Shqipëria ka dhuruar 1 milionë euro për të prekurit nga tërmeti shkatërrues.
Kryeministri Edi Rama gjatë fushatës sensibilizuese “Turqia një zemër” shprehu ngushëllimet për jetët e humbura nga tërmeti tragjik, ndërsa njoftoi se Shqipëria dhuron 1 milionë euro për të prekurit nga tërmeti në Turqi.
“Ne dërguam ekipet tona të ndihmës për të ndihmuar sa të mundëm. Ne e dimë se jemi një vend i vogël. Nuk kemi harruar atë që Turqia dhe Presidenti Rexhep Tajip Erdogan bëri për ne në tërmetin e 2019. Ne bëmë maksimumin për të mbështetur popullin turk.” Jemi gati ta bëjmë. Falë përpjekjeve fantastike të Turqisë, jam i sigurt se gjithçka do të jetë e suksesshme,” tha Rama. / KultPlus.com
Tërmeti shkatërrues në rajonin kufitar turko-sirian një javë më parë ka lënë të pastrehë 1.2 milionë njerëz në Turqinë juglindore, njoftoi sot zyra presidenciale e Turqisë.
Një djalë 13-vjeçar u gjet i gjallë sot në mbrëmje pas 182 orësh nën rrënoja në provincën Hatay të Turqisë, njoftoi transmetuesi shtetëror TRT.
Në rajonin juglindor të Adiyaman, një vajzë 6-vjeçare u gjet gjithashtu më herët gjatë ditës, 178 orë pas tërmetit, tha Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.
Shanset për shpëtime të mëtejshme janë të pakta.
Të mbijetuarit që janë gjetur anë pasur akses në ujë, si nga uji i shiut ose i borës.
Normalisht, një person mund të rezistojë rreth 72 orë pa ujë.
Ndërkohë, rreth 176 000 tenda janë ngritur në provincat e goditura nga tërmeti në Turqi.
Autoriteti i fatkeqësive AFAD tha gjithashtu se kishte ngritur mijëra kontejnerë.
“Gati 400 000 njerëz janë evakuuar nga zonat e tërmetit”, tha zyra presidenciale.
Inspektimet kanë nisur të kryhen nga autoritetet për të përcaktuar se cilat ndërtesa në 10 provincat e prekura ishin ende të banueshme.
“Që nga e hëna pasdite, mbi 7 500 ndërtesa tashmë janë shembur ose duhet të prishen urgjentisht”, tha Banu Aslan, drejtor i departamentit të ndërtimit, sipas agjencisë së lajmeve “Anadolu”.
Mijëra ndërtesa u shembën në Turqi pas dy tërmeteve masive të së hënës.
Situata në Sirinë e shkatërruar nga lufta është edhe më e pasigurt, duke pasur parasysh se shumë njerëz tashmë janë zhvendosur brenda vendit.
“Shefi i ndihmës i OKB-së, Martin Griffiths, mbërriti sot në Alepo”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve SANA, mes kritikave të rënda për vonesat e ndihmave për tërmetit.
Në qytetin e Alepos, shumë njërëz kanë mbetur të pastrehë.
Të paktën 27 ndërtesa janë shkatërruar tashmë për shkak të rrezikut të shembjes.
Kreu i këshillit të qytetit të Alepos, Maad al-Madlaji, tha se rreth 13 000 familje jetojnë në 235 strehimoret e ngritura nga qeveria.
OKB-ja tha sot në mëngjes se gjashtë kamionë, kryesisht me tenda po hynin në veri të Sirisë.
Krahasuar me Turqinë fqinje, sirianët mendojnë se ndihma është shumë e vogël, dhe tepër vonë për Sirinë.
Dorëzimi i parë i ndihmës së OKB-së mbërriti të enjten në Sirinë veriperëndimore, pasi kamionët kaluan nga Turqia përmes të vetmit vendkalim kufitar të hapur, në Bab al-Hawa.
