“Foshnja mrekulli” që lindi nën rrënojat e tërmetit bëhet me familje, i vendoset emri i nënës së saj

Shumë donin ta birësonin, por të afërmit e saj, pavarësisht kushteve të vështira, vendosën që për të ishte më mirë të ishte me familjen e saj.

Foshnja e lindur nën rrënoja pas tërmetit në Siri, Aya e vogël, është larguar nga spitali dhe ka mbërritur në një shtëpi të re.

Ajo u adoptua nga familja e tezes. Një ditë pasi ajo u shpëtua, mjekët i dhanë asaj emrin Aya, që do të thotë “mrekulli” dhe “dhuratë” në arabisht, ndër të tjera.

Shtëpi e re, emër i ri

Me të mbërritur në shtëpinë e re, asaj iu dha një emër i ri – Afra, në kujtim të nënës së saj të ndjerë që vdiq nga tërmeti së bashku me bashkëshortin dhe katër fëmijët e saj, shkruan AP, transmeton Reporteri.net.

Historia e vogëlushes është raportuar nga mediat botërore. Shumë donin ta birësonin, por të afërmit e saj, pavarësisht kushteve të vështira, vendosën që më së miri të ishte me familjen.

Xhaxhai i Afrinit, Halil al-Sawadi, jeton me të afërmit e tij në Jinderis, në veri të Sirisë, sepse edhe shtëpia e tij u shkatërrua nga tërmetet. Ai dhe gruaja e tij kanë katër vajza dhe dy djem.

“Nuk do ta ndaj nga fëmijët e mi. Ajo është fëmija im tani. Nuk do ta ndaj nga fëmijët e mi. Do t’i preferoj sepse do të jenë kujtime të babait, nënës dhe vëllezërve të saj – tha Al-Sawadi për AP.

Gjatë qëndrimit në spital, Afra është ushqyer me gji nga bashkëshortja e drejtorit të spitalit në Afrin. Familja dhe autoritetet kompetente kishin frikë se vajza mund të rrëmbehej nga spitali, sidomos pas ndërhyrjes së sulmuesve të armatosur.

Spitali njoftoi të hënën se Afra iu dorëzua tezes dhe xhaxhait të saj pasi një test i ADN-së përcaktoi se ata ishin të lidhur biologjikisht. / KultPlus.com

Histori të rralla mbijetese nga tërmeti në Turqi, shpëtohen pas 198 orësh dy vëllezër

Ndërsa shanset për të gjetur të mbijetuar më shumë se një javë pas tërmeteve vdekjeprurëse po zvogëlohen, histori të rralla mbijetese po shfaqen ende.

Në ditën e nëntë të tërmetit dhe pas 198 orësh një mrekulli e dyfishtë vjen nga rrënojat në Kahramanmaraş. Mediat turke raportojnë se dy vëllezër janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e një apartamenti në Kahramanmaras.

Bëhet fjalë 17-vjeçarin Muhammet Enes Yeninar dhe 21-vjeçarinb e quajtur Baki Yenina Abdulbaki, të cilët shpëtuan nga rrënojat dhe u dërguan me barelë në ambulancë, ndërsa ekipet e shpëtimit përjetuan një gëzim të madh.

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 kanë shkaktuar dëme të mëdha në 10 provinca në Turqi, ndërsa dhjetëra mijëra qytetarë kanë humbur jetën dhe shumë objekte janë shkatërruar.

Numri i të vdekurve nga tërmetet e javës së kaluar në Turqi dhe Siri ka shkuar në 37,000nga të cilët 31,643 persona janë në Turqi dhe më shumë se 5,814 njerëz janë në Siri./A2news / KultPlus.com

Gjithçka u rrafshua, kulla e sahatit mbeti në këmbë, ngeci në “orën e vdekjes”

Kulla e sahatit në qytetin Adiyaman është shndërruar në simbolin e fitores së jetës kundër vdekjes, pasi është ndër ndërtimet e pakta në zonë që i ka shpëtuar tërmetit të 6 shkurtit që goditi Turqinë.

Qyteti, ku pjesa dërrmuese e popullsisë janë kurdë, është rrafshuar thuajse plotësisht. Por në pamjet e përcjella nga mediat turke, kulla 40-vjeçare e sahatit qëndronte e drejtë mes mbeturinave. Ajo që bie më shumë në sy është se orët e vendosura aty kishin ngecur të gjitha në 4:17, orën ekzakte kur vendi u godit nga tërmeti i parë i magnitudës 7,7.

Më shumë se 41 mijë persona kanë humbur jetën në Turqi e Siri nga ai që konsiderohet tërmeti më i madh që ka goditur vendin që prej vitit 1936. Autoritetet turke vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa në Siri, “Helmetat e Bardha” kanë ndërprerë punën.

Në Turqi, janë arrestuar disa ndërtues, të cilët fajësohen se nuk kanë respektuar rregullat e ndërtimit dhe për pasojë godinat që ata kanë ngritur u shembën. / KultPlus.com

Shqiptari dhuron 1 milion dollarë për të prekurit nga tërmeti në Turqi

I riu shkodran, Kevin Sekniqi, i cilësuar nga “Forbes” si si një nga 30 personat nën 30 vjeç më të suksesshëm në botën financiare, ka bërë një gjest human. Ai ka dhuruar 1 milion dollarë për të prekurit nga tërmeti në Turqi. Sekniqi kontribuoi për t’iu ardhur në ndihmë sadopak familjeve të prekura nga tërmeti tragjik i 6 shkurtit.

Theksojmë se Sekniqi është “bashkëthemeluesi më i ri i Ava Labs, i cili ka luajtur një rol kyç në krijimin e Avalanche, një blockchain me shpejtësi të lartë që numëron mbi tre milionë përdorues, dhe [në krijimin e] AVAX, një kriptovalutë me një vlerë tregu prej 4 miliardë dollarë.”

Para se të bashkëthemelonte Ava Labs, Kevin ishte një kandidat për doktoraturë në Shkenca Kompjuterike në Cornell duke kryer kërkime në sistemet e shpërndara, kriptografinë, sigurinë dhe ekonominë. Ai më parë ka bërë kërkime dhe inxhinieri softuerike në organizata të njohura, duke përfshirë Microsoft dhe NASA. / KultPlus.com

Mijëra njerëz duan ta adoptojnë fëmijën e sapolindur, të nxjerrë nga rrënojat e tërmetit

Mijëra njerëz kanë ofruar për ta adoptuar vajzën e cila lindi nën rrënojat e një ndërtese të shembur në veriperëndim të Sirisë, pas tërmetit të së hënës.

Kur ajo u shpëtua, foshnja Aya – që do të thotë mrekulli në arabisht – ishte ende e lidhur me nënën e saj me kordonin e kërthizës.

Nëna, babai dhe të katër vëllezërit e motrat e saj vdiqën pasi tërmeti goditi qytetin e Jidayris.

Aya tani është në spital.

“Ajo mbërriti të hënën në një gjendje shumë të keqe, kishte gunga, mavijosje, ishte e ftohtë dhe mezi merrte frymë”, tha Hani Marouf, pediatri që kujdeset për të.

Foshnja tani është në gjendje stabile.

Videot e shpëtimit të Aya-s u bënë virale në rrjetet sociale. Pamjet shfaqën një burrë duke vrapuar nga mbeturinat e shembura të një ndërtese, duke e mbajtur foshnjën e mbuluar me pluhur.

Khalil al-Suwadi, një i afërm i largët, i cili ishte atje kur ajo u shpëtua, e solli te Dr Marouf në qytetin sirian të Afrinit.

Tani, Mmijëra njerëz në rrjetet sociale kanë kërkuar detaje për ta adoptuar atë.

“Do të doja ta birësoja dhe t’i jepja një jetë të denjë”, tha një person.

Një prezantuese televizive kuvajtiane deklaroi: “Unë jam gati të kujdesem dhe ta birësoj këtë fëmijë… nëse procedurat ligjore më lejojnë.”

