Në përkushtim të personave të pa gjetur dhe të mbijeturave të luftës në Kosovë, të premten më 26 nëntor u mbajt ekspozita “Thirrja e shpirtrave të humbur” nga Tina Hoda – Zoe, përcjell KultPlus.
Ekspozita e mbajtur në Muzeun Abdullah Pashë Dreni në Gjakovë nga ora 17 :00, përfshiu instalacionin artistik “Thirrja e shpirtrave të humbur” ku përmes skulpturave u trajtua në mënyrë shumë-dimensionale, tema delikate e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Subjektet e skulpturave figurative – që janë njerëzit për të cilët ende nuk dihet fati i tyre u paraqitën përmes rikonstruktimit të pjesëve të trupit të tyre, të formësuara me anë të teknikës së modelimit. Si model të skulpturave, artistja ka përdorur simbolikisht dhe në mënyrë innovative, strukturën e formave të familjarëve të të zhdukurve që mishërojnë veçoritë tipike të tyre.
Skulpturat ngërthejnë në vete një histori sa unike aq edhe kolektive të vuajtjeve dhe dhembjeve shpirtërore, që komunikojnë qartazi me audiencën dhe përcjellin tek ta mesazhe të fuqishme, duka ngjallur brenda tyre empatinë e të jetuarit me humbjen e pakuptimtë të të afërmve. Instalacioni gjithashtu krijon një vetëdije për fytyrat e të dashurve të zhdukur, e nga ana tjetër familjarëve të tyre u ofron mbështetje duke i siguruar se ata nuk janë vetë, në këtë çështje dhe se komuniteti ndan shqetësimin me ta. (Gjakush Çapari)
Projekti “Thirrja e shpirtrave të humbur” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe nga Drejtoria e Kulturës, Komuna e Gjakovës.
“Videoja më poshtë është realizuar duke u djeg djepi dhe të njëjtin djep e kam përdorur në ekspozitë ku i është shtuar dhe dora”, thotë artistja për KultPlus. / KultPlus.com