Terr

Ndue Ukaj

Natë! Shikoj diçka që nuk përkon me terrin
dhe ky mospërkim më hap horizonte.
Është terr, si në fillimet e kohëve
e veshët i kam hapë që të dëgjoj
buçimën e një zëri,
një zëri që vjen nga misteret e kohëve
dhe flet me një gjuhë që e kuptojnë të gjithë:
“lë të bëhet drita.”

Dhe drita lë të bëhet,
e njerëzit të kundrojnë sa i bukur është një çast dritë,
kur jeta zhvishet nga terri dhe shfaqen livadhet plot lule,
e qielli bëhet fushë e pafund,
spektakël për zogjtë dhe retë e lumturisë.

Por diçka të rëndësishme mund të mësohesh edhe në terr:
se zhurma e paqartësisë mund të shndërrojë në terr,
në një tokë të djegur,
prej së cilës nuk sheh lulishtet fatit të gatuara për ty.

Në terr nuk ndien hovet e gëzimit,
që të çlirojnë trupin nga pushtet i natës.
Në terr nuk dallon asgjë, e as hijen tënde,
as sytë e butë që mund të jenë diku afër
duke kërkuar, duke pritë,
duke vuajtë për sytë e tu plot dritë.

Megjithatë në terr e mëson se
të shpëtosh prej pushtetit të tij,
asgjë nuk të duhet më shumë se drita,
ajo dritë e vogël që bie në zemër të errësirës,
si kandili që e mbajnë duart e forta
brenda një dhomë të zhytur në terr dhe trishtim. / KultPlus.com

Shpat Deda dhe Edona Vatoci sjellin këngën “Terr” (VIDEO)

Dy prej zërave më të veçantë të skenës sonë muzikore janë bërë bashkë për të sjell këngën “Terr”, shkruan KultPlus.

Kantautori Shpat Deda dhe Edona Vatoci me zërin e tyre rrëqethës kanë punuar këtë projekt me shumë përkushtim duke sjell kështu një përfundim të shkëlqyer.

Kënga vjen e shoqëruar me një videoklip mjaft të veçantë prodhuar nga Ravencity Production & Machina Production dhe realizuar kryesisht në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com