Tirana është përzgjedhur, mes shumë aplikantësh nga e gjithë bota, si një ndër 10 qytetet përfituese të grantit të Bloomberg Philanthropies për Infrastrukturën e Çiklizmit (BICI).
Investimet në përmirësimin e infrastrukturës, veçanërisht në rritjen e sigurisë për këmbësorët dhe çiklistët, ka bërë që Tirana të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare.
Bloomberg Philanthropies shpalli fituesit e parë të Iniciativës së Bloomberg për Infrastrukturën e Çiklizmit (BICI), me dhjetë qytete globale, që marrin mbështetje për të ndërtuar infrastrukturën inovative të çiklizmit dhe opsionet e lëvizshmërisë së qëndrueshme për banorët e tyre.
Krahas Tiranës, ku do të mbështetet ndërtimi i një rrjeti çiklizmi për të gjitha moshat, nëpërmjet zbatimit të projektimit të kryqëzimeve të sigurta, përfitues janë edhe Milano në Itali dhe Lisbona në Portugali.
Qëllimi i kësaj nisme është të ndihmojë qytetet të dizajnojnë rrugë që rrisin përdorimin e biçikletave, rigjallëron lagjet dhe promovojnë shëndetin dhe mirëqenien e komuniteteve të tyre.
Përveç financimit, Tirana do të marrë dhe asistencë teknike për projektimin dhe zhvillimin e projekteve. E nisur në vitin 2014, misioni i Iniciativës Globale të Projektimit të Qyteteve është të transformojë rrugët në mbarë botën./atsh/KultPlus.com
Tirana nuk është një kryeqytet i zakonshëm, por ajo paraqet dimensione europiane, shkruan faqja italiane vogue-it në një artikull të gazetarit Paolo Armelli.
Tirana ka qënë një qytet me një të kaluar komplekse, por tashme e ka lënë pas ”krahëve” duke u bërë më e jetuar, padyshim më e bukur dhe më europiane. I duhet një udhëtari kureshtar me pasion për të pazakonshmen për të vlerësuar të gjitha nuancat dhe kontrastet më të dukshme.
Me një popullsi të lashtë e ndërthurur me interesash tregtare qysh nga epoka e hekurit, ajo mori rëndësi në shekullin e XVII.
E ndarë midis Evropës Qendrore dhe Perandorisë Osmane, ajo kaloi më pas nga dominimi i Italisë fashiste deri tek regjimi komunist. Më pas erdhën vitet 1990, me imazhet e zbarkimeve përtej Adriatikut të gdhendura ende në kujtesën e shumë italianëve.
Por ndërkohë, Shqipëria dhe vetë Tirana, kanë vendosur rrugën dhe ëndrrat e tyre, duke kaluar pengesat, vështirësitë dhe korrupsionin, por edhe duke u mbështetur në energjitë e saj më të forta dhe më të rrënjosura.
Kryeqyteti, i rrethuar nga mali i Dajit mbetet një ”kondensim shpirtërash” shumë të ndryshëm dhe kontradiktor, nisur nga arkitektura në të cilën spikasin vilat në stilin italian të viteve 1920 dhe kalldrëmet osmane që ndjekin njëra-tjetrën.
Mes tyre në Tiranë sytë të shohin dhe rrokaqiej madhështore, tregje tradicionale dhe butikë moderne. Në dekadën e fundit, një projekt qeveritar ka pikturuar fjalë për fjalë me ngjyra të ndezura monumentet dhe ndërtesat e epokës komuniste, një metaforë e madhe për një realitet urban i mbushur me jetë të re.
Pas tërmetit shkatërrues të 2019-ës, i cili rrezikoi të ndërpresë këtë vrull, Tirana është rikuperuar sërish, duke u nisur nga burimet e saj më energjike. Është në fakt një qytet i mbushur me të rinj, që janë kthyer nga jashtë ose që jetojnë këtu. Nuk është rastësi që vitin e kaluar qyteti u shpall Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022.
Edhe sot ai është një katalizator i paprecedentë dhe ende në rritje për stimuj, ngjarje dhe tendenca. Për të zbuluar një qytet që duket se fsheh sekretet e tij me ”xhelozi” kërkuam disa informacione për vendet themelore të një Tirane të pazakontë dhe vazhdimisht në zhvillim.
Ku të qëndroni?
“Për të qëndruar në një vend të këndshëm dhe për të shijuar kuzhinën e rafinuar mesdhetare, ”Padam Boutique Hotel & Restaurant” është vendi im i preferuar”, na thotë Sonila Alushi, një gazetare dhe aktiviste shqiptare që jeton prej 25 vitesh në Bergamo.
I vendosur në një vilë klasike të stilit viktorian, afër zemrës së qytetit, restoranti elegant dhe i rafinuar ka gjithashtu një bar lounge të vendosur në një kopsht të madh që e bën atë një vend vendi të përsosur për të kaluar një pasdite ose një mbrëmje nën kolonat zanore muzikore.
”Maritim Hotel Plaza” është gjithashtu komod dhe me një stil të rafinuar, një hotel i klasit të parë pak hapa nga parlamenti i vendit dhe Teatri i Operas, me një çati ku mund të përfitoni 360 gradë befasuese me pamje nga Tirana.
Të shijosh një aperitiv në Lounge Bar në katin e 23-të do të thotë të largohesh nga zhurma e metropolit dhe në vend të kësaj të shijosh pamjen e ngjyrave pasionante të perëndimit të diellit dhe dritat e vrullshme të kryeqytetit në relaksim absolut.
”Areela”, nga ana tjetër, është një hotel me dizajn të rinovuar së fundmi, ku bashkohen stili neoklasik dhe komoditeti, të cilat përmes shërbimeve inovative premtojnë qëndrime shumë të këndshme, pikërisht në zemër të lagjes më historike të qytetit.
Për ata që kërkojnë eksperienca alternative, megjithatë, pranë tregut të madh të Pazarit të Ri, ”Hostel Milingona” është një vend vërtet ikonik dhe piktoresk.
Duke ecur nëpër kryeqytet, drejt zonës së verërave, Durrësit, gjysmë ore nga aeroporti i Tiranës, është e këndshme të hasësh agroturizëm Gjepali ku shefi i saj Fundim Gjepali ka rifituar fermën familjare të konfiskuar në të kaluarën nga regjimi dhe ka krijuar një vend të zhytur në natyrën më autentike.
Sugjermimet e ëmbëlsirave
Si të mos e nisni ditën nëse jo me një mëngjes të shijshëm me ëmbëlsira franceze? Vendi i duhur është ”Patisserie Française”, një vend emri i të cilit tashmë mban erën e Parisit, i themeluar nga Madame Marie-Thérèse Marchal, një grua kurioze franceze që ra në dashuri me Tiranën në fillim të viteve 1990 dhe hapi fillimisht një furrë buke franceze dhe më pas pastiçerinë e shijshme.
“Për mua ishte një vend magjik ku piqeshin mrekulli. Shqipëria në ato vite po kalonte një periudhë historike shumë të vështirë dhe me vështirësi mund të dilte nga varfëria e thellë”, kujton Sonila.
Këshilla për të zbuluar qytetin
Ndër vendet e tjera në zemër të Sonilës është restoranti Gzona, pranë Kalasë së Tiranës. Ndodhemi në një kompleks antik të inauguruar në vitin 2018, në të cilin janë grupuar restorante, galeri dhe dyqane që shesin produkte tipike gastronomike dhe prodhime vendase. Të ulesh rreth një tavoline dhe të shijosh ushqimin është një nga karakteristikat më tradicionale të kulturës shqiptare: nuk është rastësi që ”gzona” në dialektin e shqipes veriore të gegërishtes do të thotë “të gëzohemi së bashku”.
