj shume të akorduar, kompanitë e Grupit Balfin, si Spar, Neptun, Jumbo, etj, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, Maqedonisë, Bosnjës, e kështu me radhë, që në ditën e parë, i kanë qëndruar pranë banorëve të pastrehë, duke u ardhur në ndihmë me mjetet e nevojshme dhe bazën ushqimore. Grupi Balfin bën të ditur se ndihmat e Grupit do të vijojnë çdo ditë”, thuhet në njoftim. /BW / KultPlus.com

Përvetësuan ndihmat për banorët e prekur nga tërmeti, arrestohet Shefi i Rendit në Rinas, një efektiv dhe një zjarrfikës

SHÇBA arreston 2 punonjës policie, 1 punonjës të shërbimit zjarrfikës, si edhe procedon penalisht 2 shtetase për veprat penale të “mashtrimit” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arrestuar mbrëmë në flagrancë shtetasit: 

– A.Z., me detyrw Shef i Seksionit të Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas, për veprën penale të “Mashtrimit në bashkëpunim”.

– E.H., me detyrë Komandant skuadre në Seksionin e Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas për veprën penale “Shpërdorim detyre”;

– A.T., me detyrë punonjës i shërbimit zjarrfikës pranë PMNZSH Kombinat, për veprën penale të “Mashtrimit, e kryer në bashkëpunim”.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetaset V.Z. dhe Sh.T. për veprën penale të “Mashtrimit”, kryer në bashkëpunim. 

Procedimi i tyre u krye pas hetimeve të zhvilluara në lidhje me publikimin e një video në media, ku shfaqeshin pamje të transportimit e përvetësimit të një sasie të konsiderueshme pakosh ushqimore (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale) të destinuara për banorët e prekur nga situata e tërmetit.

Materialet hetimore proceduriale do t’i dërgohen Prokurorisë Tiranë për hetime të mëtejshme.

SHÇBA fton çdo qytetar të denoncojë në numrin jeshil 0800 90 00, për çdo rast abuzimi të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke garantuar reagim të shpejtë e në kohë. /Shqiptarja.com / KultPlus.com

Papa Françesku, mesazh ngushëllues: Populli shqiptarë ka vuajtur shumë këto ditë

Mesazheve mbështetëse sa i takon situatës së krijuar në Shqipëri, pas tërmetit që goditi Shqipërinë në mëngjesin e djeshëm u është bashkuar edhe Papa Françesku.

“Jemi pranë viktimave dhe familjeve të tyre në këto momente. Zoti e bekoftë këtë popull, të cilit i uroj të gjithë të mirat. Populli shqiptar ka vuajtur shumë gjatë këtyre ditëve. Shqipëria është vendi i parë evropian që kisha dëshirë të vizitoja”, shprehet Papa ndër të tjera. / KultPlus.com

Lajmi i parë në CNN flet për tërmetin në Shqipëri

Reuters, BBC, CCN janë vetëm disa nga mediat ndërkombëtare që po raportojnë për tërmetin e fuqishëm në Shqipëri, ku deri tash raportohet për 4 të vdekur.

BBC shkruan “Tërmeti i fuqishëm 6.4 magnitudë godet Shqipërinë”.

CNN shkruan: “Të paktën 140 persona janë lënduar nga tërmeti 6.4 ballë në Shqipëri”. Bën të ditur edhe për ndërtesat e shembura e viktimat.

Euronews në titull kryesor të lajmit shkruan “Shqiptarët reagojnë ndaj tërmetit më të fuqishëm në dekadat e fundit”.

Reuters raporton edhe për vendet ku është ndjerë tërmeti.

Tabolidi britanik “Dailymail” shkruan për tre persona të vdekur nga tërmeti i fuqishëm.

Tërmeti është raportuar edhe nga mediat të tjera të huaja, italiane, greke dhe amerikane. / KultPlus.com