Përderisa racizmi frymonte qysh moti brenda llojit njerëzor, Micheal Jakson që në vitin ‘95 nëpërmjet artit të tij muzikor protestonte kundër këtij fenomeni famëkeq me këngën “They don’t care about us”, shkruan KultPlus.
Kënga e pestë në kuadër të albumit “History: Past, Present and Future, Book I” dhe e publikuar më 16 qershor të vitit 1995, protestonte për padrejtësitë që iu bëheshin njerëzve me ngjyrë, teksa fatkeqësisht këto nuk janë ndalur as sot.
Së fundmi, kjo këngë është sjellur në një version të ri, duke shtuar brenda videos pamje nga qytete të ndryshme të botës, në të cilat protestohej kundër racizmit. Parisi, Nju Jorku, Madridi, Helsinki, Roma, Los Angelesi, Berlini janë disa nga to.
Teksti i kësaj këngë që është aktual edhe sot përmban një mesazh të fuqishëm, duke e përmbushur tejet shumë funksionin edukues të muzikës. Vet titulli simbolik përçon indiferencën e të tjerëve për njerëzit me ngjyrë, teksa përbrenda këngës revoltohet duke thënë se as rrahja, urrejtja dhe keqtrajtimi ndaj tyre nuk do t’i bëj të thyhen kurrë shpirtërisht.
Përgjatë këngës, personi pavarësisht dashurisë që merr nga familja e tij, portretizohet si viktimë e brutalitetit të policisë, e urrejtjes dhe është përherë në tentim të përdhosjes së krenarisë së tij.
Videoklipi origjinal i kësaj këngë u xhirua në Pelourinho, të Brazilit dhe e dyta në një burg, duke përmbajtur video të referencave të shumta për abuzimet e të drejtave të njeriut.
“They don’t care about us” u bë hiti në top dhjetëshe në të gjitha vendet evropiane dhe arriti në numrin një në toplistat muzikore në Republikën Çeke, Gjermani, Hungari dhe Itali. Në SHBA, kënga arriti kulmin në numrin 30 në Billboard Hot 100./KultPlus.com