Qeveria e Kosovës sot do të mbajë mbledhjen e 211-të, me fillim nga ora 14:00.
Njëra ndër pikat e kësaj mbledhje pritet të jetë shqyrtimi për ndalimin e TikTokut në të gjitha institucionet shtetërore, njofton Klankosova.tv.
“Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të Rrjetit Social “Tik Tok” në të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në dokumentin e qeverisë.
Aplikacioni i transmetimit të videove në pronësi kineze, TikTok, thotë se do të ofrojë postime edhe vetëm me tekst.
Platforma thotë se funksioni i ri u jep përdoruesve “një mënyrë tjetër për të shprehur veten”.
“Në TikTok, ne jemi gjithmonë në kërkim për të fuqizuar krijuesit dhe komunitetin tonë me mjete inovative që frymëzojnë vetë-shprehjen. Sot ne jemi të emocionuar të njoftojmë zgjerimin e postimeve me tekst në TikTok, një format i ri për krijimin e përmbajtjes së bazuar në tekst që zgjeron opsionet për krijuesit për të ndarë idetë e tyre dhe për të shprehur kreativitetin e tyre. Me postimet me tekst, ne po zgjerojmë kufijtë e krijimit të përmbajtjes për të gjithë në TikTok, duke i dhënë krijimtarisë së shkruar që kemi parë në komente, titra dhe video një hapësirë të dedikuar për të shkëlqyer”, thuhet në njoftimin e aplikacionit, shkruan KosovaPress.
Sipas TikTok-ut, postimet me tekst ofrojnë një përvojë të thjeshtë publikimi që e bën më të lehtë se kurrë shpërndarjen e përmbajtjes së tekstit.
Ja se si funksionon:
Krijimi i një postimi me tekst
Kur hyni tek kamera, do të keni mundësi të zgjidhni nga tre opsione: foto, video dhe tekst. Duke zgjedhur tekstin, do të drejtoheni në faqen e krijimit të tekstit, ku mund të shkruani përmbajtjen e postimit tuaj.
Përmirësimi i postimeve tuaja me tekst
Me të arritur në faqen Post, do të gjeni opsione të njohura për të personalizuar përmbajtjen tuaj. Këto përfshijnë shtimin e Muzikës, etiketimin e vendndodhjes, aktivizimin e komenteve dhe lejimin e dueteve, ndër të tjera. Këto veçori e bëjnë atë që postimet tuaja me tekst të jenë po aq dinamike dhe interaktive sa çdo postim video ose foto./KultPlus.com
Numri i njerëzve në mbarë botën që informohen nëpërmjet gazetave apo tv ka rënë me 10% që nga viti 2018. Grupmoshat më të reja preferojnë të aksesojnë lajmet përmes mediave sociale, sipas një raporti të publikuar të martën.
Përdoruesit janë më të interesuar për personat e famshëm, influencuesit dhe personalitetet që shfaqen në rrjetet sociale, në platforma të tilla si TikTok, Instagram dhe Snapchat, sipas Institutit Reuters për Studimin e Gazetarisë në Raportin e tij vjetor.
TikTok është rrjeti sociale me rritjen më të shpejtë i paraqitur në raport, i përdorur për informacion nga 20% e përdoruesve të moshës 18 deri në 24 vjeç, 5% më shumë nga viti i kaluar. Më pak se gjysma e të anketuarve shprehën një interes të madh për lajmet në përgjithësi.
“Nuk ka asnjë arsye për të shpresuar që të lindurit në vitet 2000 do të fillojnë papritur të preferojnë faqet e vjetra të internetit, aq më pak lajmet e shtypit dhe televizionit”, theksoi drejtori i Institutit në raport, Rasmus Nielsen. Raporti u bazua në një anketë në internet me afro 94,000 të rritur në 46 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më pak se 1/3 e të anketuarve thanë se një mënyrë e mirë për të qëndruar të informuar është përmes lajmeve të zgjedhura nga algoritme dhe jo nga redaktorët apo gazetarët. Besimi në lajmet ka rënë me 2% gjatë vitit të kaluar, duke përmbysur fitimet e vërejtura në shumë vende në kulmin e pandemisë së koronavirusit.
Mesatarisht, 40% e të anketuarve thanë se i besojnë shumicës së lajmeve që ata lexojnë. Shtetet e Bashkuara kanë shënuar një rritje prej 6% në besimin e tyre ndaj lajmeve, duke arritur në 32%, por mbeten ndër më të ulëtat në renditje.
Ndërsa, 56% e qytetarëve në tregjet mediatike thonë se nuk mund të bëjnë dallimin midis lajmeve reale dhe të rreme në internet, kjo shifër është rritur me 2% rritje nga viti i kaluar.
Sondazhi zbuloi se 48% e të anketuarve thanë se janë shumë të interesuar për lajmet, nga 63% në 2017./KultPlus.com
Edhe pse TikToku njihet tashmë për videot virale qoftë ato me kërcime apo edhe ato humoristike, kjo platformë mund të përdoret edhe si një tregues i vendeve më popullore për sa i përket turizmit.
Faqja e udhëtimeve Next Vacay ka analizuar të dhëna nga kjo platformë për të ndërtuar një studim rreth atraksioneve më ‘të preferuara në TikTok’.
E para në listë ishte Disney World në Orlando dhe kjo nuk duhet të vij si çudi kur merret parasysh që moshat e reja dhe fëmijët janë ata që zënë pjesën më të madhe të përdoruesve të TikTok.