Në këtë restorant, në fakt, shërbehen gatime tipike të recetave më të vjetra kombëtare, me produkte vendase, por të ripunuara me teknika novatore, një urë lidhëse mes së shkuarës dhe së ardhmes që të lejon të mbash gjallë traditat.
Pak minuta larg sheshit Skënderbej, qendra e vërtetë nervore e qytetit me shtatin kushtuar heroit kombëtar Gjergj Skënderbet, i cili në shekullin e 15-të kishte refuzuar pushtimin turko-osman, është Bati, një restorant peshku i vogël.
Këtë e rekomandon Andrea Ferrari, sipërmarrës i turizmit mjeko-estetik që fluturon shpesh nga Milano në Tiranë.
“Për të ngrënë në lagjen ”Blloku”, një sugjerim është sigurisht Kripa, ku kaloni nga rizoto italiane në sushi, e fiorentine. Këtu menyja e larmishme, ambienti eklektik dhe i rafinuar, por edhe shërbimi i vëmendshëm tërheq rininë e shfrenuar vendase. Por atyre që u mungon vërtet Italia, mund të kontaktojnë ”Artizanën” e cila ka selinë e saj në një vilë simpatike”, thekson ai.
Në qendër të bulevardit ndodhet Piramida, një strukturë piktoreske që kishte qenë mauzoleumi i Enver Hoxhës, liderit autoritar që sundoi Shqipërinë nga viti 1941 deri në vdekjen e tij.
Çfarë duhet të vizitoni?
Pikërisht në sheshin qendror Skënderbej, dikur i rrethuar nga makinat dhe tani zemra e gjallë e qytetit, vërehen dy nga vendet më të vizituara në Tiranë: nga njëra anë Muzeu Historik Kombëtar me fasadën e tij madhështore dhe mozaikun shumëngjyrësh që përfaqëson fitoret e populli shqiptar, brenda të cilit mund të rikthehen mijëvjeçarët duke filluar nga periudha paleolitike deri në atë komuniste; dhe nga ana tjetër Xhamia Et’Hem Beut, simbol i shumëllojshmërisë fetare të vendit dhe mahnitëse për dekorimet e mrekullueshme me lule brenda.
Por destinacionet më të veçanta, në qytet, janë ato më pak tërheqëse, në fakt praktikisht nëntokë. Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, për shembull, janë bunkerë të mbajtur top sekret në qendër të qytetit për një kohë të gjatë, të përdorur në të kaluarën nga policia sekrete shtetërore.
Sot ato strehojnë një ekspozitë historike që përfshin imazhe, aksesorë dhe objekte nga periudha komuniste dhe shtypja e tij, duke zbuluar sekretet e policisë politike. Ata janë hapur pë publikun përkatësisht në 2014 dhe 2017, me iniciativën e gazetarit italian Carlo Bollino, ish-drejtor i ”Gazzetta del Mezzogiorno”, i cili i bindi autoritetet të ndajnë shumë dokumente që kishin mbetur të klasifikuara prej kohësh.
“Reja” në Tiranë
Nga e kaluara më e errët tek e ardhmja më e ndritur me Reja, apo “Reja”, një nga monumentet e reja të qytetit, skena e selfieve më të shumta. Instalacioni, i vendosur në kopshtin e Galerisë Kombëtare të Arteve, është projektuar nga arkitekti japonez Sou Fujimoto dhe përbëhet nga një strukturë kubesh çeliku të bardhë dhe të lehtë, të cilët krijojnë një hapësirë të brendshme të gjallëruar nga projektime kinematografike dhe ngjarje të tjera për t’u shijuar sidomos në verë.
Për të gjithë vizitorët që duan një eksperiencë blerjeje një udhëtim në ”Pazarin e Ri”, i konsideruar nga shumë njerëz si zemra e vetë qytetit, është i domosdoshëm dhe ideale. Krijimi i tij daton në vitet tridhjetë nën Mbretin Zog, i cili e bëri atë tregun e parë, i cili megjithatë u riorganizua me kalimin e viteve për t’u bërë tregu më atraktiv dhe i sigurt.
I pasur me bare, bistro, restorante të modës dhe bujtina Pazari i Ri ka më shumë se 150 tregtarë me tezgat e tyre: nga mishi dhe peshku te perimet, nga mjalti te djathi, te erëzat, vaji, duhani dhe suvenire.
“Këshilla është blerja e çajit të malit, që sipas nesh shqiptarëve shëron të gjitha sëmundjet”, rrëfen Sonila, duke iu referuar këtij çaji bimor të bërë nga një shkurre e egër, i njohur edhe si pije e poetëve dhe filozofëve, sepse është për t’u konsumuar në vetmi, dhe gjithashtu i famshëm për virtytet e tij anti-inflamatore, antibakteriale dhe antioksidante.
Tregu i Pazarit të Ri
Për të përjetuar plotësisht jetën më të gjallë të natës në Tiranë, ka vetëm një fjalëkalim: Blloku.
Ky është rrethi më i ri dhe më vital, emri i të cilit fjalë për fjalë do të thotë “bllok”, sepse ishte rrethi ekskluziv i drejtuesve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, jashtë kufijve për njerëzit e zakonshëm.
I projektuar si një “distrikt kopshtesh” nga Gherardo Bosio, arkitekti italian që udhëhoqi rinovimin e ndërtesave shqiptare në epokën fashiste, sot është qendra nervore e vrullshme e të rinjve, të cilët e përjetojnë atë në të gjitha kontrastet e saj: duke filluar nga kokteji më magjepsës, baret klasikë, klubet ekskluzive deri tek vendet më intime ku mund të ndiqni muzikë live.
Ka një prezencë të fortë restorantesh italiane, të hapura nga ata që janë kthyer pasi kanë jetuar në vendin tonë prej dekadash.
Këtu vendi më interesant është padyshim ”Radio Bar Tirana”: dizajni i rikuperuar nga periudha komuniste, mobilje ekscentrike, postera dhe foto vintage në mure, atmosferë miqësore (në çdo kuptim) dhe mbi të gjitha kokteje të shkëlqyera./atsh/KultPlus.com
Vizita e kryeministres daneze, Mette Frederiksen në Tiranë, ku është takuar me homologun e saj, Edi Rama, është shoqëruar edhe me momente pikante, ndërsa ajo vizitonte zyrën e punës së kreut të qeverisë shqiptare.
Asaj, jo pak kureshti i kanë ngjallur pikturat në zyrën e Ramës. Fredriksen, është shprehur se nuk ka parë asnjëherë një zyrë të tillë e dizenjuar me piktura të bëra nga vetë kryeministri.
Dialogu
Kryeministrja daneze: Nuk kam parë kurrë një zyrë të tillë, do të jetë e vetmja në botë!
Edi Rama: Angela më tha të njëjtën gjë.
Kryeministrja daneze: I bën direkt në mur?
Edi Rama: Jo! Hidhen në kompjuter dhe pastaj murosen.
Katër shfaqje të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të shfaqen në Tiranë, shkruan KultPlus.
