Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka njoftuar se është lansuar në platformën e-Kosova paraqitja online e Provimit të Maturës Shtetërore.
Sipas njoftimit të MAShT-it thuhet se paraqitja online e provimit ka për qëllim të lehtësojë punën e të gjithë akterëve të përfshirë në proces nxënësit, shkollat, komunat dhe MAShTI.
“Përveç paraqitjes online të Provimit Shtetëror të Maturës, kjo platformë do të mundësojë edhe gjenerimin e të dhënave për orientimin dhe sistemimin e maturantëve në qendrat e testimit, shpalljen e rezultateve dhe përgatitjen e certifikatës së maturës online. Procesi i aplikimit për maturantët në platformën e e-Kosova do të jetë shumë i lehtë, i shpejt dhe efektiv në procesimin e të dhënave dhe adresimin e informative”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka publikuar sot rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës. Në 20 mijë maturantë të cilët i’u nënshtruan testit të maturës, 66.04% prej tyre kaluan, shkruan KultPlus.
Për dallim nga ky vit, vitin e kaluar rezultatet e kalueshmërisë kanë qenë më të larta, me rezultat 78.43%, që do të thotë se rreth 13% ka rënë kalueshmëria e testit të maturës për vetëm një vit.
Provimi i maturës është mbajtur më 24 qershor në 177 qendra të testimit, në tri gjuhë: shqip, boshnjake dhe turke.
Lajmin e bëri të ditur MASHTI, përmes një postimi në Facebook, përcjell KultPlus.
Lajmi i plotë:
MASHTI publikoi rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës – kalueshmëria 66.04 përqind
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës, të cilit i janë nënshtruar mbi 20 mijë nxënës të klasave të dymbëdhjeta në gjithë vendin. Këtë vit, rezultati i përgjithshëm i kalueshmërisë është 66.04 përqind.
Rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës tashmë janë shpërndarë në shkolla. Provimi i mbajtur më 24 qershor, është organizuar në tri gjuhë: shqipe, boshnjake dhe turke dhe është mbajtur në 177 qendra të testimit.
Në këtë proces kanë qenë të angazhuar rreth 1600 administrues të cilët kanë qenë të vendosur në çdo sallë të testimit dhe po ashtu edhe mbikëqyrës nga Universiteti i Prishtinës.
Gjatë procesit të administrimit ka pasur tentime për kopjim nga disa nxënës dhe si pasojë e posedimit dhe përdorimit të telefonit janë përjashtuar 33 nxënës.
Këshilli Shtetëror i Maturës (KShM) ka konstatuar se procesi i testimit ka shkuar në rregull dhe se vendosja në një sallë e nxënësve nga klasa të ndryshme ka pasur ndikim pozitiv në administrimin e testit.
MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në procesin e mbajtjes së Provimit Shtetëror të Maturës për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre./KultPlus.com
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar sot rezultatet e Testit të Maturës, sipas të cilave arritshmëria mesatare është 78.43 për qind.
Sipas njoftimit, këtë vit testit i janë nënshtruar rreth 22 mijë nxënës në gjithë vendin.
Prej këtij rezultati, kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe është 78.23 për qind, në gjuhën boshnjake 82.26 për qind dhe në gjuhën turke 93.94 për qind.
Ndërkaq, sipas lëndëve, arritshmëria në përqindje është:
-Gjuhë Shqipe – 63.8
-Gjuhë Angleze – 59.3
-Matematikë – 42.6
-Fizikë – 52.1
-Kimi – 52.3
-Biologji – 55.1
-Informatikë – 56.3
-Gjeografi – 47.4
-Histori – 42.2
-Sociologji – 39.8
-Psikologji – 39.6
-Ekonomi me ndërmarrësi – 36.8
-Edukatë qytetarë – 42.4
-Histori e artit – 37.4
-Teori e muzikës dhe harmoni – 58.2
-Gjuhë Boshnjake – 59.8
-Gjuhë turke – 48.2
Në ditën e testit ministria njofton se janë larguar 132 nxënës, prej të cilëve 115 nxënësve iu është anuluar testi për shkak të përdorimit të telefonave, kurse për 17 nxënës, të cilët nuk kanë pasur dokument identifikimi në ditën e testit, iu është përsëritur testi.