Menaxheri i spitalit, Khalid Attiah, thotë se ka marrë dhjetëra telefonata nga njerëz në mbarë botën që duan ta birësojnë fëmijën Aya.

Dr Attiah, i cili ka një vajzë vetëm katër muaj më të madhe se Aya, tha: “Unë nuk do të lejoj askënd ta birësojë atë tani. Derisa të vijë familja e saj e largët, unë po e trajtoj atë si një nga të miat”. Për momentin, gruaja e tij po e ushqen me gji së bashku me vajzën e tyre.

Në qytetin e lindjes së Aya-s, Jidayris, njerëzit kanë kërkuar nëpër ndërtesat e shembura për të dashurit.

Një gazetar atje, Mohammed al-Adnan i tha BBC-së, “Situata është një katastrofë. Ka kaq shumë njerëz nën rrënoja. Ka ende njerëz që nuk i kemi shpëtuar ende”

Ai vlerësoi se 90% e qytetit ishte shkatërruar dhe se shumica e ndihmës deri më tani kishte ardhur nga banorët vendas. / KultPlus.com

Pa shtëpi dhe në temperatura ekstreme, nata e ashpër për miliona turq

Të paktën 5034 jetë njerëzish kanë humbur si pasojë e dy tërmeteve shkatërruese në Turqi dhe në Siri. Ndërsa, më shumë se 21 103 persona të tjerë raportohet të kenë mbetur të lënduar. Sikur të mos mjaftonin lëkundjet e tokës, banorëve në zonat e prekura u duhet të përballen me kushtet ekstreme të motit.

“Kudo bie dëborë ose shi dhe është shumë ftohtë…Kushtet e motit dhe klima po i bën shumë të vështira përpjekjet për të shpëtuar civilët. Mesa duket kjo është sfida më e madhe për të gjithë”, është shprehur një gazetar i Al Jazeera-s, ndërsa raportonte nga terreni.

Thuajse 26.000 ekipe kërkim-shpëtimi janë angazhuar në operacione në terren bashkë me 360 automjete dhe 3361 pajisje shpëtimi e 600 kranë. Megjithatë, ende shumë qytetarë mbeten nën gërmadha. Ndërsa ata që kanë mundur të shpëtojnë po qëndrojnë jashtë nga frika e tërmeteve të tjera.

Sipas OBSH-së, tërmeti ka prekur 23 milionë njerëz, përfshirë këtu edhe 1.4 milionë fëmijë./ A2CNN / KultPlus.com

Çfarë duhet të bëni gjatë dhe pasi ndodh tërmeti?

Dy tërmete vdekjeprurëse goditën Turqinë dhe Sirinë në orët e para të mëngjesit të së hënës, duke shkaktuar deri më tani të paktën 5 mijë viktima.

Kjo është për faktin se i pari ra rreth orës 02:00 dhe shumë prej njerëzve kanë qenë në gjumë, duke e bërë edhe më të rëndë tragjedinë.

Por, në kësi rastesh, lindin shumë pyetje në lidhje me atë se çfarë duhet të bëjmë ne në rastin kur bie tërmet, si gjatë ashtu edhe pas goditjes.

Përgatitni shtëpinë tuaj

Caktoni një kontakt urgjence

Praktikoni

Shmangni dritaret

Qëndroni aty ku jeni deri sa të pushojnë lëkundjet

Mos hipni në ashensor

Pas tërmetit të parë, prisni pasgoditjet

Dilni jashtë

Nëse keni ngecur, bëni kujdes deri sa t’ju vijnë t’ju shpëtojnë

Monitoroni lajmet

Shmangni kryerjen e telefonatave. / KultPlus.com

Analiza e BBC: Pse ishte kaq vdekjeprurës tërmeti në Turqi dhe Siri

Një tragjedi ka tronditur sot mbarë botën ku më shumë e 2 mijë persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjera janë plagosur pas një tërmeti shkatërrimtar që goditi në orët e para të mëngjesit Turqinë dhe Sirinë, raporton BBC.

Tërmeti, i cili goditi pranë qytetit të Gaziantep, u pasua nga rreth 120 pasgoditje deri në këto momente, ku të paktën janë regjistruar 2 goditje të tjera të mëdha mbi 7 ballë.

Por pse ishte kaq vdekjeprurëse tërmeti i së hënës?

Magnituda e tij ishte e lartë, me raportime që shkojnë në 7.7 apo 7.8 ballë. Edhe thellësia e tërmetit ishte e cekët, me rreth 18 kilometra nën sipërfaqen e tokës, gjë që ndikon edhe në dëmin e shkaktuar në ndërtesa.

Profesoresha Joanna Faure Walker, kryetare e Institutit për Reduktimin e Rrezikut dhe Fatkeqësive në “University College London”, tha:

“Nëse i referohemi tërmeteve më vdekjeprurëse, ka pasur vetëm dy në 10 vitet e fundit me magnitudë të ngjashme”.

Megjithatë nuk është vetëm fuqia e dridhjes që shkakton shkatërrimin e këtyre përmasave.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur personat ndodheshin brenda në banesat e tyre dhe flinin. Qëndrueshmëria e ndërtesave është gjithashtu një faktor.

Vendimtar është edhe zona në të cilën ka rënë tërmeti. Epiqendra ka qenë në Turqinë Jugore dhe Siri, rajon ku nuk kishte pasur një tërmet të madh për më shumë se 200 vite. Kjo bën që edhe niveli i gatishmërisë të ishte më i ulët se në zonat që dihet që kanë një aktivitet të vazhdueshëm sizmik.

Çfarë e shkaktoi tërmetin?

Korja e Tokës përbëhet nga pllaka, që qëndrojnë pranë njëra tjetrës dhe që tentojnë herë pas here të lëvizin.

Në këtë rast, ishte pllaka arabe që lëvizte në drejtim të veriut dhe “kërceu” kundër pllakës së Anadollit.

Fërkimi nga pllakat ka qenë përgjegjës për tërmetet shumë të dëmshme në të kaluarën.

Më 13 gusht 1822 kjo dukuri shkaktoi një tërmet me magnitudë 7.4 ballë, megjithatë, tërmeti i shekullit të 19-të rezultoi në dëme të mëdha në qytetet e zonës, me 7,000 vdekje të regjistruara vetëm në qytetin e Alepos. Pasgoditjet e dëmshme vazhduan për gati një vit.

Deri tani ka pasur disa pasgoditje pas tërmetit të sotëm dhe shkencëtarët presin që ai të ndjekë të njëjtin trend si ai i mëparshmi.

Kujtojmë se tërmeti më i madh ndonjëherë është i magnitudës 9.5 i regjistruar në Kili në vitin 1960./ KultPlus.com

Rindërtohet Kulla C në Durrës

Kulla C në kalanë e Durrësit, e rrëzuar pjesërisht nga tërmeti i vitit 2019, u rikthye ashtu siç ishte.

Rindërtimi i Kullës C, u arrit me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe mbështetjen financiare të Fondit të Ambasadorit të SHBA, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore si dhe të agjencisë suedeze të “Bashkëpunimit për Zhvillim Ndërkombëtar”.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm ministrja e Kulturës, Elva Margariti, si dhe ambasadoret e SHBA-së dhe Suedisë, dy vendeve që kontribuan në rindërtimin e kullës. Kjo ishte hera e dytë që kulla rindërtohej, me të njëjtat materiale që kishte më parë, duke ruajtur kështu autenticitetin e saj.

“Monumentet kulturore të Shqipërisë, si kjo kullë dhe Kalaja e Prezës, të cilën e përuruam muajin e kaluar, – tha ambasadorja Kim, – kanë një histori për të na treguar neve dhe brezave të ardhshëm.”

“Shpresoj që të rinjtë, t’i shohin këto fortifikime si një simbol të trashëgimisë së pasur të Shqipërisë dhe, tani, si një simbol të miqësisë së thellë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, u shpreh Kim.

