Në 25-vjetorin e Çlirimit autorja Rrezarta Reka- Thaqi sjell librin me rrëfime nga ditari personal ‘Kronikë në zemër: Këto ishin të ’90-tat’

Vjollca Duraku

Mes studiuesve, miqve dhe familjarëve, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery është bërë promovmi i librit “Kronikë në zemër: Këto ishin të ’90-tat”, nga autorja Rrezarta Reka- Thaqi, promovim ky që përkoi edhe me 25- vjetorin e Çlirimit të Kosovës, shkruan KultPlus.

“Kronikë në zemër: këto ishin të ’90-tat” paraqet një rrëfim personal të autores bazuar në kujtimet e shumta të ruajtura në ditar për Kosovën e viteve të 90-ta, përfshirë aparteidin, rezistencën dhe luftën.  

Libri po ashtu është kombinim narrativ,  në të cilin lexuesi udhëton në të shkuarën, por njëkohësisht takohet edhe me një shikim retrospektiv nga pozicioni i ditëve të sotme, mbi përjetimet personale të autores të cilat e kanë “goditur” kujtesën e saj.

Ky krijim i autores Rrezarta Reka- Thaqi i cili përmban edhe shkrime të paredaktuara nga ditari i saj personal, i dedikohet mbi të gjitha të rinjëve, të cilët duan dhe duhet të mësojnë për periudhën e viteve të 90-ta, me shembuj konkret e origjinal se me çfarë është përballur populli i Kosovës gjatë asaj periudhe kohore.

Kjo ceremoni promovimi, e mbajtur në një ambient të këndshëm, siç është KultPlus Caffe Gallery u hap nga poetja Vlora Konushevci, e cila tha se rrëfimet origjinale të sjellura nga autorja në fjalë janë thesare për brezat e rinjë.

“Rrezarta ka bërë një punë fantastike. Mendoj që këto rrëfime të Rrezes kanë për të shërbyer si thesar për brezat e rinj, por edhe për ne, për të përjetuar një farë çlirimi pak a shumë. Ju ftoj të gjithëve që ta lexoni librin” ka thënë Konushevci mes disa shkave të cilat i relaksuan pjesëmarrësit.

Më pas radha u la panelistes Nerimane Kamberi, e cila e çmoi lartë këtë krijmtari, siç e quajti ajo të guximshme të autores.

“Kur më ka treguar Rrezarta që po e bën këtë libër, i kam propozuar që ta lexoj edhe unë. Ne jemi takuar, kemi biseduar me Rrezartën për disa pika. Kam dhënë sigurisht sugjerime sepse është mirë që ta lexojë edhe dikush tjetër librin tënd, sepse aty mund të ketë gjëra të  cilat ti nuk i sheh, udhëhiqesh nga emocionet, nga kujtimet mashtruese”, ka thënë Kamberi, e cila e theksoi elementin e lulediellit, si pikë mbresëlënëse të cilën e ka  të përbashkët me autoren, element ky i cili i kishte ngjallur nostalgji për fëmijërinë e saj.

“Lulet e diellit i kemi pikë të përbashkët, në kuptimin që kur e kam lexuar gjatë “redaktimit” të librit episodi i lulediellit  më ka kujtuar verën, mi ka kujtuar dajtë, por nuk ma ka kujtuar luftën sepse Rrezarta në një moment në mars e kujton rrugëtimin për Shkup dhe sheh luledielli, por lulediellë nuk ka në mars. Për këtë pjesë kemi biseduar, dhe ka qenë bisedë e frytshme sepse Rrezarta dëshironte, me shumë të drejtë ta ruante këtë episod të lulediellit. Por si t’ia bënim që me kohën ishte anakronike pasi në mars nuk ka lule dielli. Kjo është edhe puna e shkrimtares që  të gjejë mënyra e metoda që ta lë imagjinatën të rroj edhe në libër” ka thënë Kamberi e cila më tutje potencoi se karakteristikë tjetër në këtë libër janë përdorimi i dy kohërave, asaj të shkuarës dhe të sotmes.

“Element tjetër që më ka tërhequr në këtë libër është edhe përdorimi i gjuhës të cilën e ka përdorur Rrezarta. Është më afër gjuhës së folur. Ne na kanë mësuar që duhet shkruar në gjuhën standarde, ashtu siç edhe vërtetë do të duhej shkruar, por mos të harrojmë që gjuha e folur është shumë më afër rrëfimit të saj, një vajze adoleshente, pastaj një vajze të pjekur”, ka thënë Kamberi duke e cilësuar librin si udhëtim në kohë përmes gjuhës, kujtimeve dhe shumë imazheve, i cili u promovua në një ditë të shënuar, siç qe 25- vjetori i Çlirimit të Kosovës.

