Thaçit i konfirmohet aktakuza, jep dorëheqje nga posti i Presidentit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përmes një konference për media ka konfirmuar aktakuzën nga Specialja. Me këtë rast ka dhënë dorëheqje nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Gjithashtu, Kadri Veseli, kreu i PDK-së dhe ish-kryetari i Kuvendit, bëri të ditur se sot do të niset drejt Hagës, pasi i është konfirmuar aktakuza. Sot do të niset edhe Rexhep Selimi, shefi i Grupit parlamentar të VV-së. / KultPlus.com

Thaçi: Plot 552 vjet populli shqiptar jeton me heroizmin e Skënderbeut

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka kujtuar heroin e kombit, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.

Thaçi përmes një postimi në facebook ka thënë se plot 552 vjet populli shqiptar jeton me heroizmin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe shumë heronjve që si dalzotës të vendit dhe popullit janë frymëzuar nga vepra e tij.

“Plot 552 vjet populli shqiptar jeton me heroizmin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe shumë heronjve që si dalzotës të vendit dhe popullit janë frymëzuar nga vepra e tij. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare dhe bashkimi shpirtëror i popullit tonë, si dhe forcimi i vetëdijes sonë kombëtare, krahas fitoreve të shumta të Skënderbeut, ishin po ashtu fitore shumë të mëdha në epopenë e lavdishme të rezistencës së pashtershme të tij”, ka shkruar presidenti Thaçi. / KultPlus.com

Presidenti Thaçi shpall të mërkurën ditë zie

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur të mërkurën, 27 nëntor 2019, ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave që humbën jetën nga tërmeti në Republikën e Shqipërisë.

“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e mërkurë, 27 nëntor 2019, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmetit në Shqipëri, i cili la dhjetëra persona të vdekur dhe shumë të lënduar”, thuhet ndër të tjera në vendimin e presidentit Thaçi.

Me vendim të presidentit Thaçi, flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. /KultPlus.com

epa05792927 President of the Republic of Kosovo Hashim Thaci during his meeting with Norwegian Minister of Foreign Affairs Brende Borge (not pictured) in Pristina, Kosovo, 14 February 2017. Borge is one-day official visit to Kosovo. EPA/VALDRIN XHEMAJ

Thaçi pret në zyrë Engelin, ky i fundit ka shpresa që Kosova do të përparojë në sundimin e ligjit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot kongresistin Eliot Engel, Kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan.

Thaçi ka shprehur kënaqësinë para kongresistit Engel dhe ambasadorit Kosnett për përurimin e ndërtesës së re të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, duke e krahasuar momentin e 4 Korrikut 2019 me hapjen e Zyrës Amerikane në Kosovë në vitin 1996.

“Ju jam mirënjohës për angazhimin tuaj personal, prej dekadash, për Kosovën dhe popullin shqiptar në përgjithësi. Është impresive kur e kujtojmë se ku ishim në vitin ‘96 dhe kur e shohim ku jemi sot”, u shpreh Thaçi dhe shtoi se “për këtë jemi mirënjohës përkrahjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të gjithë miqve, që na kanë përkrahur gjithë këto vite”.

Kongresisti Engel u shpreh se është i gëzuar që është përsëri në Kosovë, veçanërisht për të qenë pjesë e shënimit të 4 Korrikut me inaugurimin e ambasadës së re amerikane.

Engel, siç njofton presidenca, ka theksuar progresin e madh që Kosova ka bërë në vitet që nga pavarësia dhe ka shprehur shpresën e tij se vendi do të vazhdojë të përparojë në rrugën drejt prosperitetit, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Presidenti Thaçi ftoi kongresistin Engel që të angazhohet që SHBA-ja të mbetet e fokusuar në çështjen e Kosovës deri në përmbylljen e plotë të stories së Kosovës, me konsolidimin e plotë ndërkombëtar të vendit. / KultPlus.com

Thaçi: Në 614 vjetorin e lindjes së Heroit Kombëtar – Skënderbeut, prita motrat dhe vëllezërit tanë arbëreshë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion të arbëreshëve të Italisë.

Në takimin e mbajtur me ta, ai ka përgëzuar për ruajtjen e traditave dhe kulturës shqiptare.

“Ndjehem shumë i nderuar dhe i privilegjuar që t’u drejtohem motrave dhe vëllezërve të gjakut dhe gjuhës sonë. Atyre që u bënë pishtar i ruajtjes dhe zhvillimit të vlerave kulturore mbarëshqiptare për më se 6 shekuj. Shqiptarët e çdo kohe dhe të çdo brezi, kudo që janë, ndihen krenarë me ju dhe kanë çfarë të mësojnë nga jeta, puna dhe vepra juaj, sepse ju jeni rrënjët tona të mirëfillta, origjinale, gjeneza dhe fillesa jonë”, u shpreh ai.

Kreu i shtetit ka thënë se arbëreshët janë shëmbëlltyra dhe modeli i shqiptarëve pa ndikimin e pushtimit 500 vjeçar otoman.

“Ju jeni fija e pashkëputur dhe e mirëfilltë e qytetërimit shqiptar. Keni ruajtur gjuhën e të parëve tanë, traditat, besimin, kulturën autoktone, mbi të gjitha perlat folklorike: rapsoditë dhe vallet. Rapsoditë dhe vallet arbëreshe kanë qenë dhe mbeten perla unike të kulturës shqiptare. Ato i kanë kapërcyer kufijtë e Italisë së Jugut dhe këndohen kudo ndër shqiptarët, në dasmat dhe gëzimet e tyre”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi i ka thënë delegacionit arbëresh se si në të kaluarën, ashtu edhe sot, në kishat tuaja ruhen shenjat shqipe.

