Rikthehet ikona e muzikës, Tina Turner

Tina Turner po rikthehet pas pensionimit për ta sjellë një version të ri të hitit të saj ikonik të vitit 1984, “What’s Love Got To Do With It”, në bashkëpunim me DJ dhe producentin e njohur muzikor, Kygo.

Këngëtarja 80-vjeçare kishte dalë në pension menjëherë pas përfundimit të turneut, “Tina! 50th Anniversary Tour”, i cili u përmbyll në vitit 2009, dhe nga atëherë është shfaqur në publik vetëm me rastin e ngjarjeve të caktuara.

Sidoqoftë, këtë të premte, ylli i hitit “Proud Mary” do të shfaqet në remixin e ri të këngës së saj të shpërblyer me çmim “Grammy”, e i cili vjen i realizuar nga muzikanti norvegjez, Kygo.

“What’s Love Got To Do With It”, në vitin 1985 ia pati fituar Turnerit 3 shpërblime të rëndësishme “Grammy”, në kategoritë të tilla si: “Kënga më e mirë e vitit”, “Incizimi më i mirë” dhe “Performanca më e mirë pop”.

Kygo, i cili verën e kaluar e realizoi remixin e këngës “Higher Love” nga ikona e ndjerë e muzikës, Whitney Houston, e bëri të ditur lajmin e bashkëpunimit të tij me Tina Turnerin, përmes një postimi në Twitter.

“Nuk mund të besoj se po e lansoj një bashkëpunim me, Tina Turnerin, këtë të premte. ‘What’s Love Got To Do With It’ është një prej këngëve të mia të preferuara, dhe më duket ëndërr mundësia për të punuar me një artiste legjendare si ajo! Mezi pres ta dëgjoni këngën,” kishte shkruar DJ Kygo në mbishkrimin e postimit të tij. / KultPlus.com

https://twitter.com/KygoMusic/status/1282692523476029440

Kur Tina Turneri e jeton jetën për vete

Në një pllakë metalike para dyerve të pronës së Tina Turnerit shkruan “Vor 12.00 Uhr nicht läuten, keine Lieferungen”, që nga gjermanishtja ka kuptimin: “As mos të shkojë mendja ta shqetësosh Tina Turnerin para mesditës”.

Ajo ishte simboli i qëndresës së rock’n’rollit për 50 vjet. “Proud Mary” i saj ishte 175 për qind më i gjatë se origjinali dhe John Fogerty as që vallëzoi. Ajo u bë yll me Ike Turnerin në të 20-at, i iku abuzimit të tij në të 30-at, luftoi për shtegun e saj në krye të listave të popit në të 40-at, i ra botës përqark në të 60-at dhe tani do që të ndalet, transmeton Koha Ditore.

Turner është 79-vjeçare. E pensionuar prej më se dhjetë vjetësh ama ende angazhohet në gjithçka që nuk ka për të bërë.

“Nuk këndoj. Nuk vallëzoj. Nuk i vesh rrobat më të mira”, thotë ajo. Edhe paruka e saj – “pjesë esenciale e pamjes së Tina Turnerit”, siç ka shkruar në memoarin e saj të paradokohshëm – nuk është më e rregulluar më përpikëri si më përpara.

Nuk i mungojnë performacat. Edhe më 2009, teksa po e vazhdonte hovin e ditëve të fundit të turneut të saj “Tina! 50th Anniversary”, ajo po fantazonte, thënë sinqerisht, për ridekorimin e shtëpisë së saj.

Krejt këtë pjesë të jetës e kishte jetuar si Ike, por më pas e zaptoi jetën e saj të përnjëmendtë dhe tani e ka radhën përqendrimi kah peizazhi drejt liqenit në Zürich.

“Thjesht u lodha duke kënduar dhe duke i bërë të gjithë të lumtur”, thotë ajo. “Kjo është e gjitha që kam bërë në jetën time”.

Turneri mund të mos këndojë shumë këtyre ditëve, ama është një ekip i Tinas që performon përreth botës në emër të sajin. Mjuziklli “Tina: The Tina Turner Musical”, bazuar në jetën dhe hitet e saj ka sjellë Tinën në Londër dhe në Hamburg./koha.net/ KultPlus.com


Vetëvritet djali i këngëtares së famshme

Djali i madh i këngëtares së famshme Tina Turner, ka kryer vetëvrasje, bëjnë të ditur mediat amerikane.

Craig Raymond Turner e ka qëlluar veten me qifte në shtëpinë e tij në Los Anxhelos.

