Sot do të mbahet vrapimi për shëndetin dhe ndërgjegjësimin ndaj sëmundjes së kancerit të gjirit “Race for the cure”. Vrapimi nis në orën 11:00, nga sheshi “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
Pjesëmarrës do të jenë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama me zonjën Kristale Ivezaj Rama, anëtarë të kabinetit, drejtorë e pjesë nga stafi i kryeqytetit, si dhe këshilltarë komunal të Kuvendit të Prishtinës.
Tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.
Çdo vit, kjo fushatë fillon më 1 tetor dhe përfundon më 31 tetor. Fushata organizohet edhe për të mbledhur fonde për kërkime shkencore për zbulimin e shkaqeve, parandalimin, diagnozën dhe trajtimin e këtij kanceri. Fushata gjithashtu ofron informacion dhe mbështetje për femrat që janë të prekura nga kanceri i gjirit.
Në vitin 1993, Fondacioni i kërkimeve mbi kancerin, themeloi fjongon rozë si simbol të kancerit të gjirit, edhe pse kjo nuk ishte hera e parë që kjo fjongo u përdor për të simbolizuar kancerin e gjirit. Që atëherë, fjongoja rozë u bё simboli ndërkombëtar i ndërgjegjësimit ndaj kancerit tё gjirit dhe i mbështetjes sё personave qё e vuanin atё.
Çdo Tetor me qindra e mijëra produkte tё pajisura me fjongon rozё, apo tё ngjyrosura me rozё, shërbejnë si simbolikë dhe shiten me qëllim qё njё pjesё e vogёl e të ardhurave tё grumbulluara tё jepet si donacion pёr tё mbështetur kërkimet apo fushatat ndërgjegjësuese tё kancerit tё gjirit./rtk/KultPlus.com
Vera Ora, nëna e këngëtares shqiptare Rita Ora, vite më parë është përballur me sëmundjen e kancerit në gji, ku falë diagnostifikimit të hershëm të sëmundjes ka arritur që ta tejkalojë atë, shkruan KultPlus.
Pasi muaji tetor njëherit është edhe muaji i ndërgjegjësimit mbi gratë e prekura nga kjo sëmundje, Vera Ora ka publikuar një fotografi të cilës i ka bashkangjitur një shkrim mjaft motivues.
Ajo publikoi në rrjetin social Instagram një fotografi krah bashkëshortit të aj, Besnikut, në mbishkrimin e së cilës ua kujtoi të gjitha grave që të kryejnë me rregull kontrollet mjekësore dhe të kujdesen për shëndetin e tyre.
“Bukuroshet e mija të dashura, është muaji për të bërë kontrollat kryesore të jetës suaj, lufto kundër kancerit të gjirit. Mos hezito, shko për kontroll të lutem! E ju o burra/partnerë, ndihmoni dhe suportoni femrat e juaja se sëmundja afekton të gjithë të afërmit tuaj”, ka shkruar Vera Ora në Instagram. / KultPlus.com
Tetori është muaji i ndërgjegjësimit mbi sindromën Down.
Zakonisht në muajin tetor mbahen shumë aktivitete që përshfijnë ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi të drejtat dhe potencialin e individëve me sindromën Down, ndërkaq, këtë vit akoma nuk është paralajmëruar ndonjë aktivitet i tillë pasi situata pandemike me shumë gjasë do të pamundësojë aktivitete të tilla.
Termi sindromë nënkupton një varg karakteristikash të cilat shfaqen së bashku.
Për herë të parë sindroma Down është përshkruar në një punim akademik të dr. Longdon Down, në vitin 1886, për nder të të cilit është emërtuar me po këtë emër.
Sindroma Down nuk është sëmundje, ndaj dhe nuk ofrohet kurë mjekësore për të. / KultPlus.com
Tetori është muaji ku ngjyra rozë shihet kudo. Nga ekipet sportive tek njerëzit në komunitet, mijëra marrin pjesë në Muajin Kombëtar të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit.
Kjo ngjarje vjetore organizohet nga organizata bamirësie të kancerit të gjirit që ndajnë të njëjtat qëllime: edukimin e njerëzve për trajtimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit.
Në të gjithë vendin, njerëzit do të marrin pjesë në marshime, maratona dhe konferenca për të ndihmuar në mbledhjen e parave dhe ndërgjegjësimin e kësaj sëmundjeje.
Shumë personazhe të njohur që janë prekur nga kanceri i gjirit kanë folur në publik për të dhe për betejën e gjatë dhe të dhimbshme, shkruan Living, transmeton KultPlus.