Nga data 8 deri më 11 mars të këtij viti, shfaqjet nga repertori i këtij institucioni do të prezantohen për publikun e Tiranës, prezantim ky në kuadër të bashkëpunimit të teatrove kombëtare nga Prishtina dhe Tirana, e që me këtë rast është me rastin e 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Shfaqjet do që do të prezantohen në këto terminë janë: Gratë – 8 Mars, ora 19:00 Molly – 9 Mars, ora 19:00 Fausti – 10 Mars, ora 19:00 Club Albania – 11 Mars, ora 19:00./ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar planin për të hapur një muze në Tiranë kushtuar historive të qytetarëve të saj që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit, shkruan David I. Klein për një nga gazetat më të mëdha izraelite ”Times of Israel”.
”Muzeu do të nderojë gjithashtu historinë dhe kulturën hebraike”, shtoi Rama.
Muzeu ”Besa” do të emërtohet sipas kodit të rreptë të nderit që shqiptarët thonë se i motivoi ata të mbrojnë fqinjët e tyre hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithëse Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe më vonë Gjermania naziste, popullsia e saj hebreje u rrit gjatë gjithë luftës duke u trefishuar më shumë se sa refugjatët që u dyndën atje nga e gjithë Evropa.
Ambasada e Shqipërisë në Berlin lëshoi letra të rreme identiteti për hebrenjtë dhe shumë vendas i fshehën ata në shtëpitë e tyre. Yad Vashem, autoriteti i kujtimit të Holokaustit në Izrael, ka njohur të paktën 75 individë si të drejtë midis kombeve për shpëtimin e hebrenjve.
“Shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një nga faqet më të bukura në historinë e shqiptarëve. Të krishterët dhe myslimanët sakrifikuan gjithçka për t’i mbrojtur ata”, tha Elva Margariti, ministrja e Kulturës e Shqipërisë.
“Për shqiptarët kjo është BESA; është një vlerë që ne do t’ua përcjellim fëmijëve tanë, duke u treguar atyre këtë histori të jashtëzakonshme. Muzeu ‘Besa’ do të jetë një urë komunikimi mes brezave; një hapësirë dialogu për ndarjen e vlerave më të mira të popujve tanë”, tha ajo.
Shqipëria ka hapur një konkurs me dy faza për të gjetur një projektues.
Muzeu do të vendoset në ndërtesën historike të Shtëpisë së Toptanëve në qendër të Tiranës, të cilën ministrja e përshkoi si një shembull të “arkitekturës më të mirë shqiptare të shekullit XIX”.
Pavarësisht se konkursi sapo ka filluar, Ministria e Kulturës i tha Agjencisë Telegrafike Hebraike se shpreson ta hapë muzeun deri në fund të vitit.
Biznesmeni dhe filantropisti kazako-izraelit Alexander Machkevitch po financon fazën e konkurrimit.
“Është një tjetër moment shumë i rëndësishëm në historinë, zhvillimin urban dhe arkitekturën e Tiranës”, tha Rama.
“Dhe besoj se më në fund do të mund të marrim një psherëtimë të lehtësuar nga një barrë e kahershme detyrimi në lidhje me fëmijët tanë dhe vizitorët në vendin tonë, që lidhet ndoshta me faqen më të lavdishme të historisë shqiptare, shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, thekson ai.
Kryeministri i Shqipërisë ka ndarë më ndjekësit e tij disa fotografi, duke prezantuar një objekt që sipas tij do të jetë një ndër më të vizituarit në Tiranë, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e tij.
Ky është Mozaiku i Tiranës që shumë shpejt do të kthehet në një nga destinacionet më të vizituara të kryeqytetit, ku do të zbulohen copëza të historisë, përmes mozaikëve të rrallë të antikitetit./ KultPlus.com
Tirana ka njohur katërfishim të numrit të turistëve të huaj, duke u kthyer në një aktor të rëndësishëm të industrisë së turizmit.
Gjatë një takimi me me guidat turistike në kryeqytet, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se ky “boom” turistësh ka ardhur pas investimeve dhe transformimit që ka përjetuar Tirana, ku veçoi zonat më ikonike të saj, sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri dhe Kalanë e Tiranës.
“Sidomos në vitin e kaluar kur kemi pasur edhe titujt Kryeqyteti Europian i Rinisë, apo këtë vit ai i Sportit, e kam pasur sfidë të hyj e të dal nga bashkia prej grupeve të turistëve. Jam ndjerë sikur jetoja në Babel, kur dëgjoja çfarë gjuhe fliste një grup dhe nuk e fliste grupi tjetër. Në këtë sens, unë besoj që këto janë ditët më të mira të turizmit në Tiranë. Pra, me gjithë problematikat që kemi, më mirë se kaq nuk ka qenë përpara dhe nuk ka qenë kurrë,” tha Veliaj.
Kreu i bashkisë së Tiranës renditi disa nga atraksionet kryesore turistike ku është ndërhyrë së fundmi, ndërsa veçoi Piramidën, për të cilën tha se shumë shpejt do jetë në 3 pikat më të vizituara të Tiranës.
“Nuk besoj ka kaluar një vit që s’kemi shtuar një stacion të ri ku vërtet ia vlen të çosh turistë. Filluam me “Shtëpinë e gjetheve”, vazhduam me “Pazarin e Ri”, me Kalanë e Tiranës dhe janë bërë disa të quajtura “tourist traps”. Jam i bindur që Piramida do jetë atraksioni, në mos vendi më i instagramuar, të paktën tek tre më të kërkuarit nga turistët. Ai është një ballkon 360 gradë i Tiranës,” deklaroi ai.
Kryebashkiaku bëri më dije se dy stacionet e reja për t’u vizituar nga turistët që do shtohen shumë shpejt janë “Sarajet” që është shpronësuar nga bashkia dhe do të kthehet në Muzeun Etnografik të Tiranës dhe Shtëpia e Libohovitëve. Ndërkohë, ai sqaroi më tej se ka filluar puna për shtëpinë “Dritëro Agolli”, siç është bërë edhe te “Shtëpia e gjetheve” apo te shtëpia e Ismail Kadaresë.
Për destinacionet më të largëta nga qendra, Veliaj e vuri theksin te ecja në këmbë.
“Te “Bulevardi i Ri” është punuar që në fillim për më shumë hapësirë për ecjet dhe ato që quhen “linear parks”. Në disa raste të tjera na është dashur të bëjmë një lloj kompensimi në urbanistikë, si tek Bulevardi “Zogu I”, një tjetër rrugë që vizitohet shumë, ku hoqëm gjithë parkimin”, sqaroi kryetari Veliaj.
Për sa i përket autobusëve dhe terminaleve, ai tha se tashmë ka mbaruar terminali lindor, ndërsa te “Kthesa e Kamzës” do fillojnë punimet shumë shpejt për terminalin e ri perëndimor.
“Jemi duke shqyrtuar mundësinë që të kthejmë sheshin “Nënë Tereza” në një parkim nëntokësor, i cili të jetë ekskluziv vetëm për autobusët. Ndërkohë jemi duke menduar që xhepin e parkimit që fituam te Garda, që ta përshtatim për autobusë dhe ta kthejmë në stacion, derisa të bëjmë një zgjidhje nëntokë në sheshin “Nënë Tereza”. Duhet të pranojmë që kemi bërë një revolucion me transportin e taksive, ku 60% janë elektrike. Impakti i parë kur vjen në Rinas, apo kur lëviz në Tiranë me një mjet ekologjik, është një publicitet i mirë për qytetin,” nënvizoi Veliaj.