“Për rreth 4700 nxënësit, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në këtë afat, si dhe për ata që nuk kanë hyrë fare në provim për arsye të ndryshme, do të kenë mundësi t’i nënshtrohen Provimit të Maturës në afatin e gushtit, i cili është planifikuar të organizohet më 27 gusht 2022”, përfundon njoftimi. / KultPlus.com
Nga rreth 22 mijë maturantë që iu nënshtruan provimit të maturës asnjë nxënës nuk ka arritur që t’i marrë 100 pikë.
Kështu tha në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin Info Klania, Fatmir Elezi, shef i Divizionit për Standard, Monitorim dhe Vlerësim në Ministrinë e Arsimit.
Elezi tha se vetëm një nxënës ka arritur të marrë 95 pikë derisa 77 i kanë mbi 90 pikë.
“Kemi rast me 95 pikë, ndërkaq vetëm 0.4 për qind e nxënësve i kanë mbi 90 pikë, ose 77 nxënës janë mbi 90 pikë. Janë mbi 22 mijë maturantë”- tha Elezi.
Ai theksoi se për rreth 6 mijë maturantët që nuk kanë arritur ta kalojnë provimin e maturës në afatin e parë do t’i nënshtrohen në afatin e dytë në muajin gusht.
Për të kaluar me sukses testin e maturës nga 100 pyetje një nxënës duhet t’i ketë 40 për qind prej tyre të sakta. / KultPlus.com
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit më 18 qershor 2022 organizon Provimin e Maturës 2022, të cilit do t’i nënshtrohen rreth 22 mijë maturantë.
Provimi i Maturës këtë vit do të organizohet në 171 Qendra të Testimit, ndërsa të angazhuar për mbarëvajtje të procesit janë rreth 1600 administrues.
“Me qëllim që Provimi i Maturës të realizohet sipas rregullave dhe standardeve të përcaktuara, Këshilli Shtetëror i Maturës në takimin e mbajtur ka kërkuar nga të gjithë akterët e përfshirë në procesin e testimit që të jenë në nivel të përgjegjësive të përcaktuara.
KShM njofton se, Provimi i Maturës fillon në ora 10:00 dhe përfundon në ora 12:30, ndërsa administruesit duhet të arrijnë në Qendrat e Testimit më së voni në ora 9:00”, thuhet në njoftim.
KShM po ashtu bënë të ditur se, me qëllim të monitorimit të këtij testimi është krijuar një Grup Punues, ku janë përfshirë zyrtarë kompetentë, ekspertë të kibernetikës, përfaqësues nga MAShTI, drejtorë të DKA-ve dhe Këshilli Rinor i Kosovës (KYC).
Ndër të tjera, KShM thekson se, ndaj personave përgjegjës (komisionerë, administrues, nxënës etj) të cilët thyejnë rregullat për mbarëvajtjen e Provimit të Maturës do të marren të gjitha masat e parapara me legjislacionin në fuqi, ndërsa të gjithë maturantëve i’u uron sukses në Provimin e Maturës.
KShM, gjithashtu kërkon nga DKA-të që të sigurohen që administruesit të arrijnë me kohë në Qendrën e Testimit, të kenë me vete Udhëzuesin me rregullat për administrimin e testit, të respektojnë rregullat e administrimit të testit sipas udhëzuesve të shpërndarë nga DVSM, të njoftojnë nxënësit për rregullat që duhet të respektojnë gjatë procesit të testimit dhe të mos lejojnë nxënësit që të hyjnë me telefon në Qendër të Testimit. /Telegrafi/ KultPlus.com
Ka përfunduar mbajtja e Testit të Maturës Shtetërore, për nxënësit që nuk arritën ta kalonin atë në afatin e parë, transmeton KultPlus.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, këtij provimi i janë nënshtruar 6700 maturantë dhe është organizuar në 68 qendra të testimit.
Më tutje në njoftim MASh-i njoftoi se janë identifikuar edhe disa parregullsi.
Njoftimi i plotë:
U mbajt afati i dytë i Provimit të Maturës Shetërore
Provimit të Maturës Shtetërore në afatin e dytë, i cili është organizuar sot nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), i janë nënshtruar 6700 maturantë, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë.
Provimi i organizua në 68 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces janë angazhuar 200 komisionerë, 130 mbikëqyrës, 65 vëzhgues, si dhe 650 administrues. Ndërsa, të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC).
