Inxhinierja e ndërtimit prof. Luljeta Bozo ishte e ftuar në Dita Jonë për të folur për sa ndodhi në Durrës dhe tjetër kund mëngjesin fatal të 26 nëntorit.
Sa ishte dëmi që ndodhi për faj të tërmetit dhe sa për faj të cilësisë së ndërtimeve? Ku duhen kërkuar shkaqet dhe shkaktarët e këtij shkatërrimi dhe humbjeje të jetës dhe ç’mund të bëjmë që t’i shmangim tragjedi si kjo në të ardhmen? A rrezikojnë apartamentet tona pas këtyre lëkundjeve të mëdha?
Inxhinierja Luljeta Bozo zbulon shkeljet që bëhen sot në industrinë e ndërtimit, duke nisur nga mungesa e studimit gjeologjik e sizmik, e deri tek supervizioni dhe oponenca e dobët.
“Sigurisht që çdo tërmet që bie do të bëjë dëme, por jo dëme të asaj natyre që të bëjë kolaps objekti që t’i zërë brenda. Diçka nuk ka shkuar. Janë shumë shkelje që janë bërë gjatë gjithë procesit të ndërtimit.
Më parë ka funksionuar kështu, të marrësh lejen e ndërtimit dhe të kesh të drejtën të projektosh, duhet të kesh studimin gjeologjik të parin dhe studimin sizmik të dytin, pa këto nuk mund të fillosh.
Nuk mund të kursesh në dëm të sigurisë së objektit që mund të të zërë brenda njerëzit. Projekti duhet të kontrollohet. Duhet të ketë një instancë që kontroll projektin dhe projekti duhet të jetë i plotë, jo me copa letrash. Duhet ndjekur rregulli që në çdo hap të zbatimit duhet të kontrollohet cilësia e materialit dhe mënyra se si është zbatuar projekti. Këtë e bën supervizori. Por kush e ka supervizorin? Ata mund të ketë investitori. Atij i intereson, ai që nuk është serioz, ta kalojë shpejt e shpejt që të mbarojë objektin. Heq hekura, shkel në cilësinë e betonit. Këtu nuk janë zbatuar rregullat teknike, asnjë rregull teknik”, u shpreh inxhinierja.
Më 24 prill 2002, Gjilanin e goditi një tërmet me fuqi mbi 5 ballë të shkallës Rihter. Të nesërmen, këtë qytet e vizitoi presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili pos që premtoi ndihmën e institucioneve në përballimin e gjendjes, njëkohësisht i ngushëlloi të dëmtuarit duke iu thënë se kjo është prej Zotit.
Kryetari i
komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e njoftoi presidentin Rugova me pasojat e
tërmetit, i cili la një të vdekur, që ishte humbja më e madhe, mbi 100 të
lënduar si dhe dëme të konsiderueshme materiale.
“Mbi 7 mijë
banorë jetojnë nën tenda, ndërsa rreth 80 për qind e qytetarëve të kësaj komune
nuk kanë guxim të kthehen nëpër shtëpitë e veta, nga frika e dridhjeve të reja,
të cilat po vazhdojnë për çdo ditë”, kishte thënë Haziri.
Pasi i ka
shprehur keqardhje kryetarit të Komunës për këtë fatkeqësi natyrore, presidenti
Rugova ka thënë se kjo është prej Zotit dhe ajo që vjen prej Zotit është më
lehtë e përballueshme.
“Të
lënduarit Zoti i shpëtoftë dhe do t`i shpëtojë”.
Presidenti
Rugova, i përcjellë nga kryetari Haziri dhe komandanti i SHPK-së Sheremet
Ahemti, vizitoi zonat më të dëmtuara dhe kaloi nëpër qendrën e qytetit për t’u
njohur drejtpërdrejt me pasojat e tërmetit.
Po ashtu
presidenti vizitoi qytetarët e vendosur në tenda, si dhe spitalin e qytetit, që
nuk po i zinte brenda gjithë të lënduarit, të cilëve u dëshiroi shërim të
shpejtë.
Presidenti
Rugova e lavdëroi punën e spitalit të Gjilanit, duke thënë se ekipet e tij kanë
bërë punë të mrekullueshme.
Po ashtu,
punë të mirë kanë bërë edhe institucionet e tjera, si policia, TMK-ja, KFOR-i,
UNMIK-u dhe kjo është edhe një fakt se ne po forcohemi, po forcohen
institucionet e Kosovës dhe duhet të jemi të gatshëm për çdo rast, u shpreh
presidenti.
I pyetur
sesi e vlerëson reagimin e shpejtë të TMK-së, presidenti Rugova tha se punën e
tyre e çmon shumë pozitive dhe të shkëlqyeshme dhe për këtë punë ata edhe janë,
jo vetëm për raste të luftës, por edhe në raste të rregullta, për ndërtim, për
ndihmë të qytetarëve, për rastet që vijnë nga zoti dhe të këqijat e tjera.
Presidenti
Rugova tha se tani ndihmat duhet të orientohen nga Gjilani për kapërcimin e
gjendjes.
“Natyrisht do të shikojmë se çka mund të bëjmë nga buxheti i Kosovës”, tha presidenti Rugova në Gjilan, pas tërmetit, i cili e goditi këtë qytet dhe rrethinën e tij./MediaFokus/ KultPlus.com
Bebe Rexha ka arritur në Shqipëri për të ndihmuar nga afër të prekurit nga tërmetet.
Këngëtarja me famë botërore, Bebe Rexha, ka arritur në Shqipëri sot dhe ka folur për herë të parë pas ardhjes nga Amerika.
“Nuk jam e lumtur që kam ardhur në Shqipëri në këto rrethana por jam e lumtur që mund t’i ndihmoj njerëzit e mi. Kjo është shumë me rëndësi për mua”, ka thënë Bebe për T7 sapo ka arritur.
