Më 9 nëntor 1917, u ekzekutua atdhetari Themistokli Gërmenji.
Gërmenji lindi në Korçë në janar 1871. Më 1892 mërgoi së bashku me të vëllain, Telemakun, në drejtim të Rumanisë, ku punoi si çirak dhe u mor me tregti. Atje u lidh me shoqëritë patriotike “Drita” e “Dituria” dhe u përfshi në veprimtarinë e tyre atdhetare.
Pas Revolucionit xhonturk të korrikut 1908, hoteli “Liria” në Manastir që bashkëndante si pronë me Telemakun, u bë vatër e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në vitin 1911 Gërmenji u lidh me rrethet arbëreshe të Italisë, për t’u angazhuar më pas në radhët e një qendre patriotike shqiptare në Korfuz, ku u aktivizua.
Në vitin vendimtar 1912, u vu në krye të një çete luftëtarësh të armatosur që vepronte në krahinën e Korçës. Bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit dhe në vjetët 1913-1914 kreu detyra të rëndësishme në administratën e shtetit të pavarur shqiptar.
Në vitet 1916-1917 luajti rol kryesor për nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916, përmes të cilit u shpall Krahina Autonome e Korçës.
“Mos m’i lidhni sytë. Të më pushkatoni me gjoksin para dhe jo në shpinë. Skuadrës së pushkatimit ia jap vet urdhrin për zjarr”, citohet të ketë thënë patrioti Gërmenji para togës së pushkatimit, të urdhëruar prej gjyqit ushtarak francez.Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ndau në këtë përvjetor foton e Gërmenjit me Nikolla Ivanajn, njoftimi për përurimin e bustit të Gërmenjit në 10-vjetorin e ngritjes së flamurit në Korçë, propozimi i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe motivacioni për dekorimin e Gërmenjit me titullin “Hero i Popullit”. / atsh / KultPlus.com
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë, më 28 nëntor 1912, Korçën e gjeti të pushtuar nga ushtritë turke të komanduara nga Xhevat Pasha. Në këto kushte, atdhetarët korçarë nuk e ngritën dot flamurin kombëtar në qytetin e tyre siç vepruan qytetet e tjera shqiptare si: Elbasani, që e ngriti flamurin kombëtar më 25 nëntor, Durrësi më 26 dhe Kavaja, Peqini, Lushnja, më 27 nëntor. Në gjendjen e krijuar në Korçë ishte e pamundur të dërgoheshin delegatë korçarë në ngjarjen e madhe të shpalljes së Pavarësisë.
Kur filloi në Vlorë Kuvendi për shpalljen e Pavarësisë, Korça, po ashtu edhe Shkodra, në pamundësi për të dërguar delegatë, u mandatuan të flisnin e të vendosnin në emër të tyre si delegatë atdhetarët korçarë që ndodheshin aty (B. Fevziu “100 vjet”). Korça u përfaqësua në këtë kuvend nga atdhetarët korçarë të deleguar nga kolonia shqiptare e Bukureshtit, që e shoqëruan Ismail Qemalin nga Triestia në Durrës pastaj në Vlorë, si dhe nga atdhetarë të tjerë korçarë që u ndodhën në Vlorë atë ditë dhe u pranuan nga kuvendi të përfaqësonin krahinën e Korçës.
Pushtimi i Korçës nga trupat greke, mbas largimit të trupave turke, në dhjetor të vitit 1912 dhe që vazhdoi pothuaj pa ndërprerje deri në nëntor 1916, nuk lejoi ngritjen e flamurit kombëtar në Korçë në përvjetorët e 28 nëntorit të viteve 1913, 1914, 1915 dhe 1916. Por edhe gjatë këtyre viteve, pati disa episode të veçanta të ngritjes së flamurit kombëtar në disa qendra të banuara të qarkut të saj. Gjatë vitit 1914, flamuri kombëtar shqiptar nuk u ngrit dot në qytetin e Korçës së pushtuar nga forcat greke, por u ngrit në disa qendra të banuara të qarkut të Korçës. Çetat patriotike të komanduara nga Sali Butka në ofensivën për çlirimin e qarkut të Korçës nga trupat greke në janar të vitit 1914, kudo që shkonin, ngrinin flamurin.
