Në Prishtinë nga nesër hapet një qendër e re për teste të shpejta ndaj COVID-19

Nesër në Prishtinë do të hapet edhe një qendër e re për kryerjen e testeve të shpejta antigjene për Covid-19.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bujar Gashi.

“Në koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Kryetarin e Komunës së Prishtinës, nga nesër datë 29.01.2022 do të hapin edhe një qendër testimi me teste të shpejta antigjenike. Qendra e Mjekësisë Familjare nr. 4 në ‘Xhemajl Ibishi’ do të ofroj shërbimin e testimit për Covid-19”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, ky vendim u mor për të ulur numrin e pritjeve tek AMF te Qendra e Studentëve.

“Ky vendim është marrë me qëllim të zvogëlimit të pritjeve të qytetarëve në AMF – qendra studentore te menza”, shtoi tutje Gashi

.Qendra e re do punojë shtatë ditë të javës nga 08:00 deri në 16:00. / KultPlus.com

Falsifikimi i testeve Covid-19, policia e dërgojnë në mbajtje pronarin e fotokopjes në Podujevë

Pronari i një fotokopjeje në Podujevë është dërguar në mbajtje për 48-orë nga policia, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentave”.

I njëjti dyshohet se falsifikonte teste, duke i printuar ato në formatin A4 me logo të disa laboratorëve në Kosovë. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për medie.

“Policia përmes zyrtarëve relevant ka filluar verifikimet e nevojshme dhe me aprovim të organeve të drejtësisë ka realizuar bastisje në lokacionin ku dyshohej për falsifikim të testeve, ku ka hasur dhe sekuestruar disa fletë të formatit A4 me teste për Covid-19, me llogo të disa laboratorëve në Kosovë”, u tha në njoftim.

“I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të shtetit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve””.

Siç thuhet në komunikatën e policisë, forcat e rendit kanë sekuestruar një shtëpizë dhe një telefon celular.

Policia do të vazhdojë angazhimet në zbatimin e masave që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë, përfshirë angazhimet shtesë në arrestimin dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave që përfshihen në veprimtari të kundërligjshme. / KultPlus.com

Alarmi nga Maqedonia: Në Serbi, testet negative për COVID-19 mund të blihen në pompa të benzinës

Portali maqedonas MKD raporton se qytetarët e këtij vendi kanë raportuar tek autoritetet përgjegjëse se testet negative në koronavirus mund të blihen në Serbi edhe në pompa të benzinës.

Tash, që Maqedonia ka vënë kusht që qytetarët që futen nga Serbia të kenë një test negativ në COVID-19 jo më të vjetër se 72 orë, ata po gjejnë mënyra për të shmangur testimin e vërtetë, falë edhe ofertës.

Sipas raportimit të MKD.mk testet e falsifikuara negative mund të blihen nga 50 deri në 65 euro, transmeton KOHA.

“Transportuesit maqedonas të detyruar të paraqesin një test PCR jo më të vjetër se 72 orë për të hyrë në Maqedoni, tregojnë se në jug të Serbisë po bëhet biznes i mirë, por i paligjshëm. Testet negative PCR madje mund të blihen në një pikë karburanti në Vranjë”, ka shkruar MKD.

Sipas këtij portali, teste të tilla të falsifikuara mund të blihen edhe në Nish.

“Qytetarët maqedonas që kthehen në vendlindje përmes Aeroportit të Nishit u kanë raportuar shërbimeve të sigurimit se ata kanë pasur mundësinë për të blerë një test të falsifikuar negativ PCR për 50 euro në aeroport”, shkruan tutje MKD.

Sipas protokollit, çdo qytetar maqedonas në momentin e hyrjes në vend duhet të tregojë një test negativ jo më të vjetër se 72 orë, e nëse nuk e bën këtë, atëherë dërgohet në karantinë për 14 ditë.

Qeveritë e Maqedonisë dhe Serbisë nuk kanë reaguar në këto paralajmërime të qytetarëve.

Maqedonia është vendi më i prekur në rajon nga COVID-19.

Deri më tash ky vend ka shënuar 5.311 raste pozitive, ndërkohë që 251 persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit. / KultPlus.com

Image