Kjo është lista e 10 pikave turistike më tërheqëse në botë sipas TikTok:
1 – Disney World – Orlando, SHBA (8.6 miliardë shikime)
Resorti i Walt Diseny i njohur ndryshe edhe si Disney World, është një kompleks argëtimi masiv në Orlando, Florida. Ai u hap për herë të parë në vitin 1971 nga kompania e famshme e filmave të animuar Walt Disney. Që atëherë, ky vend ka tërhequr familje nga e gjithë bota me atraksione të ndryshme që përqendrohen rreth personazheve më të famshme të filmave Disney dhe jo vetëm.
2 – Burj Khalifa – Emiratet e Bashkuara (1.9 milardë)
Burj Khalifa apo Kulla Khalifa është ndërtesa më e lartë në botë e inauguruar në vitin 2019 në Dubai. Disa nga gjërat që mund të bëhen gjatë një vizite në Burj Khalifa janë ngjitja deri në majë për të parë pamjet piktoreske, vizita në restorantin At.mosphere apo edhe një rezervim në SPA-në e hotelit ekskluziv të Armani-t.
3 – Kulla Eifel, Francë (719 milionë)
Kulla Eifel është kthyer tashmë në një destinacion emblematik në kryeqytetin e Francës, Parisin. Ajo është emërtuar pas inxhinierit të saj Gustave Eiffel dhe nofka e përdorur nga parisienët është La dame de fer apo Zonja e Hekurt. Kjo kullë njihet edhe si monumenti më i vizituar në botë dhe që prej vitit 1991 ajo është bërë pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s.
4 – Taj Mahal, Indi (377 milionë)
Taj Mahal i njohur ndryshe i ‘Pallati i Kurorës’ është një mauzoleun islamik i ndërtuar krejtësisht nga mermeri, gjë që i ka dhënë të gjitha karakteristikat e nevojshme për t’u kthyer në një prej 7 mrekullive të botës. Ajo u porosit në vitin 1632 nga perandori Shah Jahan në nder të gruas së tij Mumtaz Mahal. Taj Mahal është pjesë e një kompleksi të madh që përfshinë një xhami, disa kopshte madhështore dhe një lumë që rrethon të gjithë kompleksin.
5 – Grand Canyon, SHBA (273 milionë)
Një nga kanionet më të famshme në botë por edhe një pikë turistike e preferuar nga turistë nga e gjithë bota, Grand Canyon është një monument natyror i gdhendur nga vetë Lumi i Kolorados në Arizona, SHBA.
6 – Las Vegas Strip, SHBA (259 milionë)
Las Vegas Strip është një pjesë e Bulevardit Jugor të Las Vegas në Nevada, SHBA. Pak mund të thuhet për Las Vegas që ende nuk dihet tashmë. Ai është qyteti ku përqendrohen hotelet, resortet, luksi dhe kazinotë më të famshme në botë. Atraksionet që ofrohen këtu nuk janë për të gjithë, por ata që tërhiqen nga dritat dhe ndërtesat luksoze janë gjithnjë të mirëpritur këtu.
7 – Ura Golden Gate, SHBA (118 milionë)
Kjo urë është një ikonë e San Franciskos në SHBA. Ajo bashkon Gjirin e San Franciskos me Oqeanin Paqësor dhe vizitohet nga miliona amerikanë dhe turistë të huaj çdo vit.
8 – Hoover Dam, SHBA (79 milionë)
Hoover Dam është një digë dhe strukturë e madhe betoni brenda Kanionit të zi në Lumin e Kolorados e cila ndodhet në kufirin e Nevadës dhe Arizonës në SHBA. Ajo u ndërtua në vitet 30-të gjatë Depresionit të Madh dhe ndërtimi i saj i ka kushtuar jetën qindra njerëzve.
9 – Parku Kombëtar Yosemite, SHBA (59 milionë)
Paru Yosemite është një Park Kombëtar në Kaliforni të SHBA-së. Ai është i rrethuar nga Pyjet Sierra. Ky park mori statusin Objekt i Trashëgimisë Kulturore në vitin 1984 dhe dallon për kodrat e granitit, ujëvarat, burimet e pastra, malet, liqenet, akullnajat dhe diversitetin e faunës.
10 – Stonehenge, Mbretëri e Bashkuar (52 milionë)
Stonehenge është një monument prehistorik dhe tejet misterioz në Wiltshire, Angli. Ai përbëhet nga një unazë e jashtme gurësh masiv të cilët janë mbi 4 metra të lartë dhe peshojnë rreth 25 ton secili. Këto gurë janë pjesë e monumenteve të periudhës së Neolitit dhe Epokës së Bronzit. Arkeologët mendojnë se Stonehenge u ndërtua dikur mes shekullit 3000 dhe 2000 para erës sonë dhe sot e kësaj dite, pavarësisht disa teorive, nuk dihet ende se si njerëzit e asaj kohë kanë pasur mundësi të ndërtojnë këtë strukturë kaq të rëndë pa asnjë teknologji të avancuar./ KultPlus.com
Zyrtarët qeveritarë dhe politikanët federalë në Austri do të duhet të fshijnë aplikacionin e shpërndarjes së videove TikTok nga telefonët e tyre të dhënë nga qeveria, pasi Vjena synon të ndalojë firmën operuese kineze të aksesojë të dhënat e ndjeshme.
Ministri i Brendshëm, Gerhard Karner u tha gazetarëve se për zyrtarët dhe politikanët në nivel shtetëror dhe bashkiak u dha një rekomandim që gjithashtu të ndalonin përdorimin e aplikacionit për qëllime zyrtare.
Ai vazhdoi të pohonte se politikanët dhe zyrtarët ishin të lirë të vazhdonin përdorimin e aplikacionit privatisht.
Me këtë lëvizje, Austria i bashkohet Australisë, Kanadasë, Britanisë së Madhe dhe Komisionit të BE-së, të cilët më parë lëshuan rregullore të ngjashme për sektorin publik.
TikTok operohet nga kompania kineze e teknologjisë Bytedance, e cila nuk është në pronësi të shtetit.
