Propozimi i shkrimtares: Deputetët të kalojnë testin e drejtshkrimit, kush ngel – të ngelë

Shkrimtarja e njohur, Flutura Açka, ka bërë një propozim të pazakontë.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale shkrimtarja Açka thotë se për cilësinë e parlamentit të ardhshëm do të ishte mirë që deputetët të kalonin dhe testin e drejtshkrimit duke propozuar diktim për deputetët.

Ajo sjell shembullin e Holandës, e cila e ka konkurs publik diktimin. Siç shkruan Shqip, propozimi i Açkës ka marrë jo pak pëlqime dhe është shpërndarë dhjetëra herë në rrjetet sociale.

Postimi i plotë:

Për cilësinë e parlamentit të ardhshëm

Që Parlamenti ynë të mos jetë më objekt kabareje, përveç të gjitha nismave që do ta pastrojnë nga kriminelët e faqezinjtë, do të ishte mirë që deputetët të kalonin një test fare të thjeshtë: atë të drejtshkrimit. Mjafton një diktim i thjeshtë – publik, faqe shqiptarëve – për pak minuta për ta ruajtur parlamentin tonë nga analfabetët. Sepse më ka zënë syri shpesh statuse lemeritëse deputetësh, cilësia e shkrimit të të cilëve e fyen gjuhën shqipe.

Kjo që po them është një gjë shumë serioze, aq serioze sa në Holandë një nga konkurset më të rëndësishëm publikë, është Diktimi, që shfaqet drejtpërdrejt në televizion dhe marrin pjesë njerëz të të gjitha fushave. Ata mblidhen në një sallë dhe u diktohet një tekst. Fituesi merr një shpërblim të madh, sepse është respektuesi më i madh i gjuhës. Dita e Diktimit Kombëtar, është gati festë kombëtare.

Le ta fillojmë edhe ne duke u diktuar parlamentarëve të ardhshëm, kush kalon, le të kalojë, kush ngel, le të ngelë e të turpërohet e të mos hyjë në parlament.

Fjala është e para, e fjala fillon nga gjuha!/ KultPlus.com