Sipas librit M. Meço, “Panariti, gjurmë në histori”, Tiranë 2007: “Në shtëpinë e Dajlan Panaritit (lagjja ‘Janqisht’), sipas porosive të Ismail Qemalit, Gani Sali Butka, bashkë me Jaken dhe Sabriun, djemtë e Dajlanit, ngritën flamurin kombëtar në janar 1914″. Në të njëjtën kohë, flamuri u ngrit në Trebickë dhe Treskë fshatra afër Panaritit.
Në datën 2 mars 1914, sipas vendimit ultimativ të Fuqive të Mëdha dhënë Greqisë, ndodhi largimi i ushtrisë greke nga Korça dhe në qytet hyri ushtria shqiptare e qeverisë së Princ Vidit prej 250 vetash, e komanduar nga Mustafa Beu, i cili shoqërohej edhe nga oficeri holandez, kapiten Gjiraldi. Menjëherë u hoq flamuri grek dhe për herë të parë në qytetin e Korçës u ngrit flamuri i një qeverie shqiptare, i cili ishte flamuri i Princ Vidit, flamur i kuq me një shqiponjë dykrenare, por shqiponja nuk ishte e ngjashme me shqiponjën e flamurit të Skënderbeut që u ngrit në Vlorë.
Prania e trupave shqiptare të qeverisë së Princ Vidit në Qarkun e Korçës zgjati deri në datën 7 korrik 1914, kur në qytet hyri përsëri ushtria greke e mbretit Kostandin, aleate e Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë, që ngriti menjëherë flamurin grek. Periudha e shkurtër disamujore e pranisë së trupave shqiptare të qeverisë së Princ Vidit dhe ngritjes së flamurit shqiptar në Korçë, u shoqërua me përpjekjet e peshkopit grek të Korçës, Germanosit, për të ngritur flamurin e të ashtuquajturit “Vorio-Epir”. Luftime të ashpra ndodhën në qytetin e Korçës midis trupave shqiptare të qeverisë të komanduara nga holandezi, majori Shneller, si dhe “vetëdashësve” korçarë të komanduar nga Themistokli Gërmenji nga njëra anë, kundër trupave të andartëve grekë dhe grekomanëve korçarë të mashtruar nga peshkopi grek i Korçës, Germanosi, nga ana tjetër, që njihet në histori si “puçi grek” i 2 prillit.
Me ardhjen e çetave shqiptare të Kajo Babjenit dhe të atdhetarëve kolonjarë të komanduar nga Gani Sali Butka, kryengritësit u shkatërruan dhe në Korçë u ngrit përsëri flamuri i qeverisë shqiptare të Princ Vidit.
Veprimi i parë i forcave greke, kur hynë në qytetin e Korçës, në 7 korrik 1914, ishte heqja e flamurit shqiptar të Princ Vidit dhe ngritja e flamurit grek. Në mësymjen e vitit 1916, për çlirimin nga grekët të krahinës së Korçës, çetat shqiptare të komanduara nga Sali Butka, në përbërje të ushtrisë austriake, kudo që shkonin, ngrinin flamurin kombëtar shqiptar. “Qëllimi ynë është të ngremë flamurin kombëtar”, u shkruante Sali Butka banorëve të fshatrave para se t’i çlironte (S. Godo “Plaku i Butkës”). Flamuri u ngrit së pari në Panarit në 6 tetor dhe në Vithkuq, në 10 tetor 1916. Në godinën e krahinarisë së Vithkuqit u ngrit flamuri kombëtar i kuq dy pashë, me shkabën e zezë të qëndisur anash me fije ari. Gjatë pushtimit grek, flamuri ishte ruajtur si pronë e përbashkët e fshatit. Pas Vithkuqit, çetat shqiptare ngritën flamurin dhe organizuan administratën shqiptare në Lavdar dhe në Gjergjevicë, pa hasur asnjë pengesë. Duke vazhduar këtë ofensivë çlirimtare, çetat shqiptare iu drejtuan Voskopojës. Por në këtë fshat nuk ndodhi si me fshatrat Panarit, Vithkuq, Lavdar dhe Gjergjevicë. Nga informacionet që mblodhi Sali Butka, u pa që gjendja në Voskopojë ishte krejt e kundërta e Vithkuqit.