Ndërsa panelisti tjetër, Agron Gashi, po ashtu i çmoi lartë aftësitë profesinale dhe intelektuale të autores Reka- Thaqi, e cila në mënyrë të mrekullueshme përmes katër zhanreve të shkrimit kishte arritur të rrëfente përjetimet e saj të viteve të 90-ta.

“Është një libër i mrekullueshëm i cili i ka tri apo katër zhanre brenda tij. Aq mirë i ka sintetizuar dhe aq mirë e ka shkrirë shpirtëroren, përvojën është e jashtëzakonshme. Në raste të tilla gjithmonë jam idhëtar i rrëfimeve. Lum ata që kanë çka rrëfejnë, çka tregojnë dhe mjerë ata që s’kanë çka tregojnë. Unë mendoj se gjithsecili e ka një përvojë të tillë, e ka një rrëfim në vete, çështje tjetër është se kush di ta artikuloj më mirë, kush më pak. Duke qenë që jam pjesë e shkrimeve, jam idhëtar i asaj që shkrimet sa më shumë t’i hedhim në letër” ka thënë studiuesi Gashi, i cili përmes rrëfimeve të detajuara të autores kishte pasur rast që t’i shihte “nga afër” përvojat, familjen e miqtë e saj.

“Është për ta pagëzuar Rrezartën që ka arritur që t’i hedh në letër kujtimet e saj. Një maksimë që para disa kohësh e kam lexuar thotë: Ne u kemi borxh fëmijëve rrëfimin tonë për luftën dhe për mbijetesën 10- vjeçare dhe për luftën e fundit të vitit 1998-1999, për të mos e lënë në harresë historinë e jashtëzakonshme të Kosovës, falë njerëzve të jashtëzakonshëm. Besoni që e pashë Rrezartën një njeri të jashtëzakonshëm, pashë personazhe që ishin këtu familjarë të saj, fëmijë të saj, miq të saj”, ka thënë Gashi më tej, të cilit përshtypje i kishte bërë edhe vendosja e personazheve të tjera në qendër të rrëfimeve të autores.

“Po flas për natyrën e shkrimeve dhe rrëfimeve të kujtimeve ku përveç vetes i vendos edhe të tjerët në qendër të tekstit, në qendër të rrëfimit. Ajo na evokon sidomos neve që kemi ardhur nga zona të tjera. Sot e shoh Prishtinën ndryshe. Secili prej nesh të këtij brezi të podrumeve, shkollimit paralel i kemi përjetuar. Jo vetëm që më ktheu në kohë por edhe më mësoi shumë gjëra sepse unë kam qenë në një zonë tjetër, nga rrafshi  i Dukagjinit. Në libër mësova një jetë urbane, një mënyrë krejtësisht tjetër që ma kanë rrëfyer të tjerët sepse kam arritur të vij këtu vetëm pas lufte ose vetëm në studime”, ka thënë Gashi.

Ai më tutje këtë promovim të librit e ka quajtur si dëshmi të fortë të formimit të saj intelektual.

“Mbi të gjitha është një dëshmi shumë e fortë, është një dëshmi e pjekurisë dhe formimit të saj intelektual ku shihet se përmes këtij libri, duke përmendur figura, raste, vende, qendra kryesore urbane para dhe gjatë lufte, Prishtinën, Shkupin dhe Tiranën tregon vërtetë një trajektore të jashtëzakonshme e cila ka kaluar pothuajse që është shëndrruar brenda një kohe 10- vjeçare në një golgotë shqiptare. Në një mënyrë të veçantë shihet Rrezarta edhe si përkthyese por edhe si misionare, ambasadore dhe përfaqësuese e denjë para bashkësisë ndërkombëtare e herë herë edhe në rolin e motivimit kur ka pasur të përkthej në Stankovec” ka thënë Gashi.

Ndërsa, vetë autorja Rrezarta Reka- Thaqi tha se libri  duhet ta lexohet me dritën e mbijetesës, edhe pse në të ngjarjet janë të paraqitura si sfida, pasi sipas saj qëllimi kryesor edhe në vitet e 90-ta ka qenë mbijetesa edhe pse të gjithë qenë të gatshëm për të vdekur në luftë.