Me tej ambasadorja Kim tha se Ambasada e SHBA ishte krenare që mundi të mbështeste restaurimin e Kullës C përmes Fondit të Ambasadorit të SHBA për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Ndërsa ambasadorja suedeze, Elsa Hastad shtoi se është e mahnitshme që gjatë gjithë kësaj historie kjo kullë ka qenë një pikë mbrojtje dhe sulmi.

“Ja ku jemi tani të gjithë së bashku, në një kohë ku marrëdhëniet e jashtme ndërtohen me besim, bashkëpunim dhe miqësi”, – tha Hastad.

Ndërsa ministrja e Kulturës Elva Margariti hodhi idenë se emri që mban kulla është jo i denjë për historinë që përcjell kjo fortesë, dhe se do të jenë arkeologët ata që do të vendosin për një emër tjetër.

Përveç një spektakli me efekte vizive mbi muret e kullës, të pranishmit kanë dëgjuar edhe një koncert nga “a cappella” i grupit “The Kroks” tek Universitetit të Harvardit, i përbërë nga 12 studentë, të cilët këndojnë xhaz, pop, swing dhe funk nga këngët më të bukura amerikane dhe më gjerë. Çdo verë, grupi bën turne ndërkombëtarë dhe ata për herë të parë vizitojnë Shqipërinë në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.

I njëjti grup do të performojë sonte tek “Reja”, për publikun e Tiranës./atsh/ KultPlus.com

Kosovari nga Hasi shpërndan bukë falas për të prekurit nga tërmeti në Kroaci

Një tërmet 6.3 shkallësh goditi sot Kroacinë, ku është shënuar viktima e parë që është një vajzë 12-vjeçare.

Menjëherë kanë nisur ndihmat për personat e prekur nga tërmeti, qoftë për ushqim apo strehim.

Edhe një kosovar nga Hasi i ka dalë në ndihmë personave që u prekën nga tërmeti duke ju ofruar bukë falas./ KultPlus.com

Ndihma e madhe e diasporës pas tërmetit në Shqipëri

Një vit më parë një tërmet prej 6.4 ballësh goditi Shqipërinë qendrore duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë. 51 humbje jete, rreth 3 mijë të plagosur dhe mjaft ndërtesa të shembura apo dëmtuara ishte bilanci tragjik i atyre pak sekondave lëkundje.

Shqiptarët në Diasporë u solidarizuan menjëherë me bashkëkombasit e tyre duke kontribuar në ndihma materiale, ekspertiza mbledhje fondesh etj.

Të shumta ishin organizatat dhe shoqatat që u angazhuan për të ndihmuar vendlindjen, si Shoqata kulturore RBK në Gjermani, Komuniteti shqiptar i Selanikut, Shoqata “Nënë Tereza” në Modena të Italisë e shumë organizata e shoqata të tjera. 

Ndrësa u organizuan koncerte humanitare në vende të ndryshme si “Music for Albania” në Asutrali, “Arbëria për Shqipërinë” në Kalabri, koncerti i organizuar nga “The Albanian American Women of Washington DC” në SHBA dhe shumë të tjera.

Ndër të parët që i erdhën në ndihmë vendlindjes ishte Anëtari i i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe këshilltar në Bashkinë e New York-ut, Mark Gjonaj i cili bëri të mundur ardhjen e një grupi inxhinierësh shqiptaro – amerikanë të rinj e të talentuar, pjesëtarë të shoqatës së arkitektëve, që iu bashkuan punës së gjithanshme për vlerësimin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit he kthimin e qyteteve më të dëmtuara në jetën normale.

Edhe filantropi dhe anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës ishte ndër të parët shqiptarë të Diasporës që ofroi ndihmën e tij për të prekurit nga tërmeti dëmtues. Ai solli kamionë me ndihma në atë kohë, duke i dorëzuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave të Shtetit dhe vizitoi disa nga zonat e prekura.

Organizata “Albania Roots-Rrënjët shqiptare” në SHBA arriti të mbledhë një fond prej 1.6 milionë dollarësh duke financuar ndërtimin e një lagjeje në Lalz në ndihmë të banorëve të Durrësit. Marko Kepi ka bërë të ditur se vetëm 1 milionë dollarë u mblodhën për 24 orë matanë oqeanit. “Bashkë me shtetin shqiptar, qeveria shqiptare po na jep një tokë në Durrës ku mund të ndërtojmë 44 shtëpi për të prekurit nga tërmeti”, ishte shprehur Kepi.

Por ndihma dhe iniciativa të vetë shqiptarëve jashtë vendit në ndihmë të të prekurve nga tërmeti vazhdoi edhe përgjatë vitit të të vështire të pandemisë. Dy shqiptarë të SHBA-së dhuruan 58 lap top për Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Durrës. Filger dhe Eda Prifti janë dy shqiptarët që jetojnë në Boston që bashkë me kompaninë Vestmark kanë mundur të sigurojnë sasinë e lap topëve që do të jenë ndihmë për studentët e universitetit që janë ekselentë por vijnë nga familje në nevojë e që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar. /dp/ KultPlus.com

KE, 50 milionë euro për restaurimin e monumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti

Komisioni Europian miratoi 50 milionë euro për të mbështetur programin EU4Culture, të cilat do të shkojnë për restaurimin e monumenteve të kulturës, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ky fond është pjesë e një pakete prej 100 milionë eurosh, e miratuar në mbështetje të përpjekjeve të qeverisë shqiptare për rehabilitim dhe rindërtim pas tërmetit. Ky financim është pjesë e premtimit të përgjithshëm të Komisionit Europian prej 115 milionë eurosh, të dhënë në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, në fillim të këtij viti.

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, u shpreh se, “me miratimin e kësaj pakete financiare prej 100 milionë eurosh, Bashkimi Europian po mban angazhimin, për ta ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit, ashtu siç po e mbështesim vendin për të përballuar pasojat e krizës COVID-19. Ne e kemi mbajtur premtimin tonë për t’u qëndruar pranë qytetarëve të Shqipërisë dhe e kemi përtërirë mbështetjen tonë për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane”.

Programi i sapomiratuar do të përqendrohet në rehabilitimin dhe rindërtimin e objekteve arsimore, përfshirë mobilet dhe pajisjet, për t’u mundësuar fëmijëve dhe të rinjve të kthehen në shkollë me kushte dhe lehtësira më të mira. Ai do të bazohet në punimet e nisura tashmë në kuadrin e programit ekzistues të rindërtimit prej 15 milionë eurosh të financuar nga Komisioni Europian. Programi i ri do të financojë më tej rehabilitimin e siteve të dëmtuara të trashëgimisë kulturore, përfshirë monumente, muze, biblioteka dhe vende arkeologjike, duke kontribuar në këtë mënyrë edhe për zhvillimin ekonomik vendor.

I gjithë ndërtimi do të ndjekë parimin “Rindërto më mirë”, duke zbatuar norma të qëndrueshme ndërtimi dhe duke zvogëluar rrezikun e ardhshëm, si dhe duke rindërtuar infrastrukturë dhe sisteme më të forta, më të sigurta dhe më rezistente ndaj katastrofave. Masa e veçantë do të sjellë gjithashtu përmirësime në eficiencën e energjisë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e ka cilësuar një lajm të shkëlqyer.

“Një lajm i shkëlqyer na vjen sot nga Komisioni Europian, i cili ka miratuar sot paketën prej 100 milionë eurosh, të cilat do të shkojnë për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit. Prej tyre, 50 milionë do të shkojnë për restaurimin e monumenteve të dëmtuara. Një premtim i mbajtur nga Bashkimi Europian, kjo familje e madhe, pjesë e së cilës urojmë të jemi së shpejti. Me ndihmën e partnerëve tanë strategjikë, nën moton “Rindërto më mirë”, jo vetëm do të mbyllim këtë plagë të hapur, por do të ngremë një të ardhme më të mirë për komunitetet e prekura”, është shprehur Margariti. / Atsh / KultPlus.com

U dëmtua nga tërmeti, vijon restaurimi në Teqenë e Dollmës, pranë kalasë së Krujës

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti inspektoi sot punimet që po kryhen në Teqenë e Dollmës, pranë kalasë së Krujës, një nga monumentet më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Margariti tha se “pas përforcimit të mureve, specialistët do të nisin punën për restaurimin e pikturës murale”.

