Për herë të parë në histori, ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike do të mbahet në lumë. Lumi Sena në Paris do të jetë skena e këtij eventi madhështor, ku pritet të marrin pjesë rreth 300 mijë tifozë.
Kjo ceremoni unike do të jetë një spektakël i papërsëritshëm, duke shënuar një fillim të jashtëzakonshëm për Lojërat Olimpike Paris 2024.
Ceremonia hapëse, e cila do të mbahet më 26 korrik, do të përfshijë një parade madhështore nëpër lumë, me sportistë që lundrojnë përgjatë Senës në anije të zbukuruara.
Parakalimi i sportistëve do të nisë nga ura Austerlitz dhe do të përshkojë 6 kilometra, duke kaluar pranë disa prej monumenteve më të famshme të Parisit, si Kopshti i Bimëve, Invalides, Pallati i Madh dhe Kulla Eifel, për të përfunduar te Trocadéro ku do të mbahet finalja e ceremonisë.
E pjesë e këtij parakalimi do të jenë edhe sportistët e ekipit olimpik të Kosovës, të cilët me krenari do të prezantohen me flamurin shtetëror.
Për ata që nuk do të kenë mundësinë të jenë të pranishëm fizikisht në Paris, ceremonia hapëse dhe një maratonë e tranmetimeve të garave olimpike ju pret në ekranin e Radiotelevizionit të Kosovës.