Nënat e personave të pagjetur nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, janë takuar me liderët e tri institucioneve kyçe të Kosovës, të cilët garantuan se do të punojnë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Presidentja Osmani tha se të pagjeturit janë plagë e përbashkët, duke premtuar gjetjen e tyre.
“Për institucionet e reja gjetja e më të dashurve tuaj – vajzave dhe djemve të cilët tashmë janë të të gjithë Kosovës, është prioritet. Përkushtohemi dhe ju premtojmë se do të punojmë pandërprerë që t´i gjejmë ata sa më parë të jetë e mundur”, ka theksuar Osmani.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se do ta sigurojnë drejtësinë e vonuar së bashku.
“Ashtu si deri me tani, ne të gjithë e ndajmë dhimbjen me ju. Ju keni dhënë më të dashurit tuaj dhe keni bërë sakrificën më sublime që ne sot të jemi të lirë. Andaj, do të punojmë së bashku për të siguruar drejtësinë e vonuar”, ka theksuar Kryetari Konjufca.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti premtoi angazhim maksimal për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Dhimbja dhe ankthi që ju përjetoni janë të pakrahasueshme. Ne do të punojmë vazhdimisht për të garantuar të drejtën tuaj për të ditur për fatin e më të dashurve tu”, është shprehur Kryeministri Kurti.
“Të tre liderët institucionalë, garantuan se do të vazhdojnë të jenë pranë nënave dhe familjarëve të personave të pagjetur dhe se prioritet i tyre do të jetë zbardhja e fatit të tyre si një parakusht për sigurimin e drejtësisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.
Ndërkaq, Nusrete Kumnova nga kjo shoqatë shprehi shpresën dhe pritjet që kanë nga institucionet e vendit që të punohet në zbardhjen e qindra të zhdukurve nga lufta në Kosovë.
“Të gjithë i kemi shpresat dhe pritjet e mëdha dhe po presim me padurim që të punohet e të veprohet prej së vërteti për të adresuar nevojat dhe kërkesat e nënave dhe familjareve të personave të zhdukur”, ka thënë Kumnova. / KultPlus.com