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi në muajin shkurt projektin e restaurimit të “Teqesë së Dollmës” Krujë në kushte të emergjencës, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Projekti i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të teqesë.

Teqeja e Dollmës është monument kulture i kategorisë së parë, ndërtuar në vitin 1778 dhe një nga më të rëndësishmit e qytetit të Krujës. atsh / KultPlus.com

Nga uji e deri te toka, dhjetë misteret që shkenca akoma nuk i ka sqaruar

Nga uji që mbulon pjesën më të madhe të Tokës te oksigjeni, këtu janë disa gjëra të çuditshme rreth planetit tonë, që shkenca ende nuk i kupton plotësisht.

Nga vjen uji? Ai mbulon 70 përqind të sipërfaqes së Tokës dhe e fiton atë pseudonimin “planeti blu”. E megjithatë … prej nga ka ardhur?Shumica e shkencëtarëve besojnë se kur u formua Toka, ishte një planet i thatë dhe shkëmbor.

Teoria më popullore shkencore pohon se H2O arriti në formën e disa asteroideve të mëdha të mbushura me akull. Një tjetër sugjeron që uji në të vërtetë ka qenë rreth e rrotull që nga formimi i Tokës dhe se toka formuese e mbajti atë larg nga retë e gazit dhe pluhurit që formoi sistemin diellor.

Po oksigjeni? Një tjetër gjë që është provuar shumë e dobishme për krijesat që jetojnë në Tokë është oksigjeni i planetit.

Dhe ndërsa ne në të vërtetë e dimë se si u krijua – rreth 2.4 miliard vjet më parë, kur krijesat mikroskopike të quajtura cianobakteret lëshuan oksigjenin si produkt të mbeturinave, duke mbushur atmosferën me të.

Pas kësaj, niveli i oksigjenit në atmosferën e Tokës pati disa luhatje derisa më në fund u stabilizua rreth 540 milionë vjet më parë. Që atëherë, ajo ka mbetur në nivelin e frymëmarrjes që ne përjetojmë sot. Por çfarë e bëri atë të stabilizohet papritmas? Kjo mbetet një nga misteret më të mëdha shkencore rreth planetit tonë.

Çka e shkaktoi shpërthimin e kambrave? Jo, Shpërthimi i Kambrianit nuk ishte ai ai i Big Bang.

Ajo i referohet shpërthimit të jetës komplekse që ndodhi në Tokë rreth 540 milionë vjet më parë. Për pjesën më të madhe të historisë së Tokës më parë, jeta ishte përbërë kryesisht nga bakteret, eukariotet dhe bimët ultra-të thjeshta. Por në fillim të periudhës së Kambrias, evolucioni duket se i nënshtrohet një shtrirjeje të rritjes, dhe krijesat komplekse filluan të evoluoheshin në një formë që nuk u pa më parë. Papritmas, format e jetës kishin trurin, sytë dhe skeletet.

Shumica e krijesave të gjalla sot mund të gjurmojnë prejardhjen e tyre në periudhën e Kambrias. Disa shkencëtarë besojnë se Shpërthimi i Kambrianit ndodhi si rezultat i oksigjenit të lartpërmendur, i cili u stabilizua në të njëjtën kohë.

A do të jemi ndonjëherë në gjendje të parashikojmë tërmetet? Ne ende nuk kemi qenë në gjendje të dalim me një mënyrë për të parashikuar me saktësi tërmetet.

Ne me siguri mund të provojmë, por teknologjia jonë aktuale mund t’i parashikojë ato me saktësi sa një parashikim moti, dhe ne të gjithë e dimë se si funksionon kjo. Ne e dimë se tërmetet fillojnë kur shkëmbinjtë godasin nëntokë dhe dërgojnë valë sizmike drejt sipërfaqes, por nuk e kemi kuptuar pse ndodh apo si ta parashikojmë atë.

Kur filloi procesi i tektonikës së pllakave? Një pjesë e arsyes që parashikon tërmetet që është aq e vështirë për tu bëre, vjen nga fakti se ne nuk dimë shumë për procesin që i shkakton ata: tektonika e pllakave. Korja e Tokës përbëhet nga disa pllaka tektonike zhvendosëse. Sidoqoftë, shkencëtarët mund të spekulojnë se kur dhe si filloi procesi. Një pjesë e arsyes pse është kaq e vështirë për të zbuluar misteret prapa këtyre pllakave është sepse nuk ka pothuajse asnjë dëshmi gjeologjike të mbetur nga një kohë kaq e gjatë.

Çfarë ka brenda bërthamës së Tokës? Ka shumë më tepër nën Tokë sesa në sipërfaqen e saj; shumica e planetit sferik mbetet praktikisht i pashkelur.

Arsyeja për këtë, sigurisht, është se kushtet nën sipërfaqen e Tokës janë jo mikpritëse. Ne e dimë se shtresa nën kore, manteli, është i përbërë kryesisht nga shkëmbi solid silikat. Por zemra e planetit tonë mbetet një mister.

Çfarë ndodhi vërtet me dinosaurët?

Për miliona vjet, ata ishin sundimtarët e padiskutueshëm të botës prehistorike; mjerisht, sot ata nuk janë gjë tjetër përveç burimit të magjisë së muzeut dhe spektaklit kinematik. Çfarë, saktësisht, i bëri këto krijesa masive të përmbushnin fundin e tyre evolucionar 65 milionë vjet më parë? Ekzistojnë disa teori të përhapura: një sugjeron se një asteroid gjigant goditi Tokën. Tjetra sugjeron se ishte një seri katastrofike e shpërthimeve vullkanike. Sidoqoftë, në të dyja rastet, rezultati do të ishte mjaft i njëjtë: pluhuri dhe mbeturinat do të kishin bllokuar diellin, duke dëmtuar proceset jetësore si fotosinteza.

Temperatura e Tokës gjithashtu do të ishte rritur në mënyrë të rrezikshme për shkak të të gjitha gazeve serrë në atmosferë. Të dyja hipotezat e aktivitetit të asteroidit dhe vullkanit janë mbështetur nga zbulime të rëndësishme shkencore.

Si o formua Hëna? Shumë besojnë se hëna u formua për shkak të një përplasjeje midis Tokës dhe një protoplaneti pak më të vogël. Mostrat nga misioni Apollo, megjithatë, kanë treguar se përbërja kimike e hënës është shumë e ngjashme me atë të Tokës. Kjo sugjeron se hëna nuk mund të ketë qenë një trup i veçantë, por në të vërtetë u formua nga një pjesë e vetë planetit Tokë. Një teori e tretë, duke sugjeruar se hëna ishte një trup i veçantë që u tërhoq në orbitën e Tokës…

Si e mori Toka emrin? Ja një fakt: Toka është i vetmi planet në sistemin tonë diellor, emri i të cilit nuk vjen nga një zot romak apo grek.

Emri “Toka” vjen nga fjalët e vjetra angleze dhe gjermane për “tokë”, por askush nuk e di me siguri kur u krijua, ose nga kush. Teoria primare për pse emri i Tokës nuk vjen edhe nga mitologjia është se njerëzit e lashtë nuk ishin në dijeni se Toka ishte një planet si të gjithë të tjerët. Ata mendonin se planetet e tjerë ishin trupa qiellorë që rrotulloheshin rreth Tokës dhe i emëronin ato në përputhje me rrethanat. Megjithatë, nuk ka dëshmi konkrete për këtë teori.

