Thethi, parku i preferuar i mbi 5 mijë turistëve vendas e të huaj

Mbi 5 mijë turistë vendas e të huaj zgjodhën si destinacion gjatë muajit korrik parkun Kombëtar të Thethit.

I ndodhur 70 km larg Shkodrës, ky park vitet e fundit po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Në këto ditë të nxehta vere sidomos në fundjavë shumë turistë vendas, por edhe të huaj preferojnë të zgjedhin Thethin, për të shijuar natyrën e bukur, ajrin e freskët dhe ushqimet bio të zonës.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Shkodër, Agim Dardha tha për ATSH-në se gjatë muajit korrik Thethi pati një rritje të numrit të turistëve, ku mbi 5 mijë vizitorë vendas e të huaj shijuan bukuritë e tij”.

Sipas tij, gjatë ditëve ka patur rreth 300 turistë në ditë, ndërsa në fundjavë mbi 500 turistë.

“Veçori këtë vit është se mbi 60-70% e turistëve janë vendas. Vetëm në korrik qendrën turistike të Thethit e vizituan 1300 turistë”, – tha Dardha.

Pikat kryesore që vizitohen jane Monumenti e Natyrës si Syri Kaltër, vaskat në Ndërlysa. Ujëvara e Grunasit, kanioni i Grunasit, shtegu Theth-Valbonë, shpella e Arapit, Shtegu i Bjeshkëve të Namuna etj.

Thethi gjendet në mes të Alpeve në veri të Shqipërisë, 70 km nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet, Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit. Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.

Thethi është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë. / ATSH / KultPlus.com

54 vite nga shpallja e Thethit Park Kombëtar, perla natyrore e Shqipërisë

Sot, 54 vite nga shpallja e Thethit Park Kombëtar, zakonet, traditat, mitologjia me heronj dhe zana janë ato që ende e përfaqësojnë këtë mrekulli natyrore të fshehur mes malesh.

Parku Kombëtar i Thethit është një nga destinacionet më të preferuar të turistëve vendas dhe kryesisht të huaj dhe është konsideruar një nga perlat turistike të turizmit malor në Shqipëri.

Parku Kombëtar i Thethit ndodhet në pjesën qendrore të Alpeve të Shqipërisë, ndërmjet bllokut të Bjeshkëve të Namuna në perëndim dhe bllokut të Jezercës në lindje.

Zakone, tradita, mitologji me heronj dhe zana janë ato që ende e përfaqësojnë këtë mrekulli natyrore të fshehur mes malesh.

Me vendim të qeverisë asaj kohë në vitin 1966 zona malore e Thethit me sipërfaqe 2630 ha, nga e cila 1680 ha pyje dhe pjesa tjetër kullota dhe sipërfaqe shkëmbore, shpallet “Park Kombëtar”.

Parku Kombëtar i Thethit ka një hidrografi shumë të pasur alpine me rreth 80 burime ujore si rrallë kund, po ashtu ujëvarat e Thethit janë një tjetër mrekulli natyore si Ujëvara e Grunasit, Ujëvara e Gjeçajve, apo Kanioni i Grunasit, Syri i Kaltër, Vaskat e Gurit etj, cilët gëzojnë statusin “Monument Natyre”.

Trashëgimia kulturore dhe historike është një tjetër aset i jashtëzakonshëm që ja shton vlerat këtij parku  për këtë, qeveria në 2017 ka miratuar shpalljen e fhsatit Theth “Qendër Historike e Mbrojtur”.

Vlerat e larta natyrore të florës dhe faunës, janë në një larmishmëri, ku, vlen të përmenden bimët enedemike

Fauna e parkut është e pasur dhe e larmishme, ka rreth 20 lloje gjitarësh, 50 lloje shpendësh folenizues, afro 10 lloje zvarranikësh dhe rreth 8 lloje amfibësh.

Por, sa ka ndryshuar parku që nga dita 21 nëntori i vitit 1966?

Kanë ndryshuar shumë gjëra aq edhe sa kanë mbetur të njëjta në të njëjtën kohë. Bumi i madh i ndryshimeve ndodhi pas viteve ’90 ku u duk se fshati do të shpopullarizohet dhe braktiset kopmplet, arriti aq sa me gishtat e njërës dorë mund të numëroje banorët e një fshati, sidomos gjatë periudhës së dimrit.

Sot, dhjetëra të rinj janë kthyer nga emigracioni, kanë investuar dhe po zhvillojnë turizëm të mirëfilltë. Ajo që ndër shekuj është përcjellë si vlerë, mikpritja, sot ju sjell edhe të ardhurat kryesore./atsh/ KultPlus.com

Thethi shënon rekord të vizitorëve këtë vit

Sipas statistikave të nxjerra nga Administrata e Zonave të Mbrojtura (AdZM) Shkodër, që mbulon Parkun Kombëtar të Thethit, vlerësojnë se Parku Kombëtar i Thethit, ka qenë tepër i vizitueshëm këtë vit turistik.

Në park janë futur rreth 80 mijë turistë. Nga këta, 39000 janë vendas dhe rreth 41000 janë turist të huaj.

Ka një diferencë midis vizitorëve të huaj dhe atyre vendas. Kjo për arsye se Thethi, nëpërmjetë mediave është prezantuar si një destinacion i rrallë turistik ku ndërthuret natyra e bukur me reliev malor, me burimet ujore, me historinë dhe etnokulturën epike të zonës.

Vizitorët kanë qenë vendas, të ardhur nga Kosova, por edhe nga mbarë Europa kryesisht ajo Lindore.

Turistë të shumtë kanë ardhur dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Në bukuritë e rralla të vendit tonë, Thethi pa dyshim zë vend kryesor.

Ai gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre male Radohima, Sheniku dhe Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. / KultPlus.com