“Kur i kam dëgjuar lajmet, zemra më është thyer pasi që unë jam shqiptare, babai im është shqiptar dhe është shumë me rëndësi për mua që të mbështesë vendin prej nga jam”.
Bebe ka treguar edhe cilët janë planet e saj për të mbështetur të prekurit nga tërmetet.
Ajo thotë: “Plani im kryesor është që të vetëdijësoj njerëzit në gjithë botën për atë se çfarë ka ndodhur, mendoj se kjo është shumë me rëndësi. Gjithashtu kam mbledhur para me disa nga fansat e mi dhe qëllimi im është që të ndërtoj disa shtëpi dhe të ndihmoj disa njerëz. Pra, të jem pjesë e gjithë procesit, të siguroj që paratë po shkojnë në vendin e duhur derisa njerëzit kanë shtëpi në të cilat mund të jetojnë”.
Në fund këngëtarja ka thënë se ndihet shumë krenare dhe falëndreuese për Kosovën, pasi ata kanë ndihmuar shumë dhe ishte diçka shumë e bukur në gjthë këtë tragjedi, të shikojmë se si ata kanë hapur duart për shqiptarët.
Ajo gjithashtu shton se, megjithëse është lindur në New York, zerma e saj ka gjak shqiptar dhe gjithmonë do të mbështesë njerëzit e saj, pa marrë parasysh ku gjendet./ KultPlus.com
Vetëm analizimi i disa monumenteve që janë dëmtuar nga tërmeti në Shqipëri do të marrë goxha kohë. Për këtë proces, që është hapi i parë sa u përket planeve restauruese dhe konservuese, shteti shqiptar do të angazhojë edhe ekspertë ndërkombëtarë.
Janë disa monumente të kategorisë së parë që kanë pësuar dëme të mëdha pas tërmetit të javës së kaluar, ku në Shqipëri ka rezultuar me mbi 50 viktima e rreth 700 veta që janë trajtuar në spitale.
Kalaja e Durrësit, ajo e Prezës afër Tiranës e ajo e Krujës sipas raportimeve dalin të jenë më të dëmtuarat. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka inspektuar nga afër këto monumente. Ajo ka thënë se është bërë incizimi me dron i Kalasë së Prezës dhe inspektimi i disa monumenteve të tjera. Mirëpo, sipas saj, i gjithë ky proces nuk do të jetë i thjeshtë dhe kërkon kohë, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Lëkundjet sizmike të 26 nëntorit dhe të ditëve në vijim shkaktuan dëmtime edhe në monumente kulturore. Kemi inspektuar nga afër monumentet më të goditura, si Kalaja e Krujës, Kalaja e Prezës dhe muri bizantin në Durrës, për t’i evidentuar dëmet dhe për t’i marrë masat e duhura. Nuk do të jetë e thjeshtë dhe do të kërkojë kohë”, ka thënë ajo.
Margariti ka treguar se kanë mobilizuar me të gjitha forcat dhe se po bashkëpunojnë me Institutin e Gjeologjisë dhe ekspertë të huaj. Po ashtu, ajo ka kërkuar edhe mirëkuptim dhe respektim të perimetrit të sigurisë, pasi që Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë, kanë ndaluar rreptësisht hyrjen në këto Kala.
“Është rreptësisht e ndaluar në radhë të parë për të garantuar jetën tuaj dhe për të mos i dëmtuar më shumë monumentet. Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë, nuk janë përgjegjëse për çdo pasojë nga thyerja e këtij udhëzimi. Ruajeni jetën tuaj”, është shkruar në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.
Kalasë së Durrësit i janë shembur një pjesë e mureve. Monumenti ishte ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi në shekullin VI, përbëhet nga dy pjesë Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Në historinë e monumentit, si një rast tjetër ku ishte dëmtuar shumë daton tërmeti i vitit 1273 për t’u rinovuar prapë. Muret e objektit janë të larta 4.6 metra.
Raportimet e mediave shqiptare kanë nxjerrë në pah se është dëmtuar edhe Kalaja mesjetare e Prezës në Tiranë. Paraditen e së martës, Bashkia e Krujës nëpërmjet një komunikate u ka bërë apel qytetarëve të mos kalojnë afër Kalasë së qytetit për shkak të rrezikshmërisë që paraqet nga dëmtimi i shkaktuar nga tërmeti. “Shkëmbi nën kullën e sahatit rrezikon të shembet. Asnjë makinë nuk duhet të kalojë, pasi shton mundësinë që masivi shkëmbor të bjerë”, shkruhet në komunikatë. Kruja, që njihet edhe si qytet muze, ka identifikuar 320 objekte të dëmtuara për të cilat është raportuar në Bashki.
Dëme kanë pësuar edhe Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë e Muzeu Historik Kombëtar. Por, sipas të dhënave, kanë shpëtuar koleksionet e këtyre institucioneve dhe dëmet mund të riparohen shpejt. / KultPlus.com
Në Shqipëri të dhëna ende paraprake flasin për të paktën 900 pallate dhe mbi 5100 banesa të dëmtuara nga tërmeti. Afër 9 mijë janë qytetarët, banesat e të cilëve u prekën dhe kanë pësuar dëme.
Disa dhjetëra shkolla në Tiranë, Durrës, Lezhë e Elbasan kërkojnë ndërhyrje përpara se të rinisë mësimi. Ndërsa në terren vijon vlerësimi i dëmeve. Presidenti Ilir Meta njoftoi sot se ka vendosur të thërrasë nesër mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Ende nuk ka një bilanc përfundimtar të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti I fuqishëm i ditës së martë, i cili goditi rëndë Durrësin, Thumanën e Tiranën, por nuk la pa prekur dhe qytete të tjera të vendit. Të dhënat vijojnë në përditësim e sipër, por ato paraprake që i përkasin mëngjesit të sotëm, flasin për 640 pallate dhe 4 mijë banesa të dëmtuara, nga të cilat 371 pallate dhe afro 2500 banesa të dëmtuara rëndë. Në Durrës numri rezulton më i ulët, por vetëm për shkak se këtu procesi i verifikimit ka nisur me vonesë, ndërsa ditët e para vëmendja ishte përqendruar të njerëzit e mbetur nën rrënoja. Në këtë qytet për momentin rezultojnë 185 pallate dhe afro 730 banesa të dëmtuara, nga të cilat 38 pallate dje 620 banesa të prekura rëndë.