Si u formuan kraterët siberianë? Këto kratere janë një nga misteret më të çuditshme të Tokës dhe më të fundit-gjeologjike. E vendosur në gadishullin Yamal të Rusisë dhe gadishullit Gydan, këto vrima masive të hapura u zbuluan në vitin 2014 dhe nuk kanë ndalur ndryshimin që prej asaj kohe. Ato janë rritur më shumë dhe më të shumtë. Shpjegimi më i zakonshëm sugjeron që ato vijnë nga flluska të gazit metan që shpërthen si nxehtësia siberiane nxehet, por kjo nuk mund të ndodhë. /syri/ KultPlus.com

Mbi 7 milionë euro kostoja e dëmeve në monumente nga tërmeti në Shqipëri

Mbi 7 milionë euro llogaritet të jetë kostoja e dëmeve që ka shkaktuar tërmeti i nëntorit në monumente. Këtë shifër e ka dhënë ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti. Sipas saj, shifrat mund të lëvizin gjatë punës që do të bëhet ditëve në vazhdim.

“Kemi një kosto që u llogarit 7 milionë euro. Por tash janë duke u shtuar edhe kosto të tjera. Është një kosto e lartë, por dinamike. Mund të shtohet edhe më tepër. Për rastin e Krujës po vazhdon studimi gjeologjik”, ka thënë ajo. Sipas saj, dëmet që ka shkaktuar tërmeti në monumente kulturore mund të kenë edhe pasoja të tjera pos atyre financiare. Ka thënë se dëmet krijojnë ndjesi jo të mirë, panik e po ashtu mund të shkaktojnë ulje të fluksit të vizitorëve.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka ndarë 800 mijë dollarë për punimet që do të bëhen në Kalanë e Krujës.

Janë disa monumente të kategorisë së parë që kanë pësuar dëme të mëdha pas tërmetit të nëntorit që kishte rezultuar me mbi 50 viktima e rreth 700 veta që janë trajtuar në spitale.

Kalaja e Durrësit, ajo e Prezës afër Tiranës e ajo e Krujës sipas raportimeve dalin të jenë më të dëmtuarat.

Kalasë së Durrësit i janë shembur një pjesë e mureve. Monumenti ishte ndërtuar nga perandori bizantin, Anastasi, në shekullin VI, përbëhet nga dy pjesë: Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Në historinë e monumentit, si një rast tjetër ku ishte dëmtuar shumë daton tërmeti i vitit 1273 për t’u rinovuar prapë. Muret e objektit janë të larta 4.6 metra.

Raportimet e mediave shqiptare kanë nxjerrë në pah se është dëmtuar edhe Kalaja mesjetare e Prezës në Tiranë. Paraditen e së martës, Bashkia e Krujës nëpërmjet një komunikate u ka bërë apel qytetarëve të mos kalojnë afër Kalasë së qytetit për shkak të rrezikshmërisë që paraqet nga dëmtimi i shkaktuar nga tërmeti. “Shkëmbi nën kullën e sahatit rrezikon të shembet. Asnjë makinë nuk duhet të kalojë, pasi shton mundësinë që masivi shkëmbor të bjerë”, shkruhet në komunikatë. Kruja, që njihet edhe si qytet muze, ka identifikuar 320 objekte të dëmtuara për të cilat është raportuar në Bashki.

Dëme kanë pësuar edhe Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë e Muzeu Historik Kombëtar. Por, sipas të dhënave, kanë shpëtuar koleksionet e këtyre institucioneve dhe dëmet mund të riparohen shpejt. /atsh / KultPlus.com

Analizë e plotë për projektet e restaurimit të monumenteve kulturore të dëmtuara nga tërmeti

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se në mbledhjen e së martës së Komisionit të ardhshëm të Rindërtimit do të paraqitet e gjithë analiza për projektet e nevojshme të monumenteve kulturore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Ne tashmë kemi hartuar një plan të detajuar që lidhet dhe me fazat e restaurimit, konsolidimit të monumenteve. Jemi në fazën që jemi gati për ditën e martë në Komisionin e ardhshëm të Rindërtimit të paraqesim të gjithë analizën për projektet e nevojshme”, tha Margariti në konferencën e mbajtur në Kryeministri për prezantimin e projekteve të rindërtimit.

Margariti theksoi se, “specifika e monumenteve është e tillë që duhet të kalojë nëpërmjet një procesi tejet të detajuar, ashtu siç bëmë për planet e detyruara vendore, në të njëjtën mënyrë do të kemi një njësi zbatimi, në këtë rast Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, i cili në bashkëpunim me ekspertë shqiptarë dhe të huaj do të hartojnë të gjithë  projektet e detajuara, jo vetëm të restaurimit, por mbi të gjitha dhe të konsolidimit”.

“Mendoj që do kemi po ashtu e nevojë për ekspertët e huaj, përderisa për një kohë tejet të shkurtër do të duhet që të analizojmë sidomos me aparatura dhe teknologji të larta territoret e prekura. Kjo punë ka filluar tashmë. Ekspertët e huaj na janë gjendur pranë që në muajin e parë dhe një pjesë e hulumtimit fillestar është bërë , por projekti i detajuar i zbatimit duhet të kalojë në një proces tjetër”, tha Margariti.

“Kemi analizuar koston, fondin e nevojshëm për hartimin e këtyre projekteve dhe jemi gjithashtu duke ndërtuar të gjithë skemën e granteve të atyre partnerëve, të atyre shteteve, të cilat janë shprehur në mënyrë specifike për mbështetjen e trashëgimisë kulturore si rasti i Amerikës, rasti i Polonisë, Zvicrës dhe shteteve të tjera”, u shpreh Margariti.

“Kështu që është një proces që po futet në rrugën ligjore të hartimit të këtyre projekteve dhe shumë shpejt, brenda afateve do kemi dhe koston totale të implementimit të këtyre projekteve”, u shpreh Margariti. /atsh / KultPlus.com

53 monumente kulture të dëmtuara nga tërmeti, Margariti: Vështirë kthimi i tyre në origjinalitet

Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, Ministria e Kulturës ka publikuar një raport mbi situatën në të cilën ndodhen monumentet Kulturore, pas asaj lëkundje tragjike.

Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, Ministria e Kulturës ka publikuar një raport mbi situatën në të cilën ndodhen monumentet Kulturore, pas asaj lëkundje tragjike. Në raport, evidentohet se 23 monumente kanë dalë jashtë përdorimit, 30 prej tyre janë pjesërisht të përdorshme dhe 48 prej tyre nuk kanë pasur problem. Këto monumente ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti 6.4 ballë.

Në Komisionin e Medias, ministrja e Kulturës për dëmet e tërmetit në monumentet e kulturës, Elva Margariti raportoi se nga 216 objekte të trashëgimisë, të cilat janë inspektuar pas tërmetit, rreth 30 me risk të lartë. Për rikuperimin e tyre 707 mln lekë. Më rrezikuarat, kulla e Krujës, e cila është rrethuar dhe ka vendosur tabela parandaluese. Si një masë e marrë nga ministria, janë mbyllur muzetë edhe sitet ku Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe ai i Ndërtimit panë domosdoshmëri për riparimin e dëmeve. 

Margariti bëri me dije se është e vështirë kthimi i tyre në origjinalitet.

( Kliko këtu ) për raportin e plotë

Familja Sala hyjnë në shtëpinë e re, e cila u rindërtua nga Rita Ora (VIDEO)

Nëntori i kaluar do të duhej të ishte muaji festiv, që bashkon çdo vit shqiptarët për festat kombëtare, por tërmeti i 26 nëntorit i bëri të gjithë bashkë në ndihmë të njëri-tjetrit. Ato ditë të vështira, shumë prej emrave të njohur iu përgjigjën menjëherë thirrjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të adoptuar një banesë të dëmtuar rëndë nga tërmeti apo duke dhuruar ndihma për familjet në nevojë. E njëra prej tyre ishte këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e cila vendosi të rindërtonte nga e para shtëpinë e familjes Sala në fshatin Pinar.
 