Sipas informatave të para të Komisioneve, provimi ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e caktuar dhe çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës.
Ndërkaq, në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve.
MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në këtë proces për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre.
Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore për afatin e dytë pritet të publikohen më 8 shtator. / KultPlus.com
Kopjimet në Testin e Maturës Shtetërore nuk kanë të ndalur. Për çdo vit raportohet për kopjime masive të nxënësve të cilët edhe pas kontrolleve të rrepta nuk arrijnë t’i parandalojnë. Kopjimet zakonisht shpërndahen nëpër rrjete sociale.
Edhe këtë vit siç po raportohet në media, provimi i maturës ka filluar të shpërndahet me të madhe.
Nxënësit kanë hapur me dhjetra grupe ku po publikojnë provimet dhe nën to po shkruajnë përgjigjet që ata mendojnë se janë të sakta.
Ndonëse MASHT ka paralajmëruar dënime të ashpra për ata që zihen duke kopjuar me telefonë, kjo nuk po i ndalon nxënësit që ta bëjnë një gjë të tillë.
Kjo formë e kopjimit tanimë është bërë zakon viteve të fundit. /lajmi/ KultPlus.com
Kriteret e provimit të Maturës Shtetërore duhet të ashpërsohen, thotë ish-kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, Nehat Mustafa.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Mustafa vlerëson vendimin që testi i maturës të mbahet vetëm një ditë.
“Nga ajo që kemi parë Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës ka marrë vendim i cili është në të mirën e maturantëve për arsye se ka vendosur që edhe këtë vit testi i maturës të organizohet vetëm një ditë dhe të jetë me 100 pikë. Ky është një propozim të cilin e kam bërë edhe vitin e kaluar dhe Qeveria e ka përfill, dhe kësaj radhe e kanë parë të arsyeshme dhe e kanë sjellë një vendim jashtëzakonisht të mirë”.
Ai tha se duhet të ashpërsohen kriteret e testit të provimit të maturës.
“Mendoj që duhet me qenë dhe duhet të ashpërsohen kriteret e provimit të maturës sepse provimi i maturës i vetmi vlerësimi që bëhet nga Ministria e Arsimit dhe që është i standardizuar për të gjithë maturantët për në nivel vendi, duhet të shtohen edhe masa të tjera që e garantojnë që provimi i maturës po e jep efektin e vet dhe ku maturantët ta tregojnë cilësinë e tyre brenda asaj periudhe. Tani Komisioni Qendror i Maturës Shtetërore duhet të bëjë një analizë dhe të japë vlerësime të sakta për njësinë për standarde për vlerësim dhe monitorim në mënyrë që ata përmes ekspertëve t’i bëjnë pyetjet e duhura duke marrë parasysh rrethanat që ka kaluar kjo gjeneratë e maturantëve. Asnjë gjeneratë deri më tani nuk e ka pësuar më keq se kjo gjeneratë”.
Tutje, Mustafa tha se pyetjet e testit të Maturës Shtetërore duhet të hartohen varësisht nga performanca e mësimdhënësve dhe nxënësve.
“Nuk guxojmë që provimi i maturës shtetërore të ndikojë në rritjen e numrit por organizimi teknik do të jetë më i lehtë. Por për mua me rëndësi është që Komisioni Shtetëror i Maturës përmes njësisë për standarde vlerësim dhe monitorim të bëjë analiza të shikojë që a është monitoruar mirë nga Ministria procesi mësimor për këtë një vit e gjysmë. Cila ka qenë performaca e mësimdhënësve, dhe pastaj grupi i ekspertëve kur t’i hartojë pyetjet duhet t’i marrë parasysh gjitha këto rrethana”.
Më tej, ai tha se performanca e mësimdhënsve ka qenë e dobët këtë vit.
“Kjo gjeneratë e maturantëve i nënshtrohet testit të maturës në rrethana të pabarabarta. Ka më shumë se një vit e gjysmë që mësimi është zhvilluar në kushte jo normale. Por ka pasur mësimdhënës nuk e kanë dhënë maksimumin. Duhet pasur kujdes hartimi i pyetjeve. Por me siguri ka pasur kërkesa që maturantët duhet m’i përfill rregullat që i përcakton udhëzimi administrativ”, tha ai për EO.
