Tenori kosovar Rame Lahaj, në një intervistë për gazetën prestigjioze angleze, The Stage, ka folur rreth rrugëtimit jo fort të zakonshëm të tij ku si fëmijë, atë e gjeti lufta në mes të adoleshencës, kurse tani ai po planifikon të organizojë një festival në vendin e tij të lindjes, në Istog, shkruan KultPlus.
Trajnimi i tij muzikor nisi në moshën 21 vjeçare dhe tani tenori është shndërruar në një yll ndërkombëtar me suksese të njëpasnjëshme. Ndërsa, për rrugëtimin e tij të pazakontë në karrierë, dëshirën rreth hulumtimit të muzikës, realizimin e ëndrrës së madhe për të performuar në skenat më prestigjioze ndërkombëtare dhe ëndrra e radhës për të ngritur një festival operistik në vendlindje, janë këto vetëm disa aspekte të shpalosura në intervistën e dhënë për ‘The Stage’.
Lahaj e bëri këtë të ditur përmes një postimi në rrjetin social facebook, ku është shprehur mjaft i lumtur që ai ka përmbushur dekadën e tij të parë të karrierës ndërkombëtare në Operën Mbretërore të Anglisë e tutje ka treguar për ëndrrën e tij që pritet ta realizojë.
“Intervista për gazetën prestigjioze angleze, The Stage, ku folëm për rrugëtimin jo fort të zakonshëm të një fëmijë, që lufta e gjeti në mes të adoleshencës.
Se si, dëshirën për të hulumtuar rreth muzikës e filloi në moshën 21 vjeçare e deri tek realizimi i ëndrrës së madhe për të performuar në skenat më prestigjioze ndërkombëtare deri tek ëndrra e radhës për të ngritur një festival operistik në vendlindje”, shkruan Lahaj.
Tutje në dekadën e tij të parë të karrierës ndërkombëtare, gjithë suksesin ia dedikon nënës së tij.
“Krenarinë mund ta ndjejnë vetëm ata që pavarësisht vështirësive dhe sfidave të jetës kanë këmbëngulur dhe realizuar premtimin që ia kishin bërë vetës. Këtë dekade dhe debutim të rëndësishëm ia dedikoj nënës time duke ju përulur asaj dhe të gjitha nënave shqiptare për edukatën e dhënë pavarësisht periudhave të vështira që kemi kaluar”, shkruan Ramë Lahaj. / KultPlus.com