Sirianët gjithashtu po përballen me tmerret e luftës përveç pasojave të tërmetit./KultPlus.com
Babai i cili u fotografua duke mbajtur dorën e vajzës së tij 15-vjeçare nën rrënojat e tërmetit në Kahramanmaras, tha se ajo vdiq në momentet e para pas tërmetit.
Në deklarata për CNN Turk, Mesut Hancer tha se humbi edhe anëtarët e tjerë të familjes në tërmet, duke përfshirë nënën e tij, dy vëllezërit më të mëdhenj dhe një kunatë.
Hancer tha se arriti të shkonte te vajza e tij tre ditë pasi kishte rënë tërmeti. Ajo kishte qenë për vizitë te gjyshja e saj, në Kahramanmaras.
“Unë u nisa atje sapo e mora vesh për tërmetin. U përpoqa vetëm, me duart e mia, që të nxirrja vajzën time, por fatkeqësisht nuk munda”, tha Hancer.
Ai shtoi se trupi i vajzës mbi bel kishte qenë jashtë rrënojave, por pjesa tjetër ishte bllokuar nën to. Autoritetet nuk ishin në gjendje të sillnin një ashensor ndërtimi për të ndihmuar në nxjerrjen e trupit të saj dhe një burrë e ndihmoi atë që ta nxirrte.
Hancer tha gjithashtu për CNN Turk se aktualisht është pa shtëpi për shkak të dëmtimit që ka ndodhur në shtëpinë e tij. /a2cnn/ KultPlus.com
Një çift turk në provincën jugore të Adiyamanit u shpëtua, pasi kanë mbetur nën rrënojat e një shtëpie të shembur për më shumë se 129 orë, njoftoi televizioni turk, TRT.
TRT shfaqi pamjet e një gruaje duke u futur në një ambulancë.
Pak çaste më vonë, bashkëshorti i saj, të cilin ekipet e shpëtimit e nxorën nga poshtë mbeturinave përmes një tuneli, u vendos në një ambulancë tjetër.
Burri u pa duke përshëndetur me dorë kamerat.
”Megjithatë, tri vajzat e tyre besohet se kanë vdekur”, tha TRT./ KultPlus.com
Fotografoja dhe qaja, thotë Adem Altan për fotografinë e konsideruar si simbol i tërmetit shkatërrimtar në Turqi.
Fotograf prej 40 vitesh, 15 prej të cilave për llogari të agjencisë franceze të lajmeve, AFP, Adem Altan po shkrepte foto përpara një ndërtese të shembur në Kahramanmaras, epiqendra turke e tërmetit që vrau më shumë se 20 000 persona, kur pa një burrë të ulur në rrënoja.
Asnjë ekip shpëtimi nuk kishte mbërritur ende atje, një ditë pas katastrofës, dhe banorët po përpiqeshin të pastronin vetë rrënojat, për të shpëtuar të dashurit e tyre.
Rreth 60 metra larg fotografit, burri, i veshur me një xhaketë portokalli, ishte i palëvizshëm mes rrënojave, pavarësisht shiut dhe të ftohtit.
Ai mbante një dorë në të tijën, e cila doli nëpër rrënoja.
Kështu Ademi filloi të fotografonte imazhin që më pas bëri xhiron e botës, duke u bërë simbol i tragjedisë: një baba që mban dorën e vajzës së tij të vdekur, sikur të mos donte ta linte të qetë.
Ndërsa Ademi bënte foto, burri e ndiqte me vështrimin e tij.
“Bëji një foto vajzës sime”, i pëshpëriti ai fotoreporterit, me zërin e këputur që i dridhej.
Vetëm për një moment, ai lëshoi dorën për t’i treguar fotografit vendndodhjen e vajzës së tij 15-vjeçare.
”Isha shumë i emocionuar, po qaja. Vazhdova të thosha me vete ‘o Zot, kjo është dhimbje e padurueshme”, thotë fotografi.
Më pas Ademi e pyeti për emrin e tij dhe të vajzës së tij të vogël.
