Bendi indian “The Tapi Project” rikthehet te Lumbardhi

Lumbardhi ka paralajmëruar rikthimin e bendit indian “The Tapi Project” në bashkëpunim me Ansamblin Eksperimental të Lumbardhit, të shtunën me 3 shtator, me fillim nga ora 21:00 në Kino Bahçe.

Muzika dhe poezia e Tapi Project vijnë përmes kulturave dhe nënkulturave të Indisë moderne dhe përvojave të botës moderne gjithnjë në ndryshim. Performancat e tyre të drejtpërdrejta  janë një amallgamë ku shkrihen modernja me të lashtën dhe traditat e rrënjosura në realitetin gjithnjë në ndryshim të së tashmes.

Për më tepër, muzika e Tapit është e endur si pëlhurë, e rritur në mënyrë organike nga poezitë e Jogive. Nëpërmjet zërit të fuqishëm dhe sensual të Swatit, teksti gjallërohet, duke na gëlltitur në një oqean emocionesh përmes këndimeve mbi historitë për lumenjtë, jetën e brishtë, vlerat e humbura dhe në thelb, kërkimin universal të vetvetes.

I shoqëruar nga Ansambli Eksperimental i Lumbardhit, inicuar nga Ilir Bajri, e i përbërë nga Adorel Haxhiaj, Arian Randobrava dhe Pleurat Doli, Tapi rikthehet në Prizren dhe mëton të ndërthurë ndikime të ndryshme kulturore, muzikore dhe dikotomike të jetës, nga India dhe bota e gjerë e deri te ngjyrat muzikore të Kosovës.

Së bashku, kjo bisedë zanore krijon një performancë të titulluar AIKYA, që do të thotë njëshmëri.

Performanca do të paraprihet nga një eksperiencë kulinare Kosovaro-Indiane dhe nga muzika që na përgatitë për këtë rrugëtim të veçantë me fillim nga ora 20:00.

Kjo natë mundësohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të programit LXX. / KultPlus.com