73.3 për qind e maturantëve kalojnë Testin e Arritshmërisë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka publikuar rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës, të cilit i janë nënshtruar 18 mijë e 285 mijë nxënës të klasave të dymbëdhjeta në gjithë vendin.

Këtë vit, Provimin e Maturës e kanë kaluar 73.3 për qind e maturantëve, përcjell Klankosova.tv.

Arritshmëria mesatare në Gjuhë amtare është 58.8 për qind, në Gjuhë angleze 54.4 për qind në Matematikë 41.1 për qind dhe në Lëndën Zgjedhore 47.3  për qind.

Gjatë procesit të administrimit ka pasur tentime për kopjim nga disa nxënës dhe si pasojë e posedimit dhe përdorimit të telefonit janë përjashtuar 79 nxënës.

Afati i ankesave është deri më 05.07.2024 kurse rezultati i ankesave publikohet me 08.07.2024. Të gjithë kandidatët që nuk kanë arritur kriterin prej 40 për qind mund të hyjnë në afatin e gushtit i cili organizohet me 31.08.2024.

MASHT bën dallime etnike në PISA, nuk do t’i nënshtrohen testit nxënësit e komuniteteve pakicë

Në një konferencë të Ministrisë së Arsimit për lansimin e fushatës në lidhje me Testin PISA 2018 që po organizohet bashkë me GIZ-in gjerman, ministri Shyqiri Bytyqi tregoi kur do të nisë dhe kur do të përfundojë ky test sivjet.

“PISA do të fillojë me 11 prill dhe do të përfundojë më 5 maj”, tha Bytyqi.

Ai konstatoi se Kosova këtë herë do të jetë shembull në Testin PISA.

“Ne do të jemi shembull këtë radhë në Testin Pisa 2018. Nuk ka shkollë në Kosovë që nuk flitet për PISA 2018”, tha ministri Bytyqi.

Ruben Faller nga GIZ-i gjerman përgëzoi ministrinë për vazhdimin e pjesëmarrjes në Testin PISA edhe pas rezultatit shumë të dobët të treguar në këtë test.

“Më lejoni të uroj ministrinë për gatishmërinë për të vazhduar pjesëmarrjen në PISA. Ne duhet ta vendosim edukimin dhe studentët në frontin e reformës për edukim”, tha Faller.

Ndërsa ministri Bytyqi tha se arsimi duhet të jetë prioritet i qeverisë.

“Janë mbledhur 25 mijë nënshkrime me kërkesë që arsimi vërtet të jetë prioriteti kryesor i qeverisjes në Kosovë”, tha ministri Bytyqi.

Edhe Skender Susuri, kryesues i Komisionit për Testin PISA tha se sivjet rezultati do të jetë më i mirë se në 2015-ën.
“Hapi i parë që e ka bo komisioni është që ta krijojmë një plan dhe udhëzim administrativ që përcakton përgjegjësitë për PISA”, tha Susuri

Ai tregoi se në Testin PISA 2018 do të marrin pjesë 5375 nxënës nga 211 shkolla.

Sipas Susurit, komuniteti serb nuk ishte bashkëpunues, ndërsa në Testin PISA nuk do të marrin pjesë komuniteti boshnjak dhe turk.

Në Testin PISA 2015 nxënësit kosovarë kaluan shumë keq./ KultPlus.com