Fustani i Judy Garland nga filmi ‘The Wizard of Oz’ del muajin e ardhshëm në ankand

Është një prej kostumeve më të njohur në historinë e filmit amerikan. Atë e veshi aktorja Judy Garland në filmin klasik të vitit 1939 “The Wizard of Oz” apo Magjistari nga Ozi, ku luajti rolin e Dorotit.

Ky fustan u paraqit si i humbur për dekada me radhë në Universitetin Katolik Amerikan në Uashington, kur iu dha dikujt për të luajtur në një dramë në fillim të viteve të 70-ta.

Por, gjatë pastrimit të disa zyreve në këtë Universitet vitin e kaluar, fustani u gjet në një kuti të vjetër këpucësh. Tani ky fustan do të ekspozohet për shitje në ankand.

Ai do të ekspozohet në ankandin Bonham të artikujve klasik të Hollywood me 24 maj në Los Angeles.

Vlerësohet se fustani do të shitet me një çmim deri në $1.2 million.

Me këtë rast, përgjegjësja e Bonhem për kulturën e popullarizuar, Hellen Hall, ka thënë se tregu për artikujt e vjetër nga fusha e filmit, si psh i kostumeve, është i fuqishëm.

Ajo ka thënë se njerëzve pa dyshim se u kujtohet kur kanë parë për herë të parë filmin Magjistari nga Ozi, efektin që ka pasur ai në jetën e tyre. Filmi sipas saj veçohet për muzikë, për dialogje dhe vizualitet.

Garland gjatë filmit kishte veshur edhe disa fustane të tjerë. Hall ka thënë se katër prej tyre dihet se ekzistojnë ende, dhe dy prej tyre, përfshirtë atë që u gjet në Universitetin Katolik, kombinohet me bluzë.

Në Bonhem në vitin 2015 u shit tjetri fustan për një shumë prej $1.5 million.

Sa i përket fustanit të gjetur të Garland në Universitetin Katolik të Uashingtonit, ai  është në gjendje të mirë, veç disa pjesëve të vogla, e bluza është në gjendje më delikate.

Kjo shkollë vendosi që ta vë atë në ankand, e jo ta mbajë. Ajo planifikon që nga paratë e fituara të fillojë një program të ri filmik në departamentin e dramës./ KultPlus.com