Megjithatë, kritikët theksojnë se Partia Komuniste dhe autoritetet në Kinë teorikisht janë në gjendje të ushtrojnë ndikim në kompanitë e internetit dhe të kenë akses në të dhënat e tyre./ KultPlus.com
Nëpunësit publikë irlandezë janë këshilluar të mos përdorin TikTok në pajisjet e tyre të punës sepse kërcënimet e sigurisë nuk mund të përjashtohen.
Aplikacioni do të hiqet nga telefonat e punës të përdorur nga punonjësit në agjencitë shtetërore dhe departamentet qeveritare në një masë paraprake, bazuar në këshillat e organit këshillues të sigurisë.
TikTok është vënë nën kritika në SHBA, Evropë dhe Azi, ku një numër në rritje qeverish e kanë ndaluar aplikacionin nga pajisjet e përdorura për biznesin zyrtar për shkak të shqetësimeve se ai paraqet rreziqe për sigurinë kibernetike dhe privatësinë e të dhënave ose mund të përdoret për të nxitur narrativat pro Pekinit dhe dezinformacionin.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, Richard Browne tha se, edhe pse nuk gjeti ndonjë dobësi të dukshme të sigurisë kibernetike, nuk mund të përjashtonte rrezikun.
“Nuk ndryshon në shumë mënyra nga shumë aplikacione të mediave sociale. Në shumë mënyra, është një aplikacion tipik i mediave sociale”, tha ai për transmetuesin publik irlandez RTE.
Ndër rreziqet e tjera të mundshme të përmendura për përdoruesit e qeverisë ishin struktura e saj e pronësisë relativisht e pazakontë, pasi punonjësit e saj respektojnë ligjet kineze për mbledhjen e informacioneve sekrete si edhe një pranim nga kompania se të dhënat e përdoruesve të BE-së ishin vënë në dispozicion të inxhinierëve në Kinë.
“Për të qenë shumë i qartë, ne nuk po themi se aplikacioni nuk mund të përdoret nga individë të tjerë ose nuk duhet të përdoret nga politikanë jashtë pajisjeve zyrtare”, shtoi Browne.
“Mediat sociale të çdo përshkrimi janë një mjet jashtëzakonisht i fuqishëm si për individët ashtu edhe për sistemin politik për demokracinë, për sa i përket ndarjes dhe angazhimit me njëri-tjetrin. Është një mjet vërtet jetik. Si i tillë, nuk ka asnjë arsye në botë pse individët privatë ose politikanët në pajisjet e tyre personale nuk mund ta përdorin këtë. Nuk është ky rreziku për të cilin po flasim këtu. Rreziku këtu është për të dhënat publike të mbajtura në pajisjet në pronësi publike”, theksoi ai./KultPlus.com
Të shtatë universitetet e Danimarkës kanë vendosur një ndalim të aplikacionit TikTok për punonjësit e tyre pasi edhe Universiteti i Danimarkës Jugore (SDU) u bashkua me universitetet e tjera në ndjekjen e këtij aksioni, transmeton Anadolu.
Drejtori i SDU-së, Thomas Buchvald Vind, në një deklaratë për media tha se vendimi u mor me rekomandimin e Qendrës Daneze për Sigurinë Kibernetike (CFCS). Më herët, CFCS-ja rekomandoi që punonjësit e qeverisë të mos e kenë të instaluar aplikacionin TikTok në celularët, tabletët apo në ndonjë pajisje tjetër të tyre për shkak të shqetësimeve të privatësisë.
“Në të njëjtën kohë, Rektorati ka vendosur që fakultetet dhe administratorët e tjerë të mos e përdorin TikTok-un për marketing, pasi SDU-ja po ashtu ka ndaluar mbështetjen për TikTok-un”, thuhet në njoftimin e SDU-së.
Universiteti Teknik i Danimarkës, Universiteti Roskilde, Universiteti i Kopenhagës, Universiteti IT i Kopenhagës, Shkolla e Biznesit e Kopenhagës dhe Universiteti Aarhus tashmë kanë njoftuar ndalimet e TikTok-ut.
Ndalimet e TikTok-ut në universitete erdhën pasi në fillim të muajit shkurt parlamentarëve danezë iu kërkua të fshijnë aplikacionin nga pajisjet e tyre zyrtare të punës. Nga parlamenti theksuan se thirrja bazohej në rekomandimet e CFCS-së.
“Kur CFCS-ja vlerëson se ekziston rreziku i spiunazhit me përdorimin e TikTok-ut, atëherë ne i përmbahemi kësaj. Në këtë mënyrë ne ndjekim linjën që qendra ka vendosur në lidhje me institucionet shtetërore”, tha kryeparlamenti Soren Gade.
Ndërkohë, edhe disa shtete të SHBA-së dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë marrë masa duke ndaluar TikTok-un në telefonat zyrtar të punës.
Aplikacioni TikTok është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, e dyshuar nga autoritetet perëndimore se ia ka kaluar të dhënat e përdoruesve qeverisë kineze. Kompania ka deklaruar se ndalimet ndaj saj bazohen në një “keqkuptim themelor të strukturës sonë të korporatës”./KultPlus.com
Gjiganti kinez i mediave sociale TikTok është gjobitur me 15,9 milionë dollarë nga Zyra e Komisionerit të Informacionit të Britanisë së Madhe (ICO) për një numër shkeljesh të ligjit për mbrojtjen e të dhënave, përfshirë keqpërdorimin e të dhënave të fëmijëve.
Zyra njoftoi sot se rreth 1,4 milionë fëmijë në Britani nën moshën minimale 13-vjeç iu bashkuan TikTok-ut në vitin 2020, pavarësisht rregullave të vendit që nuk lejojnë fëmijët e kësaj moshe të hapin një llogari.
