Fenomeni i gjakmarrjes në TIFF vjen nëpërmjet regjisores sllovene, Marija Zidar

Pasditja e TIFF-it nisi me “Reconciliation” nga Marija Zidar. Një dokumentar, bashkëprodhim mes Sllovenisë, Serbisë, Malit të Zi e Kosovës, që tregon historinë e një vajze 18-vjeçare e cila vritet në një histori gjakmarrjeje në malësinë shqiptare. Babai i saj i pikëlluar vihet nën presionin e një prifti dhe një shoqate, që jo vetëm ta falë vrasësin, por edhe të pajtohet me të, siç e kërkon Kanuni. Dokumentari është një rrëfim prekës dhe i thellë, i një shoqërie patriarkale të kapur midis të kaluarës dhe një të tashmeje të pasigurt.

Pas “Reconciliation”, në Liceun Artistik, është shfaqur “Purgatory ’90” nga Ismet Sijarina, edhe ky film dokumentar, por që konkuron në kategorinë “MADE In ALBANIAn”. Ismet Sijarina është regjisor, skenarist si edhe profesor në Universitetin e Prishtinës.

Ndërsa në kategorinë PerspecTIFF, ishte radha e një filmi thriller, “Our father, our devil” nga Ellie Foumbi. Filmi, një bashkëprodhim amerikano-francez tregon historinë e një refugjateje afrikane, ekzistenca e paqtë e të cilës tronditet nga hyrja në skenë e një prifti katolik, që rezulton të jetë edhe vrasësi i prindërve të saj.

Filmat e shkurtër që nisën të shfaqen pas orës 21, në Millennium, ishin të kategorisë LIVE ACTION dhe do të mund të kualifikohen për Oscars dhe European Film Awards./atsh/ KultPlus.com

Larmi zhanresh në Millennium dhe Liceun Artistik në ditën e katërt të TIFF

Dita e katërt e TIFF ka nisur me filmin me metrazh të gjatë të regjisorit rus, Aleksandr Khant.

“In Limbo” (103’) është një dramë e cila rrëfen historinë e dy adoleshentëve 15-vjeçarë, Sashës dhe Denit, të cilët bëjnë seks për herë të parë. Kur prindërit e Sashës zbulojnë se ajo ka humbur virgjërinë, shpërthen ferri.

Deni e Sasha largohen së bashku, në shenjë proteste ndaj prindërve e kundër shoqërisë në tërësi. Por liria e papritur iu bie në kokë. Filmi është prodhim i vitit 2021 dhe është vlerësuar në disa festivale europiane, ndërsa në festivalin ndërkombëtar të filmit në Varshavë fitoi çmimin Young Fipresci Award.

Njëkohësisht në Kinema Millennium, vazhduan shfaqjet e filmave për fëmijë edhe në Liceun Artistik “Jordan Misja”, 9 filma të animuar dhe më pas, për fëmijë më të rritur, mbi 11-vjeç u shfaqën 3 filma fiction, të seksionit PANORAMA.

Ora 12:00 shënoi nisjen e projeksioneve të filmave të shkurtër ballkanikë. Gjithsej shtatë filma fiction, nga Turqia, Maqedonia e Verit, Greqia e Serbia.

Pas tyre nisi projeksioni i “Blue Moon”i regjisores Alina Grigore, nga Rumania. Filmi i përket seksionit Perspec TIFF.

Pasdite priten të shfaqen një listë e gjatë filmash të zhanreve të ndryshme, mes të cilëve “Bijtë e Kainit” nga Keti Stamo, film dokumentar, i realizuar mes Francës, Shqipërisë e Italisë./atsh/ KultPlus.com