Në ditët më të nxehta të vitit, nga kurora më e lartë e natyrës shqiptare, do të kumbojë muzikë dhe rrëfenja nën hijen e malit, shkruan KultPlus.
Më 26 gusht, edicioni i parë i Zâ Festival mbledh në Theth kantautorët më të mirë të muzikës shqipe: Elina Duni, Shpat Deda e Vlashent Sata do të performojnë në të parin festival që i dedikohet trashgimisë natyrore të Alpeve Shqiptare.
“Shpirti i Zâ Festival është i gjithë thesari gojor i “Bjeshkëve të Nâmuna”. Në skenën e festivalit, aktori i njohur edhe në nivel ndërkombëtare Arben Bajraktaraj do të na rrëfejë gojëdhënat, tregimet, legjendat dhe përrallat e moçme, si trashgimia më e vyer e paraardhësve tanë në këto vise”, thuhet nga organizatorët.
Ky festival premton të krijojë atmosferën e duhur për të shijuar traditën dhe natyrën e rrallë të Thethit. Një event që zhvesh nga harresa bukuritë e paçmuara të Alpeve. Zâ Festival, Theth, 26 gusht – Muzikë dhe rrëfenja nën hijen e malit. Festivali do të zhvillohet pranë Kishës në Theth.
Hyrja është e lirë për të gjithë pjesëmarrësit./KultPlus.com