Grupe ekspertësh të huaj të thirrur nga qeveria po vijojnë të vijnë për të ndihmuar në procesin e vlerësimit teknik të godinave, ndërsa godinat që janë gati duke rënë, kanë nisur të shemben nga autoritetet, siç ishte rasti i një hoteli sot në Durrës.
Deri më tani rezultojnë të jenë afër 9 mijë qytetarët e prekur nga tërmeti. Mbi 2300 janë sistemuar nëpër hotelet me të cilat qeveria ka bërë marrëveshje, ndërsa mbi 4800 të tjerë janë strehuar pranë të afërmve të tyre. Mbi 900 banorë janë ende në çadrat e ngritura nga autoritetet në disa lokalitete ndërsa mbi 800 kanë zgjedhur qendrat sociale.
Dëmet kanë prekur dhe shkollat, ku sipas asaj që referoi sot në mbledhjen e qeverisë, ministrja e Arsimit Besa Shahini janë 52 të tilla në Tiranë, Durrës, Elbasan e Lezhë, ku është e nevojshme që të ndërhyhet, përpara se aty të lejohet rifillimi i mësimit. Më vonë ministrja njoftoi se pezullimi i mësimit do vijojë edhe disa ditë në qytetet e prekura: “Në Qarkun Durrës, bashkitë, Durrës, Shijak e Krujë, mësimi mbetet i pezulluar deri më datë 9 Dhjetor. Në Qarkun Tiranë që përfshin bashkitë Tiranë, Vorë, Kamëz, Kavajë dhe Rrogozhinë, si dhe në Qarkun Lezhe që përfshin bashkitë, Lezhë, Kurbin dhe Mirditë, mësimi do jetë i pezulluar deri më datë 5 dhjetor, por ruajmë mundësinë për ta shtyrë dhe disa ditë të tjera në rast se nuk garantohemi se janë në gjendje të sigurt strukturore”
Për të diskutuar rreth situatës së krijuar presidenti Ilir Meta, njoftoi sot se ka vendosur thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke saktësuar se orari do të përcaktohet në varësi të situatës
Në mbledhjen e sotme të mëngjesit kryeministri Edi Rama përsëriti ftesën për opozitën që të ulen se bashku për të dhënë një sinjal bashkimi e qetësie ndaj qytetarëve.
Një ditë më parë kryetari demokrat Lulzim Basha i pyetur rreth kësaj ftese tha se “tani nuk është koha as për politikë, as për propagandë. Gjëja e vetme me të cilën po merremi ne është të jemi afër njerëzve dhe kjo është ajo që duhet të bëjë çdokush tjetër”
Por sipas zotit Rama “unë nuk e kuptoj ç’domethënë që të ulen në tryezë e gjithë përfaqësia e njerëzve të zgjedhur të këtij vendi qenka propagande. Propagandë është të lësh njerëzit në pasiguri, kur ke mundësi të bësh më shumë dhe ndërkohë flet për gjëra që u takojnë të tjerëve, u takojnë njerëzve që janë në terren”, u shpreh ai gjatë mbledhjes së qeverisë./VOA/ KultPlus.com
Për një javë familja nga Kosova dhe ajo nga Durrësi janë lidhur shumë me njëra tjetrën
Me lot, po u kërkojnë mysafirëve të qëndrojnë edhe më gjatë.
Fëmijët e familjes Kastrati, për një javë janë lidhur aq shumë Agimin e Shkurtën nga Durrësi, sa që largimi i tyre i ka mërzitur.
Pas tërmetit që preku Durrësin, ata erdhën dhe u strehuan në Kosovë, në familjen e Arian Kastratit, ndërkaq të dielën në mbrëmje do të nisen për në Itali tek familjarët e tyre. E tërmeti i 26 Nëntorit i ka lënë pa shtëpi, njësoj si shumë familje atje.
Ky çift në moshë, kanë lënë edhe dy djemtë me familje në Shqipëri.
Por, mungesën e tyre e frikën, i ndihmuan ta tejkalojnë familja Kastrati.
Pritja e ngrohtë që iu bë në Kosovë, po i bën edhe këta dy të moshuar të mërziten për largimin.
Por, dy familjet zotohen se nuk do e harrojnë këtë miqësi.
Mes lotësh përmendin edhe vizitat që do i bëjnë, njëra – tjetrës, pasi e gjithë situata të qetësohet.
Tërmeti i fortë i 26 nëntorit, la të vdekur mbi 50 persona dhe të lënduar mbi 600 të tjerë. Express / KultPlus.com
Ndër të prekurit e tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri është edhe familja Plaku në Shijak, saktësisht 34-vjeçarja Xhuana Plaku, e cila ka probleme me shikimin (e verbër në njërin sy) dhe mamaja e saj e verbër, Igballja.
Banesa e tyre pësoi dëmtime që në tërmetin e shtatorit, ku ekspertët e cilësuan si të pabanueshme.
“Nuk kishim ku jetonim, kështu që ndenjëm aty”, tregon Xhuana për Top Channel.
Por tërmeti i 26 nëntorit do t’i jepte shtëpisë goditjen finale. Xhuana, babai i së cilës ndërroi jetë kur ajo ishte 3 vjeçe duke e lënë të vetme me mamanë e sëmurë rrëfen momentet e tmerrit.
