Familja nga Deçani strehon familjen nga Durrësi tek të cilët kishin qëndruar në kohë lufte (VIDEO)

Një familje nga fshati Carabreg i Deçanit të Kosovës, ka strehuar një familje nga Durrësi i Shqipërisë.

Kjo siç raporton rel, u bë pas tërmetit tragjik që ndodhi në këtë qytet të martën, si pasojë e të cilit humbën jetën dhjetëra dhe u lënduan qindra persona.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, familja Qorraj kishte qëndruar për disa muaj te familja Kazanxhi në Durrës.

Komuna e Prishtinës ndan 50 mijë euro për Shqipërinë

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal pas tërmetit në Shqipëri tha se dje ka qenë ditë tragjike për të gjithë shqiptarët. Me këtë rast janë ndarë 50 mijë euro për Shqipërinë.

“Prej dje kemi vazhduar kontaktet në Shqipëri me Erion Veliajn nëse ka nevojë për ndihmë. Ndihmat qe po mblidhen është gati e pamundshme të koordinohen. Mësohet se sot mbi 400 qytetarë të Shqipërisë kanë arritur në qytete të ndryshme. Erion Veliaj do të na njoftojë për çdo gjë që kanë nevojë. Do të ndajmë 50 mijë euro, është shumë e mjaftueshme qe si kryeqytet të tregojmë solidaritet”, tha Ahmeti, raporton KTV.

Ahmeti shtoi se “po kërkohen inxhinierë”.

“Sot do të shkojnë 15 inxhinierë të statikës për vlerësimin e objekteve në Durrës. Do të dërgojmë çdo kapacitet që kemi mundësi, ekspertë apo inxhinierë”, tha Ahmeti. / KultPlus.com

Kuvendi Komunal i Mitrovicës ndanë 20 mijë euro për Shqipërinë

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka kërkuar që të vendoset si pikë e rendit të ditës, ndihma me mjete financiare në vlerë prej 20 mijë euro, për familjet e dëmtuara nga tërmeti që ka ndodhur dje në Shqipëri.

Me këtë rast këshilltarët komunalë unanimisht aprovuan këtë rend dite.

Më pas, të gjitha grupet politike në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës, kanë shprehur ngushëllimet dhe solidarizimin e tyre me vëllezërit me motrat në Shqipëri. / KultPlus.com

“Askund në botë nuk ndodh me pagu gjobë për humanizëm dhe gjobë për shpëtim”


Nga Kimete Berisha

Ne duaj ty e ti duaj veten-s’shkon.

Pezulloje taksën e Rrugës së Kombit për shqiptarët e t’u më së pari, që po strehohen në Kosovë, sepse askund në botë nuk ndodh me pagu gjobë për humanizëm dhe gjobë për shpëtim, me pagu gjobë për mbijetesë, gjobë për bukë goje.

Ku keni pa ju kështu, gjithë ky zullum që bën qeveria shqiptare kundër popullit tonë të varfër e s’ka kush na mbron prej kësaj padrejtësie.

Në daç me pshtu shpirtin- paguaj gjobë.
Në daç me çu ushqim për viktimat e tërmetit në Shqipëri-je i detyruar t’ia paguash gjobën një krimineli aty që e ka vendos një rampë të krimit dhe plaçkitjes, si postblloku i Nedakovcit në kohë t’Serbisë.

Me na ndal nuk mundeni, për atë kufi u dhënë gjak, e po i bën kush hesap paret e haramit tënd, s’ka kufi që nuk e kapërcen Kosova për me dalë andej.
Por është turp që edhe prej ndihmave humanitare me rras ju gushën e krimit.

P.S. S’kemi luks me lu ‘lojna’ se mundet njeri hiç mos me ua pagu atë gjobë krimi. Thjesht m’i lënë ndihmat te kufiri le të vjen Edi Rama le ti merr. / KultPlus.com

Sot Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë hap librin e zisë

Me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës se Shqipërisë, dita e sotme, është shpallur ditë zie kombëtare.

Në Ambasadën e Republikës se Shqipërisë në Prishtinë do të hapet një libër ngushëllimesh sot prej orës 12:00 deri në 15:00 dhe nesër më 28 nëntor nga ora 10.00 – 13.00.

Në mesditën e sotme në ambasadë do të mbahet një minutë heshtje. / KultPlus.com

Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Shqipëri


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbledhur qeverinë e tij në një takim urgjent mëngjesin e sotëm ndërsa vazhdon operacioni për shpëtimin e personave të cilët janë ende nën rrënoja.

“Ne sot do të shpallim gjendje e jashtëzakonshme bazuar në kushtetutën dhe legjislacionin përkatës. Ashtu si kushtetuta dhe legjislacioni e shpjegojnë dhe duke nisur nga natyra e problematikës dhe situatës do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve ku plagët janë më të hapura në Durrës dhe Tiranës. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është thjesht çështje financash, por është një seri masash. Nuk e di a janë të gatshëm ata që e predikonin për t’iu nënshtruar këtyre masave. Kjo ka qenë arsye që ne kemi reflektuar, sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës për një periudhë 30 ditore”, tha Rama.