“Ligji i mbrojtjes së të dhënave në BM thotë se organizatat që përdorin të dhëna personale kur ofrojnë shërbime të shoqërisë së informacionit për fëmijët nën 13-vjeç duhet të kenë pëlqimin nga prindërit ose kujdestarët e tyre”, theksoi ICO.
Zyra shtoi se TikTok-u nuk arriti të merrte lejen dhe të kryente kontrolle të mjaftueshme për të identifikuar ose hequr fëmijët e mitur nga platforma e tij.
Gjoba e lartë vjen pasi TikTok-u është nën kritika në një numër vendesh, përfshirë SHBA-në dhe vendet e Bashkimit Evropian, për shkak të frikës se të dhënat nga platforma në pronësi private mund të aksesohen dhe shfrytëzohen nga qeveria kineze./ KultPlus.com
Edhe pse platforma e medias sociale në pronësi kineze, TikTok është vënë nën presion në rritje politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser tha se ajo nuk sheh asnjë bazë për ndalimin e aplikacionit në Gjermani.
Një ndalim i mundshëm i TikTok, i cili është veçanërisht i popullarizuar tek të rinjtë, po diskutohet aktualisht në SHBA.
Faeser, i cili po viziton SHBA-në, tha se ‘’zyrtarët duhet të jenë të vetëdijshëm se TikTok është një kompani nga e cila mund të nxirren të dhënat e përdoruesve dhe se nevojitet mbikëqyrje’’.
Faeser theksoi se po tregohet kujdes i madh për të identifikuar sa më shpejt ndikimin shtetëror të Kinës.
Tiktok ka më shumë se një miliard përdorues në mbarë botën dhe përdoret gjerësisht si në SHBA ashtu edhe në Evropë, ku është e vetmja platformë e njohur e mediave sociale që nuk është e bazuar në SHBA.
Ekziston një shqetësim në rritje në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë se autoritetet kineze dhe shërbimet e inteligjencës mund të përdorin TikTok për të mbledhur informacion nga përdoruesit ose për të përhapur ndikim.
Kompania i ka mohuar këto akuza.
Faeser tha se ‘’nevojiten veprime të përgjithshme për të shmangur varësinë ekonomike gjermane nga furnizuesit ose tregjet kineze dhe për të shmangur ndërhyrjen e shtetit kinez’’.
“Ne sapo kemi dalë nga një varësi e madhe ndaj Rusisë për furnizimet me energji. Ne nuk duam të krijojmë varësi të mëtejshme”, theksoi Faeser./ KultPlus.com
Aplikacioni TikTok është ndaluar nga telefonat e qeverisë së Brtinanisë së Madhe pas një rishikimi sigurie, por ministrat dhe zyrtarët do të jenë ende në gjendje të përdorin aplikacionin në pronësi kineze në telefonat e tyre personalë.
Ministri i Zyrës së Kabinetit Oliver Dowden njoftoi ndalimin, për të cilin ai tha se do të ishte “higjienë e mirë kibernetike me efekt të menjëhershëm”.
Kryeministrit britanik Rishi Sunak i është bërë presion nga anëtarë të lartë të parlamentit (deputetë) për të ndjekur SHBA-në dhe BE-në në vendosjen e ndalimit.
Dowden e Laburistëve tha ”se ndalimi, i kritikuar nga TikTok, ishte një hap i matur dhe proporcional pas këshillave të ekspertëve tanë të sigurisë kibernetike”.
Ndalimi, i cili nuk shtrihet për anëtarët e publikut, u vendos për shkak të rreziqeve që lidhen me mënyrën ”se si TikTok mund të aksesojë informacione të ndjeshme’./KultPlus.com
TikTok kufizon kohën e shikimit të përdoruesve nën moshën 18 vjeç, duke i lejuar ata vetëm 60 minuta në ditë. Ky rregull i ri ka si qëllim të monitorojë kohën që të rinjtë shpenzojnë në aplikacion.
Siç njoftoi sot, TikTok, në pronësi të ByteDance të Kinës, ky afat i ri kohor do të instalohet automatikisht në javët e ardhshme në çdo llogari që u përket përdoruesve të rinj nën 18 vjeç, të cilët do të duhet të fusin një kod nëse duan të qëndrojnë në sajt.
“Ndërsa nuk ka një rregull të pranuar universalisht për kohën ose efektet para ekranit në përgjithësi, ne u konsultuam me kërkime akademike dhe ekspertë në Digital Wellness Lab në Spitalin e Fëmijëve në Boston për të zgjedhur këtë kufi,” sipas Keenan, Shefi i Mbikëqyrjes dhe Sigurisë së TikTok.
TikTok tha se do të inkurajojë përdoruesit e rinj të vendosin kufirin e tyre ditor të përdorimit nëse shpenzojnë më shumë se 100 minuta në ditë në aplikacion.
Vitin e kaluar Instagrami lançoi kontrolle të reja prindërore që lejojnë kujdestarët të shohin se sa kohë kalojnë fëmijët e tyre atje dhe të vendosin kufij./KultPlus.com
TikTok tashmë është bërë shqetësim në mbarë botën. Së fundmi Shtëpia e Bardhë iu ka dhënë të gjitha agjensive federale afat për 30 ditë që të fshijnë TikTok-un nga të gjitha pajisjet qeveritare. Aplikacioni i mediave sociale, me pronësi kineze, dhe që është bërë shumë popullor në të gjithë botën, është vënë në një kontroll nga Uashingtoni për shqetësimet e sigurisë.
Ndalimi, i urdhëruar nga Kongresi në fund të vitit të kaluar, pasohet nga veprime të ngjashme nga Kanadaja, BE-ja, Tajvani dhe më shumë se gjysma e shteteve të SHBA. Në Dhjetor, Kongresi votoi për të ndaluar punonjësit federalë që të përdorin aplikacionin dhe i dha administratës 60 ditë për të nxjerrë direktiva.