Forcat e komanduara nga Sali Butka qëndruan në rrëzë të fushës së Korçës, në vijën Vashtëmi, Melçan, Voskop, Kamenicë, Dvoran, Boboshticë. Në këtë kohë, në muajin tetor 1916 në Korçë u vendosën forcat ushtarake franceze të komanduara nga koloneli De Burnazel, i cili urdhëroi largimin e forcave greke kostandiniste dhe të funksionarëve grekë pro mbretit. Në funksion të ngjarjeve në Greqi, pas largimit të forcave pro mbretit, në Korçë erdhën autoritetet venizelliste, aleatë të francezëve dhe në Korçë u vendos prefekt zoti Argjiropull, i cili formoi menjëherë administratën civile me funksionarë grekë. Mbas pak kohe u largua koloneli De Burnazel dhe në vend të tij erdhi koloneli Dekoen.
Për interesat ushtarake franceze, me urdhër të gjeneralit Saal, komandantit të forcave aleate në Selanik, koloneli Dekoen hyri menjëherë në bisedime me komandantët e çetave shqiptare në krahinën e Korçës, për të bashkëpunuar me to me qëllim ruajtjen e qetësisë në këtë zonë. Të dy komandantët kryesorë të çetave shqiptare, Themistokli Gërmenji dhe Sali Butka, kërkuan, për këtë bashkëpunim, nga komanda franceze disa kushte, më kryesoret e të cilave ishin: Dëbimi i grekëve nga Qarku i Korçës, Vetëqeverimi shqiptar i Korçës, mbyllja e shkollave greke dhe hapja e shkollave shqipe dhe më kryesorja, ngritjen e flamurit kombëtar të Skënderbeut.
Koloneli Dekoen i pranoi të gjitha këto kushte të atdhetarëve shqiptarë dhe më datën 10 dhjetor 1916, në bazë të marrëveshjes së arritur me forcat franceze, Themistokli Gërmenji ngriti në qytetin e Korçës, për herë të parë, flamurin kombëtar shqiptar, atë flamur që ishte ngritur në Vlorë, flamurin që kishte mbajtur Skënderbeu, shkabë e zezë dykrenare në fushë të kuqe me një kordele me ngjyrat e flamurit francez. Në kuadrin e “Vetëqeverimit shqiptar”, në datën 22 dhjetor 1916, Qamil Panariti, atdhetari i shquar, shok i Themistokli Gërmenjit dhe Sali Butkës, i emëruar shef i Policisë në Bilisht, ngriti për herë të parë në këtë qytet flamurin kombëtar të Skënderbeut. Prandaj, është e pakuptueshme që në këtë qytet akoma dhe sot nuk ka asnjë shenjë që të kujtojë këtë ngjarje të veçantë dhe të rëndësishme historike, ngritjes për herë të parë të flamurit kombëtar dhe autorin e kësaj ngjarjeje, atdhetarin Qamil Panariti. Atdhetari Qamil Panariti, njëlloj si dhe bashkëluftëtari i tij Themistokli Gërmenji, u arrestua nga francezët dhe u dënua me vdekje. Ndërhyrja e patriotëve shqiptarë, që sollën avokat nga Stambolli, sidomos përpjekjet e vëllait të tij, Tefik Panariti, që ishte anëtar i Këshillit Administrativ të “Republikës Shqiptare” të Korçës, i detyroi francezët ta kthenin dënimin e tij me vdekje, në internimin e tij dhe të të tjerëve shqiptare të arrestuar në Guajanën franceze, territor francez përtej oqeanit Atlantik në kufi me Brazilin, ku Qamil Panariti u vra në vitin 1923 nga ata njerëz që i kishte luftuar tërë jetën.
Ngritja e flamurit kombëtar shqiptar në Krahinën Vetëqeveritare të Korçës, më vonë Republika Shqiptare e Korçës, vazhdoi edhe mbas abrogimit nga francezët të Protokollit të 10 dhjetorit 1916 që ndodhi në shkurt 1918. Me gjithë urdhrat e komandës franceze të Selanikut për heqjen e flamurit shqiptar nga ndërtesat qeveritare, ushtarakët francezë në Korçë, me ndjenja të theksuara pro shqiptare, e lejuan flamurin kombëtar shqiptar të ngrihej në qytet deri në vitin 1919, kur u ndalua me urdhër të prerë. Ai u ngrit në qytet për herë të tretë, për të mos u ulur më, në 26 maj 1920, në manifestimin e madh popullor që u bë në Korçë, për bashkimin e saj me qeverinë e Tiranës, të dalë nga Kongresi i Lushnjës.