Ai njoftoi se bashkia sapo ka miratuar një investim për kthimin e 80 stacioneve të autobusëve në stacione elektronike dhe aplikimin e biletimit elektronik.
Në vitin 2022, Tirana ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë, me mundësi të pafundme për të rinjtë, përmes 1000 aktiviteteve, për të vijuar këtë vit, si Qyteti Evropian i Sportit, gjë që do të sjellë akoma më shumë tërheqje e atraksion për turistët e apasionuar pas aktiviteteve sportive./ atsh /KultPlus.com
Kryeqyteti i Shqipërisë, qendra kryesore ekonomike, financiare, tregtare dhe kulturore e vendit, Tirana është një qytet në evolucion të vazhdueshëm, e gjallë dhe ideale për një fundjavë ndryshe nga zakonisht, shkruan Francasca Masotti për gazetën më të madhe italiane ”Corriere della sera”.
Tirana është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Shqipërisë, si dhe qendra kryesore ekonomike, financiare, tregtare dhe kulturore e vendit ballkanik. Qyteti ndodhet në qendër të vendit, rreth 30 kilometra larg detit Adriatik.
Popullsia urbane llogaritet në 912 190 banorë. Anglishtja flitet pothuajse kudo dhe shumë njerëz flasin dhe kuptojnë italisht.
Klima e Tiranës është e butë, me verë të nxehtë dhe dimër të freskët dhe temperaturat rrallë bien nën zero. Falë pozicionit në fushë dhe afër detit Adriatik, qyteti ndikohet veçanërisht nga një klimë sezonale mesdhetare.
Shtatori është muaji më i mirë për të vizituar qytetin.
Sheshi ”Skenderbej”, i cili befason me përmasat e tij, është jo vetëm qendra gjeografike e kryeqytetit shqiptar, por edhe vendi simbolik i Tokës së Shqiponjave dhe i gjithë universit shqiptar.
Zonat kryesore të Tiranës janë Pazari i Ri, i njohur për tregun e bukur të rinovuar së fundmi, Blloku, zona e jetës së natës, ”21 Dhjetori”, ”Don Bosko”, Stacioni i Trenit, ”Ali Demi” dhe Lapraka më periferike, ”Xhamliku”, Kinostudioja, Kombinati, Yzberishti dhe Sauku.
Nga ana tjetër tragetet GNV lidhin portin e Durrësit vetëm me portin italian të Barit. Për të mbërritur në Tiranë nga Durrësi, nëse nuk keni makinën tuaj, zgjidhja më e përshtatshme është të merrni një taksi.
Mënyra më e përshtatshme për të lëvizur nëpër Tiranë është më këmbë ose me taksi, e cila, për turistët italianë, është një mjet transporti i lirë në krahasim me çmimet tona.
Kryeqyteti shqiptar është një qytet gjeografikisht i sheshtë dhe shumë i sigurt, krimi i vogël pothuajse mungon plotësisht, edhe nëse kjo nuk do të thotë se nuk duhen marrë masa paraprake të përbashkëta si gjatë çdo udhëtimi. Në Tiranë, Wi-Fi është i përhapur pothuajse në të gjitha objektet turistike dhe ofrohet pa pagesë.
Çfarë duhet të shihni në Tiranë? Muzetë dhe monumentet
Sheshi ”Skënderbej” është zemra e kryeqytetit shqiptar. I rinovuar tërësisht në vitin 2017, është një drejtkëndësh i madh prej 24 000 metrash katrorë me një mozaik gurësh natyrorë nga të gjitha trojet historikisht shqiptare, madje edhe ato që ndodhen përtej kufijve kombëtarë.
Plotësisht i pedonalizuar, alternon stolat me sipërfaqe të gjelbra. Në qendër është monumenti ekuestrian prej bronzi i Skënderbeut, i vendosur me rastin e 500-vjetorit të vdekjes.
Disa nga ndërtesat më të rëndësishme historike të qytetit kanë pamje nga sheshi, përkatësisht Xhamia e Et’Hem Beut, me dekorime të mrekullueshme me lule nga brenda, Opera, Pallati i Kulturës, Banka e Shqipërisë dhe Muzeu Historik Kombëtar. Për të admiruar sheshin në tërësi, idealja është të ngjiteni në majën e Kullës së Sahatit, që ndodhet pas xhamisë.
Muzetë
Në dhomat e Muzeut Historik Kombëtar, i cili shquhet për mozaikun plot ngjyra në fasadë, në tetë pavionë të mëdhenj rrëfehet historia e Shqipërisë nga Paleoliti deri në ditët e sotme.
Pak metra më tutje, Bunk’Art2 është vendi ideal për të mësuar më shumë për historinë e Shqipërisë komuniste gjatë viteve të diktaturës së Enver Hoxhës. I inauguruar në vitin 2016, muzeu i kushtohet viktimave të regjimit dhe është i ndërtuar brenda një bunkeri antiatomik, prapa Ministrisë së Brendshme, midis viteve 1981 dhe 1986 për të strehuar personelin e Ministrisë në rast të një sulmi të mundshëm bërthamor. Sot në dhomat e tij janë ekspozuar imazhe historike, aksesorë dhe objekte që rrëfejnë ngjarjet e ndodhura në Shqipëri deri në vitin 1991.
Një tjetër vend për t’u vizituar është Shtëpia e Gjetheve, një qendër ekspozite kushtuar veprimtarisë së policisë sekrete dhe spiunazhit gjatë viteve të diktaturës, e cila në vitin 2020 fitoi Çmimin Muzeor të Këshillit të Evropës.
Nga ana tjetër, Galeria Kombëtare e Arteve ka një koleksion të pasur me vepra të piktorëve shqiptarë nga fundi i shekullit XIX deri në vitet 2000. Përpara ndërtesës ndodhet ”Reja”, një strukturë e bardhë që i ngjan një reje për shkak të pamjes së saj, vepër e artistit japonez Sou Fujimoto.
I vendosur në periferi të qytetit, Bunk’Art1 është një muze i ndërtuar brenda bunkerit më të madh anti atomik në Shqipëri. Bunkeri ishte projektuar për të strehuar diktatorin Enver Hoxha dhe drejtuesit kryesorë të Partisë në rast të një sulmi bërthamor, megjithëse nuk u përdor kurrë për këtë qëllim. Sot, në mbi 100 dhoma rrëfehet historia e vendit të shqiponjave, nga pushtimi fashist e deri te komunizmi.
Së fundi, Muzeu Arkeologjik, i pari muze i hapur në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, strehon mbi 2 000 zbulime arkeologjike të gjetura në territorin shqiptar.
Qendra Botërore Bektashiane.
Pavarësisht sundimit të gjatë osman dhe më pas shpalljes së ateizmit shtetëror gjatë diktaturës së atëhershme komuniste (me pasojë ndalimin e praktikimit të feve), Shqipëria është sot një shtet laik tolerant ndaj të gjitha besimeve.
Në territorin e saj jetojnë myslimanë, të krishterë ortodoksë, të krishterë katolikë, hebrenj dhe bektashinj dhe ndodh shpesh që përfaqësues të komuniteteve fetare të takohen në ngjarjet dhe festat e tyre përkatëse.