Shefi i ekzekutivit shqiptar konfirmoi se deri më tani janë 24 të vdekur, 657 të lënduar dhe 45 jetë të shpëtuara.

“Tërmeti ishte sfidues për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, qeverinë tonë dhe në tërësi për kombin tonë. Pa asnjë ekzagjerim më duhet të nënvizoj qysh në fillim reagimin e menjëhershëm dhe domethënës të të gjithë këshillit të ministrave dhe po ashtu të trupave të emergjencave civile, të Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura dhe Urgjencës Kombëtare. Ka qenë një ndër momentet më të errëta të jetës sonë. Mund të thuhet me plot gojën se nga të gjithë njerëzit nën uniformë të shtetit shqiptar është bërë një punë heroike”, tha Rama.

Ai më pas shprehur mirënjohjen, respektin dhe falënderimin të gjithë trupave të angazhuara në operacionin e kërkim-shpëtimit që rrezikuan jetët e tyre duke shpëtuar jetë.

Kryeministri shqiptar falënderoi edhe vendet të cilat janë solidarizuar më Shqipërinë në këto orë të vështira duke e quajtur mbresëlënëse atë çfarë bëri Kosova dhe vendet mike.

“Solidaritet mbresëlënës në kuptimin e plotë të fjalës nga i gjithë kombi ynë, dhe nga miqtë dhe partnerët e vendit tonë. Duhet të shpreh mirënjohje të pakufishme për reagimet vërtetë thellësisht ngushëlluese të ambasadave të SHBA dhe BE, që qysh në çastet e para janë vënë në lëvizje për të na shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje ndaj popullit shqiptar”, tha ndër të tjera Rama. / KultPlus.com

Ramë Lahaj: Ju keni një shtëpi që u rindërtua hiç më larg se 20 vjet më parë dhe ju mirëpret në çdo sekondë

Me familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri po solidarizohen të gjithë duke ju ardhur në ndihmë në forma të ndryshme, shkruan KultPlus.

Artistët gjithashtu po shprehen të prekur nga kjo tragjedi. Tenori i njohur, Ramë Lahaj përmes një statusi në Facebook është shprehur se të gjithë të prekurit e kanë një shtëpi që u rindërtua 20 vjet më parë, duke aluduar në Kosovën, qytetarët e secilës Shqipëria i strehoi gjatë kohës së luftës në Kosovë.

“Gjithmonë e në çdo frymëmarrje do të jemi me ju, sikur që ju shenjtërisht ishit me ne, në kohët më të vështira! Të gjithë duhet ta dini se keni një shtëpi që u rindërtua, hiç më larg se 20 vjet më parë dhe ju mirëpret në çdo sekondë derisa tuajën ta rindërtojmë së bashku. Tashme, ia kemi marrë dorën ne të mjerët, gjithmonë të shkatërruar ose nga ndonjë regjim barbar ose ndonjë politikë e gabuar, dhe herë pas here, na përplas edhe vet Zoti, sikur pak të kemi vuajtur ne shqiptarët! Por të fuqishëm do të qëndrojmë, deri në frymën e fundit. Me shpirt jeni me ju, gjithmonë!”, ka shkruar Lahaj në Facebook. / KultPlus.com

Fotoja që po qarkullon nëpër rrjete sociale është lajm i rremë

 

Një fotografi e një qeni që po pret pronarin e tij, e po dyshohet të ketë qenë në Shqipëri, po qarkullon në rrjetin social ‘Facebook’. Por, një informacion i tillë ka rezultuar të jetë një lajm i rremë.

Me një të kërkuar në motorin e kërkimit ‘Google’, Lajmi.net ka arritur të kuptojë se fotografia është marrë nga arkiva e kësaj të fundit.

Siç shihet edhe në detajet që ofrohen poshtë fotos, mund të vërehet se fotografia është ngarkuar më 2 janar të këtij viti.

Sido që të jetë, Shqipëria është goditur sot nga një termet destruktiv, prej 6,4 ballësh, duke shkaktuar 15 viktima dhe dhjetëra të lënduar.

Po ashtu, pak minuta më parë, rajoni ka përjetuar edhe një termet tjetër, përkatësisht në orën 14:05, por që ende nuk është raportuar për ndonjë lëndim. / KultPlus.com

Rita Ora: Zemra dhe mendimet e mia sot janë me të prekurit nga tërmeti

Tërmeti në Shqipëri ka prekur të gjithë njerëzit, ata po mundohen të solidarizohen me popullin shqiptar, shkruan KultPlus.

Këngëtaret shqiptare të njohura botërisht si Dua Lipa e Rita Ora nuk kanë qëndruar indiferente për këtë tragjedi të vendit të tyre.

Rita Ora përmes një postimi në InstaStory ku ka shpërndarë një fotografi të flamurit shqiptar ka shkruar se bashkëndjen dhimbjen me gjithë të prekurit nga tërmeti.

