Kryeministri Kurti: Ia rikthyem Trepçës terminalin doganor

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se me projektin për Fondin Sovran, “Trepça” është vendosur në qendër të zhvillimit të ardhshëm ekonomik. Po ashtu, për ndërmarrjet publike, përfshirë edhe Trepçën, në buxhetin e vitit 2022 janë ndarë 40 milionë euro, përcjell KultPlus.

“Rikthimi i terminalit doganor në Trepçë është hapi i parë i përmbushjes së zotimit tonë që deri në mesin e vitit të ardhshëm, terminalet doganore shtetërore të shtrihen në gjithë vendin”, ka shkruar Kurti.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Sot ishte një ditë e rëndësishme për të gjithë ne. E korrigjuam një dëm të para shtatë vjetëve: ia rikthyem Trepçës terminalin doganor.
Me këtë veprim janë ndihmuar të gjithë: shteti i Kosovës e Trepça, Doganat e Kosovës e Qeveria e Kosovës, qytetarët, por në veçanti bizneset dhe të bërit biznes.
Nga viti 2003 deri në vitin 2014 terminali doganor ka qenë në hapësirën e Trepçës. Padrejtësisht e çuditërisht ky terminal doganor i është dhënë një privati jashtë zonës së Trepçës, me ç’rast çmimi është shtrenjtuar në 40 euro për maune.
Kësisoj kanë humbur bizneset, por ka humbur edhe Trepça. 24 punëtorë që punonin në terminal patën ngelur pa punë, ndërsa Trepça mbeti pa qindra mijëra euro të hyra vjetore.
Në qeverisjen e kaluar patëm ndarë mbi shtatë milionë euro për Trepçën – mbi 3.5 milionë për rimëkëmbje, në njërën anë, dhe po aq për paga e investime kapitale.
Me projektin tonë për Fondin Sovran, “Trepçën” e kemi vendosur në qendër të zhvillimit të ardhshëm ekonomik. Për ndërmarrjet publike, përfshirë edhe Trepçën, në buxhetin e vitit 2022 kemi ndarë 40 milionë euro.
Rikthimi i terminalit doganor në Trepçë është hapi i parë i përmbushjes së zotimit tonë që deri në mesin e vitit të ardhshëm, terminalet doganore shtetërore të shtrihen në gjithë vendin. / KultPlus.com