Tirana është shtëpia e Qendrës Botërore Bektashiane, një vend i arritshëm për këdo që dëshiron të zbulojë një vend jashtë radarit në kryeqytetin shqiptar. Teqeja, e përfunduar në shtator 2015, është e stolisur me mozaikë mermeri shumëngjyrësh hipnotik dhe në bodrum është vendosur një muze interesant, fatkeqësisht me informacion vetëm në gjuhën shqipe, në dhomat e të cilit rrëfehet historia e vëllazërisë islame me prejardhje sufi, e themeluar në shekullin XIII.
Monumentet
Në Tiranë ndodhet edhe Xhamia e Madhe, e cila do të inaugurohet së shpejti pas shumë vitesh punë, Katedralja e Ngjalljes së Krishtit, e ritit ortodoks, struktura e tretë më e madhe e këtij lloji në gadishullin ballkanik dhe Katedralja e Shën Palit e ritit katolik.
Ndër pikat e tjera me interes në qytet janë Ura e Tabakëve, Piramida, një ndërtesë e madhe prej betoni të përforcuar e ndërtuar si mauzoleumi i diktatorit Enver Hoxha, i përdorur më vonë si bazë e NATO-s gjatë luftës në Kosovë. Më pas u bë një klub nate, një qendër ekspozite dhe një pikë takimi për të rinjtë nga Tirana. Aktualisht është në fokus të një projekti rinovimi që do ta shndërrojë atë në një qendër të rëndësishme kulturore, shkencore dhe teknologjike në Ballkan.
Parqe dhe kopshte
”Tajvani” është një zonë rekreative me një bar, restorant, pistë bowling dhe një nga këndet më të mëdha të lojërave në qytet, i frekuentuar nga familje me fëmijë. Megjithatë, vendi i preferuar i banorëve të Tiranës për të shëtitur dhe marrë të vegjlit për të luajtur është Parku i Madh, mushkëria e gjelbër e kryeqytetit, ku ndodhet edhe një liqen i madh artificial.
Falë aktiviteteve të shumta në natyrë që mund të kryhen, është vendi i preferuar për t’u çlodhur gjatë fundjavave dhe madje edhe gjatë javës, duke u argëtuar dhe duke u larguar nga kaosi i qytetit. Zona e parkut përfshin gjithashtu Pallatin e Brigadave, ndërtimi i të cilit filloi në 1936 dhe u përfundua në 1941 nga arkitekti fiorentin Gherardo Bosio.
Për të shpëtuar përkohësisht nga kaosi i Tiranës, Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, që ndodhet 25 kilometra në lindje të qendrës së Tiranës, mund të arrihet me makinë, taksi ose me teleferikun Dajti Ekspress, më i gjati në Ballkan, i cili zgjat rreth 20 minuta.
Zona natyrore është një parajsë e vërtetë për entuziastët e aktiviteteve në natyrë, e këndshme në çdo stinë të vitit, por sidomos në pranverë, kur livadhet mbushen me lule dhe në vjeshtë, kur gjithçka merr tone të ngrohta. Parku i Aventurave të Dajtit është një park aventure për të rritur dhe fëmijë (nga 5 vjeç) i ndërtuar në zemër të pyllit midis shtigjeve, zip-lines dhe shtigjeve prej druri.
Çfarë duhet të bëni në Tiranë: Blloku, zona e jetës së natës
Në afërsi të parkut ndodhet Blloku, zona e jetës së natës në Tiranë, e njohur për baret dhe klubet e shumta. Nëse sot Blloku është vendi ku takohen të rinjtë në diskotekat dhe klubet e zonës, në vitet e diktaturës komuniste lagja ishte e rezervuar ekskluzivisht për elitën politike dhe nuk lejohej hyrja e të tjerëve.
Radio Bar, Nouvelle Vague dhe Antigua janë ndër vendet më të frekuentuara nga banorët e Tiranos dhe janë të njohur për koktejet e tyre të shkëlqyera, stilin e rafinuar dhe atmosferën e këndshme.
Zona është shumë e gjallë edhe nga pikëpamja kulturore: në pallatet e disa ndërtesave janë krijuar vepra të shumta të artit të rrugës nga artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe duke u endur nëpër rrugët e saj nuk është e rrallë të hasësh galeri të vogla arti, ku artistë bashkëkohorë shqiptarë ekspozojnë veprat e tyre (Galeria FAB është shumë aktive, në pronësi të Akademisë së Arteve në Tiranë).
Një tjetër vend i padiskutueshëm për të pasionuarit e jetës së natës është Kafe-Muzeumi i Komitetit, pranë Piramidës, një vend me objekte të epokës komuniste ku mund të provoni mbi 20 variacione të rakisë, një pije alkoolike e aromatizuar me origjinë otomane, tipike për të gjithë Ballkanin.
Pazari i Ri dhe Kalaja e Tiranës
Tregu i ri në Tiranë, Pazari i Ri, është rezultat i një rizhvillimi ambicioz që ka ripërtërirë pamjen e strukturës dhe të zonës përreth, e karakterizuar sot nga ndërtesa me fasada me ngjyra me motivet tradicionale gjeometrike të Ballkanit. Arkitektura moderne në qelq dhe çelik në tezgat e së cilës shiten fruta, perime, reçel, marmelatë dhe ushqime të ndryshme tipike shqiptare, është përuruar në vitin 2017.
Kalaja e Tiranës është vendi tjetër i preferuar për shopping. Brenda ka restorante, galeri arti, bare dhe dyqane artizanale ku shiten produkte lokale gastronomike dhe joushqimore.
Albastër në formë bunkeri, qilima tradicionale me modele gjeometrike, qeleshe, shalle mëndafshi, çanta të punuar me dorë, raki, vaj dhe verë, janë vetëm disa nga suveniret më të mira për t’u blerë si kujtim i një udhëtimi në Tiranë.
Ku të flemë në Tiranë?
Maritim Hotel Plaza: është hoteli më i famshëm dhe luksoz në Tiranë, pikërisht në qendër, me dhoma të mobiluara me elementë dizajni, shtretër të rehatshëm dhe të bollshëm, qendër Wellness, sauna, tre restorante të kuzhinës ndërkombëtare dhe pamje të bukur të sheshit ”Skënderbej”.
Hotel Mondial: dhoma me vëmendje ndaj detajeve, një përzierje e arredimit klasik dhe bashkëkohor. Pishinë të jashtme në çati dhe bar në çati me pamje nga çatitë e Tiranës. Hoteli ndodhet pak metra larg Mozaikut të Tiranës, e vetmja mbetje arkeologjike e pranishme sot në qytet, pjesë e një vile të lashtë romake të shekullit III.
Nga ana tjetër, Hotel Areela Boutique është një hotel i vogël në stilin neoklasik dhe industrial, shtatë minuta më këmbë nga sheshi, me dhoma të mëdha dhe shumëngjyrëshe, të mobiluara me qilima tradicionale dhe vepra arti bashkëkohor.
Ku të hamë në Tiranë?
Tirana po hyn plotësisht në listën e destinacioneve gastronomike më interesante në Evropën Jugore. Ndër pjatat tipike janë byreku, tavë kosi, patëllxhanë të mbushur dhe qofte, qofte pikante dhe speca të skuqur. Por, ka restorante të shumta që rishikojnë kuzhinën tradicionale me ndikime bashkëkohore.