“Derisa u ngritëm ne ranë komplet gurë, sepse shtëpia është e pabanueshme; ranë suvatimet, të gjitha brenda. Dolëm përjashta dhe kaq. Tani na mori çuni i xhaxhait dhe jemi aty, te xhaxhai. Pata frikë se ishte një lëkundje e fortë, mezi hapëm derën, sepse është e vjetër, e dëmtuar. Kanë ardhur ekspertë, e kanë verifikuar, kanë thënë është e pabanueshme, ndërsa shërbim mjekësor jo. Erdhën të komunës na ofruan çadër, por ne nuk jemi për çadër. Unë jam me operim në zemër mami me infarkt”, tregon Xhuana.
Kërkesa e saj e vetme është që të ketë një shtëpi të futet brenda.
“Dua një shtëpi të futemi brenda, dua një banesë, kudo që të të jetë”, thotë ajo. Top Channel / KultPlus.com
Për t’iu dalë në ndihmë të prekurve nga tërmeti, shqiptarët dhuruan edhe kur nuk kishin mjaftueshëm.
Erdhën se bashku më fëmijën e tyre, për të dhuruar diçka nga vetja.
Por, veprimi që e bëri kjo nënë nga Kosova i habiti të gjithë.
Ajo e largoi fëmijën e saj nga karroca dhe atë e dhuroi për të mbijetuarit e tërmetit në Shqipëri.
I tillë ishte rasti edhe i kësaj gruaje nga Podujeva, që i dhuroi 10 eurot e fundit që i kishte. Por, kishte vetëm një hall, që nuk pati më shumë e t’i dhuronte.
E raste të ngjashme, kur kosovarët dhuruan edhe paranë e fundit për t’iu dalë në ndihmë bashkëkombësve shqiptarë, ishin të shumta.
E një qytetar i Drenasit, pavarësisht që prindërit e tij po përballeshin me probleme të rënda shëndetësore, nuk mundi të qëndrojë pa dhuruar diçka.
E një i moshuar tjetër, posa e mori pensionin, ndau nga paratë e tij në ndihmë të atyre që ishin në gjendje më të vështirë.
Ndërkohë, paratë që një i mitur kishte arritur t’i grumbullonte duke kërkuar lëmoshë gjatë tërë ditës, nuk i çoi në shtëpi.
Ai i dhuroi të gjitha të hollat për t’iu dalë sadopak në ndihmë atyre që mbeten pa kulm mbi kokë.
Ndërkohë, për t’ia kthyer gëzimin një fëmije shqiptar, u përkujdes një bashkëmoshatar i tij nga Kosova.
Në pamundësi për të dhuruar më shumë, ai e dhuroi një gjë të çmuar që e kishte, si kjo lodër…
Kurse këta tre fëmijë të tjerë, i dhuruan të gjitha kursimet e tyre, për t’i ndihmuar bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri.
E ditë më parë vëmendje mori edhe veprimi i kësaj gruaje që vuan nga sëmundja e kancerit.
Ajo nga pensioni i saj ndau 50 euro, ani pse pranoi se ai mezi i mjafton të blejë ilaçe.
Ndryshe, mobilizim për t’i ndihmuar ata që u dëmtuan rëndë nga tërmeti i së martës në Shqipëri, kishte në të gjitha qytetet e Kosovës. Express / KultPlus.com
Shoqata e Psikologëve të Kosovës, njofton se një grup prej 50 psikologësh, 4 psikatër, 1 epidemiolog dhe 1 mjek, të dielën do të nisen për në zonat e prekura nga kriza që u shkaktua pas tërmetit 6.4 shkallësh të Rihterit, në Thumane, Durrës dhe Tiranë.
Në njoftimin për media thonë se nisna bëhet të dielën në orën 5 të mëngjesit.
Në përbërje të ekipit janë:
2 mjekë psikiatër
2 mjekë neuropsikiatër
2 mjekë epidemiologë,
50 psikologë nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës në përbërje edhe nga SHBA (PhD), dhe
15 nga Shoqata e Psikologeve të Shqipërisë, që te gjithë profesionistë të shëndetit mendorë me përvojë.
“Aktiviteti ynë ka vazhduar edhe gjatë datës 26 dhe 27 nëntor, me grupe të vogla, por që ky aktivitet do jetë më i madhi i këtij lloji me ç’rast do të bëjmë edhe identifikimin dhe regjistrimin e personave të trajtuar, në data bazë në mënyrë që të ndjekim ecurinë e tyre pas periudhës 4 javore kur është periudha në të cilën personat e traumatizuar mund të shfaqin flash back,, apo ripërjetim të skenave, çka është shumë e rrezikshme dhe si diçka duhet të ndiqet në mënyrë kontinuele me qëllimin e vetëm që ato të mos kalojnë në çrregullime mendore, apo në PTSD”, thuhet në njoftim që e transmeton Koha.net.
Në njoftim theksohet se aktiviteti do të jetë i koordinuar me Urdhrin e Psikologut në Republikën e Shqipërisë. / KultPlus.com
Tërmeti që në vitin 2002 goditi qytetin e Gjilanit, la një person të vdekur, derisa pati edhe shumë pasoja materiale.
Djali i burrit që vdiq vite më parë në Gjilan, ka bërë një postim prekës,
duke kujtuar kohën e atëhershme.
Gyner Muja, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ka kaluar nëpër
sfidat që momentalisht kanë banorët e Shqipërisë.
Ai shton se është i kënaqur që sheh njerëzit duke ndihmuar popullin pas
tërmetit shkatërrues në Durrës.
Megjithatë, Muja ka kujtuar edhe se në vitin kur kishte ndodhur tragjedia
në Gjilan, biznesmenë, politikanë, e këngëtarë nuk i dolën në ndihmë të
prekurve, e as familjes së tij. Ai tutje, ka thënë se kishte mbetur pa u
shkolluar, derisa, ishte detyruar që të punonte qysh në moshë të re për të
siguruar jetesën.