Sot 6 anëtarët e kësaj familjeje kanë hyrë në shtëpinë e tyre të re, çelësat e së cilës ua dorëzoi kryebashkiaku Veliaj dhe kushërira e Rita Orës, Amantia. “Këto ditë kemi qenë me kryeministrin për hapjen e shtëpive të reja që u rindërtuan pas tërmetit, por nuk i bën dot shteti gjithçka. Edhe në Angli, edhe në Amerikë shteti bën aq sa ka takat, por ama secili bën diçka shtesë. Vetëm ideja që Rita ka njëqind koncerte e gjëra, por i vajti mendja dhe tha: Nuk i bëj dot të gjitha, por një shtëpi do ta bëj, një njeri do ta ndihmojmë”, tha ai, duke kujtuar bisedën që pati me këngëtaren shqiptare ditët e para pas tërmetit.
 
Familja Sala falënderuan kryebashkiakun Veliaj dhe këngëtaren Rita Ora për shtëpinë e re. E emocionuar, Edlira Sala tha se nuk kishte menduar që do të sistemonte fëmijët e saj në një banesë të tillë. “S’e kisha menduar ndonjëherë në jetën time që një këngëtare do vinte të më bënte shtëpinë këtu. E falënderoj shumë madje, që e bëri këtë për familjen time. Unë kam mbi 20 vite martesë, nuk arrita të bëj diçka”, u shpreh ajo.
 
Kryebashkiaku Veliaj tha se koha ka treguar që sa herë shqiptarët lënë pas sherret dhe bëhen bashkë, mund të bëjnë punë të mira. “Për çfarë zihemi dhe urrehemi?! Kishim një vit, ziheshim të bënim një copë rrugë aty tek Astiri. Ore, ti po merr lekët, po të japim një shtëpi, po të kompensojmë që të bëjmë rrugën… Edhe për Teatrin pyes: Ore, për çfarë zihemi? Një ditë jemi, një ditë jo, vjen tërmeti e shuhet gjithçka. Nëse Zoti do na japë një çikë mend për t’u bërë pak më të mirë, pak më të dashur me njëri-tjetrin, mund të bëjmë më shumë punë. Por, kur vëmë pengesa e shkaktojmë sherre, s’kemi të ardhme”, tha Veliaj.
 
Lajmin se kishte vendosur të ndërtonte shtëpinë e familjes Sala, Rita Ora e dha në ditën e Flamurit, kur në mediat sociale shkroi: “Gëzuar Ditën e Flamurit Shqipëri! Ditëlindjen time dhe ditët e fundit i kam kaluar duke menduar se cila është gjëja e duhur që duhet të bëj. Familja e parë që kam zgjedhur është familja Sala dhe ne do ta ndjekim procesin në vijim, sepse ka kaq shumë familje që kanë nevojë për të njëjtën ndihmë”./ Shqiptarja.com /KultPlus.com

Rikthehen në Shqipëri të gjithë të prekurit nga tërmeti që ishin në Parkun Inovativ

Ramush Haradinaj, kryeministri në detyrë, ka thënë se sot nga Parku Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman, u rikthyen për në Shqipëri edhe personat e fundit që ishin strehuar dhe ditë më parë u rikthyen edhe të strehuarit në Shkollën e Mesme “Gjon Buzuku” në Prizren.

“Kësisoj u përmbyllë edhe kjo etapë e akomodimit dhe strehimit, në objektet publike. Puna në Parkun Inovativ Trajnues do të vazhdoj, në misionin që ka, zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës”.

“Çdo ditë kemi raporte nga Institucionet tona për rikthim të atyre që qëndruan në shtëpi private dhe objekte hoteliere në vend”, ka shkruar Haradinaj.

Ja postimi i plotë:

Edhe njëherë ju falenderoj secilit nga Ju, për çdo kontribut dhe angazhim që dhatë, për t’u dalë në ndihmë bashkëkombësve tanë nga Shqipëria, pas tërmetit me pasoja tragjike qe goditi këtë vend.

Sot nga Parku Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman, u rikthyen për në vendlindje edhe personat e fundit që ishin strehuar dhe ditë më parë u rikthyen edhe të strehuarit në Shkollën e Mesme “Gjon Buzuku” në Prizren.

Kësisoj u përmbyllë edhe kjo etapë e akomodimit dhe strehimit, në objektet publike.

Puna në Parkun Inovativ Trajnues do të vazhdoj, në misionin që ka, zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Çdo ditë kemi raporte nga Institucionet tona për rikthim të atyre që qëndruan në shtëpi private dhe objekte hoteliere në vend.

Edhe njëherë falenderoj Institucionet tona, të gjitha pa dallim, që u angazhuan pandalë për të ndihmuar në çdo nevojë operacionet e kërkim-shpëtimit, dhënien e ndihmave dhe strehimit. Falenderoj, Institucionet e Shqipërisë për bashkëpunimin, vullnetarët e shumë, shoqatat humanitare, organizatat joqeveritare, autoritetet Komunale, Ambasadën Gjermane në Prishtinë, GIZ dhe çdo vullnetmirë, që hapën dyert dhe zemrat e tyre në gjithë këtë mision.

Ne do vazhdojmë të jemi të gatshëm, për çdo ndihmë dhe angazhim të nevojshëm, që Qeveria e Shqipërisë mund ta ketë. /KultPlus.com

Agim Sulaj fton artistët nga e gjithë bota të marrin pjesë në ekspozitën “Earthquake in Albania”

Piktori i mirënjohur Agim Sulaj, i cili trajton shpesh në veprat e tij temën e emigrimit, ka ftuar artistë nëpër botë të marrin pjesë në një ekspozitë me temë, tërmetin në Shqipëri. Mbi 100 karikaturistë të njohur në botë, janë përgjigjur me pjesëmarrjen e tyre.

Piktori dhe karikaturisti shqiptar, Agim Sulaj, i cili në veprat e tij trajton shpesh temat shoqërore, është solidarizuar me qytetarët e prekur nga tërmeti në Shqipëri dhe ka marrë një iniciativë duke ftuar artistë nga e gjithë bota të marrin pjesë në një ekspozitë me temën “Earthquake in Albania”, për tërmetin në Shqipëri.

“Këto ditë në Shqipëri ishte një tërmet me shumë viktima dhe dëme, me mirësi ju ftoj të ndani kohën tuaj të çmuar dhe të më dërgoni një punim me këtë temë”, kështu i ka ftuar ai artistët.

Kjo ftesë është e hapur për të gjithë, si karikaturistë, ilustrues, piktorë e dizajnerë. Numri i pjesëmarrësve nuk është i limituar.

Deri më tani mbi 100 karikaturistë të njohur në botë, i janë përgjigjur ftesës për pjesëmarrje në këtë ngjarje.

Afati për dorëzimin e veprave nga artistët është i hapur deri më 6 dhjetor 2019. / KultPlus.com

Nuk udhëtonin kurrë bashkë, babai tregon se dy vëllezërit frikësoheshin se mos vdisnin në aksident

I druheshin të iknin të dy nga kjo jetë dhe të linin pas familjet e tyre që jetojnë mes kushteve të vështira në fshatin Livoç i Epërm në Gjilan të Kosovës. Por fatkeqësisht tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit, i mori të dy bashkë.

Është kjo historia e trishtë e Isës dhe Shemsedinit, dy vëllezërve nga Kosova që vdekja i mori nën rrënojat e Hotel “Tropikal” në Durrës, aty ku kishin pasur vetëm kujtime të gëzueshme. Familja Abazi kishte rreth 15 vjet që pushimet e verës i kalonte në këtë hotel në Durrës. Më 25 nëntor, një natë para tërmetit, vëllai i madh, 32-vjeçari Shemsedini, kishte marrë me vete edhe të voglin, Isain, 29 vjeç.

