Arrihet marrëveshje për restaurim të Hamamit, dështon ajo për Xhaminë e Çarshisë

Është nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës dhe TIKA-s për restaurimin e Hamamit të Prishtinës.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka pranuar se ka qenë i dështuar projekti i më hershëm për restaurimin e këtij objekti.

Tash është shprehur i lumtur që po fillon ky projekt, teksa ka thënë se ekspertizë dhe restaurim më të mirë se që mund të bëjë TIKA nuk ka.

Burak Hasan, koordinator i TIKA-s për Kosovën nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur do të përfundojë restaurimi i Hamamit e as nuk është bërë e ditur se sa do të kushtojë, raporton KTV. Ishte paraparë që të nënshkruhej një marrëveshje e tillë edhe me Bashkësinë Islame për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë. Por në momentet e fundit është larguar Resul Rexhepi nga BIK. Ai ka thënë se janë larguar për shkak se janë ndier të anashkaluar.