Por historia e flamurit kombëtar shqiptar, që u ngrit në Korçë në 10 dhjetor 1916, nuk përfundon këtu. Kur iku nga Korça koloneli Dekoen në 1917, e mori me vete flamurin kombëtar që u ngrit në Korçë në datën 10 dhjetor 1916 dhe u tha atdhetarëve korçarë, që ai do ta kthente ditën që Shqipëria do të kishte muzeun e vet. Kur në Tiranë u krijua “Muzeu Shqiptar”, drejtori i tij, Viskë Babatasi, i kërkoi me letër Dekoenit, tani gjeneral brigade, të mbante premtimin dhe të kthente flamurin. Dekoeni pranoi dhe ia dorëzoi flamurin zotit Xhemil Dino të legatës shqiptare në Paris në dhjetor 1922. Ky flamur u dorëzua në Tiranë nga miku i Shqipërisë, zoti Justin Gotard. Prania në Muzeun e Tiranës e flamurit shqiptar që u ngrit në Korçë në 10 dhjetor 1916, jep mundësinë që i njëjti flamur të vendoset tani në Korçë në ambientet e restauruara të shtëpisë ku u ngrit për herë të parë, në 10 dhjetor 1916, duke shpallur “Vetëqeverimin shqiptar” të Krahinës së Korçës, më vonë me emërtimin “Republika Shqiptare e Korçës”/ Ing.Vladimir Dino, studiues, “Panorama”. / KultPlus.com
Sot përkujtohet 105 vjetori i ndarjes nga jeta të atdhetarit dhe luftëtarit shqiptar Themistokli Gërmenji (Korçë, 1871 – Selanik, 9 nëntor 1917).
Veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike para dhe pas Pavarësisë së Shqipërisë. Lindi në Korçë, ku mori mësimet e para. Më 1892 mërgon për në Rumani, ku punoi në fillim çirak e më pas u mor me tregti, transmeton KultPlus.
U lidh me shoqëritë patriotike “Drita” e “Dituria” dhe u përfshi në veprimtarinë e tyre atdhetare. Pas Revolucionit xhonturk të korrikut 1908 hotel “Liria” në Manastir, pronë e vëllezërve Themistokli dhe Telemak Gërmenji, u bë qendër e rëndësishme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në vitin 1911 Themistokli Gërmenji shkoi në Itali, ku u lidh me rrethet arbëreshe, pastaj kaloi në Korfuz, ku u aktivizua në një qendër patriotike shqiptare e më pas më 1912 u vu në krye të një çete luftëtarësh të armatosur, që vepronte në krahinën e Korçës.
Në vitin 1912 bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit dhe më 1913-1914 kreu detyra të rëndësishme në administratën e shtetit të pavarur shqiptar. Në shtator 1914 ai shkoi në Rumani dhe në janar 1915 në Bullgari, ku botoi revistën “Biblioteka Zëri i Shqipërisë”.
Në vitet 1916-1917 u kthye në Shqipëri, ku luajti rol kryesor për nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916, me të cilin u shpall krahina “autonome” e Korçës.
Fitoret e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e bënë Themistokli Gërmenjin objekt goditjesh nga politikanë të huaj, që mbanin qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë. Ata trilluan ngjarje të rreme për veprimtarinë e tij si “agjent” i austro-hungarezëve, në bazë të të cilave u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake franceze në Selanik dhe u pushkatua. / KultPlus.com
Një kronikë në kohën e mbretërisë, sjell të pasqyruar në gazatën lokale “Gazeta e Korçës”, kremtimin e 22-vjetorit të “Karahinës Autonome të Korçës”, më 10 dhjetor 1936.
“….Midis një entusiazmi të kulluar popullor dhe manifestimesh patriotike të nxehta u kremtua pardje të shtunën, festa kombëtare e 10 Dhjetorit, e lidhur aq ngushtë me emrin e dëshmorit të madh Themistokli Gërmenji.
Tregu ishte zbukuruar me flamure dhe shkollat kishin pushim.
Nga ora 10 para drake, megjithë që ishte ditë pazari, përpara Bashkisë filluan të mblidheshin shumica të mëdha populli. N’atë kohë arrijnë atje dhe autoritetet civile, ushtarake e fetare, duke patur në krye Prefektin z.Veli Vasjari.
Gjithë në atë orë një shumicë tjetër, e përbërë kryesisht prej nxënësve të shkollave të ndryshme të qytetit, ishin grumbulluar rreth e rrotull Monumentit të dëshmorit në kopshtin “Themistokli Gërmenji”.