Gyner Muja ka shkruar se në vitin 2002 ishte organizuar edhe një koncert
bamirësie për familjen, por, thotë se të hollat e mbledhura nuk ju ishin
dorëzuar asnjëherë.
Postimi i plotë i Gyner Muja:
I gezuar apo i hidheruar?
Termeti dikur ne Kosove e tani ne Shqiperi. Nuk jam i sigurt me
kete shkrim se eshte koha adekuate te shkruaj apo jo,por i bindur ne
mirkuptimin tuaj te pakten per te besuar se ne diqka te tille kam kaluar dhe
une.
I kenaqur, madje i perlotur nga gezimi me ato qe po shohe keto dit popullim tim
te organizuar ne maksimum per ti dalur ne ndihme popullit ne shqiperi te prekur
nga termeti qe ndodhi pak dite me pare ne Durres.
I merzitur shum me jetet qe mori ky
termet i kobshem,madje duke shuar edhe familje e duke shkatruar gjithqka qe
kishin para vetes.
Ndihmat po vazhdojn qdo dit,qdo moment pa asnje
dyshim bravo bravo. Mirpo mund te ju pyes ju biznesmen, politikan, vipa,
kengetar etj eti ku ishit ju ne 2002 kur Gjilani u perfshi nga termeti, sa i
dolet ndihme vendit dhe qytetarve tuaj. Nuk keni pas nevoj me pagu as taksen
prej 5 eurove, as me hargju derivate per furgona, madje as me kalu ndonje kufi
Per ju qe keni harruar ne termetin e 2002 ishte
vetem nje viktime (BABI IM) te me falni ku ishit ju. Apo ndoshta ateher nuk
egzistonke Like, folloë, sponsored,facebook e instagram per ti be marketing
vetes.
Faleminderit qe fale ( ndihmes ) tuaj une mbeta
mbes 2 deshirave SHKOLLIM APO PUNE. Faleminderit per (ndihmen) tuaj qe une ne
vend se te shkollohesha e te mbaja mendjen te mesimi une u desh te kujdesesha
per kameren timen qe mbaja nen bank qe pas mesimit te shkoja ne pune.
Faleminderit edhe atyre qe perdoren foton time u
ulur ne lagjen time kur isha duke pritur te dergoja Babin tim per ne varreza
ata organizuan koncert bamiresije per familjen time e qe ne fund as ata e as
ato para nuk i kemi par kurre.
PER FUND VAZHDONI NDIHMONI BASHK ME JU DHE UNE. E
MOS HARRONI SE NE SHQIPERI ISHIN EDYE DY DJEM NGA GJILANI QE U VARROSEN SOT.
Tërmeti me i fuqishëm ka goditur regjionin e Gjilanit më datë 24 prill 2002, kur një person humbi jetën dhe u shënuan dëme të mëdha materiale me Magnituda 5.7 shkallë të Rihterit dhe me intensitet 8 ballë të Merkalit./ KultPlus.com
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti mëngjesin kësaj të premte ka vizituar nga afër të prekurit e tërmetit në Durrës. Në një prononcim për “News24”, kreu i VV-së tha se të gjithë janë tronditur nga kjo fatkeqësi natyrore, ndërsa theksoi se të gjithë shqiptarët duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin duke shtuar se ndihma është një obligim kombëtar.
“Të gjithë shqiptarë jemi tronditur nga ky tërmet i tmerrshëm që ka goditur zonën e Durrësit. Fillimisht ishim të përfshirë nga ankthi i kërkim shpëtimit, të atyre që kishin ngelur nën gërmadhe, por tani duhet të kemi sa më shumë solidaritet për jetën e vështirë, për jetë shumë të rëndë të atyre që shpëtuan, qofshin familjarë të viktimave ose të tillë që nuk kanë pësuar. Jetesa është shumë e rrezikshme në këto ndërtesa, të cilat janë kaq të brishta pas dy valëve të fora të tërmeti, këtij të fundit por edhe atij të shtatorit”, tha Kurti.
Ai gjithashtu tha se “Kemi një sensibilizim shumë të madh të qytetarëve të Kosovës edhe për t’i marrë qytetarët e Durrësit, por edhe zonat e tjera ku ka pasur dëmtime, është kjo një rikthim të asaj çfarë shqiptarët kanë bërë, do ta shikojmë në këtë formë apo është thjesht një detyrim moral dhe kombëtar?”.
“Pavarësisht se çafër ka ndodhur në të kaluarën, shqiptarët gjithmonë e ndihmojnë njëri-tjetrin, sepse jemi një komb dhe besoj që kjo përkrahje që bëjmë, e japim dhe marrim është një detyrë kombëtare, prandaj këtu duhet të bëjmë më shumë punë se sa falënderime, sepse ta ndihmojmë njëri tjetrin e kemi obligim. Ndihma për njëri tjetrin nuk është dhuratë, por është obligim, por është e rëndësishme që të jetë sa më e organizuar. Unë dje kam pasur një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozin dhe me komandantin e FSK, gjeneral lejtnant Rrahman Ramën, dhe ky i fundit ishte i gatshëm dhe i interesuar që FSK ta marrë përsipër aspektin organizativ dhe logjistik, meqenëse kjo ndihmë nuk bën të shkojë dëm, por duhet të ketë efikasitet në grumbullim dhe në shpërndarje”, përfundoi ai. / KultPlus.com
Më poshtë gjeni një letër të shkruar nga një çam, autor që është pronar i një hoteli të rrënuar në Shqipëri.
Letra:
Fjalia qe kam patur me shume tmerr te artikuloj ka qene “pushuesit
kosovare”! Me kane pyetur jo pak here se cfare jane pjesa me e madhe e
pushuesve qe na frekuentojne, gjithnje u jam pergjigjur “te huaj dhe shqiptare
te kosoves” madje edhe regjistrimin e pashaportes se tyre ne sistemin e hotelit
e kam bere “shqiptar” asnjehere “kosovar”! Kohen e luftes ne shtepi kemi
mbajtur nje familje me plot halle,kemi ndare gezimin tone me ta dhe ata
hidherimin e tyre me ne,kemi ndare buken bashke ne nje tryeze! Degjoja shpesh
“aman mos me trego mua kosovaret se jane te pabese,do i mbani me buke por do
ikin e as emrat tuaj nuk do kujtojne me”!
