Në nderim të veprës dhe artit të regjisorit Besim Sahatçiu, në Kolegjin AAB filloi manifestimi kulturor i pagëzuar “Tetori i Besim Sahatçiut”.
Në ditën e parë të aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të këtij manifestimi, morën pjesë familjarë të Besim Sahatçiut, personalitete të njohura të artit e të kinematografisë së Kosovës, profesorë e studentë, ndërsa manifestimi u hap me fotoekspozitën “Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra”, inaugurimin e Kinoklubit të studentëve të Fakultetit të Komunikimit Masiv “Besim Sahatçiu” dhe shfaqjen e filmit dokumentar “117”, regjinë e të cilit regjisori Sahatçiu e kishte realizuar në vitin 1976.
Në hapje të manifestimit, kryetari i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB, Lulzim Tafa tha se Besim Sahatçiu, mbetet një personalitet i jashtëzakonshëm i kulturës shqiptare. “Regjisori Besim Sahatçiu mbetet një nga regjisorët më të mëdhenj të kohës në kinematografinë kosovare, ndërsa AAB që është shndërruar në qendrën më të madhe jo vetëm arsimore por edhe artistike e kulturore, gjithmonë do të ketë hapësirë për të nderuar personalitete të tilla”, tha Lulzim Tafa.
“E kemi pagëzuar këtë manifestim “Tetori i Besim Sahatçiut”, sepse edhe datëlindja edhe data e kalimit në amshim të regjisorit Sahatçiu, i takojnë muajit tetor, andaj ky muaj do të jetë muaji i Besimit në AAB”, shtoi Tafa.
Nga ana tjetër në ceremoninë e inaugurimit të Kinoklubit të studentëve të Fakultetit të Komunikimit Masiv “Besim Sahatçiu”, rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha, tha se ne kemi nderin të përtërijmë emrin e Besim Sahatçiut, duke emërtuar kinoklubin tonë me emrin e tij. “Jam i bindur që përveç që po e përtërijmë me emrin e tij, këtë kinoklub, gjeneratat e reja, studentët e Kolegjit AAB dhe të rinjtë nga mbarë Kosova dhe më gjerë do ta vazhdojnë misionin e regjisorit Sahatçiu”, tha Demjaha.
Zbulimin e plaketës së Kinkolubit e bënë rektori Bujar Demjaha së bashku me bashkëshorten e regjisorit Besim Sahatçiu, zonjën Besa, e cila me shumë emocione falënderoi Kolegjin AAB për nderimin e emrit të të shoqit.
Në kuadër të aktiviteteve të sotme të Kinoklubit “Besim Sahatçiu”, u shfaq edh filmi dokumentar “117”. Me këtë rast regjisorja Burbuqe Berisha, prodekane në Fakultetin e Komunikimit Masiv, tha se Besim Sahatçiu është një prej regjisorëve kult të Kosovës, është regjisori i parë i shkolluar nga Kosova i cili përmes filmave të tij ka folur edhe atëherë kur të tjerët nuk guxojnë të flasin. “Ideja e filmit 117 është një ide brilante, që nuk është tejkaluar deri tani sepse ka sjellë 24 orëshin e një familje shqiptare që ka funksionuar sikur me një rend shtetëror, me të gjitha departamentet e veta, tha Berisha.
Kujtojmë se ky film regjisorit Sahatçiu i kishte sjellë Çmimin “Grand Prix” si një ndër çmimet e para kinematografike që kishin ardhur në Kosovë, në vitet e 70-ta.
Manifestimi “Tetori i Besim Sahatçiut” do të vazhdojë me aktivitete të tjera kulturore gjatë muajit tetor./KultPlus.com