Komisioni Evropian ka urdhëruar punëtorët të largojnë aplikacionin e TikTok nga telefonat dhe pajisjet e punës.
KE tha se po zbaton masat për ‘të mbrojtur të dhënat dhe rritur sigurinë kibernetike’.
TikTok, në pronësi të kompanisë kineze “BydeDance” është ballafaquar me akuza se po shfrytëzon të dhënat e përdoruesve dhe po i dorëzon në qeverinë kinezë, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv.
Por, kjo kompani insiston se vepron jo ndryshe nga mediat tjera sociale.
Drejtori për industri i BE-së, Thierry Breton tha në konferencë për media se ekzekutivi i unionit është shumë i fokusuar në sigurinë kibernetike, pa pranuar të japë tjera detaje.
Ky ndalim nënkupton se stafi i Komisionit Evropian nuk mund të përdorë TikTok në paisjet personale që kanë aplikacionet zyrtare të instaluara.
Komisioni thotë se ka të punësuar rreth punëtorë me kontratë të rregullt dhe kanë afat deri më 15 mars të fshijnë aplikacionin./ KultPlus.com
Uiskonsin dhe Karolina e Veriut u janë bashkuar të paktën 22 shteteve të tjera në ndalimin e aplikacionit popullor të mediave sociale, TikTok, në pajisjet shtetërore.
Edhe shtete të tjera amerikane, përfshirë Misisipin, Indianën, Luizianën dhe Dakotën e Jugut, kanë marrë një vendim të ngjashëm.
Kongresi, gjithashtu, kohët e fundit ndaloi TikTok-un nga shumica e pajisjeve të lëshuara nga Qeveria amerikane, për shkak të shqetësimeve të dy partive lidhur me sigurinë.
TikTok është në pronësi të ByteDance, një kompani kineze që e zhvendosi selinë e saj në Singapor në vitin 2020.
Ky aplikacion është vënë në shënjestër nga kritikët që thonë se Qeveria kineze mund të ketë qasje në të dhënat e përdoruesve, sikurse është historia e kërkimeve dhe vendndodhja. Forcat e armatosura amerikane gjithashtu e kanë ndaluar aplikacionin në pajisjet ushtarake.
TikTok përdoret nga dy e treta e adoleshentëve amerikanë dhe është bërë domeni i dytë më i popullarizuar në botë.
Por, prej kohësh ka pasur shqetësime dypartiake në Uashington se Pekini do të përdorte fuqinë ligjore dhe rregullatore për të marrë në posedim të dhënat e përdoruesve amerikanë ose për të provuar që të shtyjë përpara narrativë pro-Kinë ose të përhapë dezinformata.
Në këtë tekst mund të mësoni më shumë për vendimin e shteteve amerikane Uiskonsin dhe Karolina e Veriut dhe lidhur me debatin më të gjerë rreth TikTok-ut.
Pse Uiskonsin dhe Karolina e Veriut po e përjashtojnë TikTok-un?
Guvernatori demokrat i Uiskonsin, Tony Evers, përmendi shqetësimet për privatësinë dhe sigurinë pas konsultimit me Byronë Federale të Hetimeve (FBI) dhe zyrtarët e menaxhimit të emergjencave rreth aplikacionit. Urdhri i Evers zbatohet për shumicën e agjencive shtetërore, me disa përjashtime si hetuesit penalë, që mund të përdorin aplikacionin për të gjurmuar njerëz të caktuar.
Sistemi i Universitetit të Uiskonsin, i cili ka të punësuar 40.000 pedagogë dhe staf tjetër, është gjithashtu i përjashtuar nga urdhri për ndalimin e përdorimit të TikTok-ut. Por, një zëdhënës i Sistemit të Universitetit të Uiskonsin, tha se pavarësisht përjashtimit, universiteti po kryente një rishikim dhe po shkonte drejt vendosjes së kufizimeve në aplikacionin që përdoret në pajisje, për të mbrojtur kundër rreziqeve serioze të sigurisë kibernetike.
Si Evers ashtu edhe guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper, ndaluan gjithashtu përdorimin e WeChat, një aplikacion kinez i mesazheve, në pajisjet shtetërore.
“Është e rëndësishme për ne që të mbrojmë teknologjinë shtetërore të informacionit nga vendet e huaja që kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në sulmet kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara”, tha Cooper.
“Mbrojtja e Karolinës së Veriut nga kërcënimet kibernetike është jetike për të garantuar sigurinë, privatësinë dhe suksesin e shtetit tonë dhe njerëzve të tij”, shtoi ai.
Cilat janë shqetësimet më të mëdha për TikTok-un?
Si FBI-ja, ashtu edhe Komisioni Federal i Komunikimeve, kanë paralajmëruar se të dhënat e përdoruesve të TikTok-ut mund të ndahen nga pronari ByteDance Ltd. me Qeverinë autoritare të Kinës. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësim gjithashtu se Qeveria kineze mund të përdorë TikTok-ut për të nxitur narrativë ose dezinformata pro-Pekinit.
Frika u rrit nga lajmet në vitin e kaluar se një ekip me bazë në Kinë ka pasur qasje në mënyrë të parregullt në të dhënat e përdoruesve amerikanë të TikTok-ut, përfshirë edhe në të dhënat e dy gazetarëve, si pjesë e një programi të fshehtë mbikëqyrjeje për të zbuluar burimin e rrjedhjeve të informacionit në media.
Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se kompania po dërgon të dhënat e përdoruesve në Kinë, duke shkelur rregullat e rrepta evropiane të privatësisë.