Policia kishte arritur në shtëpinë e tij të martën pasdite dhe ai ishte shpallur i vdekur në vendngjarje. Craig ka lindur kur Tina ishte vetëm 18-vjeçe, para se ajo të martohej me Ikea Turnera. Por babai biologjik i Craig, ishte saksofonisti Raymond Hill i cili luante në grupin e Ikea, ‘Kings of Rhythm’.

Përndryshe, Tina Turner jeton në Zvicër, ndërsa lajmi i rëndë për të vjen në kohën kur ajo gjendet në udhëtim jashtë vendin, çka ndodhë rrallë. Momentalisht gjendet në Paris, por pritet shpejt të udhëtoj në SHBA, Craig merrej me patundshmëri dhe ishte 59-vjeçar. / KultPlus.com

“Kam ngecur në zemrën tënde dhe mbahem nga çdo fjalë që thua” (VIDEO)

KultPlus ju sjellë tekstin e këngës “The Best” të këngëtares Tina Turner.

Të thërras kur kam nevojë, zemrën e kam në zjarr
eja tek unë, eja tek unë i papërmbajtur
kur të vish tek unë
më jep gjithçka që kam nevojë
më jep një premtim për gjithë jetën, dhe një botë ëndrrash
fol një gjuhë dashurie sikur ta dish se çfarë thua
dhe nuk mund të jetë gabim
merre zemrën time dhe forcoje i dashur

Ti je thjesht më i miri, më i miri nga të tjetërt
më i mirë nga çdokush, çdokush që kam takuar
kam ngecur në zemrën tënde dhe mbahem nga çdo fjalë që thua
Po të na ndash, i dashur më mirë të jem e vdekur

Në zemrën tënde shikoj yllin e çdo nate dhe të çdo dite
në sytë e tu humbas, dhe shkoj larg
për sa kohë që jam këtu në krahët e tu
nuk mund të ketë vend më të mirë

Ti je thjesht më i miri, më i miri nga të tjetër
më i mirë nga çdokush, çdokush që kam takuar
kam ngecur në zemrën tënde, dhe mbahem nga çdo fjalë që thua
Po të na ndash, i dashur më mirë të jem e vdekur

Sa herë që më lë, unë humbas kontroll
sepse ti ikën me zemrën dhe me shpirtin tim
të ndjej edhe kur jam vetëm
Oh i dashur, mos më lër. /KultPlus.com

Rikthehet Tina Turner

Këngëtarja veterane e lindur në Amerikë, Tina Turner, u largua paksa nga pensionimi për të sjellë në treg muzikë të re që e përfaqëson jetën e saj.

Këtë gjë këngëtarja e bëri të martën më 17 tetor në Londër.

Fjala nuk është për ndonjë album muzikor por për shfaqjen muzikore, ‘TINA’, me regji të Phyllida Lloyd dhe me aktoren e nominuar për çmim Tony, Adrienne Warren, në rolin e divës Tina Turner.

Mjuziklli është krijuar me ndihmën e vetë këngëtares dhe besohet se sjellë historinë e pa treguar të një femre e cila guxoi t’i tejkalojë të gjitha barrierat që ia krijonte mosha, gjinia dhe raca e saj.

Shfaqja muzikore “TINA” do të hapet në teatrin “Aldwych” të Londrës, në prill të vitit të ardhshëm. / KultPlus.com

E konfirmuar, Tina Turner po kthehet me projekt të ri

Në West End në Londër, në prill të vitit 2018 do të prezantohet premiera botërore e mjuziklit që është bazuar në jetën dhe hitet e këngëtares së famshme Tina Turner, shkruan KultPlus.

Ky konfirmim ka ardhë edhe nga faqja e saj zyrtare, ku ka treguar për emocionet e saj mbi këtë rikthim, e cila ka vlerësuar se për të është shumë e rëndësishme që të ndajë me audiencën, komplet rrëfimin e saj. Poashtu Tina Turner është shprehur të jetë shumë e lumtur për faktin se kjo ngjarje do të ndodhë pikërisht në Londër, në vendin që ka një rol shumë të rëndësishëm për vetë Tina Turner. “Premierë botërore e mjuziklit tim të ri”, ka shkruar Tina Turner. Shitja e biletave tashmë do të fillojë në muajin shtator.

Mjuzikli i Tina Turner do të nisë me mbrëmjen për shtypin më 17 prill, kurse mjuziklli do të prezantohet më 21 mars, kurse ky projekt është rezervuar fillimisht deri më 16 qershor./KultPlus.com