Mes të shumtëve, për t’u theksuar në rendin e ditës ”Mullixhiu” në tryezat e të cilit mund të shijoni shijet tradicionale të gastronomisë shqiptare, ”Padam”, një ”institucion” lokal, në kuzhinat e të cilit shefi i kuzhinës Fundim Gjepali krijon një menu jashtëzakonisht të rafinuar; ”Gzona” nga shefi i kuzhinës Bleri Dervishi (me shumë eksperienca italiane dhe ndërkombëtare pas tij), i cili rrit përbërësit dhe shijet vendase duke i shndërruar në gatime që ngjajnë me vepra arti.
Çfarë të vizitoni pranë Tiranës?
Një orë larg Tiranës, Kruja, kryeqyteti i lashtë i mbretërisë shqiptare, është një qytet i bukur malor me një treg historik, ku artizanët vendas shesin tekstile, bizhuteri, qilima të endura në tezgjah dhe antika.
Në kalanë e saj, simbol i rezistencës kundër pushtimit osman, ku Skënderbeu luftoi kundër turqve për 25 vjet për të mbrojtur Shqipërinë, ndodhen dy muze të rëndësishëm.
Muzeu Etnografik i Krujës, i vendosur në sallat e një shtëpie të vjetër, që u ofron vizitorëve një pasqyrë interesante të jetës lokale gjatë viteve të pushtimit osman dhe Muzeu i Skënderbeut, sallat e të cilit ekspozojnë afreske, statuja, mozaikë dhe dokumente për ngjarjet historike të vendit.
Nga tarraca me xham e restorantit ”Panorama”, e cila shërben pjata të shkëlqyera të gastronomisë vendase, mund të admironi pamjen më të bukur të qytetit, tregut dhe kalasë.
Durrësi është një nga qytetet më të vjetra në Mesdhe, me mbetje të shumta arkeologjike, duke përfshirë amfiteatrin romak, i ndërtuar midis shekujve I-II pas Krishtit, nën mbretërimi i Trajanit, i cili mund të strehonte më shumë se 20 000 njerëz.
Durrësi ka plazhe të gjata me rërë të artë, me ujë të cekët dhe mjafton të shkoni disa kilometra larg qendrës për të gjetur ujë të pastër dhe gjire sekrete ku mund të pushoni.
Ai ka plazhe ideale për ata që udhëtojnë me fëmijë të vegjël falë ujit të cekët dhe të pastër.
Gjithashtu në veri të Durrësit, Kepi i Rodonit, një kep shkëmbor që del nga deti Adriatik, është në vend të kësaj një nga vendpushimet bregdetare më magjepsëse në Shqipëri, me shkëmbinj, plazhe të pacenuara dhe shkurre mesdhetare sa të sheh syri.
Disa kilometra larg qendrës historike, nga ana tjetër, duke u nisur nga jugu, plazhet e Golemit, Karpenit, Gjeneralit dhe Spillesë janë rizhvilluar kohët e fundit dhe tashmë janë perfekte veçanërisht për familjet.
Tirana, evente dhe festivale
Pasi ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë në 2022, Tirana është Kryeqyteti Evropian i Sportit 2023. Për të gjitha eventet që lidhen me nominimin, këshillohet të konsultoheni me faqen e internetit tirana.al/.
Në Shqipëri dhe në Tiranë, 14 marsi, dita e pranverës, shënon fillimin e verës.
Në maj, Festivali i Ditës së Ngjyrave është një ngjarje që feston ardhjen e verës. Nga pikëpamja e ngjarjeve, shtatori është muaji më i gjallë.
Në fillim të shtatorit Festivali Ndërkombëtar i Xhazit përfshin artistë të xhazit nga e gjithë Evropa; Mural Fest, kushtuar artit të rrugës, tërheq artistë nga e gjithë bota që krijojnë vepra në fasadat e ndërtesave të kryeqytetit; Festivali Ndërkombëtar i Filmit TIFF-Tirana (tiranafilmfest.com), në fund të muajit, është eventi më i rëndësishëm i filmit në vend.
Maratona e Tiranës është një takim fiks prej disa vitesh në fund të tetorit.
Panairi i Librit është eventi më i madh shqiptar kushtuar botës botuese dhe mbahet çdo vit në nëntor.
Më në fund, në dhjetor, sheshi shndërrohet në një fshat të madh Krishtlindjesh me stenda, shtëpi prej druri dhe lojëra për të rinj dhe të moshuar./ atsh / KultPlus.com
Organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës (21-31 Janar 1920) u vendosën më 11 Shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në Janar 1925.
Pas 1920 filloi popullimi me banorë të ardhur nga krahina e qytete të tjera të vendit. Më 11 shkurt 1920, populli i Tiranës priti me entuziazëm Këshillin e Lartë dhe Qeverinë, e cila u vendos pikërisht në atë ndërtesë, ku tiranasit kishin ngritur flamurin në vitin 1912. Autoritetet e larta të shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi, në marshimin e tyre (që nisi më 6 shkurt), kaluan në Kavajë dhe në pamundësi për të hyrë në Durrës, i cili ishte i pushtuar nga forcat italiane, u kthyen drejt Shijakut, për të mbërritur në Tiranë.
Arsyet që u vendos të shkohej drejt Tiranës qenë:
– Mosprania e forcave të huaja (pushtuese),
– pozita gjeografike në qendër të vendit,
– patriotizmi shumë herë treguar i popullsisë së trevës, dhe
– ndodhja e disa ndërtesave që mund të përdoreshin si zyra.
Në këtë rrugëtim të rrezikshëm, rol kryesor pati Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili kishte përkrahësit e tij të armatosur. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve, ka qenë moszbrapsja e tij përballë forcave italiane, (që tentuan t’i ndalonin përfaqësuesit e zgjedhur në Lushnje), moment kyç për suksesin e kësaj ndërmarrjeje. Me të mbërritur në Tiranë, Këshilli i Naltë dhe qeveria, më 11 shkurt 1920, mes entuziazmit popullor, e shpallën atë kryeqytet të përkohshëm. Më 1922 Tirana u shkëput si nënprefekturë nga prefektura e Durrësit dhe u bë prefekturë më vete. Më 1923 ajo kishte 12.453 banorë. Më 1924 Tirana u bë arenë e luftës së brendshme politike-Revolucionit të Qershorit dhe rikthimit të Ahmet Zogut, i cili u vu në krye të shtetit, në filim si kryetar i Republikës Presidenciale (1925-1928) pastaj si mbret (1928-1939).
Data 11 shkurt, datë në të cilën Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm, është e një rëndësie parësore në historinë tonë kombëtare; kjo zgjedhje lidhet ngushtë me veprimtarinë e dendur patriotike të tiranasve, para dhe pas pavarësisë. / KultPlus.com
Fytyra e saj është një fytyrë si e një kukulle porcelani. Dhe jo vetëm, por edhe një fytyrë kukulle e habitur. Dhe me sytë e saj të mëdhenj sikurse edhe më ma vërteton këtë ndjesi që ma jep figura e Ornela Vorpsit.
Në pamje të jashtme ta le përshtypjen e një gruaje të fortë, që është në gjendje të thyej çdo barrikadë, po në shpirt, sikurse e thotë edhe vet, është e vrarë, shumë e vrarë nga jeta që e rropati brenda dhe jashtë Shqipërisë.
E përkthyer në mbi 20 gjuhë të botës, mu kjo Ornela e Shqipërisë që doli nga ky vend dhe vazhdon të bëj nam nëpër botë me librat e saj, akoma nuk e ka shkruar një libër në gjuhën shqipe, po gjithë krijimtarinë e saj e ka të shkruar o në italisht, o në gjuhën frënge. Dhe ka një arsye pse nuk ka shkruar dhe nuk dëshiron të shkruajë në gjuhën shqipe.
