Dy vite më parë, Shqipëria, u godit nga një tërmet që la të vdekur në total 51 njerëz dhe gjithashtu 3 mijë njerëz u plagosën, shkruan KultPlus.
Dëmet nga ky termet ishin të jashtëzakonshme dhe kur kanë kaluar dy vite, gjërat akoma nuk janë rikthyer në normalitet të plotë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se tragjeditë sprovojnë njerëzit, popujt, shtetet.
KultPlus iu sjellë postimin e plotë të Ramës:
“Tragjeditë sprovojnë njerëzit, popujt, shtetet dhe dy vjet nga fatkeqësia marramendëse e tërmetit, duke kujtuar humbjet, plagët, dhimbjet e duke parë çka mundëm të bëjmë deri këtu, mund të themi pa drojë se sot jemi ngritur më të fortë e po ashtu mund të marrim frymë të lehtësuar, për faktin se mijëra familje të goditura prej asaj fatkeqësie sot janë më mirë se sa përpara goditjes prej saj. Kujtoj me dhimbje familjet që humbën njerëz të dashur dhe mbetem mirënjohës pa fund për të gjithë ata që dhanë ndihmën e parë, që u solidarizuan nga të katër anët e vendit dhe të botës me të goditurit nga fatkeqësia, që punuan e punojnë pa pushim për të kthyer deri familjen e fundit në shtëpi më të mirë, më të fortë, më të bukur”, shkroi kreu i shtetit.
Shqipëria mori ndihma të mëdha nga shtete të ndryshme të botës, me Kosovën që shprehi gatishmëri të madhe për ndihmë. /KultPlus.com