”Vajza ime quhej Irmak. Unë quhem Mesut Hancer”, tha ai.
”Fliste me vështirësi, me zë shumë të ulët. Ishte e vështirë t’i bëje më pyetje pasi banorët përreth tij u kërkuan njerëzve të heshtin në mënyrë që të dëgjonin zërat e të mbijetuarve të mundshëm të bllokuar nën rrënoja”, shton Ademi.
Në atë moment, ai mendoi menjëherë se ai imazh mund të përmblidhte gjithë dhimbjen e viktimave të tërmetit, pa e imagjinuar megjithatë ndikimin që do të kishte.
E marrë nga media në mbarë botën, duke u bërë virale në rrjetet sociale, e ndarë qindra mijëra herë nga përdoruesit e tronditur.
Ademi ka marrë mijëra mesazhe.
“Mendoj se është një foto që do të mbetet në kujtesën time. Shumë më kanë thënë se nuk do ta harrojnë kurrë këtë imazh”, thekson fotografi.
Tre persona me origjinë shqiptare janë gjetur të pajetë nën rrënoja, pas dy tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e së hënës.
Euronews Albania raporton se bëhet me fjalë për dy prindërit dhe djalin e tyre, trupat e të cilëve janë gjetur të pajetë mëngjesin e ditës së sotme dhe janë nxjerrë nga rrënojat nga ekipet e kërkim shpëtimit.
Mësohet se ata janë gjetur në qytetin e Kahramanmarash një nga zonat më të prekura nga tërmeti tragji. Deri më tani nuk bëhet me dije identiteti i tyre.
Ndërkohë, sipas raportimeve të fundit nga autoritetet turke, numri i personave që kanë humbur jetën në Turqi është 7108, ndërsa të lënduarit janë 40910.
Në Siri, numri i të vdekurve, sipas raportimeve të fundit të Aljazeera, është 2,530. Në total, të vdekurit tani i kalojnë 9600 (9638), ndërkohë që nuk ka shifra për të zhdukurit./ KultPlus.com
Një çift i ulur në një tavolinë në një park në Gaziantep, që gjendet pranë epiqendrës së tërmetit prej 7.8 ballësh.
Të mbijetuarit e tërmetit të fundit të fuqishëm në qytetin turk, Shanlëurfa, që shkaktoi mijëra vdekje, rrënime, janë duke u përballur me një rrezik të madh nga uria.
Dielli lind njësoj si çdo mëngjes, por rrugët e shkatërruara të Shanlëurfës duken boshe në këtë mot të ftohtë.
Pas tërmetit të së hënës me magnitudë 7.8 ballësh, si çdo person i prekur nga 9 krahina të tjera, edhe në këtë vend qytetarët janë fokusuar në mbijetesën bazike.
Në orët e para të së hënës, tërmeti më i fuqishëm i Turqisë në 100 vjet goditi këtë rajon kufitar me Sirinë, duke lënë më shumë se 9.500 të vdekur në Turqi dhe Sirinë fqinje.
Dhjetëra familje në Sanliurfa kërkuan strehim në katin e parë të hotelit impozant Hilton. Deri në orët e para të mëngjesit të së martës, shumica e prindërve së bashku me fëmijët e tyre nuk kanë fjetur aspak.
“Kemi mbërritur këtu dje në orën 15:00. Hoteli na ka dhënë supë në mbrëmje, por nata ka kaluar, ne jemi të uritur, ashtu edhe fëmijët…Sot do të mbyllen furrat e bukës, nuk e di si ku do të gjejmë bukë”, tha Imam Caglar, 42 vjeç.
Banesa e tij nuk është larg nga hoteli, por për shkak të kushteve të rrezikshme është e pamundur të shkojë dhe të marrë ushqim.
“Ne jetonim në katin e parë dhe kemi shumë frikë për t’u kthyer. Ndërtesa jonë nuk është aspak e sigurt”, tha babai i tre fëmijëve.