“Zemra dhe mendimet e mia sot janë me ata qe janë prekur nga tërmeti”, ka shkruar Rita. / KultPlus.com

Poeti Mulaj: Po du vetëm me kjajt si fëmija kur shoh këtë foto

Një tërmet i fuqishëm shkundi Shqipërinë ku pas lëkundjeve të njëpasnjëshme, ai i orës 03:55 të mëngjesit të së martës, me magnitudë 6.4 ballë, rrëzoi pallate e shënoi dëme të shumta, duke lënë fatkeqësisht 13 viktima.

Ushtria e Kosovës janë nisur menjëherë drejt Shqipërisë për të ju dalë në ndihmë. I gjithë vendi është mobilizuar që t’i ndihmojnë qytetarët në çfarëdo forme, madje shumë prej tyre kanë deklaruar që dyert e shtëpisë janë të hapura për të gjithë të lënduarit, viktimat apo ata që kanë mbetur pa shtëpi.

Poeti Liridon Mulaj ka reaguar në Facebook pasi ka par fotografinë e Ushtrisë së Kosovës teksa niset drejt Shqipërisë. Kjo fotografi e ka emocionuar shumë poetin i cili është shprehur se po ndihet si një i varfër që i del dikush në krah.

“Une du vetem me kjajt si femija kur shoh kete foto se me duket sikur s’jena vetem. Si ai i vorfni qe i del dikush krah”, ka shkruar Mulaj.

Kujtojmë që në Thumanë, aty ku paraqitet edhe situata më dramatike, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët, në prehrin e saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorën gjallë nipin e vogël.

Në Thumanë janë shembur totalisht tre pallate, dhe nën rrënoja ka disa persona për të cilit forcat zjarrfikëse po punojnë për t’i nxjerrë gjallë, me shpresën e madhe. Edhe në Durrës ku dëmet janë të shumta, tre të pajetë u nxorën nga rrënojat e pallateve të shembur, ndërsa një u gjet tek Vila Palma në Durrës. Në Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi i kapur nga paniku në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, është hedhur nga ballkoni. Ai humbi jetën si pasojë e lartësisë nga kati i tretë. Po në Kurbin, një tjetër person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u përplasur për vdekje.

Në hotel Lubjana në Durrës i cili u prek nga tërmeti është vënë gjendja e alarmit jo vetëm për pasojat ndaj lëkundjeve të fuqishme sizmike, por për shkak të alarmit që ka ngritur pronari i këtij hoteli. Në bodrumin e tij ndodhet një bombol gazi 250 litra, e cila mund të rrezikojë të shpërthejë duke marrë parasysh që me lëkundjen 6.4 ballë në orën 03:55 të mëngjesit, nuk janë ndalur pasgoditjes. Policia ka vënë perimetrin e sigurisë, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe forcat zjarrfikëse. / KultPlus.com

Shkatërrohet kalaja e Durrësit, nuk i rezistoi dot tërmetit

Vijnë raportime negative edhe nga monumentet e kulturës dhe siç shihet në foto është kalaja e Durrësit.

Ka jetuar në shekuj, nuk e ka gjetur gjë. Por pati disa momente që nuk jetoi dot: një prej tyre ishte betonimi i qytetit, tjetri ishte tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të sotëm.

Muri rrethues i kalasë është shembur thuajse në tërësinë e vet. Në foton që shohim është veç një pamje, por duket se rrënimi është thuajse nga të gjitha anët.

Kalaja e Durrësit u ndërtua nga Perandori i Perandorisë Bizantine Anastasi, në shekullin e V-të, që e ka origjinën nga Durrësi. Riparimet e mureve janë kryer që nga tërmeti shkatërrimtar i 1273. / KultPlus.com

Njësitet e FSK-së nisen për në Shqipëri

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, thonë se Kosova është e gatshme ta ndihmojë Shqipërinë pas tërmeteve që përjetoi.

“Sapo fola me kryeministrin Edi Rama, ku u informova për gjendjen pas tërmetit që goditi Shqipërinë. Kryeministrit Rama, në emër të qytetarëve të Kosovës i shpreha ngushëllimet më të sinqerta për viktimat që pësuan nga tërmeti. Kryeministrin Rama e sigurova se Kosova do të jetë në mbështetje dhe përkrah Shqipërisë. Tashmë njësitë përkatëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur drejt zonave të dëmtuara nga tërmeti”, ka shkruar Thaçi.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas tërmeteve të njëpasnjëshme që goditën Shqipërinë duke thënë se Kosova është e gatshme t’i ndihmojë shtetit amë.

“Me shqetësim po i përcjell lajmet për tërmetet e njëpasnjëshme që goditën Shqipërinë dhe një pjesë të Kosovës gjatë natës. Mendimet dhe lutjet e mia janë me të gjithë qytetarët që pësuan dhe ata që presin me padurim lajme për familjarët e tyre. Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmën e saj të pakursyer popullit dhe shtetit të Shqipërisë për të tejkaluar këtë situatë të rëndë. Të gjithë të lënduarve shërim sa më të shpejt dhe për ata që pësuan do të jemi në dispozicion të plotë”, shkroi Haradinaj. /KultPlus.com