Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë i kushtoi ditën e mërkurë një vëmendje kontributit të jashtëzakonshëm dhe personalitetit shkencor të albanologut austro-hungarez, Theodor Ippen, në kuadër të 160-vjetorit të lindjes, përmes ekspozitës së titulluar “Theodor Ippen (1861-1935)”.
Biblioteka Kombëtare sjell përmes kësaj ekspozite si thesare të vyera të studimeve albanologjike botimet shkencore, si: “Rrënoja të kishave të vjetra në Shqipëri” (1899); “Monumente të vjetra në Shqipëri” (1900); “Shcypnia : t’gnoftmé dhéshkrimtaré : t’shtumuna e t’nnrécuna” (1902); “Përmendore të grupmoshave të ndryshme në Shqipëri” (1907); “Shkodra dhe sipërfaqja bregdetare e Shqipërisë veriore” (1907); “Malet e Shqipërisë veri-perëndimore” (1908); “Krahina e Shpatit në Shqipërinë e Mesme” (1916); “Dy episode të historisë së Shqipërisë” (1927); “Kontribut për historinë e brendshme të Shqipërisë në shek. XlX” (1939); “Shqipëria e vjetër : studime gjeografike, etnografike, historike” (2002) etj.
Theodor Anton Ippen lindi më 1861, në krahinën e Bohemisë, asokohe pjesë e perandorisë austro-hungareze. Pasi kreu studimet e mesme në Pragë, u regjistrua në Akademinë Orientaliste të Vjenës, ku u diplomua më 1884. Po në këtë vit emërohet në konsullatën e Austro-Hungarisë në Shkodër.
Ai ka qenë për shtatë vjet me radhë konsull i përgjithshëm i monarkisë austro-hungareze në Shkodër (1897-1904) dhe është autor i një radhë studimesh e librash për historinë, etnografinë, arkeologjinë dhe shoqërinë shqiptare.
Vepra e tij shkencore është përqendruar thuajse e tëra mbi Shqipërinë. Studimet e Theodor Ippen-it kanë hedhur dritë në shumë aspekte të jetës fisnore të Shqipërisë së Veriut, të historisë së Lidhjes së Prizrenit etj., duke hyrë kështu në radhën e shkëlqyer të albanologëve austro-hungarezë, që fillon me Johann Georg von Hahn e vijon me Gustav Meyer, etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në sallën shkencore të bibliotekës. / KultPlus.com