Provimi i Maturës Shtetërore do të mbahet më 26 qershor. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Arsimit, provimi është vendosur të mbahet brenda një dite. Paraqitja e provimit do të bëhet nga data 7-15 qershor. Ndërsa rezultati i provimit do të publikohet më 5 korrik.
Ndërsa, Testi i Arritshmërisë do të mbahet më 28 maj. Mbi 26 mijë nxënës të klasave të nënta, do t’i nënshtrohen këtij testi. / KultPlus.com
Komisioni Shtetëror i Maturës ka bërë publike sot rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore 2020 (afati i parë), sipas të cilave rezultati i përgjithshëm i kalueshmërisë është 67.44 përqind. Prej këtij rezultati, 67.38 përqind është kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe, 77.32 përqind në gjuhën boshnjake dhe 62.44 në gjuhën turke, transmeton KultPlus.
“Në test kanë marrë pjesë 25.362 nxënës, nga 26.699 që e kanë paraqitur testin, prej të cilëve 17.105 e kanë kaluar testin, ndërsa për 8.257 maturantë do të mbetet si mundësi edhe afati i dytë i Provimit të Maturës.Kryetari i KShM, Gëzim Berisha e ka vlerësuar të suksesshëm administrimin e testit, i cili këtë vit është organizuar në rrethana pandemie, për të cilën gjë i ka falënderuar të gjithë akterët pjesëmarrës në proces, ndërsa tha se rezultatet e nxënësve janë të kënaqshme”, thuhet në njoftimin e bërë për media.
Gjithashtu Berisha ka bërë të ditur se janë 63 maturantë, të cilëve iu është anuluar testi, për shkak se kanë tentuar të përdorin telefonin, ndërsa nuk ka pasur parregullsi që do ta dëmtonin procesin.
“KShM ka bërë të ditur se të gjithë ata maturantë, të cilët konsiderojnë se iu është bërë ndonjë e padrejtë me rastin e vlerësimit, afati i ankesës është 3 ditë dhe kjo drejtë ushtrohet në shkolla, respektivisht në drejtoritë komunale të arsimit”, shtohet në njoftim./ KultPlus.com
Këshilli Rinor Kosovar ka monitoruar sot procesin e Provimit të Maturës Shtetërore, në njëzet e pesë komuna të Kosovës, në gjithsej dyzet qendra të ndryshme testimi, ku ka gjetur se masat kundër pandemisë, të përcaktuara nga MASh dhe IKSHPK-ja, nuk janë respektuar në nivelin e kënaqshëm, njofton Insajderi.
Kurse, nxënësit edhe pse i janë nënshtruar kontrolleve nga personat përgjegjës, sërish kanë gjetur mënyra për të përdorur telefonin me qëllim kopjimin apo bashkëpunimin.
Për monitorim të Provimit Shtetëror të Maturës, KYC thotë se ka angazhuar dyzet monitorues, të cilët kanë vëzhguar me përpikëri mbarëvajtjen e procesit të testimit mbi bazën e rregullave të sjelljes karshi legjislacionit dhe kushteve të mbajtjes së procesit nën rekomandime të normave shëndetësore në situatë pandemie.
Sipas KYC, pas analizës së raporteve të pranuar nga monitoruesit në terren, kjo organizatë ka nxjerr informatat si rezultate pre-eleminare të monitorimit të Provimit Shtetëror të Maturës duke i paraqitur ato më poshtë të renditura që të pasqyrojnë monitorimin e aspektit teknik, administrativ dhe cilësor.