Ceremonia filloi me lutjen e zakonshme në kishën e Shën Gjergjit, të kryesuar prej Hirësisë së Tij Peshkopit Evllogj. Në mbarim të lutjes Hirësia e Tij mbajti një fjalim duke ekzaltuar përpjekjet dhe sakrificat e dëshmorëve për çlirimin e Kombit.
Nga kisha, kortezhi i gjatë, që kishte në krye bandën, u drejtua për në kopshtin që nderohet me emrin e dëshmorit Themistokli. Këtu mbajti fjalimin e ditës profesori i Liceut z. Niko Stralla. Fjalimi, të cilin po e botojmë më poshtë, ishte me të vërtetë i goditur dhe u duartrokit nxehtësisht prej shumicës që kishte mbushur gjithë kopshtin dhe pjesën e bulevardit përpara monumentit.
Menjëherë pastaj banda ekzekutoj himnin mbretëror dhe atë të Flamurit që u mbuluan me brohoritje për L.M.T. Mbretin dhe për Atdhenë.
Ceremonitë u mbyllën me pritjen në Bashki të popullit…”
***
Republika Autonome Shqiptare e Korçës ishte një shtet autonom i themeluar më 10 Dhjetor të vitit 1916, nga forca lokale franceze, pas rënies së qytetit të Korçës nën kontrollin e tyre, gjatë Luftës së Parë dhe zgjati deri në vitin 1920. Më vonë u bashkuan dhe qyteti i Pogradecit, Ersekës dhe krahina e Devollit. Gjuha kombëtare zyrtare ishte Shqipja, por raportet në autoritetet Franceze bëheshin në gjuhën Frënge.
Flamuri ishte si ai i Ismail Qemalit, i shoqëruar me shiritin Francez tringjyrësh.
Prefekti i kësaj Republike ishte Themistokli Gërmenji, një patriot i shquar shqiptar, kurse President ishte askush tjetër përveç se Ismail Qemalit.
U caktuan dhe ministrat, në detyrat përkatëse dhe rezultatet e mira që patën ministritë e financës, e arsimit dhe e luftës ishin përtej pozitives.
Dhe në financën e shtetit të ri shqiptar me në krye Ismail Qemalin u mor shembulli i krahinës autonome të Korçës, të cilët ishin të lidhur fort dhe synonin bashkimin të cilin e arriten pas vdekjes.
Krahina autonome kishte policinë e saj për ruajtjen e rendit dhe mbrohej nga ushtria Franceze. U emëtuan dhe kartëmonedhat (frangat) e para Korçare, të personalizuara me simbolikat e popullsisë, në njërën anë kisha, në tjetrën xhamia.
Por, forcat greke historikisht kanë luftuar për të përpirë Korçën, Gjirokastrën dhe Himarën, nën idenë e shëmtuar të “Vorio Epirit”. Ata në të njëjtën kohë kur Korça u shpall republikë, hartuan një traktat për pavarësinë e “Vorio Epirit”.
Krahinës Autonome Shqiptare të Korçës i vjen fundi më 1920, me vrasjen e kreut të saj, Themistokli Gërmenjit, nga forcat greke në Selanik. / KultPlus.com
Sot përkujtohet 102-vjetori i ndarjes nga jeta të atdhetarit dhe luftëtarit shqiptar Themistokli Gërmenji (Korçë, 1871 – Selanik, 9 nëntor 1917)
Veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike para dhe pas Pavarësisë së Shqipërisë. Lindi në Korçë, ku mori mësimet e para. Më 1892 mërgon për në Rumani, ku punoi në fillim çirak e më pas u mor me tregti, transmeton KultPlus.
U lidh me shoqëritë patriotike “Drita” e “Dituria” dhe u përfshi në veprimtarinë e tyre atdhetare. Pas Revolucionit xhonturk të korrikut 1908 hotel “Liria” në Manastir, pronë e vëllezërve Themistokli dhe Telemak Gërmenji, u bë qendër e rëndësishme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në vitin 1911 Themistokli Gërmenji shkoi në Itali, ku u lidh me rrethet arbëreshe, pastaj kaloi në Korfuz, ku u aktivizua në një qendër patriotike shqiptare e më pas më 1912 u vu në krye të një çete luftëtarësh të armatosur, që vepronte në krahinën e Korçës.
Në vitin 1912 bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit dhe më 1913-1914 kreu detyra të rëndësishme në administratën e shtetit të pavarur shqiptar. Në shtator 1914 ai shkoi në Rumani dhe në janar 1915 në Bullgari, ku botoi revistën “Biblioteka Zëri i Shqipërisë”.
