Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Thethi, një nga destinacionet më piktoreske të turizmit malor në vendin tonë.
Rama, në një postim në rrjetet sociale, thekson se numri i turistëve që vizitojnë një nga zonat më të bukura në vend, është gjithnjë e më shumë në rritje.
“Gjithnjë e më shumë turistë drejt Thethit, vizitorë vendas e të huaj duke eksploruar një nga zonat më të bukura në vend”, shkruan Kryeministri Rama.
Thethi është kthyer prej vitesh në një nga pikat më të rëndësishme turistike të veriut të Shqipërisë. Parku Kombëtar, i themeluar në vitin 1966, mbulon 2630 ha (26,3 km2) dhe është vendosur në qendër të Alpeve shqiptare, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luginës së Shalës. Parku është themeluar për të mbrojtur ekosisteme të ndryshme, biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit.
Organizata ndërkombëtare IUCN (Unioni për Ruajtjen e Natyrës) e ka vlerësuar Thethin si park të Kategorisë II, i vlerësuar veçanërisht si zonë e rëndësishme për shpendët e bimësinë. Në 2017 Thethi u shpall Qendër Historike e Mbrojtur.
Kryesisht turistët e huaj që vizitojnë Thethin, preferojnë të përshkojnë një shteg që kalon në lartësinë 1795 m, për të shkuar në Valbonë ose anasjelltas. Ndërsa fshati shtrihet në lartësinë 850 metra mbi nivelin e detit. Si shumica e Alpeve Shqiptare, parku mbizotërohet nga shkëmbinj gëlqerorësh dhe dolomitesh.
Për shkak të zonës së tij të kufizuar, parku karakterizohet nga një florë shumë e larmishme, me vlerësime që variojnë midis 1500 dhe 1650 specie bimësh, midis të cilave 70 specie janë të rrezikuara. Ekzistojnë tre lloje të pyjeve që gjenden në park. Kati i lisit shtrihet nga një lartësi prej 600 metrash deri në 800 metra, kati i ahut që është i mbuluar kryesisht me ah të zakonshëm, bredh argjendi dhe sikor, midis 900 metra dhe 1900 metra dhe kati alpin që shtrihet nga 1900 deri në 2300 metra.
Vitet e fundit, në Theth janë shtuar strukturat mikpritëse. Në shumicën e rasteve, jane kullat e vendasve të kthyera në bujtina, që kanë pritur vizitorë nga të gjitha anët e globit.