Presidentja Osmani: Përmes Serbisë, Rusia ka krijuar tensione në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë e Mal të Zi

Presidentja Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë për mediumin britanik Times Radio, ku ka folur për agresionin rus mbi Ukrainën dhe gjendjen në Ballkan.

Osmani ka thënë se Rusia ka destabilizuar Ballkanin Perëndimor, përmes Serbisë, duke krijuar tensione në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë e Mal të Zi. Ajo shton se vonesat në rrugën drejt BE-së të këtij rajoni, kanë lëshuar terren për Rusinë që të veprojë.

“Ka pasur një interes të vazhdueshëm rus për destabilizim të Ballkanit Perëndimor. Jo vetëm Kosovën por edhe shtetet tjera. Dhe e kanë bërë me veprime konkrete përmes Serbisë. Rusia është munduar të krijojë tensione në kufi me Kosovën dhe destabilizim të Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi. Në këto shtete Rusia ka treguar interes për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, pasi përmes destabilizimit të këtij rajoni, destabilizon edhe BE-në. Këtu ka të vërteta, procesi ka ecur më ngadalë që kemi shpresuar për arsye se sa më ngadalë të ec procesi i anëtarësimit të Ballkanit Perendimor në BE, atëherë ka më shumë mundësi për Rusinë dhe interesat e saj që të jenë prezente në rajon”, ka thënë ajo.

Tutje ajo shton se Serbia është vendi i vetëm që nuk ka vënë sanksione ndaj Rusisë dhe në anën tjetër po e përkrah atë.

“Ajo që po ndodh në Ukrainë tregon se është një imperativ sigurie që të kemi edhe Kosovën edhe Bosnjën si dy vendet e fundit që duan të bashkohen me NATO-n në rajon, pasi Serbia nuk do anëtarësimin. Pra është e qartë se kush në rajon është kundër aksioneve të Putinit dhe kush po i mbështetë. Pavarësisht nga fakti se Serbia ka thënë se do të anëtarësohet në BE, nuk ka përshtatur politikat e saja me ato të BE-së e NATO-s”, përfundoi Osmani./ KultPlus.com