“Tirana Gate” mirëpret në Tiranë artistët evropianë të penës

Njeriu dhe vetvetja, njeriu dhe qyteti, njeriu dhe natyra, njeriu dhe shoqëria, njeriu dhe inteligjenca artificiale që vetë ai e krijoi, njeriu i sotëm përballë trysnisë së kohës. Këto dhe shumë pikëpyetje të tjera, që shkrimtarë të karrierës dhe shkrimtarë të rinj, i ngrejnë në veprat e tyre letrare dhe na bëjnë për çdo ditë të mendojmë e të reflektojmë, do të bëhen pjesë e aktiviteteve të Festivalit Letrar Ndërkombëtar të të Rinjve “Tirana Gate” 2024, për tri ditë radhazi 9, 10 dhe 11 tetor në sallën “Tonin Harapi” të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.

Drejtoresha e Festivalit Letrar Ndërkombëtar të të Rinjve “Tirana Gate”, Irena Toçi, thotë se, ky festival dëshmon se tashmë Shqipëria nëpërmjet letërsisë e ka zërin e vet evropian.

Të gjithë pjesëmarrësit në këtë festival letrar do të kenë misionin e shkëmbimit kulturor, shkëmbimit të përvojave, historive, ndjenjave dhe marrëdhënie njerëzore në një hapësirë letrare ku kryefjalë do të jetë njeriu sot, përballë vetes, përballë botës.

Aktiviteti organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Bashkisë së Tiranës, Bashkimit Europian, Traduki-it, Institutit Gëte, Qendrës së Botimeve për Shqiptarët e Diasporës, Liceut artistik “Jordan Misja”, Ambasadës Gjermane dhe Ambasadës Greke, Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, RTSH-së dhe “ExLibris”.

Në mbremje, në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog, do të vijë për herë të parë në edicionin e dhjetë të tij Festivalit Letrar Ndërkombëtar për të Rinj “Tirana Gate 2024”, shkrimtarja greke Amanda Michalopoulou, me praninë e përkthyeses Isida Metaj që sjell për lexuesin shqiptar librin “Perse e vrava shoqen time më të mirë”.

Autore e tetë romaneve, tri koleksioneve me tregime të shkurta, një shfaqje teatri dhe një novelë. Amanda Michalopoulou është fituese e shumë çmimeve kombëtare në Greqi dhe ndërkombëtare. Tregimet dhe esetë e shkrimtares janë përkthyer në njëzet gjuhë të botës.

“Tirana Gate 2024” synon të promovojë letërsinë cilësore duke krijuar një hapësirë kulturore, ku shkrimtarët e rinj evropianë mund të takohen me njëri-tjetrin./atsh/KultPlus.com

Nis Festivali Letrar Ndërkombëtar i të Rinjve, panele me autorë ballkanikë

Festivali Letrar Ndërkombëtar i të Rinjve “Tirana Gate” 2023, hapi siparin sot, nën moton “Përballë” e organizuar nga Irena Toçi, drejtore e përgjithshme e Shtëpisë botuese “Toena” dhe Milena Selimi si drejtore artistike.

Ceremonia e çeljes së festivalit u zhvillua me praninë e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, zv.shefes së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral majore Manushaqe Shehu, drejtores së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli dhe autorëve të nderuar shqiptarë dhe të huaj.

Në panelin e parë ishin të ftuar shkrimtari e gazetari i mirënjohur Enkel Demi, shkrimtari malazez Andrej Nikolaidis, Arian Leka dhe Ivona Djuric nga Serbia. Tema e këtij paneli ishte: “Ne dhe Ata” – Qiejt e ndarë të Europës. Pse Perëndimi nuk e kupton Lindjen?

Shkrimtarët trajtuan këtë temë në këndvështrimin se, nuk ka rëndësi nëse je malazez, shqiptar, kosovar, rom, serb, i krishterë, mysliman a kushedi se çfarë, ne të gjithë jemi ballkanas.

Ata i dhanë përgjigjje pyetjeve: A quhet kjo nëmë apo bekimi ynë? Si na shohin Ata përtej në Europë? Cilët jemi Ne dhe cilët Ata? A është vërtet kaq e ndryshme Europa Juglindore, nga rrethina jonë, nga ajo që është e njohur për ne? Cilat janë distancat e imagjinuara dhe cilat janë distancat reale? Sa të mëdha janë dallimet mes nesh dhe atyre, midis Këtu dhe Atje? A është ende (apo përsëri!) aktual një diferencim i botës në “Lindje” dhe “Perëndim”?

Me autorin Nikolaidis që shprehet se e shkruara është një proces i çngjyrosjes së vetes, me Enkel Demin që na mbështjell me një Shkodër të rrethueme, përballë të premtuemit që e “don gjanë e vet”, me Arian Lekën që kërkon ngjarje Këtu dhe Atje de Ivona Djuric për ekranin.

“Ne Dhe Ata” bashkon autorët në librat e të cilëve personazhet janë të vendosura për të zgjedhur rrugën e tyre, shkruajnë histori në të cilat fëmijët refuzojnë të marrin rolet e tyre të përcaktuara dhe vënë në dyshim emërtimet dhe qëndrimet e supozuara./atsh/KultPlus.com