Xhemile Hysenaj
Prindërit e saj kishin shkuar në Kanada si refugjatë në vitin 1991. Nëna e saj kishte parë ëndërr sikur i premtonte vjehrrës së saj se fëmijës së parë do t’ia linte emrin saj. Ajo quhej Muazez, dhe ngaqë kishte pasur fatin e keq në jetë, e ëma e Anës kishte vendosur që ta emëronte Anën, Muazana.
Këtu fillon historia e Ana Goljes, vajza shqiptare e cila tashmë ka marrë vëmendjen e medieve kanadeze përmes artit të saj skenik. Fëmijëria e saj zinte vend në një familje të lumtur dhe me plot aktivitete të ndryshme, si gara me kuaj, lojëra të ndryshme e instrumente muzikore.
Në një intervistë për KultPlus, Ana Golja ka rrëfyer më detajisht për jetën e saj si shqiptare në Kanada, rrugëtimin e saj drejt suksesit dhe mbi të gjitha, sfidat e një gruaje shqiptare në botën e artit ndërkombëtar.
‘Isha vetëm 5 vjeçe kur fillova të vallëzoj dhe mundohesha të imitoja Shirley Temple. Konkurrova për herë të parë në moshën 9 vjeçe në një film dhe këtu mora rolin tim të parë. Këtu filloi edhe rrugëtimi im në karrierën e aktrimit’, tregon Golja për KultPlus.
Rrugëtimi drejt suksesit ka gjithmonë vështirësitë e veta, sidomos kur suksesi pretendohet në një vend të huaj. Kështu ka ndodhur edhe me Ana Goljen, e cila thekson se fakti që në Kanada nuk ka ndonjë komunitet arti të fuqishëm që është shqiptar dhe që mund t’i ndihmojnë njëri tjetrit në këtë fushë, për të ka qenë dyfish më e vështirë. Madje, siç thekson tutje ajo, të qenit grua ka bërë që vështirësitë të shtohen edhe më shumë.
Ajo nuk është dorëzuar asnjëherë, ka besuar dhe vazhdon të besoj fuqishëm në potencialin e saj si artiste dhe në artin që synon t’i ofroj skenës. Përveç se një aktore tashmë e dëshmuar, Ana është gjithashtu edhe këngëtare, producente, kompozitore dhe valltare.
‘Aktrimi për mua është një mënyrë për t’u shprehur. Është një mënyrë përmes së cilës u jap jetë karaktereve të ndryshme apo personave të cilët nuk kanë një mënyrë të veten për t’u shprehur. Është mënyra përmes së cilës unë ndikoj në të ardhmen’, thekson tutje Ana Golja për KultPlus.
Filmi i parë në të cilin ka luajtur Ana Golja ka qenë ‘1-800 Missing. Pastaj ka luajtur edhe në dy shfaqje teatrale si ‘White Christmas’ dhe ‘The Sound of Music’. Përgjatë kësaj kohe ajo poashtu ka xhiruar edhe filmat televiziv si ‘Connor Undercover’, ‘What’s Up Warthogs’, ‘Full Out’ dhe më vonë edhe ‘Degrassi’ për gjashtë sezone radhazi. Së fundi, ajo ka qenë edhe pjesë e filmit ‘The Fanatic’ së bashku me aktorin e mirënjohur John Travolta, poashtu edhe në ‘Love On Ice’, ‘A Father’s Nightmare’ dhe ‘I Do Or Die’. Ndërkaq, filmi që mori vëmendje të madhe, duke i dhënë kështu Anës edhe çmimin e aktores më të mirë në ‘Lavazza Film Festival’, ishte filmi ‘The Cuban’ ku përveç se aktore, ajo ishte edhe producente e këtij filmi.
Te filmi “The Cuban”, ajo luan përkrah fituesit të çmimit Oscar, Louis Gosset Jr., dhe si producente ka fituar “Best Narrative Feature” dhe “Best Cinematography”.
‘Ka qenë një mundësi e mrekullueshme të isha edhe aktore edhe producente dhe të tregoja një ngjarje shumë personale dhe të rëndësishme për mua, pasi stërgjyshja ime kishte Alzaimer dhe dementia, kështu pata rastin që të transmetoj një mesazh tek të rinjtë, që t’i duan dhe respektojnë të moshuarit’, potencon Ana Golja për KultPlus, e cila në këtë film vjen në rolin e infermieres së re e cila u shërben pleqve në një shtëpi shëndeti.
Ana Golja tash është duke punuar si producente në projektin e dytë filmik, që trajton temën mbi sëmundjet mendore dhe sportin, dhe poashtu ka treguar se është duke punuar në albumin e saj të dytë të cilin pret ta lansojë diku rreth majit apo qershorit të këtij viti. Ndërkaq, për detajet tjera rreth këtyre dy projekteve, Ana ka vendosur që të mos i shpalos akoma.
‘Unë mendoj që aktorët luajnë një rol të rëndësishëm në ambientin shoqëror, duke përfaqësuar kështu realitetin e sotëm pikërisht ashtu siç është’, deklaron Ana Golja për KultPlus.
Ana Golja edhe pse në një moshë mjaft të re, ka arritur të korrë suksese dhe të përmbushë ëndrrat e saj, dhe për të, ky është vetëm fillimi, pasi planet e saj janë të shumta dhe ka vendosur që me shumë punë dhe shumë dashuri për profesionin e saj të mos ndalet asnjëherë. Ajo është jashtëzakonisht krenare për rrënjët e saj dhe krahas të gjitha vështirësive që ka kaluar si pjesë e komunitetit shqiptar në Kanada, ajo nuk u dorëzua kurrë.
‘Mos u dorëzoni asnjëherë, mundohuni të ndihmoni njëri tjetrit’ përfundon Ana Golja. / KultPlus.com