“Tinka Kurti – Ditari i një bashkëshorti” i autores Anila Mema promovohet në Prizren

 

Figura historike e kinematografisë shqiptare, aktorja Tinka Kurti do të jetë javën tjetër në Prizren, për promovimin e librit “Tinka Kurti – Ditari i një bashkëshorti” të autores Anila Mema, përcjell KultPlus.

Libri i cili përmban rreth 40 vite ditar mbi jetën artistike të “Artistes së popullit” dhe “Mjeshtres së madhe”, Tinka Kurti, do të promovohet javën e ardhshme.

Ditarin e shkroi bashkëshorti i saj, muzikanti Palokë Kurti pas çdo premiere teatrore apo filmi, teksa Tinka rrëfente momentet e saj në prova e shfaqje, në skena e shesh xhirime.

Libri është botim i veçantë, mes ditarit dhe albumit fotografik, i shoqëruar me kujtime e rrëfime të panjohura që datojnë që 70 vjet më parë si dhe fotografi origjinale dhe të papublikuara më parë. Në një gërshetim prej shpirti e fryme, ditari paraqet një përzierje mes ndjesive, madhështisë, sinqeritetit, dëshirave, përjetësisë, pikëllimit, intimitetit, suksesit dhe dështimit.

Të pranishmit do të kenë mundësi bashkëbisedimi me aktoren dhe autoren, ndërkohë që disa kopje të librit do të jenë në shitje.

Promovimi i librit bëhet diton e mërkurë, më 12 tetor, nga ora 17:00, te Kino Lumbardhi. / KultPlus.com