“Të gjeturat nga monitorimi i Provimit Shtetëror të Maturës: Masat kundër pandemisë, të përcaktuara nga MASh dhe IKSHPK-ja, nuk janë respektuar në nivelin e kënaqshëm. Intervenimi në shenjëzimin e vendeve për të krijuar dhe mbajtur distancë dhe vendosja për përdorim e dizenfektuesëve në hapësira të qendrës si në klasa të testimit dhe korridore, këto masa, duke përfshirë maskat dhe distancën fizike nuk janë respektuar nga të gjithë nxënësit/et dhe administruesit/et. Përkundër të rasteve të kërkesës së administruesve/eve the të Komisionit në fillim të testimit, maskat edhe kur kanë qenë prezentë nuk janë vendosur në formën e duhur përfshirë dhe rastet kur ato nuk janë mbajtur fare. Administruesit/et e përcaktuar/a nga MASh, nuk kanë ardhur me kohë në qendrat e testimit. Ani pse testi ka filluar me kohë në shumicën e qendrave të testimit, vonesa e disa administruesve/eve ka shkaktuar që përbrenda qendrave, klasat te mos fillojnë testimin në të njëjtën kohë por i është ofruar kohë shtesë në shumicën e rasteve. Nxënësit/et, edhe pse i janë nënshtruar kontrolleve nga personat përgjegjës sërish kanë gjetur mënyra për të përdorur telefonin me qëllim kopjimin apo bashkëpunimin. Si një problem kryesisht i përsëritshëm ndër vite, në momentin e fillimit të testimit, fotografi, pyetje dhe përgjigje të testit janë publikuar në grupe jo-formale të hapura në rrjete sociale ku KYC janë anëtarësuar për të përcjellë problemin. Ky fenomen ka rezonuar të tërë Kosovën dhe në të njëjtën kohë nga monitoruesit/et në terren është deklaruar për raste të përjashtimit të nxënësve/eve apo tërheqjes së vërejtjes për përdorim të telefonit”, thuhet në komunikatën e KYC.
Kjo organizatë është ndalur edhe te problemet teknik si ndikues i procesit të Provimit Shtetëror të Maturës, siç ishte dhe mungesa e testeve rezervë të lëndëve zgjedhore si dhe shpërndarja jo në kohë e fletë – përgjigjeve.
“Përveç ngatërresave në përzgjedhjen e lëndëve zgjedhore, problem teknik dhe me lista të emrave të kandidatëve/eve, ndër të tjera është deklaruar nga monitoruesit/et e terrenit që në raste të caktuar nuk ka pasur teste rezervë të lëndëve zgjedhore dhe kanë dëgjuar ankesën për gabime teknike të pyetjeve gjë që ka qenë çorientuese për nxënësit. Bashkëpunimi, kopjimi i nxënësve/eve dhe keq-administrimi janë vërejtur. Një dukuri tjetër e përsëritshme ndër vite duket të jetë sipas deklarimit nga monitoruesit/et në terren një numër i dukshëm i rasteve të bashkëpunimit dhe kopjimit të nxënësve/eve, disa raste të ndihmës së ofruar nga administruesit/et e testit, si dhe lejimit të bashkëpunimit të nxënësve. Shpesh janë deklaruar raste edhe mbi të gjeturën që administruesit/et nuk kanë qenë të përgatitur/a për t’u përgjigjur në pyetjet teknike mbi procedurën e testimit dhe plotësimit të fletë-përgjigjeve. Ndërsa, zhurma në klasë, ka qenë evidente përgjatë testimit, posaçërisht në periudhën afër përfundimit të testit, kur janë shpeshtuar lëvizjet më të shpeshta të nxënësve/e për në tualet, dhe lehtësimit të masave të administrimit në klasë dhe krijimit të një ambienti të qetë nga administruesit/et kanë filluar të lehtësohen. Këshilli Rinor Kosovar – KYC ka monitoruar dyzet (40) qendra të testimit në njëzet e pesë (25) komuna të Kosovës, të cilat janë: Prishtinë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë, Shtime, Skenderaj, Suharekë, Vushtrri, Obiliq, Malishevë, Deçan, Dragash, Drenas, Fushë Kosovë, Lipjan, Kamenicë, Rahovec, Kaçanik, Podujevë, Klinë, Viti dhe Istog. Pas përpunimit të dhënave nga tereni Këshilli Rinor Kosovar- KYC do të publikoj raportin të Monitorimit të Provimit Shtetëror të Maturës”, thuhet në komunikatë.
KYC ka realizuar këtë monitorim me leje të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe në mbështetja nga Friedrich Ebert Stiftung – FES. / KultPlus.com
Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM) bënë të ditur se, 26.669 maturantë nesër (29 gusht 2020), do ti nënshtrohen Testit të Maturës, i cili do të fillojë në ora 10 dhe do të përfundojë në ora 12:30.
Testi i Maturës do të organizohet në 184 qendra të testimit, në 30 komuna të Kosovës dhe për mbarëvatjen e procesit janë angazhuar 2.568 administrues, 570 komisionerë, 570 mbikëqyrës dhe nga 3 mësimdhënës në secilën qendër.
”Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, Testi i Maturës do të organizohet duke respektuar masat mbrojtëse të rekomanduara nga institucionet e shëndetësisë, ku në secilën klasë numri maksimal do të jetë 12 nxënës.
Maturantët duhet të arrijnë në oborrin e qendrës se testimit nga ora 8:30 deri në orën 9:00. Nga ora 9:00 deri në 9:30 ata do të sistemohen në klasa, dhe pas vendosjes në klasa, deri në ora 10:00 do të bëhet ofrimi i udhëzimeve rreth testit dhe ofrimi i fletëpërgjigjeve nga ana e administruesve.”. thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. / KultPlus.com
Provimi i Maturës Shtetërore 2020 do të mbahet në javën e parë të muajit korrik 2020. Kështu ka vendosur Komisioni Shtetëror i Maturës (KSHM) i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), pas konsultave me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Për ditën dhe datën e saktë të testimit do të vendoset ditët në vijim, pas konsultave edhe me institucionet tjera.
“Duke marrë parasysh situatën me pandeminë, në konsultim me IKSHPK-në, provimi i maturës do të organizohet në atë mënyrë që të ketë numër sa më të vogël të maturantëve brenda një qendre të testimit dhe brenda klasave të testimit, në mënyrë që zbatohen të gjitha masat për mbrojtje dhe parandalim të Covid 19”, thuhet në njoftim.
Provimi i Maturës Shtetërore 2020 do të mbahet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë maturantët. Testi do të ketë gjithsej 100 kërkesa (pyetje, detyra), nga 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët e përfshira dhe do të zgjasë 150 minuta.
Në test do përfshihen tri lëndë obligative, gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë, dhe një lëndë zgjedhore, që përzgjidhet nga vet nxënësi nga mesi i lëndëve zgjedhore që do të ofrohen.
Brenda muajit maj maturantët do të informohen në detaje për të gjitha çështjet e rëndësishme që mund t’iu interesojnë, si: dita dhe koha e saktë e mbajtjes së provimit të maturës, afati dhe mënyra e paraqitjes së provimit të maturës, lista e lëndëve zgjedhore në dispozicion për maturantët, nga e cila secili maturant mund ta përzgjedhë një lëndë zgjedhore për test të maturës, etj.
Pas paraqitjes së provimit të maturës, të gjithë maturantët e paraqitur për provim do të informohen për qendrën dhe klasën e tyre të testimit, për mënyrën dhe rregullat e testimit, etj.
Për shkak se tashmë është vendosur që Provimi i Maturës Shtetërore 2020 të mbahet në javën e parë të korrikut 2020, MAShTI njofton Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) në Kosovë, publike e private, që të planifikojnë mbajtjen e Provimeve Pranuese për studentët e rinj vetëm pasi të jenë shpallur rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore 2020.
Kjo nënkupton që provimet pranuese afërsisht mund të mbahen në fund të muajit korrik ose në fillim të muajit gusht 2020, sepse pas mbajtjes së provimit të maturës nevojitet një kohë derisa të përpunohen rezultatet, të shqyrtohen ankesat, të shpallen rezultatet përfundimtare dhe derisa nxënësit të pajisen me diploma të shkollës së mesme. / KultPlus.com
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë tërheqjen publike të shortit për renditjen e mbajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore nëpër regjione.
Më 12 qershor testit do t’i nënshtrohet regjioni i Prishtinës, më 13 qershor regjioni i Ferizajt dhe Gjilanit, më 14 qershor regjioni Prizrenit dhe Gjakovës, ndërsa më 15 qershor regjioni i Pejës dhe Mitrovicës.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, tha se beson që do të ketë rezultate të mira në këtë testim, përcjell ksp.
“Shpresojmë që edhe këtë vit do të kemi një mbarëvajtje të mirë të testit. Dobësitë e vogla që kanë ndodhur vitin e kaluar, këtë vit i kemi eliminuar. Përveç ndarjes në katër regjione, këtë vit janë bërë disa ndryshime edhe tek lëndët, ku nxënësit kanë pasur mundësi të zgjedhin vet lëndën zgjedhore”, tha ai.
“Ditën e mbajtjes së testit do të jemi të angazhuar dhe presim një mbështetje nga të gjitha DKA-të. Shpresoj që do të dalim me rezultate të mira dhe me rezultate reale”, vijoi ministri. / KultPlus.com