Për më tepër, ka pasur shqetësime për përmbajtjen e TikTok-ut dhe nëse ajo dëmton shëndetin mendor të adoleshentëve.
Kush ka kërkuar për kufizime?
Në vitin 2020, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, dhe administrata e tij u përpoqën të ndalonin lidhjet me pronarin e TikTok-ut, ta detyronin atë të shiste asetet e tij në SHBA dhe ta largojnë nga platformat e shitjes së aplikacioneve. Gjykatat bllokuan përpjekjet e Trump për të ndaluar TikTok-un dhe presidenti aktual amerikan, Joe Biden, anuloi urdhrat e Trump pasi mori detyrën.
Megjithatë, Biden urdhëroi që të bëhej një studim më i thellë i kësaj çështjeje. Ndërkaq, një shitje e planifikuar e aseteve të TikTok-ut në SHBA u anulua.
Në Kongres, shqetësimi për aplikacionin ka qenë dypartiak. Kongresi amerikan muajin e kaluar ndaloi TikTok-un nga shumica e pajisjeve të lëshuara nga Qeveria amerikane, për shkak të shqetësimeve të ligjvënësve demokratë e republikanë lidhur me sigurinë.
Senati në dhjetorin e vitit të kaluar miratoi një version të ndalimit të TikTok-ut, vendim që u autorizua nga senatori republikan konservator, Josh Hawley, nga Misuri. Hawley është një kritik i zëshëm i kompanive të mëdha të teknologjisë.
Por, ligjvënësi demokrat amerikan, Raja Krishnamoorthi, nga Illinois, ka bashkë-sponsorizuar legjislacionin për të ndaluar funksionimin e plotë të TikTok-ut në SHBA dhe masa e miratuar nga Kongresi në dhjetor kishte mbështetjen e kryetares së atëhershme demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Por, cila është përgjigjja e Tiktok-ut?
“Ne jemi të zhgënjyer që kaq shumë shtete po pajtohen me anën politike për të miratuar politika që nuk do të bëjnë asgjë për të avancuar sigurinë kibernetike në shtetet e tyre dhe bazohen në gënjeshtra të pabaza rreth TikTok-ut”, tha Jamal Brown, një zëdhënës i TikTok-ut përmes një deklarate.
TikTok-u po zhvillon plane për sigurinë dhe privatësinë e të dhënave si pjesë e një rishikimi të vazhdueshëm të sigurisë kombëtare nga administrata e presidentit amerikan, Joe Biden./REL/ KultPlus.com
Produktet e teknologjisë së vjetër shpesh vuajnë nga ajo që njihet si zvarritja e veçorive, kompleksiteti i tepërt i shkaktuar nga grumbullimi i karakteristikave shtesë gjatë viteve.
Identifikohu në Facebook (i lançuar në 2004) ose në Instagram (i lançuar në 2010) këto ditë dhe çdo piksel i disponueshëm duket se ofron një veçori, funksion, mjet ose ndërfaqe të ndryshme, shumë prej tyre të klonuara nga konkurrentët më të rinj dhe më të zhurmshëm.
Kjo qasje e të gjithëve mund të lërë përshtypjen se Meta Platforms, kompania ombrellë e riemërtuar së fundmi që mbikëqyr Facebook, Instagram dhe WhatsApp, i mungon një vizion i qartë për aplikacionet e saj kryesore.
Shefi ekzekutiv, Mark Zuckerberg tha në një deklaratë të drejtpërdrejtë për Facebook dhe Instagram se tani ata ishin të dy TikTok.
TikTok nuk është arsyeja e vetme që kompania kishte regjistruar rënien e saj të parë tremujore të të ardhurave në terma vjetore në raportin e fitimeve.
Një veçori e privatësisë e “Apple” e prezantuar vitin e kaluar që e bën më të vështirë fitimin e të ardhurave dhe lufta e vazhdueshme në Ukrainë janë kombinuar për ta vënë kompaninë në një situatë të vështirë.
Por ishin Reels, veçoria TikTok-knockoff e Instagram-it dhe pikat e tjera të frymëzuara nga TikTok që Zuckerberg theksoi si një shpresë për të ardhmen.
“Njerëzit shpenzuan mbi 30% më shumë kohë duke parë Reels në tremujorin më të fundit të kompanisë”, tha Zuckerberg, dhe kompania tani ka kaluar një normë të të ardhurave vjetore prej 1 miliardë dollarësh për reklamat e Reels./ KultPlus.com
Është ngritur një padi për vdekjen e një 8-vjeçare nga Temple, e cila vdiq ndërsa merrte pjesë në “Sfida e Blackout” të TikTok, transmeton KultPlus.
Sfida inkurajon mbytjen e vetvetes duke përdorur rripa, tela çante ose sende të tjera të ngjashme derisa një person të humbasë mendjen, sipas Qendrës Ligjore për Viktimat e Mediave Sociale. Organizata ngriti dy padi për vdekjen e 8-vjeçares Lalani Erika Walton nga Temple dhe 9-vjeçares Arriani Jaileen Arroyo nga Milëaukee, Wisconsin.
Padia pretendon se algoritmi i TikTok e shtyu qëllimisht dhe në mënyrë të përsëritur sfidën në “For You Page” të dy vajzave.
“Lalani mori celularin e saj të parë në ditëlindjen e saj të tetë dhe menjëherë pas kësaj shkarkoi TikTok dhe filloi të postonte video të saj duke kënduar dhe kërcyer,” tha SMVLC. “Pa e ditur as nëna e saj, Christina Arlington Smith, as njerka, Rashika Watson, algoritmi i TikTok po e drejtonte Lalanin drejt “Sfidës së tij të errësirës” vdekjeprurëse.
