Thesaret e fshehura dhe potencialet turistike të Libohovës prezantohen në Greqi

Atraksionet turistike të qarkut të Gjirokastrës u prezantuan ditët e fundit në Janinë, Greqi, me qëllim promovimin dhe zhvillimin e turizmit dhe hartimin e një pakete të përbashkët.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Prefekturës së Janinës dhe hotelerisë, ndërsa nga pala shqiptare,  përfaqësues të institucioneve nga Qarku Gjirokastër, Dhomës së Tregtisë, bizneseve dhe operatorëve turistikë.

Në këtë aktivitet bashkia Libohovë prezantoi gjithë potencialin turistik të saj, në katër stinët e vitit.

Aktivitete dhe eksperienca  ku mund të përfshihen vizitorët, sitet arkeologjike, monumentet e natyrës, historinë, objektet e kultit,  trashëgiminë kulturore, gastronominë, mikpritjen libohovite me bujtinat e fermat të çelura rishtazi.

Në prezantim nuk mungoi as lugina e bukur e Zagorisë, që shtrihet mes malesh, me 10 fshatrat piktoreskë të saj, të vendosur në zemrën e natyrës së egër, me shtëpitë e gurta, urat mesjetare, manastiret e kishat me një bukuri të pashoqe.

Një vend të veçantë pati në prezantim edhe Parku Natyror i Zagories i pasur në florë dhe në faunë,  e si për të plotësuar gjithë ngjyrat e kësaj tabloje natyrore të pikturuar nga dora e Zotit.

Nuk mund të mungonte edhe ujëvara e Doshnicës, lumi që gjarpëron luginën për t’ju bashkuar ansamblit gurgullues të Vjosës.

Në përfundim të takimit Dhoma e Tregtisë Gjirokastër dhe Shoqata e Hotelerisë të Janinës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi.

Qarku i Gjirokastrës është një nga zonat më të pasura turistike të Shqipërisë, si në atraksione, në kulturë, histori, kulinari, natyrë dhe mikpritje./atsh/ KultPlus.com

Thesaret e AQSH-së në Muzeun Historik Kombëtar

Arkivi Qendror Shtetëror dhe Muzeu Historik Kombëtar po e intensifikojnë bashkëpunimin. Një marrëveshje e nënshkruar së fundi parashikon që në muze të ekspozohen dokumente origjinale, apo objekteve muzeale, pjesë e pasurisë së Arkivit Qendror Shtetëror.

Ekspozimi do të bëhet bazuar në një kalendar të mirëpërcaktuar për vitin 2018-të në Muzeun Historik Kombëtar. Drejtori i tij Dorian Koçi e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm vijimin e bashkëpunimit.

“E kemi filluar këtë bashkëpunim edhe më herët siç ishte ekspozita e vulave të shtetit shqiptar dhe shpresojmë të ketë edhe ekspozita të tjera për të nxjerrë në pah vlerat e trashëgimisë tonë kulturore, historike, muzeale që ndajnë dy institucionet”, tha ndër të tjera Dorian Koci.

Ardit Bido, drejtori i përgjithshëm i Arkivave, specifikon cilat nga pasuritë do të jenë objekt ekspozimi, një pjesë e të cilave për herë të parë.

“Të gjitha objektet muzeale janë përqendruar, janë bërë pjesë e sektorit të promovimit. Jemi duke zhvilluar kalendarin e ekspozimit të të gjitha pasurive” tha Bido, shkruan rtsh. Ai njoftoi se ekspozita e radhës do të jetë një koleksion i çmuar gramafonash.

“Ka pasuri që janë ekspozuar shumë rrallë, por shumica asnjëherë” u shpreh Bido.

Pak kohë pas firmosjes së memorandumit të bashkëpunimit, vjen marrëveshja e detajuar mes institucioneve për zbatimin e projekteve të përbashkëta e firmosur të mërkurën, duke përcaktuar e lehtësuar procedurat e bashkëpunimit ndërinstitucional./KultPlus.com