Sot ata erdhen ne heshtje, pa buje pa kamera,pa lajmerime,erdhen per te
ndare sot me ne dhimbjen tone…Po ne sot mbetem pa fjale perballe tyre dhe plot
turp: ata edhe pushimet i kalojne tek ne per te mos ia dhene dikujt tjeter ato
para,ne cfare bejme???? Ata edhe ne stadiumin e tyre ngrejne flamurin kuq e zi,
po ne cfare bejme???? Ata na thone “vellezer e motra” po ne cfare u themi
atyre???? Shpirtmadhesia jone vdiq pas viteve ’98-’99, njerezit u bene si
kafshe dhe nisen te shqyhen mes tyre per nje mur,per nje oborr,per dy rrenje
ullinj…Nxorrem dhembet ndaj vellait,motres,femijes,mikut,komshiut…u
transformuam ne armikun e gjakut tone,disa zgjodhen te ikin larg Shqiperise per
te mos rene ne kete kategori njerezish se me keqardhje e them:po behej mese e
natyrshme te ishe kesisoj njeriu!!!
Ne shkaterrojme vendin tone,pronen tone,perdhosim emrin tone neper
bote,madje ne te shumten e rasteve u beme Maria nga Mejreme dhe mohuam
origjinen tone per nje vend pune,per nje grusht para…Kjo eshte gjeja me e
shemtuar qe dikush i ben vetes dhe kombit te tij-te mohosh gjenezen eshte sikur
te mohosh nenen qe te lindi!!! Ja,kesisoj njerezish u beme ne- lepijme doren e
atij qe na trajton si kafshe e qe na pi gjakun ne pune dhe kafshojme doren e
atij qe na mban me buke e qe na ofron strehe! Ne po pranojme mbi kurrizin tone
lloj-lloj mashtrimesh,padrejtesish,ligesish,vjedhjesh,etj etj etj, po i
pranojme dhe nuk po ngreme krye as per te pare driten e diellit! Po na shkulet
zemra vendit tek shohim femijet tane qe mezi i rritem,te ikin neper bote ne
kerkim te nje jete me te mire…dhe heshtim,pranojme cdo lloj dhimbjeje dhe
mallkimi! Ne jemi bere si ai uji i ndenjur qe qelbet e vjen ere,e Zoti lart po
zemerohet kaq shume me ne dhe me mendjet tona!!!
Me falni o njerez,por personalisht mendoj se keto jane sinjale te Zotit per
reflektim,per vetegjykim,per veteveprim! Shikoni brenda vetes me shume me teper
dashuri dhe besim,sepse dashuria lind nga brenda vetes dhe reflektohet tek te
tjeret! Mos dashuroni makina,çanta,shtepira dhe bizhuteri- dashuroni njeriun!!!
Mos e zemeroni Perendine me shume se dite me te keqija mund te perjetojme nese
vazhdojme keshtu! Pse duhet te kemi nevoje per nje tragjedi te tille,qe te
tregojme miresine qe kemi brenda nesh???? Perse duhet te perjetojme dite tmerri
si keto per te treguar qe sic dime te duam ne askush ne bote nuk di ta beje???
Perse duhet ta shohim vdekjen me sy qe ta kuptojme vleren e vertete te
jetes? Ata qe na vjedhin cdo dite,ata qe nuk kane miresi ne shpirt,ata qe nuk
kane as din e as iman,sot bejne sikur qajne por nga xhepat e tyre nje cent s’e
dhane!!! Shqiptare kudo qe jeni neper bote,vetem nje gje te dini te beni: te
doni me shume dhe cdo dite njeri-tjetrin,me pas Zoti serish do na doje me shume
neve! Me lot ne shpirt,me gur ne zemer,ju themi qe hapim dyert e hotelit per te
ofruar strehe per familjet ne nevoje! Zoti na ndihmofte!
Autori eshte pronari i nje hoteli ne Shqiperi (Marrë nga “Gazeta Shqiptare”) / KultPlus.com
Media britanike “Mirror” i ka kushtuar një artikull Diena Karanxhës, 30-vjeçaja nga Durrësi e cila mbeti viktimë nga tërmeti bashkë me vajzën e saj 8 vjeçe.
“Një nënë e
goditur nga tërmeti në Shqipëri iu lut ekipeve të shpëtimit që ta linin të
vdiste në krahët e së bijës, pasi vogëlushja u vra gjithashtu”, e nis kështu
artikullin “Mirror”.
“Diena Mecaj
Karanxha, 30 vjeç, thuhet se u gjet në rrënojat në qytetin e Durrësit në
Shqipëri pasi një ndërtesë gjashtë katëshe u rrëzua gjatë tërmetit të 26
nëntorit. Diena u raportua se u gjet me trupin e vajzës së saj të vdekur Esiel,
e cila kishte ndërruar jetë 12 orë më parë. Ajo thuhet se u ishte lutur ekipeve
të shpëtimit, duke thënë: “Mos më nxirrni jashtë, unë dua të vdes në krahët e
vajzës time”.
Mediat
lokale raportojnë se Diena vdiq nga një hemorragji gjatë rrugës për në spital.
Burri i saj,
Dorian Karanxha ka vdekur nga një sulm në zemër në vitin 2015 dhe ajo i kishte
kushtuar jetën e saj për të rritur vetëm vajzën e tyre.
Diena postoi
foto të tij me titullin: “Dita e babait. Sa do të doja që të ishe këtu me
Esielin tonë të dashur, të cilës i mungon kaq shumë”.
