Këtë herë nuk mund ta fsheh Tani ta them, ta dish Atë që kurrë nuk ta kam thënë S’bëj dot pa ty!
Ta fala shpirtin tim Ç’do puthje, përqafim Si bizhu mbi trupin tënd
I lashë t’i ruash ti…
Dhe shtrati mbeti bosh Dhe vetja ndjeu bosh Gjithçka e mbushur, bosh Fluturova me avionet nëpër botë të të harroj Tundimi më pushton Në joshje që s’mbaron E dhashë veten një si ty ta gjej…
Aktori i njohur, Timo Flloko, i ka dedikuar një poezi mikut të tij, shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili vdiq pak ditë më parë në moshën 88-vjeçare.
Përmes këtyre vargjeve aktori Flloko shpreh dhimbjen dhe boshllëkun që ka lënë pas largimit të tij shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare.
KADARE (Requiem)
E piva kafen e helmët pa ty, këtë mëngjes, Dhembjen, fillikat, me kë ta ndaja, Chateau Juvenilja tek e shoh më ngjan, Më shkretëtirë se Saharaja…
Ike heshtjes si gjigant, i menduar, (Bëre vallë pakt të fshehtë me ikjen?!) Le bosh pas vetes, në mijëra zemra, Zbrazëti pa skaj, apokaliptike…
(Pse vijnë gjenitë dhe ikin nga kjo botë..?!) Ikja jote është shtegtim qiellor, Vdekjen s’mund as ta imagjinoj dot!
Mortin s’mund ta marr as me mend.. Një zog erdh’ a m’u faneps Fluturimin ndali, u ul në vendin tënd,
(Të ish hij’ e Nobelit ai udhëhumbës, Me pendesën në vete, një gjasë aq e rrallë, U nis por mbërriti vone, nga erërat që frynin, Korb u bë nga mërzia, se s’të gjeti gjallë…)
U përmenda ne fund, humbës në atë bosh, Hodha sytë në qiell, përtej, te e panjohura, Me pafundësinë u shkri, atje përjetshëm, Shpirti yt shtegtar që kapërcen kohërat./ KultPlus.com
KultPlus ju sjell recitimin historik të poezisë ‘Anës lumenjve’ nga Timo Flloko në filmin ”Lulëkuqet mbi mur”:
Arratisur, syrgjynosur, Raskapitur dhe katosur Po vajtonj pa funt, pa shpresë, Anës Elbës, anës Spree-së.
Ku e lam’ e ku na mbeti Vaj-vatani e mjer-mileti Anës detit i palarë, Anës dritës i paparë, Pranë sofrës i pangrënë, Pranë dijes i panxënë, Lakuriq dhe i dregosur, Trup e shpirt i sakatosur?
Se ç’e shëmpnë derbederët, Mercenarët dhe Bejlerët, Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë, Se ç’e pren’ e se ç’e vranë, Ç’e shkretuan anembanë, Nënë thundrën e përdhunës Anës Vjosës, anës Bunës!
Çirem, digjem i vrerosur, Sakatosur, çarmatosur, As i gjall’ as i varrosur, Pres një shenj’ e pres një dritë, Pres me vjet’ e pres me ditë, Se ç’u tera, se ç’ u-mpaka, Se ç’ u-çora, se ç’ u-mplaka, Lark prej vatrës dhe prej punës, Anës Rinit, anës Tunës.
Çakërdisur, batërdisur, Përpëlitur dhe zalisur, Endërronj pa funt, pa shpresë Anës Elbës, anës Spree-së.
Dhe një zë vëngon nga lumi, Më buçet, më zgjon nga gjumi, Se mileti po gatitet, Se tirani lebetitet, Se pëlcet, kërcet furtuna, Fryhet Vjosa, derdhet Buna, Skuqet Semani dhe Drini, Dridhet Beu dhe zengjini, Se pas vdekjes ndriti jeta, Dhe kudo gjëmon trumbeta: Ngrehuni dhe bjeruni, Korrini dhe shtypini, Katundar’ e punëtorë, Që nga Shkodra gjer në Vlorë!
Ky ilaç e ky kushtrim Më bën djal’ e më bën trim, Më jep forc’ e më jep shpresë, Anës Elbë-s, anës Spree-së. Se pas dimrit vjen një verë Që do kthehemi një herë Pranë vatrës, pranë punës, Anës Vjosës, anës Bunës.
Arratisur, syrgjynosur, Raskapitur e katosur Brohorit me bes’ e shpresë Anës Elbës, anës Spree-së./KultPlus.com