Në vitet 1916-1917 u kthye në Shqipëri, ku luajti rol kryesor për nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916, me të cilin u shpall krahina “autonome” e Korçës.
Fitoret e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e bënë Themistokli Gërmenjin objekt goditjesh nga politikanë të huaj, që mbanin qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë. Ata trilluan ngjarje të rreme për veprimtarinë e tij si “agjent” i austro-hungarezëve, në bazë të të cilave u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake franceze në Selanik dhe u pushkatua. /syri.net/ KultPlus.com
Në vigjilje të 100-vjetorit të vrasjes së Themistokli Gërmenjit, Muzeu Historik Kombëtar, organizoi një veprimtari nën logon e njohur tashmë “Një pasdite në muze” me temë: “100-vjetori i vrasjes së Themistokli Gërmenjit”.
Një patriot shqiptar si Themistokli Gërmenji, i cili në kohët e errëta të Luftës së Parë Botërore kërkonte veç lirinë e vendit të tij, ishte aq i sigurt para togës së pushkatarëve sa t’u bënte këtë kërkesë: “Mos m’i lidhni sytë. Të më pushkatoni me gjoksin para dhe jo në shpinë. Skuadrës së pushkatimit ia dha vet urdhrin për zjarr.”
Ky ishte dhe fundi i atij luftëtari, i cili inicioi krijimin e krahinës autonome të Korçës.
Ky takim shkencor i mbajtur ditën e enjte u organizua nga Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve në bashkëpunim me sektorë të tjerë ,ku referuan Dr.Dorian Koçi, Dr. Paulin Marku dhe specialisti pranë muzeut Stefan Tetollari. Në takim kishte dhe shumë të ftuar mes të cilëve dhe shumë nxënës të shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Tiranë.
Në fjalën e tij në këtë takim drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi tha se“republika e Korçës dhe aktet administrative të ngritjes së flamurit shqiptar, hapjes së shkollave shqip dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve të dy besimeve fetare në administratën franceze-shqiptare ishin veprime politike që kishin shbërë gjithë politikën ekspansioniste greke të më së 30 vjetëve në rajon”.
Ai gjithashtu shtoi se ”reduktimi i statusit të Krahinës Autonome të Korçës menjëherë pas vrasjes së Themistokli Gërmenjit dhe hyrjes së Greqisë në Luftën e Parë Botërore përkrah Antantës dëshmon se interesat greke dhe franceze përputheshin në rajon”.
Ndërsa Dr. Paulin Marku kërkues shkencor në Departamentin e Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar në Institutn e Historisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, mbajti kumtesën: “Kontributi politik i Themistokli Gërmenjit në vitet 1915-1917”.
Dr Marku do të citonte se,“Themistokli Germenji ishte për bashkimin e të gjithë trojeve shqiptare pa dallim feje e krahine. Atij nuk i interesonte se kush do ta fitonte Luftën ndër palët ndërluftuese, por ishte i interesuar që të ruhej tërësia tokësore e Shqipërisë vendosur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Themistokli Germenji shprehej se duhej luftuar për rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për këtë nuk mjaftonte vetëm lufta diplomatike por duhej ndjekur edhe rruga ushtarake me kryengritje të armatosur”, tha Dr. Paulin Marku.
Ndërsa Stefan Tetollari, specialist pranë Muzeut Historik Kombëtar, në fjalën e tij do të shtonte se, “diplomacia franceze nuk ishte dakord me nënshkrimin nga ana e ushtarakëve të tyre të një protokolli ku i jepej autonomi Korçës së pushtuar prej Armatës së Lindjes, pasi kjo binte ndesh me orientimet progreke të qeverisë së Parisit. Franca do t’i përkrahte më shumë pretendimet greke ndaj me kërkesën e qeverisë së Venizellosit ata filluan të ndiqnin dhe arrestonin patriotët kryesorë korçarë. Me akuza të sajuara u arrestua dhe udhëheqësi kryesor i lëvizjes atdhetare të Korçës Themistokli Germenji, i cili u dënua me vdekje nga gjyqi ushtarak i Armatës së Lindjes në Selanik në 9 nëntor 1917”.
Fjalimet e tre historianëve që referuan në këtë aktivitet përkujtimor u pritën me duartrokitje nga të pranishmit, nga të cilët nuk munguan as pyetje për të marrë më shumë informacion mbi këtë ngjarje, shkruan atsh./ KultPlus.com