Përgjatë një bisede të gjatë, pashë shumë Ornela rreth meje, e mezi arrija të përmblidhja mu atë Ornelën që kisha para syve të mi, që padyshim është një zonjë e madhe, dhe nuk do të ishte e tillë po të kishte pas një jetë ndryshe.
Për mbi dy orë përgjatë intervistës pashë Ornelën e vogël të Tiranës e cila lumturohej në familjen e saj të vogël, pastaj pashë Ornelën e topitur, mu këtë Ornelën me fytyrë porcelani, hije që mori që nga vdekja e gjyshes, vdekje që ndodhi në prani të saj, hije që u bë edhe më e rëndë me burgosjen e babait. Pashë Ornelën e vetmuar rrugëve të Tiranës, vetmi dhe refuzim që e mbështolli regjimi i Enver Hoxhës, pashë Ornelën duke vrapuar pas ngjyrave, pikturës, pastaj atë Ornelën e Milanos e të Parisit, Ornelën në romane që edhe më tej refuzon ti shkruaj në gjuhën e nënës, e deri te kjo Ornela e fundit që i janë përkthyer romanet e saj në mbi 20 gjuhë të botës, këtë Ornelën e ekspozitave e të pikturës, e cila prap më jep ndjesinë e një portreti të një figureje porcelani, e cila edhe e thotë vetë, që këtë figurë apo ndjesi të majës së ajsbergut, e mori që nga përplasja e gjyshes para këmbëve të saj, vdekje që ja dha një nur përgjatë gjithë jetës.
Përderisa kujton fëmijërinë e saj, e cila e konsideron fëmijëri të lumtur, rritën e saj me dashurinë e gjyshes dhe prindërve të saj, Ornela Vorpsi e kujton atë periudhë si periudhën më të ëmbël, e cila rritej në një shtëpi në mes të Tiranës, me një kopsht shumë të madh me hurma e ullinj, e cila shumë më vonë kuptoi se babai i saj kishte prona, shumë prona, por që ata e rritnin pa ia kujtuar se ishin një familje e kamur, duke vënë në plan të parë dashurinë që kishin për njëri tjetrin, e sidomos për gjyshen.
“Kam pas një gjyshe jashtë mase të dashur, dhe mbaj mend se deri në moshën gjashtë vjeçe kam gëzuar dashurinë e saj të pafund. Dhe vdekja e saj, besoj se ishte një nga goditjet më të mëdha që kam pas në jetë. U rrëzua para syve të mi, ra në tokë, mbaj në mend që më tha “koka, më dhemb shumë koka” dhe vdiq, para syve të mi vdiq”, kujton Ornela dashurinë për gjyshen, dashuri që më pas u shndërrua në atë topitjen, akullnajën jetësore, pasi që këtë vdekje e kapërceu ftohtë, pa lot dhe pa bërtima, me një mur në mes, mur të madh mes dhimbjes shpirtërore dhe reagimit të jashtëm.
Ornela kujton më pas se kishte vazhduar jetën në atë Tiranën e atëhershme, Tiranë që bashkë me Shqipërinë ishin super të izoluara nga bota, me makina të pakta, e edhe më pak racione ushqimi, por me një dashuri të madhe për artin, dashuri që e kishte qysh nga vegjëlia e saj.
Dhe kjo artiste e madhe, rrugëtimin drejt artit e kishte nisë në piano. Prindërit e saj e kishin detyruar të ngulitej në atë instrument, tinguj që kurrë se plotësuan shpirtin e saj të madh artistik, që në periudha të ndryshme jetësore ndryshonin formë, herë pikturë, herë fotografi e herë letërsi.
Dhe përderisa Ornela kërkonte art, apo dhimbja e saj kërkonte të shpërfaqej nëpërmjet artit, në kohën kur ende mësonte piano, por që nuk përmbushte dëshirën e saj për të bukurën, me vetëm shtatë vjet ajo pëson edhe një goditje.
Dhe si me rastin e vdekjes së gjyshes, edhe kësaj radhe, nuk qau, as lëvizi e as nuk reagoi. Ishte zhdukja e babait, dhe ajo që dinte në atë kohë ishte vetëm kjo, babai i saj iku me motorin.
“Mbaj mend mamin, e priste. Por babai u zhduk, kishte një motor dhe po me atë motor u zhduk. Unë si fëmijë nuk reagoja, nuk merrja pjesë në këto goditje, nuk lëvizja, nuk qaja dhe nuk prekesha”, shpjegon Ornela Vorpsi duke kujtuar këtë goditje si shtatë vjeçe, e cila më pas ka shpjeguar se pas bisedave dhe konsultave më të vonshme me psikoanalistë, i kishin shpjeguar se ky mos reagim i saj ishte më shumë si një mur, si një mbrojtje e vetvetes karshi zhvillimeve.
“Dhe babai nuk u kthye, kaluan gjashtë muaj dhe nuk kuptuam asgjë. Brenda këtyre gjashtë muajve mami shkonte në polici të pyeste, dhe ata i thoshin se nuk dinin gjë. Të njëjtit kërcënonin mamanë time se ajo duhej tu tregonte se ku ishte burri i saj” tregon Ornela për atë periudhe të rëndë për familjen e saj, të cilës familja e saj veç po i zvogëlohej, dhe tani kishte ngelur me mamanë e saj, e që atë kohë ishte 29 vjeçe.
Dhe regjimi i Enver Hoxhës sapo kishte trokitur në portën e familjes së Ornela Vorpsit, dhe shija e hidhur e komunizimit kishte kaluar përmasat për të dhe për mamanë e saj, të cilat vuanin në palcë ndarjen e familjes, distancimin e njerëzve nga to dhe vuajtjet e kësaj kohe që kishin shndërruar një grua dhe një vajzë të vogël si dy njerëz tmerrësisht të padëshiruara nga të tjerët.
Babain e dënuan për politikë pa u marr asnjëherë me politikë, kishin për qëllim sekuestrimin e pronave
Ornela Vorpsi kujton që babain e saj e kishin gjykuar me dyer të mbyllura, e kishin akuzuar për politikë, edhe pse, sipas Ornelës, babai i saj kurrë nuk ishte marr me politikë. Sipas saj, arsyeja e burgosjes së tij ishte diku tjetër, sekuestrimi i pronave të shumta që kishte kjo familje. Dhe me rënien e tij në burg, krejt këto prona u sekuestruan dhe lanë këtë familje në dyer të botës.
Ornela kujton se dy herë e kishte vizituar babain e saj në burgun e Spaçit, njëherë kishte shkuar me gjyshin, nga ana e babit, dhe njëherë kishte shkuar me mamin. Të dy vizitat kishin lënë vragë të thella në memorien e Ornelës, duke nisë nga kontrollet e rrepta të gardianëve e deri te takimi me babain, që për të ishte shumë i panjohur.
“Nuk e njoha fare babain tim, ishte dobësuar jashtë mase, ishte me pizhame me vija, si ato të Auschwitz. Dhe mbaj në mend që mamit tim i dha një qese të vogël, kur u ktheva në shtëpi, si kurreshtare që isha e hapa atë qese. Në të gjeta dhëmbët e thyer të babit, sepse më vonë e kam kuptuar se kur e kishin arrestuar, e kishin futur në një thes, dhe e kishin rrahur aq fortë sa që ia kishin thyer edhe dhëmbët”, tregon Ornela Vorpsi, e cila kujton edhe një takim tjetër me babain e saj në burg, po këtë herë më shumë kujtime të hidhura i kishte lënë rruga deri në Spaç, sesa vet Spaçi.