“Kam menduar që s’kam për ta pasur shumë vështirë për ta shkruar sepse kam menduar që pas dy dekadave e gjysmë përfundimisht e kemi arritur paqe, pranim të gjitha përjetimeve, traumave e sfidave që i kemi kaluar. Megjithatë kur këto rrëfime i kam nxjerr në ditar, të cilat i kam ruajtur pavarësisht sa lëvizje i ka bërë në jetë, i kam ruajtur në një dollap, mirëpo të strukura gjithmonë. Kur fillova ta shkruaj librin rrëfim pas rrëfimi në momentin që u ktheja te leximet sidomos te ditarët personal, te rrëfimet e mija personale të cilat nuk janë redaktuar fare, e që kanë mbetur me atë emocion të vrazhdë, unë shpërtheja në vaj. Duhej një kohë për të qarë pak, pastaj me i fshi sytë dhe për të filluar prapë, pastaj përsëri në gjysmë të rrëfimit shpërtheja në vaj”, ka thënë autorja Reka-Thaqi duke e potencuar edhe idenë kryesore të botimit të këtij libri.

“Ideja kryesore e këtij libri është që unë dua që gjeneratat e reja të mësojnë pak më shumë për atë periudhë. Fëmijët më kanë pyetur se kur ka nisur lufta, unë nuk kam pasur një datë të saktë për të ju treguar, sepse për mua lufta ka nisur ndoshta në ditën kur unë kam lindur, për prindërit e mij edhe më herët, për gjyshërit gjithashtu. Unë kam dashur që fëmijët e mi ta kuptojnë që për ne lufta ka qenë në kulminacionin e viteve të 90-ta me aparteidin, krijimin e sistemit paralel, shpërthimin e luftës gjithsesi dhe pastaj edhe çlirimin e Kosovës Jam munduar për t’i kombinuar këto dy stile që në të njëjtën kohë me pas referencë edhe gjenerata jonë, pse jo edhe gjenerata e prindërve tanë, definitivisht edhe fëmijët edhe të rinjtë” ka thënë autorja e cila “Kampin në Stankovec” e cilësoi si periudhën më të vështirë të përjetuar, përderisa kthimin e saj në shtëpi si një moment mjaft të veçantë.

Ndërsa redaktori i librit Bekim Kupina tha se përkundër sfidave të cilat rrëfehen në libër, gjatë redaktimit nuk e kishte ndier nevojën për të qarë pasi mbi të gjitha rrëfimet e autores në thelb shpërfaqnin shpresë.

“Luledielli është një prej bimëve që e përcjellë rrotacionin e diellit. Rezja e ka filluar rrëfimin me një periudhë të trishtë, të një periudhe që fatkeqësisht unë dhe shumë prej jush e kemi përjetuar duke filluar nga segregacionit, helmimet, ndasitë nëpër shkolla, luftës, refugjatllëkut e të gjitha këto, kështuqë kur janë tipizuar të gjitha këto situata jetësore të cilat i kemi kaluar ne si popull, janë përmbyllur me simbolin e lulediellit që thash e ndjek ciklin e diellit. Dhe si përfundim autorja e ka konkretizuar punën e saj më 12 qershor. Kjo besoj është dhurata më e mirë për secilin prej nesh sepse është njëfarë memorie kolektive, jo vetëm rrëfim i Rrezes, por është rrëfim kolektiv i yni nëpër të cilin kemi kaluar”, ka thënë Kupina, i cili si vlerë e ka cekur edhe shtratin natyror të gjuhës në komunikimin e përditshëm, të cilin autorja mjeshtërisht e kishte sjellë në libër.

Pas ceremonisë promovuese, pjesëmarrësit patën rast që të marrin librin me nënshkrimin e autores Reka- Thaqi, dhe të vazhojnë diskutimet mes tyre të shoqëruar me nga një gotë verë dhe ëmbëlsira/ KultPlus.com

Specialja ngre aktakuzë kundër Thaçit e Veselit, dyshohen për rreth 100 vrasje

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli janë dy të akuzuarit e parë që do të paraqiten në Gjykatën Speciale në Hagë. 

Në njoftimin për media, theksohet se më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

“Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, thuhet në kumtesë.

Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshme nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të, siç thuhet në kumtesë, përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së.

“Besohet se z.Thaçi dhe z.Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z.Thaçi dhe z.Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Presidenti Hashim Thaçi, bashkë me Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn tentuan ta shfuqizojnë Specialen edhe në fund të vitit 2017 nëpërmjet Kuvendit të Kosovës. Nisma e orëve të mesnatës ishte kundërshtuar nga LDK-ja dhe VV-ja, atëkohë në opozitë. Pas presionit ndërkombëtar dhe kërcënimit se do të izolohen, veçmas nga SHBA-të, tre ish udhëheqësit e shtetit ishin zmbrapsur nga cytja e deputetëve për ta shfuqizuar Specialen. Më vonë Haradinaj pati thënë se, Specialen deshën ta shfuqizojnë për shkak të frikës se edhe ata do të jenë subjekt i saj. Dy prej protagonistëve- Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli tashmë janë intervistuar si të dyshuar.

