Amantia, ndër thesaret arkeologjike më interesante të Shqipërisë

 Parku arkeologjik i Amantias, vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet kryesore turistike për qarkun e Vlorës. E ndërtuar në shekullin V para Krishtit, Amantia është një ndër thesaret dhe rrënojat më interesante të Shqipërisë, e pozicionuar në një kodër, në një natyrë fantastike dhe e rrethuar nga gjelbërimi.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë ndau së fundmi në rrjetet sociale disa detaje nga ky monument kulture. Nga kërkimet arkeologjike, në murin fortifikues të qytetit antik të Amantias, janë identifikuar rreth 6 hyrje.

Një pjesë e tyre, kanë qenë pajisura me korridore të mbuluara me qemer. E tillë ka qenë edhe hyrja juglindore, apo hyrja nr. 6, siç njihet në literaturë.

Njëri nga harqet e kësaj hyrje, u restaurua në vitin 1990, nga restauratori Lazër Papajani, si dhe arkeologu Burhan Dautaj. Restaurimi i dha vertikalitetin e dikurshëm hyrjes, duke e bërë të perceptueshëm monumentalitetin e saj, për vizitorët e sotshëm të parkut arkeologjik të Amantias.

Nga pikëpamja vizive, ajo është kthyer në simbol të parkut arkeologjik dhe tashmë është një nga atraksionet kryesore në itinerarin e vizitave.

Arkitektura e hyrjes e inkuadruar në një peizazh të egër malor, është një kartolinë e bukur, që fton për të vizituar parkun arkeologjik të Amantias./ atsh/KultPlus.com

Bjeshkët e Gramës, thesar i vërtetë i natyrës

Bjeshkët e Gramës janë një pjesë e mrekullueshme e Parkut Natyror Korab-Koritnik, të vendosura në mes të maleve të bukur.

Kjo zonë është një thesar i vërtetë i natyrës, me pamje të mahnitshme dhe histori të pasur.

Vëmendja e vizitorëve të këtyre anëve kapet nga fuqia e natyrës në çdo stinë, ndërsa vjeshta “vesh” me ngjyrën e artë barin e lartë të djegur nga dielli i verës duke krijuar një panoramë surreale nuancash. E verdha e livadheve, grija e majave, e gjelbra e pemëve dhe bluja e qiellit janë ndërthurje që nuk ndeshen kudo.

Bjeshkët e Gramës janë të njohura për relievin e tyre malor të lartë, me majat e tyre të mëdha që ngrihen drejt qiellit. Qëndisja e këtyre maleve është një sfidë dhe aventurë e vërtetë për ata që merren me hiking.

Nëpër këto male të larta, gjendet shumëllojshmëri e pasur e floras dhe faunës. Këtu, bimët dhe kafshët janë të adaptuara për të jetuar në kushte të vështira. Pyje të dendur, livadhe të gjelbra, lumenj kristal rrjedhin duke i dhënë peizazhit një bukuri të jashtëzakonshme.

Historia e kësaj zone është e pasur dhe misterioze. Ka shumë gjurmë dhe dëshmi të aktivitetit njerëzor që ka ndodhur këtu që nga kohërat e lashta. Hulumtuesit kanë zbuluar artefakte dhe gurë të lashtë që tregojnë për civilizime të vjetra që kanë jetuar dhe udhëhequr jetën në këto male.

Për vizitorët që vijnë në këto anë, një eksperiencë e mahnitshme është të udhëhiqen nëpër shtegtimet e natyrës, të shijojnë piknikët nën hijen e pemëve të gdhendura prej kohësh dhe të ndjehen njësh me natyrën. Ndërveprimi me këtë mjedis natyror të pazakontë është një përvojë që lë një ndikim të thellë në shpirtin e çdo vizitori.

Bjeshkët e Gramës dhe Parku Natyror Korab-Koritnik janë një dhuratë e veçantë e natyrës, një mrekulli që na fton të eksplorojmë dhe të kuptojmë bukurinë dhe pasurinë e mjedisit natyror.

Këto male të mrekullueshme dhe hijerënda janë vërtet një destinacion i pazakontë për aventurat natyrore./atsh/KultPlus.com

Gjirokastra 17 vite në UNESCO, Margariti: Jo vetëm thesar yni, por i gjithë botës

Qyteti i Gjirokastrës, i cili po tërheq gjithnjë e më shumë një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj, sot feston 17-vjetorin e hyrjes në UNESCO.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndau sot në rrjetet sociale pamje nga qyteti i gurtë si ishte dhe si është transformuar pas ndërhyrjeve restauruese në banesat karakteristike dhe rrugët turistike të tij.

“U mbushën 17 vjet qëkurse Gjirokastra, ky muze i gjallë nën qiell të hapur nuk është më vetëm thesar yni, por i gjithë botës. Në vitin 2005 u bë pjesë e listës së trashëgimisë botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s dhe dita-ditës, falë vëmendjes së qeverisë, investimeve nga buxheti i shtetit dhe me donatorë, në rrugë, në muze, pazar, objekte kulti, po del në dritë si një zonjë e madhe”, thekson Margariti.

Gjirokastra u pranua në UNESCO në korrik të 2005-ës përmes një procesi shumë mikpritës dhe dashamirës nga të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate.

Çdo fundjavë Gjirokastra mbushet plot vizitorë vendas e turistë të huaj, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit. Gjirokastra është një qytet që përbën dëshmi unike të një tradite kulturore të jetës së zhvilluar në shekujt 14-19.

Në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet. Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.

Ajo ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.

Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.

Kalaja, e ndërtuar në shek. 13, përbën zanafillën e qytetit, ndërsa pazari (shek. 17) i vendosur në qendër të qytetit ruan mirë karakteristikat e një pazari tradicional, me ndërtesa të njëpasnjëshme të shtruara me kalldrëme gurësh të zinj./ atsh / KultPlus.com