“Shumë
njerëz quhen” baba “por ti ishe nga të paktët që me të vërtetë meriton të
quhesh baba. I mirë, i dashur, i ëmbël, ke pasur një zemër shumë të madhe. Unë
do të të dua përgjithmonë”.
Sipas mediave lokale, të dy nëna dhe vajza do të varrosen në fustane nusërie”, është ky artikulli i plotë nga Mirror. / KultPlus.com
Papa Françesku është sensibilizuar me gjendjen e rëndë që ka përfshirë Shqipërinë, pas tërmetit 6.4 ballë të së martës.
Ai ka dhuruar 100 mijë euro në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i fuqishëm.
“Të shprehim afërsinë shpirtërore me të prekurit. Dhurojmë 100 mijë euro për Shqipërinë. Paratë do të shkojnë për të ndihmuar popullin shqiptar”, thotë Papa.
Kujtojmë që edhe një ditë më parë Papa shprehu ngushëllimet për gjendjen e rëndë të popullit shqiptar.
“Dëshiroj t’i dërgoj përshëndetjen dhe afërsinë time popullit shqiptar që ka vuajtur aq shumë këto ditë. Shqipëria ka qenë vendi i parë i Evropës që kam dashur të vizitoj. Jam afër viktimave, lutem për të vdekurit, për të plagosurit dhe për familjet. Zoti bekoftë këtë popull që e dua aq shumë”, thuhej në letrën e ngushëllimit./ KultPlus.com
– Peja,
Gjakova e Prizreni, në këto momente ua kanë hapur dyert e shtëpive të gjithë
qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, pa dallime.
– Ama
bukvalisht, pa dallime!
– Ajo që më
ra në sy nga hotelet dhe shtëpitë që i kanë strehu viktimat, një numër i madh i
takon komunitetit romë, ku unë tani e bëra këtë “dallim” me tregu që:
SOLIDARITETI nuk njeh racë e as fe!
– Pasi që u
bë akomodimi i qytetarëve të Shqipërisë në hotele dhe shtëpi të Gjakovës (një
pjesë e madhe prej tyre rome), tani më nuk ka vend për pjesën tjetër të
familjarëve, por zgjidhja menjëherë për ata u bë që të strehohen në një kamp
ushtarak të Prizrenit.
– Prandaj, në
këto ditë të vështira, ju lutem që mos të bëni komente të tipeve raciste, ashtu
siç po flitet për Gjakovën që kinse nuk ka dashur t’i pranoj romët!
– JU LUTEM,
keni kujdes se çfarë postoni në Facebook.
– KOSOVE,
Evropa dhe e gjithë BOTA, mund t ‘kenë zili për dashurinë, respektin dhe mikpritjen
pa kufi dhe pa dallim!
Ministri në detyrë i punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka dhuruar sot 1 milion Euro ndihmë për zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri.
Për këtë ndihmë të madhe të Pacollit kanë reaguar të gjithë
qytetarët, të lumtur që viktimave të tërmetit po ju vijnë në ndihmë të gjithë.
Por i befasuar është shprehur edhe kryeministri i Shqipërisë,
Edi Rama. Ai ka uruar më të mirat për Pacolli.
“RROFSH e QOFSH me fëmijët, gruan, vëllezërit dhe kë të do e
bardha zemër O BEHGJET PACOLLI🙏”, ka shkruar Rama.
Ky donacion sipas Pacollit shkon për rindërtimin e zonave të
prekura nga tërmeti.
”Unë u trondita kur pashë dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri. Kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale. Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë #1milion Euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti. Ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt. Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur. Mbështetja ime për vëllazerit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet. Unë pres po ashtu që në menyrë të organizuar të pranoj edhe qindra familje këtu në Prishtinë”, ka thënë Pacolli. / KultPlus.com
Ministri në detyrë i punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka dhuruar 1 milion Euro ndihmë për zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri.
Ky donacion sipas Pacollit shkon për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti, njofton Klan Kosova.
”Unë u trondita kur pashë dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri.
Kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale.
Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë #1milion Euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti.
Ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt.
Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur.
Mbështetja ime për vëllazerit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet.
Unë pres po ashtu që në menyrë të organizuar të pranoj edhe qindra familje këtu në Prishtinë”.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përkundër dhimbjes për jetët e humbura nga tërmeti që ndodhi ditën e martë në Shqipëri, sot ka uruar shqiptarët me rastin e Ditës së Flamurit, ani pse kësaj radhe festa është kthyer në zi, përcjellë KultPlus.
Kryeministri Rama përmes një postimi në faqen e tij në Facebook
ka uruar Ditën e Flamurit duke këtë ditë si një errësirë.
“Hyri Dita e Flamurit
Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit. Zoti
e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudoqofshin pa asnjë dallim”, shkruan Rama
në Facebook.
Ai gjithashtu ka reaguar edhe me një tjetër thirrje në këtë
ditë të shënuar për shqiptarët, duke kërkuar që kjo festë të kthehet në
solidaritet.
“Dhe me adresën unike shtetërore për adresimin e çdo kontributi, në https://e-albania.al/dhuro ju uroj të gjithëve Ditën e Pavarësisë dhe uroj që këto ditë festash tradicionale kombëtare, të kthehen në DITË të shënuara SOLIDARITETI KOMBËTAR, në respekt të atyre që s’janë më dhe në mbështetje të familjeve që sot kanë nevojë për TË GJITHË NE”, ka përfunduar Rama. / KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë këtë mëngjes, lidhur me situatën katastrofike, në të cilën ndodhet vendi pas tërmetit.
