Franca po përballet me thatësirën më të madhe që nga viti 1959, duke shënuar 32 ditë pa shi.
“Franca është në gjendje alarmi”, tha ministri i Tranzicionit Ekologjik Christian Bessou, i cili do të mbajë nesër, një takim të guvernatorëve rajonalë dhe zyrtarëve të furnizimit me ujë.
Siç deklaroi ministri, pas thatësirës dymujore të verës së vitit të kaluar, rezervat ujore janë ulur ndjeshëm dhe në disa zona duhet të merren masa që nga muaji mars që të mos shfaqen probleme të tjera gjatë sezonit të verës që vjen.
Ministri paralajmëroi francezët që kanë pishina që duhet të marrin masat e nevojshme për të kufizuar konsumin e ujit./ KultPlus.com
Evropa mund të jetë duke përjetuar thatësirën më të rëndë në të paktën 500 vjet, tha Komisioni Evropian më 23 gusht.
Ky reagim vjen teksa të dhënat e fundit shkencore kanë treguar se pothuajse dy e treta e kontinentit ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme sa i përket thatësisë apo për shkak të valëve të të nxehtit dhe mungesës së reshjeve të shiut.
Raporti i publikuar në gusht nga Vëzhguesi Evropian i Thatësisë (EDO), trup që mbikëqyret nga Komisioni Evropian, tha se 47 për qind e Evropës po përballet me temperatura të nxehta, me deficit të theksuar të lagështisë, ndërkaq 17 për qind është në gjendje emergjente dhe në këto zona, për shkak të motit, është prekur vegjetacioni.
Thatësia “duket të jetë më e rënda në të paktën 500 vjetët e fundit”, tha zëdhënësi i EDO-s, Johannes Bahrke, duke iu referuar gjetjeve të raportit.
“Ky është vlerësimi i parë dhe ne duhet ta konfirmojmë këtë gjetje me të dhënat përfundimtare që do të nxirren në fund të sezonit”, shtoi ai.
Në raport thuhet se sezoni i mbjelljes gjatë verës është prekur nga moti ekstrem, teksa rendimentet e misrit, sojës dhe lulediellit pritet të bien për 15 për qind.
Transportet ujore të mallrave, si për shembull përmes lumit Danub, janë penguar për shkak të nivelit të ulët të ujit.
Reshjet e shiut në mes të gushtit mund të kenë zbutur gjendjen me thatësinë, por në disa raste stuhitë e shiut kanë shkaktuar dëme të tjera, thuhet në raport.
Rajonet që janë goditur më së keqi nga thatësira në verë, ishin prekur nga thatësira edhe në pranverë. Këtu përfshihen Italia, juglindja e Francës dhe disa zona në Hungari dhe Rumani.
Hulumtuesit parashikojnë se temperatura të larta dhe të thata do të mbretërojnë deri në nëntor në rajonin e Mesdheut dhe Evropës Perëndimore./ REL / KultPlus.com
Liqeni Garda në Itali është një nga destinacionet kryesore turistike në shtetin përtej Adriatikut, i cili gjatë kësaj periudhe është duke përjetuar një ndryshim drastik.
Veriu i Italisë është duke përjetuar thatësirën më të madhe në 70 vitet e fundit dhe kjo gjë ka bërë që niveli i ujit të liqenin të ulet ndjeshëm, duke nxjerrë në sipërfaqe shkëmbinjtë nënujorë.
Sipas ekspertëve shtrati i shkëmbinjve, i ngjashëm me një plazh, u shfaq për shkak të mungesës së reshjeve dhe tërheqjes së vazhdueshme të ujit për të ujitur fushat bujqësore gjatë verës.
Po ashtu edhe shumë liqene dhe lumenj në veri të Italisë, po “vuajnë” nga thatësira e madhe që ka kapluar vendin prej muajsh./A2CNN/KultPlus.com
Ulja e nivelit të liqenit të Shkodrës për shkak të thatësirës ka nxjerrë në sipërfaqe një anije avullore austro –hungareze, e cila mendohet se i përket shekullit të 19-të.
Ky mjet lundrimi me gjatësi 20 metra dhe 4 metra i gjerë dëshmon se rreth 100 vjet më parë ujërat e liqenit të Shkodrës kanë qenë të lundrueshëm edhe nga mjete të mëdha, raporton ATSH.
Në gjuhën teknike ky mjet quhet Pirroskaf. Nxjerrja e saj nga uji dhe ekspozimi në bregun e liqenit, do të ishte një vlerë e shtuar për turizmin e Shirokës.
Anija është ruajtur në gjendje të mirë nën ujë dhe i vetmi dëmtim që ka pësuar është në pjesën e poshtme aty ku ka marrë edhe goditje nga një mjet shpërthyes, që i ka shkaktuar edhe mbytjen. Anija ndodhet prej vitesh nën pushtetin e barishteve dhe mbetjeve të tjera, por gjithçka është gjetur në këtë anije, i është dërguar me një raport të saktë, Ministrisë së Kulturës.
Mendohet se ajo ka qenë anije ushtarake, ndërsa prania e një avulloreje të tillë është një rast i rrallë e ndoshta unik në Ballkan. Sipas historianëve, në Itali janë disa që ruhen për turizëm. Anija avullore ushtarake që banorët e Shirokës e quajnë anija austriake, nuk është prekur asnjëherë prej tyre. Ajo ruhet në ujërat e liqenit si diçka me vlerë për të cilën duhet të kujdesen organizmat përkatës për ta kthyer në një objekt të vizitueshëm dhe me vlera historike./ KultPlus.com