Dimri shkakton vonesa në dërgimin e ndihmës
Qeveria turke është duke vazhduar të sigurojë strehim për personat që kanë mbetur në rrugë pas tërmetit, pasi shtëpitë e tyre u rrëzuan komplet apo konsiderohen shumë e rrezikshme për të jetuar afër.
Qindra mijëra njerëz e kaluan natën në konvikte, shkolla, xhami dhe ndërtesa të tjera publike, ndërsa të tjerë u strehuan në hotele që hapën dyert falas për të prekurit.
Mirëpo, furnizimi me ushqim ka qenë i vështirë për t’u realizuar për të gjithë.
Një stuhi dimërore ka bërë pothuajse të pakalueshme rrugët e rajonit, disa prej të cilave janë dëmtuar rëndë nga dridhjet. Shumë aeroporte janë mbyllur, me pista të cilat duhet të riparohen.
“Deri tani kemi pirë supë, por kjo nuk është e mjaftueshme”, tha Mehmet Cilde, 56 vjeç dhe baba i 6 fëmijëve.
Ai shpreson se komuna eventualisht do të gjejë një zgjidhje dhe t’i furnizojë të prekurit me ushqim, mirëpo ai tregoi se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë informacion.
Vetëm me nga një batanije
Situata është edhe më e rëndë për Filiz Cifcin. Përderisa ishte duke pritur në radhë, në rrugën nga hoteli Hilton ishte krijuar një rend i gjatë pritjeje për të marrë nga një pjate supë Ajo dhe tre fëmijët e saj, që u larguan nga shtëpia e tyre para agimit të së hënës me vetëm tri batanijet dhe telefonat e tyre, preferuan ta kalonin [pa ngrënë] një shujtë sesa të prisnin në erë dhe shi të ftohtë.
“Ne kishim vetëm çaj dhe kafe dje në mbrëmje, asgjë tjetër” tha ajo, me shami dhe tunikë vjollce, e ulur afër banjës së hotelit, ku familjet marrin ujë të pijshëm.
Ajo nuk e di nëse fëmijët e saj do të kenë mjaftueshëm për të ngrënë të martën dhe në ditët në vijim.
“Për momentin nuk kemi asgjë tjetër përpos batanijeve… së paku kemi ujë të pijshëm”, u shpreh ajo./REL / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas tërmetit të fuqishëm, i cili e goditi sot Turqinë.
“Bashkëndjej me të gjitha komunitetet e prekura nga tërmeti shkatërrues në Turqi. Ngushëllimet më të thella për të gjitha jetët e humbura dhe i uroj shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve. Solidaritet i plotë me popullin e Turqisë. Republika e Kosovës është gati të ofrojë mbështetjen e nevojshme edhe nëpërmjet FSK-së”, ka shkruar Presidentja Osmani. / KultPlus.com
Tërmeti shkatërrimtar me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë mëngjesin e sotëm është më i forti në 80 vitet e fundit.
Sipas sizmiologëve, ky mund të jetë tërmeti më i madh në Turqi i regjistruar ndonjëherë.
Sizmiologu Stephen Hicks thotë se tërmeti i mëparshëm i vitit 1939 me magnitudë 7.8 shkaktoi 30 mijë të vdekur.
Një tjetër tërmet i fortë në Turqi ishte ai i Janarit 2020 me magnitudë 6.7 kur goditi një rajon në lindje të Turqisë. 41 persona humbën jetën dhe mbi 1600 u plagosën. /KultPlus.com
Gezge Tekçi shpëtoi për mrekulli nga ndërtesat e shkatërruara në tërmetin që ndodhi më 30 tetor, në afërsi të rrethit Seferihisar të Izmirit.
Ajo tha se ishte vetëm në shtëpi gjatë tërmetit dhe se jeta iu shpëtua falë zogut të saj të quajtur Lucky. Shtëpia e saj ishte në katin e 5-të të ndërtesës 7-katëshe. Tekçi shpjegoi se si shpëtoi për CNNTureky.
