Presidentja Osmani: Është akt patriotik që secili prej nesh të vaksinohet sa më parë të jetë e mundshme

Presidentja Vjosa Osmani ju ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të vaksinohen, nën vazhdën e valës së rritjes së numrit të rasteve të të infektuarve me koronavirus, përcjellë KultPlus.

Ajo me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka përkujtuar rrezikshmërinë e variantit Delta të koronavirusit, derisa e ka cilësuar vaksinimin si “akt patriotik”.

“Vaksina ka mjaftueshëm për të gjithë, ndaj duhet të ndajmë pak minuta nga dita për ta bërë një veprim, i cili në kohën e sotme është më shumë se sa personal”, ka shkruar Osmani.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të saj:

Rritja e numrit të të infektuarve me variantin Delta kërkon shtimin maksimal të kujdesit, sepse po s`u vaksinuam të gjithë, të gjithë do të jemi humbës. Secili prej nesh ka përgjegjësi në raport me tjetrin për t`i zvogëluar dhimbjet, e para se gjithash humbjet.

Teksa shqetësimi për variantin e ri të virusit rritet, ne duhet t`i shtojmë përpjekjet për vaksinim. Është akt patriotik që secili prej nesh të vaksinohet sa më parë të jetë e mundshme. Vaksina ka mjaftueshëm për të gjithë, ndaj duhet të ndajmë pak minuta nga dita për ta bërë një veprim, i cili në kohën e sotme është më shumë se sa personal.

Për të mirën e të gjithëve, për sigurinë tonë, për mbarëvajtjen e shtetit tonë, vaksinohuni të gjithë!

Ne duhet dhe mund të ngadhënjejmë ndaj çfarëdo virusi!

Vaksinohuni! / KultPlus.com