8-vjeçarja nga Temple sapo ishte kthyer nga një udhëtim rrugor pasditen e 15 korrikut 2021 me njerkën e saj “gjatë së cilës ajo ishte zbavitur duke parë videot e TikTok në pajisjen e saj”.
Njerka e saj i kërkoi asaj të pastronte dhomën e saj ndërsa ajo pushonte nga makina dhe më vonë u zgjua nga një sy gjumë për të zbuluar se Lalani kishte vdekur nga vetëasfiksimi si rezultat i drejtpërdrejtë i sfidës së TikTok, thuhet në padi.
Në mënyrë të ngjashme, 9-vjeçarja Arriani nga Wisconsin filloi të përdorte TikTok dhe të postonte video të saj duke kërcyer dhe kënduar, sipas SMVLC.
“Ajo gradualisht u bë e fiksuar me pjesëmarrjen në sfidat e TikTok,” tha organizata. “Për shkak se shumë nga këto sfida të Tik Tok përfshinin ngrënien dhe kërcimin, prindërit e Arianës nuk i konsideruan ato si të rrezikshme.”
Më 26 shkurt 2021, nëna e Arrianit ishte në kishë ndërsa babai i saj punonte në katin e poshtëm. Vëllai i vogël i Arrianit lajmëroi të atin se ajo nuk po lëvizte dhe u konstatua se ajo kishte vdekur nga vetëasfiksimi.
“Ajo kishte qenë në këtë gjendje për të paktën gjysmë ore para vëllait të saj 5-vjeçar”, tha SMVLC. “Z. Arroyo thirri 911 dhe shërbimet e urgjencës e çuan Arrianin në Spitalin e Fëmijëve, ku mjekët e vendosën atë në mbështetje jete.”
Familja e Arrianit mori vendimin për të tërhequr mbështetjen e jetës pasi testimi zbuloi se ajo kishte humbje të plotë të funksionit të trurit, sipas padisë.
“TikTok duhet të mbahet përgjegjës për nxitjen e përmbajtjes vdekjeprurëse për këto dy vajza të reja,” tha Mattheë P. Bergman, avokat themelues i SMVLC. “TikTok ka investuar miliarda dollarë për të dizajnuar qëllimisht produkte që nxisin përmbajtje të rrezikshme që ai e di se janë të rrezikshme dhe mund të rezultojnë në vdekjen e përdoruesve të tij.”./ KultPlus.com
Pak ditë më parë Rita Rora tronditi TikTok-un me një video në të cilën kërcente me muzikë shqiptare. Sigurisht që pas shfaqjes së saj sfida e nisur nga dy motra binjake bo bën xhiron e rrjetit duke marrë veçanërisht vëmendjen e shqiptarëve.
Bëhet fjalë për motrat Aisha dhe Azra Mian, të cilat kanë një llogari të përbashkët në rrjetin social TikTok, të quajtur ‘Mian Twins’.
Javë më parë, ato kanë publikuar një video të përbashkët, ku mund të shihet teksa kërcejnë në stilin shqiptar, nën ritmet e një kënge e cila ka tinguj të zhanrit popullor shqiptar.
Ndonëse kënga është e shkurtër dhe e realizuar vetëm për TikTok-un, ka mjaftuar që kjo të zgjojë interesin e mijëra përdoruesve për të realizuar video nën ritmet e një kënge të tillë.
Edhe një nga yjet më të mëdhenj të rrjetit social TikTok, Noah Beck, i cili ka mbi 32 milionë ndjekës në këtë rrjet social, shfaqet në një video të publikuar nga miku i tij Markell Washington, duke vallëzuar me atë ritëm.
Mediat sociale vazhduan të kenë një ndikim të madh në jetën e njerëzve edhe këtë vit, kështu që nuk është çudi që aplikacionet më të shkarkuara në vitin 2021 ishin kryesisht aplikacionet e mediave sociale.
Sipas statistikave të publikuara nga Appfigures, TikTok u rendit në vendin e parë, me më shumë se 586 milionë abonentë të rinj që e shkarkuan aplikacionin këtë vit.
Instagrami nuk ishte shumë mbrapa me 566 milionë shkarkime.
Aplikacionet Meta – Facebook dhe WhatsApp – u renditën në vendin e tretë dhe të katërt, me 474 milionë dhe 444 milionë shkarkime, respektivisht.
Telegram shtoi 365 milionë përdorues të rinj, të nxitur pjesërisht nga polemika rreth privatësisë së WhatsApp.
Snapchat, Messenger, Zoom, Capcut dhe Google Meet ishin pjesë e Top 10-shes në listën e shkarkimeve më të shpeshta. / KultPlus.com
Aplikacioni TikTok është shpallur më i shkarkuari gjatë vitit 2020, sipas të dhënave të publikuara të martën nga kompania që ndërmerr analiza digjitale, App Annie, transmeton KultPlus.
Platforma kineze e shpërndarjes së video-materialeve është bërë aplikacioni i vetëm që nuk është në pronësi të gjigantit Facebook, por që gjendet në listën e pesë aplikacioneve më të shkarkuara në gjithë botën.
Edhe në Kinë, kompania pronare e TikTok-ut, “ByteDance”, e mban primatin e lideres me aplikacionin për gjuhë, Douyin.
Popullariteti i TikTok-ut është zgjeruar edhe më shumë, pasi që presidenti i mëparshëm amerikan, Donald Trump, kishte bërë përpjekje për ta ndaluar përdorimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aplikacionet në pronësi të Facebook-ut kanë mbajtur pozitat e para qyshkur ka nisur të realizohet sondazhi në këtë fushë gjatë vitit 2018. Edhe tani, ato ende e kryesojnë listën.
