Flonja Haxhaj
Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në Galerinë e këtij institucioni u hap mbrëmë ekspozita e titulluar ‘Thurje kosovare’, shkruan KultPlus.
Ekspozita e ideuar nga artisti Luan Mulliqi dhe e kuruar nga Eliza Hoxha, paraqet punime të grave artiste brenda dhe jashtë Kosovës, me qëllim që gratë kosovare të kenë vëmendjen e merituar për punët e tyre artistike dhe konceptuale.
Kjo ekspozitë synon ta zgjerojë perspektivën me qëllim që të hidhet dritë mbi punën e grave dhe për t’iu dhënë një mundësi atyre që diskutimin dhe dialogimin, përmes punës së tyre artistike ta vendosin në një nivel tjetër, shkruan KultPlus.
Për t’ia shtuar edhe më shumë veçantinë e kësaj mbrëmje që kishte mbledhur shumë artdashës, ansambli ‘Zanat’ nën shoqërimin në piano të Edon Ramadanit interpretuan para pjesëmarrësve këngët ‘Kur një ditë të kthehesh ti’, ‘Perëndeshë e bukurisë’ dhe ‘O moj bukuroshe’.
Kuratorja e kësaj ekspozite, Eliza Hoxha, e cila ka paraqitur edhe një nga veprat e saj në këtë ekspozitë, shprehet e lumtur që i është besuar përzgjedhja e grave artiste, punimet e të cilave, përmes një logjike të caktuar konceptuale, Hoxha i ka paraqitur në ‘Thurje kosovare’.
“Ideja themelore ka qenë që të hedhim dritë pak më shumë mbi punën e grave artiste, ta zgjerojmë këtë hapësirë që t’i sjellim bashkë për t’u ballafaquar dhe konfrontuar për temat që besojnë, por edhe në atë që ndoshta nuk i kuptojnë, nganjëherë edhe me njëra-tjetrën, për ta zgjeruar zemrën dhe kufijtë tanë në fuqizimin e njëra tjetrës.”, deklaroi Hoxha.
Ajo më tutje flet edhe për emrin e ekspozitës, duke treguar se ky emër është vendosur për shumë arsye por që zanafillën e ka në historikun e grave shqiptare në kreativitetin e tyre në thurjet e veshjeve të shumta, në kreativitetin e tyre në aspektin estetik të shtëpisë, qëndisjes dhe në prodhimtarinë kryesore të veshjeve.
“Por në një moment tjetër bashkëkohor kur shoqëria hapet, krejt këto cilësohen si punë dore, ose si punë të rendit të dytë ose zanate dhe përjashtohen nga skenat ekspozuese dhe skenat e vlerësimit, dhe është e çuditshme se si sot, në skenën bashkëkohore, në dinamikat e reja, kur ne i kthehemi traditave në aspektin e post-modernes, kur ne hulumtojmë traditat tona dhe traditave të tjera, dhe janë prapë burrat që i marrin këto krijimtari të grave dhe i kanë prapë gratë në sfond për t’i krijuar disa veprave përmes thurjes përmes endjes dhe koncepteve të tjera konceptuale”, thotë Hoxha për KultPlus duke vazhduar se kjo ekspozitë, mund të shërbejë si një momentum ku gratë vlerësohen për punët që bëjnë.
Kuratorja Hoxha foli edhe për përzgjedhjen e grave artiste, punimet e të cilave janë paraqitur në këtë ekspozitë.
“Jam munduar që të përzgjedh gjinitë e ndryshme, grupmoshat e ndryshme por që më së shumti aspekt përcaktues ka qenë aspekti tematik i veprave të një artisteje. Ka edhe të tjera artiste që i kam pasur në mendjen time, thjesht nuk është se janë më pak të mira ose më pak kreative, ka qenë thjesht një aspekt konceptual që brenda një hapësire të ketë disa pyetje, të ketë disa qëndrime që vetë gratë për veten e tyre i sjellin në vëmendjen e tjetrit, ngrehin një temë, mundohen ta thyejnë një tabu edhe bëjnë ca pyetje edhe për veten edhe për të tjerët” , tha ajo për KultPlus.
Një ndër pjesëmarrëset në këtë ekspozitë, Zake Prelvukaj, flet për KultPlus duke përshëndetur fillimisht iniciativën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, iniciatorin dhe kuratoren për krijimin e kësaj ekspozite.
“Përzgjodha ta paraqes një punë e cila i përket tranzicionit të hershëm pas luftës së Kosovës, atëherë kur gjithçka ishte asgjë dhe copëzat e asaj kohe ‘Ëorld ghetto’ dhe ‘Ghetto art’ në Prishtinë janë bashkëdyzuar, sepse në atë kohë kam ndjerë tranzicion, që e ka e gjithë bota në mënyrën e saj, qoftë ekonomik, politik, shpirtëror, optik dhe fizik”, u shpreh Prelvukaj.
Ndërkaq veprat e të gjitha artisteve që u paraqitën në këtë ekspozitë janë: Alije Vokshi, Alketa Xhafa-Mripa, Arta Agani, Argenita Fetahu, Arjeta Mala, Arlinda Hajrullahu, Blerta Syla-Surroi, Eliza Hoxha, Fitore Berisha, Haveit, Kaltrina Hoda, Lala Meredith-Vula, Laura Sllamniku-Kryeziu, Lyra-Zajmi, Magbule Xhemaili, Marigona Ademi, Mjellma Goranci-Firzi, Shqipe Kamberi, Teuta Alaj-Pula, Valdeta Veliu-Vuçitërna, Violeta Xhaferi, Zake Prelvukaj dhe Zana Ramadani.
Kujtojmë që ekspozita ‘Thurje kosovare’ do të jetë e hapur për një muaj në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve, e pas kësaj, organizatorët planifikojnë që atë ta prezantojnë edhe në vende të tjera të Kosovës e për të vazhduar më pas edhe jashtë kufijve shtetërore./ KultPlus.com