Disa nga ato mund t’i lexoni më poshtë:
Kylie Minogue
Ylli australian i popit, Kylie Minogue u diagnostikua me fazë të hershme të kancerit të gjirit në 2005 në moshën 39 vjeçare, vetëm pak muaj pasi një doktor tjetër i dha një diagnozë të gabuar.
“Mesazhi im për të gjithë ju është, vetëm sepse dikush vesh një këmishë të bardhë dhe përdor instrumente mjekësore nuk do të thotë që ata kanë plotësisht të drejtë,” i tha ajo Ellen DeGeneres në 2008, duke i këshilluar gratë të besonin në intuitën e tyre.
Katër ditë pas diagnozës së saj, Minogue u operua dhe më pas filloi kimioterapinë. Që atëherë ajo është shëruar.
Christina Applegate
Diagnostikuar në vitin 2008 në moshën 36 vjeçare, kjo aktore e njohur e humorit amerikan iu nënshtrua një mastektomie dypalëshe pasi zbuloi se ajo mbante gjenin BRCA, aka “gjen i kancerit të gjirit”.
Për fat të mirë për të, tumori i saj malinj u gjet me anë të një MRI pasi mjeku i saj përcaktoi se mamografia nuk ishte e mjaftueshme për shkak të dendësisë së gjinjve të saj. Kanceri u kap mjaft herët kështu që nuk u përhap në pjesët e tjera të trupit të saj. Që nga operacioni i saj, Applegate ka shprehur përkushtimin për të luftuar në këtë kauzë. Në një intervistë në “The Oprah Winfrey Show” ajo deklaroi:
“Unë jam një grua 36-vjeçare me kancer të gjirit dhe jo shumë njerëz e dinë që kjo u ndodh grave të moshës sime ose grave në të 20-at e tyre”, tha ajo. “Kjo është mundësia ime tani për të dalë dhe për të luftuar sa më shumë që të mundem për zbulimin e hershëm.”
Angelina Jolie
“Nuk ndihem më pak grua. Ndihem e fuqizuar që bëra një zgjedhje të fortë që në asnjë mënyrë nuk më zvogëlon feminitetin ”. – Angelina Jolie
Ashtu si Christina Applegate, Angelina Jolie e dinte se ajo kishte një histori familjare të kancerit të gjirit dhe zgjodhi t’i nënshtrohej testit gjenetik. Ashtu si Christina, ajo doli pozitive për një mutacion BRCA1 dhe bëri një mastektomi të dyfishtë ndërsa ishte në të tridhjetat. Sidoqoftë, ndryshe nga Christina, Angelina zgjodhi mastektominë e dyfishtë edhe pse nuk kishte kancer gjiri në asnjërin gji.
Aktorja, producentja dhe regjisorja e filmave vendosi të bëjë operacionin në 2013 si një masë parandaluese. Ajo zvogëloi rrezikun e saj të prekjes nga kanceri i gjirit nga rreth 87% në rreth 5%.
Megjithëse disa mund ta konsiderojnë kirurgjinë parandaluese ekstreme, është një mundësi për gratë që rezultojnë pozitive për mutacionet e gjenit BRCA dhe për këtë arsye kanë një rrezik shumë më të lartë të zhvillimit të kancerit të gjirit.
“Nuk është e lehtë të marrësh këto vendime. Por është e mundur të merret kontrolli dhe të trajtohet drejtpërdrejt çdo çështje shëndetësore. Ju mund të kërkoni këshilla, të mësoni rreth opsioneve dhe të bëni zgjedhjet që janë të përshtatshme për ju. Dituria është fuqi”. – Angelina Jolie
Dame Maggie Smith
Diagnostikuar me kancer gjiri në moshën 74 vjeç gjatë xhirimeve të “Harry Potter”, dhe pavarësisht kësaj këmbënguli të vazhdonte filmimet.
“Unë isha pa flokë,” tha Smith një intervistuesi në The Telegraph. “Unë nuk e kisha problem të vija paruken dhe pse dukesha si një vezë e zier”.
Megjithëse pranoi se kanceri i gjirit në moshën e saj ndryshoi pikëpamjen e saj për të ardhmen, ajo vuri në dukje në një intervistës:
“Dy vitet e fundit kanë qenë sfilitëse, megjithëse tani kam filluar të ndihem si një person”, tha ajo. “Energjia ime po kthehet.” / KultPlus.com