“Nuk ka më nevojë për ndihma materiale por financiare, pasi falë jush ka masivisht, por mund të ketë nevojë për më shumë bashkërendim dhe koordinim. Ju lutem të gjithë atyre që do të vijnë të drejtohen te Ministria e Mbrojtjes, në mënyrë që të bëjnë një ndarje sa më të drejtë të ndihmave. Plaga është te strehimi, ndaj dhe duhet të fokusohemi te ky kontribut. Është një situatë me përmasa të atille që do të kishte lëkundur shtete shumë më të mëdha se sa ne. Është bërë një super-pune, me një investim moral dhe fizik. Na ra ne, dhe ne duhet ta mbajmë, nuk kemi asnjë rrugë tjetër t’i shmangemi kësaj sfide, që do shënojë në memorien tonë një nga momentet më të pashlyeshme në cdo aspekt. Në faqen e ‘e-albania’ pashë të dhënat, ka kontributorë të mëdhenj, por ka dhe kontributorë të vegjël, por që janë tejet të çmuar”, tha Rama, përcjell tch.
“Në thumanë i kemi njerëzit në cadra, sepse aty është një vatër e zjarrtë tragjedie. Por, së pari na duhet të përcjellim të vdekurit, numri i të cilëve ka arritur në 40. Menjëherë pas momenteve të lamtumirës së dhimbshme, do të jetë gati gjithë logjistika për t’i strehuar, ushqyer dhe asistuar”, tha Rama. / KultPlus.com
Marko Kepi i organizatës “Rrënjët Shqiptare” në Nju Jork dhe Mark Kosmo me fondacionin “Global Albanians” në Boston folën me Zërin e Amerikës për përpjekjet e ndihmave nga diaspora shqiptare në Amerikë dhe në botë.
Kepi tha se komuniteti shqiptar në SHBA e kanë për detyrë që t’u dalin në ndihmë shqiptarëve në Shqipëri kurdo që kanë nevojë, ndërsa tregoi se janë mbledhur mbi 700 mijë dollarë për më pak se 24 orë.
“Akoma s’janë bërë 24 orë nga nisja e iniciativës për të mbledhë para, dhe janë mbledhur rreth 730 mijë dollarë. Ne u gëzuam shumë, na u bë qejfi kur pamë shqiptarët e Kosovës që u nisën me makina drejt Shqipërisë menjëherë pas tërmetit, duke dhënë kështu kontributin e tyre. E shqiptarët që jetojnë në Amerikë nuk e kanë mundësinë të shkojnë direkt në Shqipëri e të kontribuojnë, por ky ishte kontributi i tyre. Jemi një”, tha ai për Zërin e Amerikës.
Kurse Kosmo ka thënë se janë mbledhur rreth 70 mijë dollarë për rreth 24 orë.
“Shpresojmë të mbledhim 150 mijë dollarë, por kush e di. Po provojmë të mbledhim fonde edhe nga organizatat amerikane, jo vetëm nga ato shqiptare”, deklaroi Kosmo.
Dje
tragjedi, sot ditë zie, nesër ditë pavarësie. Ushtria e Boletinit ishte vonuar
para një shekulli në Vlorë, por ushtria e Kosovës mbërriti e para, dje në
Durrës.
Kufiri
i Londrës; që ndau vëllezërit dhe bashkoi armiqtë, dje u shkri. Ky kufi
artificial, nuk arriti të ndajë gjakun natyral. Mbi një shekull nga ndarja,
shqiptarët vazhdojnë të kufizohen me vetveten. Nesër, është dita e pavarësisë
së Shqipërisë. Këndej kufirit londinez, është dita e flamurit që mbajti
gjallë gjakun që nuk shprishet.
Kufinjtë janë vetëm në harta; jo në zemër!./KultPlus.com
Mbi 1000 banesa të dëmtuara, 29 viktima dhe 600 të plagosur është bilanci i tmerrshëm i një tërmeti që shkundi Shqipërinë. Të gjithë u sensibilizuan, ofruan ndihma, para, shërbime dhe çdo gjë që kishin nevojë të dëmtuarit nga kjo fatkeqësi.
Nga Kosova mbërritën biznesmenë të ndryshëm, panë situatën nga afër dhe u sensibilizuan duke derdhur në llogaritë e ndihmës, disa qindra mijëra euro.
Po të pasurit e Shqipërisë ku po fshihen?!
Në këto 6 vitet e fundit, janë dhënë mbi 1 miliard euro koncesione, ku pjesën më të madhe e kanë marrë një grup biznesmenësh të pasur. Gjithashtu me dhjetëra kompani përfitojnë fonde publike çdo vit, nëpërmjet tenderave të ndryshëm. Të gjithë këta janë fshehur, kanë braktisur Shqipërinë dhe po sigurojnë pasurinë e tyre.
Këta të pasur nuk janë sot pranë shqiptarëve, pranë njerëzve që kanë nevojë. Për ta, ky tërmet është një ngjarje e zakonshme, përsa kohë ata nuk janë prekur. Shumica prej tyre kanë braktisur vendin me familjet e tyre, dhe tërmetin po e shikojnë nga televizori.
Koncesionet, rrugët dhe tenderat, këta biznesmenë i fitojnë nga pasuritë e qytetarëve. Janë taksat tona, dhe të atyre viktimave të tërmetit, që mbajnë në këmbë ekonominë e vendit, dhe pasurinë e tyre. Dhe këta të fundit nuk japin asnjë qindarkë nga pasuria e tyre.
Sot këta të pasur, zotërojnë apartamente që mund t’i vendosin në dispizicion, kanë para, kanë supermarkete për ndihma ushqimore, dyqane me elektroshtëpiake, kanë hotele për t’i strehuar të dëmtuarit e tërmetit. Por asgjë deri tani! Në media janë parë vetëm akte bamirësie me shuma modeste, në raport me pasurinë që kanë.
Po tërmeti natyrisht ka pasoja edhe mbi të pasurit! Në një situatë të tillë katastrofe, bie konsumi dhe shpenzimet, bie xhiroja, dhe natyrisht bien të ardhurat për ta. Prandaj, ata që sot fshihen, nëse nuk japin kontribut për të dalë nga kjo krizë, restoja ndaj tyre do të jetë tepër e shpejtë./ Shqip / KultPlus.com