“Nga ju dolën figura të mëdha që u bënë frymëzimi i kombit dhe më gjerë. Arbëreshët kanë qenë gjithmonë një faktor pozitiv në Itali. Keni kontribuar në jetën politike dhe kulturore të Italisë. Ta përmendim këtu Françesko Krispin, i cili ka luajtur një rol të madh në lëvizjen për bashkimin e Italisë. Ai u bë kryeministër i vendit dhe ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Xhuzepe Garibaldit. Po kështu një shembull i pjesëmarrjes së arbëreshëve në sferën politike italiane është edhe Antonio Gramshi e shumë figura të tjera”, shtoi ai.

Sipas Thaçit, Arbëreshët i kanë dhënë kuptim lëvizjes më të rëndësishme politike dhe kulturore shqiptare Rilindjes Kombëtare, në krye me kolosin e letërsisë Jeronim De Rada, i cili është themelues i letërsisë moderne shqipe.

“Ne sot jemi krenarë për kontributin që ju vazhdoni të jepni në atdheun tuaj të dytë, në Itali. Vlerat e padiskutueshme intelektuale dhe kulturore të arbëreshëve kanë qenë një faktor i rëndësishëm në pozicionimin e Italisë krah vendeve që përkrahin vlerat demokratike dhe lirinë e popujve, duke bërë që Italia të rreshtohet ndër të parat vende që njohën Pavarësinë e Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Thaço theksoi se populli shqiptar do t’i jetë përjetësisht mirënjohës punës dhe veprës së arbëreshëve të Italisë. / koha.net / KultPlus.com

Këshilltari i Haradinajt i përgjigjet Thaçit me poezinë e Ndre Mjedës

Pas komentit të presidentin Hashim Thaçi, i cili po konsiderohet thumbues në adresë të kryeministrit Ramush Haradinaj, ka reaguar këshilltari i këtij të fundit.

Halil Matoshi komentit të Thaçit: “Bora ka zënë të shkrihet shpejt… Uroj të mos bëhet skllotë!”, i është përgjigjur me poezinë e Ndre Mjedës “Vaji i bylbylit”.

Reagimi i Thaçit vjen disa ditë pas deklaratave të kryeministrit Haradinaj, i cili kur është pyetur për mundësinë e heqjes së taksës ndaj Serbisë, pas presionit të ShBA-së, thoshte se “bora do të shkrihet”.

Vasfije Krasniqi dekorohet nga Thaçi, kërkon drejtësi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka ndarë titullin “Qytetar i Merituar i Republikës së Kosovës” për Vasfije Krasniqi-Goodman. Derisa i ka ndarë medaljen, Thaçi ka thënë se burrat e Kosovës ndihen të turpëruar që s’kanë bërë më tepër për këto raste, raporton KTV .

“Kam përjetuar momente të rënda, prekëse emocionale dhe të dhimbshme në rast të tragjedive e masakrave nga ushtria serbe drejt popullsisë shqiptare. Një nga brengat më të dhimbshme ka qenë dhunimi i rreth 20 mijë grave dhe burrave shqiptarë nga forcat paramilitare të forcave serbe. Sot është një moment emocionues dhe rrëqethës. Rrëfim që thërret për ndërgjegje në Kosovë dhe thërret ndërgjegjen e drejtësisë ndërkombëtare se e vërteta po thuhet, por drejtësia nuk po zbatohet. Për heroinën e gjallë, Vasfijen, për guximin e saj të jashtëzakonshëm ndaj Medalje për trimëri dhe guxim”, ka thënë Thaçi.

E vetë Vasfije Krasniqi Goodman ka falënderuar presidentin për dekoratën duke i kujtuar atij që për të dhunuarat e luftës duhet drejtësi. “Ju falënderoj për dekoratën në emër të të gjithave. Neve na duhet mbrojtje dhe drejtësi juridike”, ka thënë Krasniqi -Goodman./ KultPlus.com

Thaçi për suksesin e Dua Lipës: Artistet çdo ditë e më shumë na bëjnë krenarë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka thënë se shkëlqimi i Dua Lipës i gëzon qytetarët e Kosovës.

Dua Lipa, që kishte më së shumti nominime në Brit Awards, rrëmbeu dy çmime të rëndësishme atë të artistes më të mirë britanike, dhe zbulimin e vitit.

Thaçi thotë se artistet çdo ditë e më shumë “po na bëjnë krenarë” me sukseset nëpër botë.

“Artistet tona çdo ditë e më shumë po na bëjnë krenarë me suksese kudo në botë. Dua Lipa theu rekorde me më së shumti nominime për çmimin prestigjioz “Brit Awards 2018”, ndërsa sonte u shpall artistja më e mirë e vitit dhe fitoi çmimin “zbulimi më i madh artistik i vitit”. Shkëlqimit global të Duas i gëzohen të gjithë qytetarët tanë”, ka shkruar Thaçi./ KultPlus.com

Thaçi uron Kadarenë për 82 vjetorin e lindjes

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka uruar shkrimtarin Ismail Kadare për 82 vjetorin e lindjes.

Ai thotë se Kadare me veprimtarinë e tij emrin e letërsisë shqipe e ngriti në nivel botëror.

“Me rastin e 82 vjetorit të lindjes shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare, i shprehim urimet më të mira. Me veprimtarinë e tij të gjerë artistike, Ismail Kadare emrin e letërsisë shqipe e ngriti në përmasa të letërsisë së përbotshme. Duke i uruar shëndet, nga Ismail Kadare presim edhe më tutje rrumbullakime të krijimtarisë së tij të nobelueshme”, ka shkruar ai./ KultPlus.com