“Ishin momente vërtet të vështira. Ishte si nëpër filma. Kjo është ajo që njerëzit nuk mund ta besojnë. Gjatë tërmetit, mendova për zogun tim të dashur Lucky. Shkova në dhomën tjetër dhe pata Luckyn në kafazin e tij. Njerëzit nuk dinë çfarë të bëjnë kur kanë frikë. Ndërsa po vrapoja, muret filluan të shemben. Kur zbrita në katin e tretë, ndërtesa u shkatërrua plotësisht. Unë u kapa në mure. Kafazi i Lucky u shkatërrua gjithashtu. Unë nuk mund të kthehesha atje ku isha. Mendova se Lucky kishte vdekur sepse zëri i tij nuk po dëgjohej. U përpoqa të shoh rreth meje, thirra nënën time dhe Shërbimin e Urgjencës 112, i thashë nënës time dhe Shërbimit të Urgjencës 112 dhe më njoftuan për vendndodhjen time. Ndërsa shikoja përreth me fener, pashë se kishte një pjesë të hapur në buzë të shkallëve dhe pashë dritë. Bëra një vend për të kaluar dhe dola në ballkon më parë, koka dhe hunda ishin të mbuluara me gjak. Nuk ndjeva asnjë dhimbje. Pastaj u hodha nga ballkoni dhe u hoqa nga mbeturinat. Nëse nuk do të ishin 10 sekonda unë do të kisha zbritur në një kat dhe nuk do të kisha mundësi të dilja, mbase do të vdisja”, tha ajo./tch/ KultPlus.com
Mrekulli që nuk mund të përshkruhet dot me fjalë mund ta quajmë atë që ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në Turqi.
Mësohet se një vajzë e vogël, vetëm 3 vjeç është nxjerrë e gjallë nga rrënojat e banesës së shembur nga tërmeti i fortë 6.7 të shkallës Rihter.
Vogëlushja Elif, është nxjerrë e gjallë pas 65 orësh në rrënoja, ndërsa disa orë më herët u nxorën motrat e saj binjake dhe nëna. Bëhet me dije se vëllai i saj Umut 7 vjeç ka humbur jetën.
Ekipi i kërkim-shpëtimit, familjet dhe të gjithë në zonën e rrënojave kaluan momente emocionuese.
Në një postim në Twitter, Mehmet Gulluoglu, kreu i Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD), shprehu kënaqësinë për shpëtimin e vajzës së vogël, ndërsa operacioni për nxjerrjen e saj u ndoq me zemër në dorë nga mediat dhe nga familjarët. / KultPlus.com
Një lajm i mirë vjen nga Turqia. Një burrë 70-vjeçar ka arritur të nxirret i gjallë nga një ndërtesë e shembur në Izmir.
Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë arritur që rreth 34 orë pas tërmetit të fortë që goditi vendin, ta nxirrnin të gjallë burrit. Ahmet Citim, u nxor nga rrënojat në Izmir pak pas mesnatës të së dielës dhe u dërgua me urgjencë në spital. Ministri i shëndetësisë turke, Fahrettin Koca shkroi në Twitter atë që Ahmet i ka thënë: “Unë kurrë nuk e humba shpresën”.
Kujtojmë se Turqia e Greqia u godit paraditen e së premtes nga një tërmet me magnitutë, 6.8 ballë të shkallës rihter. Si pasojë deri më tani, 58 persona kanë ndërruar jetë dhe rreth 900 të tjerë janë lënduar. Ndërkohë ekipet e kërkim-shpëtimit ndodhen ende në ndërtesat e shembura, për të nxjerrë personat që ndodhen ende në rrënoja.
“Nëse janë gjallë, ne kemi shanse të mëdha për të shkuar tek ata për 72 orë”, u tha gazetarëve nënkryetari Fuat Oktay. “Dashtë Zoti, do të jetë kështu”.Aktori i humorit Koço Devole infektohet me COVID 19, po lufton me jetën./ KultPlus.com