Presidenti i propozon Kuvendit të shpallë Gjendje të Jashtëzakonshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që ta shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme në Kosovë në një konferencë speciale pas situatës së krijuar në vend nga Coronavirusi, shkruan KultPlus.com

“Jemi në rrethanë të papërjetuar më parë dhe si shtet duhet t’i marrim përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore. Do të ishte papërgjegjësi injorimi i realitetit të hidhur dhe mosmarrja e të gjitha masave si shtet, për preventimin e një situate edhe më të rënduar për të gjithë shoqërinë kosovare. Ky s’është grip sezonal, por virus i rrezikshëm dhe vdekjeprurës. Duhet të angazhohemi të gjithë me të gjithë potencialet që i kemi. Duke respektuar edhe Kushtetutën, edhe Ligjet, edhe përgjegjësinë morale dhe njerëzore, sonte thirra për takim në një konsultë dhe bashkëbisedim Këshillin e Sigurisë Kombëtare. I jam drejtuar kryeministrit Kurtit që ta thërret në bazë të kompetencave. U takuam, biseduam, ishte një bisedë shumë korrekte, e përgjegjshme, konstruktive dhe e nevojës për tejkalimin e kësaj situate, por edhe për ndërmarrjen e rasteve që të mos kemi më raste të tilla. Pas konsultave me kryeministrin dhe këshillin, dëshiroj të potencoj, që të mos eskalojë situata më tutje, që të tejkalohet kjo gjendje jo e lehtë, por e rëndë, kërkohet nga të gjitha institucionet, të jemi në krye të përgjegjësive tona kushtetuese dhe ligjore, prandaj atë që e theksoj sonte, nuk e kam menduar se do të mund të vijë ky moment që të deklaroj se sonte jemi të detyruar që të deklarojmë dhe të propozojmë shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme”, tha Thaçi.

Ai falënderoi mjekët, infermierët, gjithë personelin shëndetësor, për punën e pakursyer që po e bëjnë në këtë periudhë.

Thaçi falënderoi edhe Policinë, edhe ushtarët e FSK-së, dhe të gjithë njerëzit e angazhuar në përballimin e kësaj situate dhe mundësitë e ecjes më të sigurt përpara.

“Shëndeti është mbi të gjitha për ne. Tani ballafaqohemi me një të keqe që mund ta tejkalojmë vetëm bashkërisht duke u angazhuar të gjithë në përgjegjësi private. Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim maksimal për të gjithë vartësit e institucioneve që po angazhohen për ta tejkaluar këtë situatë. Është një realitet i hidhur. Pa dashur që të nxis panik, por të thërras për kujdes, vëmendje, vigjilencë dhe përgjegjësi të kujdesemi për njëri-tjetrin”, theksoi Thaçi.

Përndryshe, shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme, do të thotë shtim të kompetencave të Presidentit të Kosovës bazuar në dispozitat ligjore dhe Kushtetutën e Kosovës.

Presidenti po shqyrton mundësinë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është duke përcjellur me vëmendje të shtuar gjendjen e krijuar pas rasteve të konfirmuara me Koronavirus.

Në një përgjigjie për Klan Kosovën, thuhet  madje që në pajtim me Kushtetutën, nëse Presidenti Thaçi vlerëson të nevojshme do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në vend, njofton Klan Kosova.

”Presidenti është duke e përcjellë me vëmendje gjendjen dhe në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm. Nëse e vlerëson të nevojshme do të shpallë edhe gjendje të jashtëzakonshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit. / KultPlus.com

Presidenti Thaçi dekoron Margarita Xhepën, Tinka Kurtin dhe Zenepe Lukën (FOTO)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion të Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, të kryesuar nga kryetarja Zenepe Luka.

Presidenti Thaçi i ka falënderuar përfaqësueset e delegacionit për vizitën në Kosovë dhe u ka shprehur mirënjohje për të arriturat secilës anëtare në fushat përkatëse.

“Ky fondacion tregon më së miri për marrëdhëniet e lira kulturore që sot mund të zhvillohen në mbarë hapësirat e banuara me shqiptarë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, Kryetarja e Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, duke folur për aktivitetin e këtij fondacioni, ka thënë se janë munduar gjithnjë të promovojnë kontributin e gjithanshëm të gruas shqiptare në fushën e kulturës, shkencës, artit dhe shoqërisë.

“Fondacioni ka degë të shumta në mbarë trojet shqiptare”, ka thënë ajo.

Për kontributin e tyre në kuadër të këtij fondacioni, aktoret Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa, si dhe kryetaren e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, presidenti Thaçi i ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave./ KultPlus.com