Sot janë bërë 22 vite prej kur ka filluar Beteja e Koshares, e cila qëllimin kryesor e kishte për ta thyer kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku edhe thyerja e tij u arrit më 9 prill të vitit 1999, duke shënuar edhe fitoren më të fortë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përballë forcave serbe.
Ky 22 vjetor i Betejës së Koshares i bëri bashkë tre krerët institucionalë. Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Galuk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti vendosën kurora lulesh dhe bënë homazhe te kompleksi Memorial “Dëshmorët e Koshares”. Të tre vlerësuan rëndësinë e kësaj beteje për çlirimin e vendit dhe thanë që themelet e shtetësisë burojnë edhe në këtë vend.
E para e shtetit, Vjosa Osmani tha se është borxh i institucioneve që sakrificën sublime të dëshmorëve ta shndërrojnë në forcim të shtetit.
Më poshtë po ju sjellim publikimin e plotë të Osmanit:
Thyerja e kufirit me Shqipërinë në Koshare nga Brigada 138, nën udhëheqjen e Agim Ramadanit e Sali Çekajt, 22 vjet më parë ishte kambana e lirisë.
Nga 9 prilli i vitit 1999 e deri më 10 qershor, në këtë vend si askund tjetër, trimat e kësaj Brigade, i dhanë goditjen përfundimtare regjimit gjenocidal serb, i cili në këtë datë shënoi kapitullimin.
Në këtë ditë nuk u hoq vetëm një gur kufiri, por u hoq edhe një pengesë emocionale ndërmjet motrave e vëllezërve në Kosovë e Shqipëri.
Liria mori kuptim kur trimat e Brigadës 138, e vulosën përfundimisht lirinë tonë, shtruan bazament të fortë për të ardhmen, shtetin dhe kujtesën historike.
Kësisoj Kosharja u shdërrua dhe vazhdon të jetë pelegrinazh lirie.
Aty u bashkuan trimëria me mendjen, sakrifica me idealin dhe përjetësia me lirinë!
Sot, përkulemi me dinjitet para varreve të këtyre trimave, të cilët mbrojtën dinjitetin, ekzistencën dhe trashëgiminë tonë!
Testamentin e tyre për shtetin do ta përmbushim çdo ditë, me përkushtim maksimal, për të ardhmen e brezave!
Nuk ka më gurë ndërmjet nesh, por ka veç rrugë, ka integrim, ka bashkëpunim ndërvëllazëror dhe kultivim të shpirtit liridashës!
Lavdi dhe kujtim i përhershëm për të gjithë ata që ranë për lirinë tonë! / KultPlus.com