Facebook, kompani kjo gjigante në pronësi të Mark Zuckerbergut, është renditur në krye të listës bashkë me platformat e tjera, si WhatsApp, Instagram dhe Facebook Messenger. / KultPlus.com
Burbuqe Elezi, 57 vjeçare, është bërë një super yll në rrjetin social Tik-Tok. Ajo jeton në Floridë të Amerikës prej dy dekadash tashmë, mirëpo duket se kulturën e traditën shqiptare nuk e ka harruar.
Ajo shihet në “Tik Tok”, duke kënduar edhe kërcyer këngë e vallë shqiptare. Gjyshja 57-vjeçare rrëfeu në “ëake Up” në Top Channel se njerëzit e duan shumë në këtë rrjet social dhe mesazhet që merr janë shumë të bukura.
“Njerëzit më falëndojnë për buzëqeshjen, pëlqejnë buzëqeshjen time, mënyrën e të veshurit. Mua më pëlqen “Tik Tok”-u, është qejf, është bukur. Pse të mos ketë edhe gra të tjera”, është shprehur ajo, transmeton KultPlus.
Gjithashtu, ajo u shpreh se jeta sociale në SHBA nuk ekziston, nuk ka ato gjëra të bukura që ka Shqipëria. / KultPlus.com
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se do ta ndalojë aplikacionin kinez TikTok në SHBA, shkruan BBC, përcjellë KultPlus.
Ai i ka thënë gazetarëve se sot do ta nënshkruaj një urdhër ekzekutiv.
Zyrtarët e sigurisë në SHBA kanë shprehur shqetësimin se aplikacioni, që është në pronë të firmës kineze ByteDance, mund të përdoret për të mbledhur të dhënat personale të amerikanëve.
Aplikacioni që po rritet shpejt ka deri në 80 milionë përdorues aktivë në muaj në Amerikë dhe ndalesa do të ishte goditje e rëndë për ByteDance.
“Sa i përket TikTok-ut, ne do ta ndalojmë atë në SHBA”, ka thënë Trump.
Zëdhënësja e TikTok-ut, Hilary McQuaide, ka refuzuar të komentojë këtë lëvizje, por thotë se kompania është e bindur në suksesin afatgjatë të këtij aplikacioni. / KultPlus.com
Pesë gra egjiptiane, përfshirë 22-vjeçaren Mawada Eladhm dhe 20-vjeçaren Haneen Hossam, u dënuan me dy vite burg për postimin e videove në TikTok duke kërcyer të konsideruara ‘të pahijshme’.
Gratë gjithashtu u gjobitën me 300,000 paund egjiptianë (afërsisht 18,780 dollarë dollarë) secila për “shkelje të vlerave dhe parimeve të familjes egjiptiane”.
SipasAssociated Press, deklarata e prokurorisë tregoi emrat e vetëm Eladhm dhe Hossam, duke mos përmendur tre gratë e tjera për të cilat u tha se ndihmuan në drejtimin e llogarive të mediave sociale. Avokati i Eladhm konfirmoi dënimin në “Associated Press”, i cili raportoi se ndjekja penale i karakterizonte videot e Eladhm si “të turpshme dhe fyese”.
Ky nuk është rasti i vetëm, pasi “South China Morning Post” raportoi se Hossam, një studente e Universitetit të Kajros, u arrestua në prill pasi publikoi një video në Instagram në të cilën ajo tha se gratë mund të punonin me të dhe të fitonin para duke transmetuar në Likee me bazë në Singapor. Prokuroria publike raportohet se e përshkroi videon si “të pahijshme” dhe e interpretoi atë si promovim të prostitucionit në internet. SCMP raportoi se Hossam u la me kusht në qershor por më vonë u arrestua përsëri pasi prokurorët zbuluan prova të reja.
“Ata thjesht duan ndjekës. Ata nuk janë pjesë e ndonjë rrjeti të prostitucionit”, tha ndihmësi i avokatit të Eladhm, Samar Shabana, për Associated Press.
New York Times raportoi se TikTok është përballur me reagime nga anëtarët e Parlamentit Egjiptian, të cilët argumentojnë se promovon përmbajtje imorale. / KultPlus.com
Sekretari amerikan i Shtetit, Michael Pompeo ka deklaruar se SHBA-ja është duke e shqyrtuar mundësinë e ndalimit të disa aplikacioneve, përfshirë TikTok-un.
I pyetur nëse do t’ua rekomandonte përdoruesve shkarkimin e këtij aplikacioni, Pompeo është përgjigjur: “Vetëm nëse doni që të dhënat e juaja të përfundojnë tek Partia Komuniste Kineze”, raporton AP, transmeton KOHA.
Në TikTok ishte thënë se të gjitha të dhënat janë të deponuara në server në SHBA, teksa ishte përsëritur se nuk do të largohej përmbajtja, edhe nëse një gjë e tillë kërkohej prej qeverisë kineze.
TikTok do t’i pezullojë aktivitetet në Hong Kong, pasi hyrjes në fuqi të ligjit të ri të sigurisë, javën e kaluar. /KultPlus.com
Aplikacioni TikTok është duke ‘lulëzuar’ gjatë pandemisë globale me Covid-19.
Sot analisti i platformës ‘Sensor Tower’ ka treguar se kjo platformë e mediave sociale, është shkarkuar më shumë se 2 miliardë herë. Është shkarkuar 315 milionë herë këtë çerek në ‘’App Store’’ dhe ‘’Google Play’’.
Sidoqoftë, këto statistika të shkarkimeve të aplikacionit, nuk përfshijnë edhe dyqanet e aplikacioneve të palëve të treta që janë të njohura në Kinë.
‘Sensor Tower’ ka treguar se shkarkimet më të mëdha janë bërë në Indi, Kinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton The Verge, transmeton KultPlus.
Kjo kompani ka kërkuar një konfirmim apo koment për këto statistika mirëpo ende nuk kanë marrë përgjigje. / KultPlus.com