Isai kishte mbetur i papunë dhe për të mos e lënë vetëm, vëllezërit guxuan të bëjnë të parin udhëtim të gjatë, të dy në të njëjtën makinë. Babai na tregon se frika më e madhe e djemve të tij që nuk i ka më pranë vetes, ishte të vdisnin të dy në ndonjë aksident, e për këtë arsye asnjëherë nuk kishin udhëtuar bashkë. Por fati deshi që ata të shuhen në krahët e njëri-tjetrit duke lënë pas dhimbjen e papërshkueshme tek nëna, babai, nuset, dhe 6 të vegjlit e tyre. Familja i kishte drejtuar sytë nga dy djemtë të cilët punonin mekanikë, dhe ishte pikërisht kjo arsyeja pse ata kishin marrë rrugën në Durrës, për punë.

Dy djem mjaft të lidhur me familjen, çka e tregon edhe një telefonatë që i kanë bërë në mbrëmje babait të tyre për ta qetësuar se janë mirë: Tani po flemë! Pas këtij mesazhi ata nuk u zgjuan më kurrë! Tërmeti i së martë në 03:54 i zuri në gjumë në dhomën e hotelit, teksa pas orësh të tëra u nxorën të pajetë nga ekipet e kërkim-shpëtimit.

Nga Tiranë në Livoçin e Epërm, na çoi një mision i veçantë. Një biznesmen në Tiranë me origjinë nga Vlora, i cili dëshiron të mos e shuajë gjestin e bamirësisë duke e bërë publik emrin, me të dëgjuar në lajme historinë e trishtë të familjes Abazi dhe jetesën e tyre të vështirë, vendosi të dhurojë 6 mijë euro, nga 1 mijë euro për 6 të vegjlit që humbën baballarët në një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore që preku Shqipërinë.

“Mirë motër mirë ardhsh”, na thotë në telefon teksa nisemi nga kryeqyteti, djali i xhaxhait të Isa dhe Shemsedinit, Sabri Abazi. Dhimbja e madhe, nuk ua kishte zhdukur respektin, e as pas pritjes dhe përcjelljes së mijëra personave që vinin për ngushëllim.

Babain e Isës dhe Shemsedinit e takojmë në çadrat jashtë shtëpisë aty ku me mijëra njerëz, të njohur e të panjohur të tyre kanë shkuar të shprehin ngushëllimet. Pyet nëse ne të Shqipërisë jemi mirë, nëse kemi pasur të lënduar apo jetë të humbura. Në mesin e kësaj tragjedie nuk harron mikpritjen dhe zemërgjerësinë.

Babai nuk duket i lëkundur nga fatkeqësitë që e kanë zënë këtë familje. Vite më parë i ishte shuar një tjetër djalë, por ai qëndron i fortë…mundohet të mos lëshojë lot, dhe t’i japë shpresë bashkëshortes së tij dhe nuseve të dy djemve që tashmë duhet të rrisin të vetmet 6 fëmijë.

Me zemrën e prekur nga gjesti human i një vëllai shqiptar siç babai shprehet, na çon tek nuset e djemve për t’ia dorëzuar atyre paratë për fëmijët. Ato ndodhen ulur krah njëra-tjetrës në çadrën tjetër hapur jashtë shtëpisë së familjes Abazi, ku ndodhen vetëm gra. Në krye qëndron nëna e vëllezërve Abazi, e ulur në një divan me nuset. Dhimbjen në shpirt e kanë aq të madhe saqë duket se i mungon forca për të nxjerrë lot. I shohim të veshura me shami të bardhë, ndërsa asnjë nga gratë e tjera nuk është veshur me të zeza.

Bashkëshortet e Isa dhe Shemsedin Abazi dhe nëna e tyre

Familja Abazi janë muslimanë. Vdekja për ta , sado e vështirë qoftë, është vullnet i Zotit, i cili duhet pranuar dhe përballur. I themi se vimë nga Tiranë së bashku me zemrën e madhe të një njeriu të panjohur për ta që dëshiron të lehtësojë sadopak dhimbjen e tyre duke u siguruar të paktën se fëmijët do ta kalojnë dimrin pa u munguar gjë. Nuk mund t’i mbajnë lotët teksa thonë vetëm: Allahu jua shpërbleftë! Zoti ju ndihmoftë.

Bashkë me vlerën monetare, në dorë mbanin edhe një arushë. Ishte dëshirë e një vajze të vogël, vetëm 7 vjeç, për t’ia dhuruar bashkëmoshatarëve të saj të vegjël, sapo dëgjoi se disa fëmijë nuk i kishin më pranë vetes baballarët e tyre, për shkak se ata kishin shkuar shumë larg (pa pasur zemër t’i tregojmë se tërmeti tragjik i 26 nëntorit që edhe ajo ndjeu dhe përjetoi, ka bërë që dhjetëra njerëz të humbin jetën nën gërmadha).  Teksa i tregojmë për këtë vogëlushe, shohim teksa në faqet e nënës së Isës dhe Shemsedinit rrjedhin lot, duke marrë pranë vetes arushin, një njëbrirësh rozë, dhe vështrimin e mban në emrin e vajzës së vogël të shkruar në të.

Djali i vogël i familjes, Isai, më 28 nëntor do të festonte ditëlindjen. Babai ia ka blerë edhe dhuratën, teksa ky është momenti i vetëm kur e shohim të përlotur. Kthen sytë mënjanë të mos e tregojë veten, dhe fillon të rrëfejë kujtimet që ka me djemtë nga hoteli i pushimeve të verës që tashmë u kthye në tragjedi për familjen. “Për 10-15 vjet kemi bërë pushimet familjarisht tek Hotel Tropikal. Por këtë verë nuk ma bënte zemra të shkoja, mendova për situatën ekonomike, nuk doja t’i shpenzoja djemtë, dhe nuk shkova. Isa më 30 nëntor kishte ditëlindjen, ja kam blerë edhe dhuratën. Më telefonuan para se të flinin, dhe më uruan natën e mirë. I pyeta a jeni mirë? Mirë thanë, kemi gjetur edhe materialet (të punës)”, na tregon babai.

Aty takojmë edhe Sabriun, i cili humbi djemtë e xhaxhait në këtë tragjedi. Është rritur me Isain dhe Shemsedinin në këtë lagje të varfër të Livoçit.

“Jemi rrit bashkë si vëllezër. Ka qenë dhimbje e papërshkueshme për ne. Derisa kam shkuar vet tu shoh fytyrat me pastru xhenazen s’kam mundur ta besoj. Tërmeti i zuri në gjumë”, thotë ai mes lotëve.

Na tregon se vëllai i tij ishte shkëmbyer në kufi me Isën dhe Shemsedinin. Ai kthehej nga Shqipëria për në Kosovë, dhe ata shkonin për në Durrës. Edhe ai kishte qenë në hotel  “Tropikal”.

Sabri Abazi, kushëriri i vëllezërve që vdiqën nga tërmeti

Me të marrë lajmin e kobshëm, vëllai i Sabriut, i cili është ushtar, ka shkuar vetë pranë gërmadhave për të kërkuar me shpresën se do të mund të nxirrte gjallë dy kushërinjtë e tij.

“Vëllai im ka qëndruar katër ditë atje. Pas 4 ditëve u nis. Në kufi janë takuar. Ku po shkon Shems e Is? Po shkojmë në Durrës në Tropikal, me punu. Pastaj e ka marrë në telefon një shokë prej Durrësit. I njihte një më një ku janë dhomat. Ka kërkuar 27 orë nën rrënoja derisa e ka gjetur edhe trupin e  dytë të pajetë, Shemsedinin”, na tregon Sabriu, teksa thotë se çfarë tragjedie do të ishte nëse ky tërmet do të kishte rënë në verë, ku gjithë fisi pushonte në këtë hotel.

“Allahu i madh, me pas ndodh në korrik e gusht, nga 50 vetë të familjes ne shkojmë atje, nip e dajë, ka mund me qenë katastrofë. Allahi i ndihmoftë edhe ata vëllezër e motra që janë atje”, thotë Sabri Abazi.

Siç e di tradita, kryefamiljari Abazi na përcjell të largohemi teksa tashmë kishte rënë nata. “Nuk do jua harrojmë…Me të ardhur në Tiranë, do ju takojmë”.

