Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar koalicion të shteteve demokratike kundër autokracive, siç janë Serbia e Rusia. I pari i ekzekutivit kosovar mori pjesë në panelin diskutues të organizuar nga “The Economist” në Greqi, me temë “Thellimi i Solidaritetit: Si mundet Evropa të dalë më e fuqishme nga trazirat aktuale gjeopolitike?”
Në fjalën e tij, Kurti theksoi se momenti aktual, kërkon mbështetje të palëkundur për demokracinë dhe mbrojtësit e saj. “Ne duhet të bashkohemi, si forcë që kundërshton elementet destabilizuese që përbëjnë një kërcënim të madh për demokracinë. Demokracia është një realitet konkret për ne, megjithatë janë edhe kërcënimet e paraqitura nga autokracitë, kryesisht Serbia, të ndihmuara dukshëm nga aleanca e saj me Putinin. Regresioni i Serbisë nga demokracia dhe agresioni ndaj Kosovës, janë shënuar me veprime të tilla si kapja e shtetit në vend dhe shtypja mediatike, që më pas u përshkallëzua në kërcënime ndaj vendit tim. Siç është tipike për vendet joliberale, ajo (Serbia, v.j.) shmang përgjegjësinë për të kaluarën e saj të errët të afërt, duke përfshirë aktet e gjenocidit, dhe në vend të kësaj zgjedh ta lavdërojë atë”, tha ai.
Sipas Kurtit, përtej çështjeve historike, rajoni verior i Kosovës, është shfrytëzuar si qendër për trafikun e drogës, kontrabandën e armëve dhe minierat e kriptomonedhave.
“Këto aktivitete bien ndesh drejtpërdrejt me sundimin e ligjit dhe vlerat demokratike që përfaqëson Kosova. Ne punojmë për të ndërtuar veten, duke u përpjekur për sukses të vërtetë demokratik, ndërsa Serbia si një vend joliberal përpiqet ta mbysë këtë progres, duke përdorur taktika të përdorura shpesh nga figura si Putini”, tha ai.
Shefi i qeverisë tha se më 24 shtator, agresioni ndaj Kosovës kulmoi me trupat e armatosur paraushtarake që ishin trajnuar në bazat zyrtare ushtarake në Serbi, të cilët hyrën në Kosovë dhe hapën zjarr ndaj forcave të policisë, duke vrarë një nga policët e Kosovës.
“Në të njëjtën kohë, Serbia u angazhua në atë që SHBA e përshkruan si një ngritje ushtarake “të paprecedentë” përgjatë kufirit tonë. Në ditët që pasuan, një sasi e konsiderueshme provash tregonin përfshirjen dhe planifikimin e një pushtimi më të madh nga vetë shteti serb. Ky fakt ishte i vetëkuptueshëm, pasi asnjë grup civilësh nuk mund të grumbullonte një armatim të tillë dhe ta transportonte atë përtej kufijve pa të paktën mbështetjen e heshtur të një qeverie. Agresioni pushoi jo për shkak të dëshirës për t’u tërhequr, por për shkak se ishte manovruar strategjikisht. Që atëherë, ne kemi mbetur të pyesim për vazhdimet e mundshme të këtij sulmi”, tha tutje Kurti.
Kurti ka thënë se është i gatshëm t’i zbatojë marrëveshjet e arritura nëkuadër të dialogut në Bruksel, por sipas tij është Serbia, e cila heziton ta bëjë një gjë të tillë, pasi përmbajtja e marrëveshjeve të arritura në Bruksel e Ohër “është njohje de facto”.
Ai ka folur edhe për zhvillimet e fundi në lindjen e mesme. “Ndërlidhja e botës sonë nuk ka të bëjë vetëm me ndarjen e sukseseve të njëri-tjetrit, por edhe me kuptimin e efekteve të valëzuara të krizave në shkallë globale. Merrni, për shembull, konfliktin Izrael-Hamas pas sulmit terrorist të Hamasit dy javë e gjysmë më parë. Është një kujtesë e fortë se problemet nuk respektojnë kufijtë; ato i kapërcejnë kombet dhe kontinentet. Sot, fuqitë autoritare kërkojnë të përdorin këtë ndërlidhje për të çuar më tej ndikimin e tyre. Ka forca aktive që punojnë për të destabilizuar sigurinë dhe sigurinë e vendeve në afërsi të tyre, dhe jo vetëm”, tha ai./rtk/KultPlus.com