Fotoja e Isa dhe Shemsedin Abazi vendosur në hyrjen e rrugicës së banesës së familjes Abazi ku vetëm ditën që ne i vizituam (29 nëntor) kishin pritur 5 mijë vetë për ngushëllim

Në mes të kësaj tragjedie, Shqipëria dhe Kosova treguan se janë një përmes solidaritetit të treguar nga vëllezërit tanë përtej kufirit. Edhe në pikën e përbashkët kufitare në Morinë e sheh këtë. Efektivët e kufirit sapo shohin targat e Shqipërisë, pyetja e parë që drejtojnë është: A keni shpëtuar të gjithë nga tërmeti? Të gjithë e dinë tragjedinë e familjes Abazi dhe sapo i tregojmë se po shkojmë të ndihmojmë 4 fëmijët e Shemsedinit dhe dy të vegjlit e Isait, njëzëri thonë: Zoti ju ndihmoftë! / Literalmedia / KultPlus.com

Muzeu Historik rikthen buzëqeshjen e fëmijëve të prekur nga tërmeti

Pas tërmetit që preku Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit, shumë banorë të qytetit të Durrësit dhe zonave të tjera, pas shpalljes si të pabanueshme të banesave të tyre, janë strehuar nëpër komplekse hoteliere dhe qendra sociale.

Mes personave të prekur nga tërmeti ka dhe shumë fëmijë, të cilët e kanë përjetuar shumë këtë situatë të vështirë.

Për t’ia lehtësuar sado pak dhimbjen dhe për t’i kthyer buzëqeshjen këtyre fëmijëve që ndodhen në hotel, por edhe të gjithëve banorëve aty, Muzeu Historik Kombëtar prezantoi disa nga projektet edukative të tij.

“Muzeu lëvizës” dhe “Arkeologu i vogël” shkuan pikërisht në një prej këtyre ambienteve, ku fëmijët kaluan disa orë të këndshme, duke luajtur, vizatuar, por dhe duke u njohur me trashëgiminë kulturore të vendit tonë, përmes kostumeve popullore, veglave muzikore e objekteve të tjera.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se, “Muzeu Historik Kombëtar shkon aty ku janë fëmijët dhe në këto momente, ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje dhe lehtësim, janë të vegjëlit e strehuar nëpër komplekse hoteliere dhe qendra sociale, për shkak të tërmetit”.

Ministrja shprehet se dy projektet edukative të Muzeut Historik Kombëtar bën që fëmijët të kalonin disa orë ndryshe duke luajtur, vizatuar dhe duke u njohur me trashëgiminë tonë kulturore.

Margariti tha se, “ndërsa po punojmë të gjithë bashkë për gjetjen e zgjidhjes sa më shpejt për strehimin e tyre po përpiqemi t’u rikthejmë dhe buzëqeshjen fëmijëve ku në dispozicion të tyre janë të gjitha institucionet kulturore”. /atsh / KultPlus.com

Dalin në shitje, këto janë bluzat e dizajnuara nga Dua Lipa për të ndihmuar Shqipërinë

Kanë dalë në shitje bluzat që janë dizajnuar nga Dua Lipa, fitimet nga shitjet e të cilave do të shkojnë për të ndimuar të prekurit nga tërmetet në Shqipëri.

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa është një prej personazheve të njohur të ekranit që është duke mbledhur fonde për t’ju ardhur në ndihmë shqiptarëve.

Këngëtarja ka treguar se ka zgjedhur të mbledhë të ardhura nëpërmjet shitjes së një bluzave që tregojnë edhe kauzën e vendit tonë.

Pak më parë Dua ka zbuluar edhe dizajnin e bluzës, e cila duket të jetë bërë me kujdes. Në pjesën e pasme qëndron emri i këngëtares dhe më poshtë krijohet një rreth me fjalët : Pray for Albania (Lutuni për Shqipërinë).

Kjo bluzë shitet për 45 dollarë dhe vjen në sasi të limituar.

Me të ardhurat e grumbulluara Dua do të ndihmojë familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Këtu mund të blini bluzën.

“Tërmeti që s’shemb Kalaja”

Qendrim Badalli

Shqipëria është goditur nga një tërmet i fuqishëm i cili ka lënë 50 persona të vdekur dhe qindra të lënduar. Ky tërmet bëri që të shpallet edhe gjendje e jashtëzakonshme teksa ekipe të ndryshme shpëtimi nga Kosova dhe vendet e rajoni qëndruan në Shqipëri, në përpjekje për ta tejkaluar sa më lehtë këtë sfidë. Në vazhdën e dëmeve të mëdha, janë regjistruar edhe dy monumentet kulturore dhe historike: Kalaja e Durrësit dhe ajo e Krujës.

Si Kalaja e Durrësit ashtu edhe ajo e Krujës janë shembur fizikisht dhe vetëm fizikisht, sepse ato përfaqësojnë histori dhe kulturë e cila nuk mund të shembet nga asgjë dhe asnjëherë në kuptime dhe mënyra të tjera. Përpos aspektit kulturor dhe historik, të njëjtat kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë pika shumë të frekuentuara turistike.

Kalaja  e Krujës është kalaja më e vjetër në  gjithë territorin shqiptar. Ajo po ashtu është radhitur si një prej kalave më të mira në gjithë botën. E ndërtuar gjatë vitit 1190, në Krujë qytet ky që ishte bërë më pas kryeqyteti i shtetit të parë autonom shqiptar në mesjetë. Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 metra, zë një sipërfaqe prej 2.5 hektarësh tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore.

Mënyra e furnizimit me ujë është një nga veçantit më të mëdha të kësaj Kalaje, mënyrë kjo e cila e ka bërë këtë Kala të mos vuaj asnjëherë për mungesën e ujit. Brenda territorit të kalasë, në shkëmb rrjedh një burim nëntokësor, i cili del në rrëzë të murit lindor të saj. Ky krua, që përdoret edhe sot në një çezmë, ka qenë rrethuar me një sistem muresh e kullash. Kjo ka qenë njëherit arsyeja e vënies së emrit Krujë këtij qyteti dhe më pas kalasë “Kalaja e Krujës”

Kalaja ka një strukturë arkitektonike teksa materialet të cilat janë përdorur për ndërtimin e kalasë janë kryesisht guri dhe betoni. Kjo edhe për shkak të qëndrueshmërisë të cilën duhet ta kishte kalaja duke pasur parasysh se kohën kur është ndërtuar ka qenë kohë pushtimesh nga armiqtë e Shqipërisë, konkretisht nga Perandoria Osmane.

Kalaja e Durrësit ishte ndërtuar nga perandori i Perandorisë Bizantine, Anastasi, i cili qe origjinën nga Durrësi. Në atë kohë, Anastasius e bëri Durrësin një nga qytetet më të fortifikuara në Adriatik.  Edhe para këtij tërmeti të fundit, Kalaja e Durrësit ka histori tragjike me tërmete që kanë ndodhur në të kaluarën. Kështu, kësaj Kalaje i është dashur t’i riparohen muret meqë kishte pësuar dëmtime të mëdha prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273.

Kjo Kala, ndër vite ishte përforcuar me disa Kulla të ndryshme, kështu disa kulla roje u ndërtuan nga Republika e Venedikut si dhe gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Kjo Kala, njëjtë si edhe Kalaja e Krujës ka historinë e saj të lidhur me luftë. Kështu, më 7 prill 1939, patriotët shqiptarë luftuan në muret e kalasë fashistët italian që pushtuan Shqipërinë.

Duhet shpresuar që dëmtimi i Kalasë së Krujës dhe i Kalasë së Durrësit nuk ka qenë krejtësisht i madh si dhe në të njëjtën kohë duhet punuar shumë që të ketë një rindërtim të shpejtë të këtyre dy monumenteve kaq të rëndësishme kulturore, historike si dhe turistike për Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar. / KultPlus.com

Qendrim Badalli