“Nuk kishte makina, mbaj mend se patëm shkuar me autostop me një kamion që barte derra, mami ishte ulur me shoferin para, unë isha pas, me derrat. Para syve të mi shihja se si tentonte shoferi ta puthte mamin tim, ishin kohë të tmerrshme, ishte një Shqipëri që nuk të le qetë as sot”, kujton Ornela.
Dhe përgjatë kohës sa babai i saj vuante dënimin, mamanë e saj e detyruan ose të divorcohej ose do ti internonin, por sipas Ornelës, mamaja e saj zgjodhi të parën, dhe pas sekuestrimit të pronave, Ornela bashkë me mamanë e saj u detyruan të ktheheshin te dajët, ku u vendosën të dyja në një dhomë të vogël, dhomë e cila u shndërrua në shtëpinë e tyre për shumë vite.
“Të gjithë njerëzit na u larguan, mbaj mend edhe kushërirat e mia të cilat bëheshin se nuk më shihnin në rrugë. Tirana ishte e vogël atëherë, dhe bënim pjesë te shoqëria margjinale. Ndërkohë, Shqipëria në atë kohë ishte kaq injorante, me mentalitet shumë të rëndë, sa po të ishe një grua pa burrë, sikurse ishte ime më, ishe direkt kurvë”, kujton Ornela, e cila mentalitetin e Shqipërisë edhe sot e sheh si të ngecur në vend, me shumë pak ndryshime.
Nga një inxhinere mekanike, mamanë e Ornelës e vendosën në punë në një fabrikë me tre turne. E dërmuar nga rrethanat, e larguar nga shoqëria, sipas Ornelës, mamaja e saj për një muaj e gjysmë u shtri në psikiatri.
“U shtri në psikiatri vetëm që të flinte, nuk flinte dot nga puna që bënte në tri turne. Dhe si e vogël unë mbeta vetëm me gjyshen te dajët”, rrëfen Ornela, të cilës çdo ditë po i zvogëlohej bota, e krejt këtë çmenduri që e kishin kaluar shqiptarët që i prekte regjimi i Enver Hoxhës, Ornela e shpjegon me një fjali “Ishte një Shqipëri e çuditshme, mos ta jetoje, nuk e koncepton dot”.
Ornela shpjegon se babai i saj vuajti shtatë vjet dënim, dhe pas burgut ajo e takoi si 14 vjeçe. Si vajzë e një të burgosuri politik, përgjatë kohës sa babin e kishte në Spaç, i kishin thënë shumë fjalë të këqija për babain e saj. Aq keq i kishin fole, sa që Ornela tregon se kur dikush i thoshte se sa shumë i ngjante babit të saj, ajo nuk ndihej mirë, ndihej shumë keq.
“E kam takuar edhe dy tri herë, fshehtas prej mamit. Sepse ajo nuk donte që të takohesha me të, asaj i ishte ngulitur në mendje se ai ishte shkaktari që na shkatërroi jetën. E në fakt nëna kishte probleme mendore, sepse i vuajti shumë pasojat”, tregon Ornela më tej.
E adhuroja vizatimin, pikturën, po sistemi i atëhershëm nuk më lejonte të futesha në Liceun Artistik, isha vajza e një të burgosuri politik
Dhe përderisa jeta i kishte rropatë sa poshtë e lart këtë familje tironse, lufta e artit brenda shpirtit të Ornelës nuk gjente paqe. Përderisa bënte shkollë për piano, brenda saj ajo kishte zbuluar pasionin për vizatimin, pasion që u bë aq i fuqishëm sa mori edhe vendimin për braktisjen e pianos.
Ajo kujton se vet kishte shkuar të Pallati i Pionierit për tu regjistruar për vizatim, pastaj përfundoi shkollën tetë vjeçare të normales, institucion në të cilin poashtu ndjeu distancën e shokëve, shoqeve dhe mësimdhënësve.
“Pastaj kisha dëshirë të vazhdoja Liceun Artistik për pikturë, por ishte e pamundur, sepse isha fëmija i një të burgosuri politik, dhe në Shqipërinë e atëhershme, arti ishte propagandë, dhe nuk kisha të drejtë, kisha të drejtë vetëm në gjimnaz”, tregon Ornela Vorpsi, e cila kujton se përgjatë asaj kohe, ajo kishte vijuar gjimnazin, përderisa pikturën e vazhdonte në shtëpi.
Dhe me përfundimin e gjimnazit, si duket po përfundonte edhe një regjim i tmerrshëm në Shqipëri. Ornela Vorpsi ishte në vitin e tretë të gjimnazit kur kishte vdekë Enver Hoxha, dhe Ornela kujton edhe sot kumtin e zysheve të asaj kohe dhe histerinë kolektive për vdekjen e Enver Hoxhës.
Por me vdekjen e tij, vendi kishte filluar pak të merrte frymë. Më në fund, Ornela Vorpsi arrin të futet në Institutin e Arteve, tash Akademia e Arteve të Bukura, garë të cilën e synonin mbi 400 të rijnë, e pranoheshin vetëm 25 studentë.
“Kisha përballë fëmijë të artistëve, fëmijë që ishin rritur me art, fëmijë që ishin mirë politikisht dhe që ishin mirë me talent. Po pata një fat të jashtëzakonshëm, dhe pata një mbështetje nga Hektor Dula, i cili mbështeste talentin tim, dhe kështu që e fitova atë konkurs. Mbaj në mend që për një javë kam pirë vetëm ujë dhe nuk haja asgjë, aq isha e emocionuar”, tregon Ornela Vorpsi për këtë vulë jetësore, vulë që e kërkonte pothuajse që nga fëmijëria dhe më në fund ia kishte dalë që të jetë pjesë e këtij institucioni që pas përfundimit do ta nxirrte si piktore.
Ika me mamin në Itali, kapitalizmi mu duk gjëja me e egër që kisha parë në jetën time, nuk i kuptoja lëvizjet e gjithë atyre makinave, sikurse nuk e kuptoja dashurinë e tyre për macet dhe qenët. Atëbotë në Shqipëri nuk kishte as veterinar
Dhe portat po hapeshin për piktoren e re. Në fakt nuk u hapën portat, po shqiptarët po i hapnin ato dhunshëm, duke u futë nëpër ambasada dhe duke kërkuar një jetë më të mirë.
“Meqë jam esteiste, Shqipëria nuk u hap bukur, po ky ishte realiteti i jonë”, kujton Ornela lëvizjet e shqiptarëve përgjatë viteve të 90-ta, e që Ornelën ajo periudhë e kishte gjete 22 vjeçe dhe me titullin piktore e diplomuar.
Ornela kujton se kjo dyndje e shqiptarëve e kishte provokuar edhe mamanë e saj, dhe sipas saj, kërkesa e saj ishte që të iknin nga Shqipëria dhe të shkonin ne Milano. “Ishte një shoqëri që nuk na kishte lënë vend, nëse njerëzit tjerë kishin vend, ne nuk kishim një të tillë”, tregon Ornela, duke e krahasuar Shqipërinë e atëhershme si një moçal dhe si një vend të kalbur.
“Ne morëm një vizë për dy javë, unë kisha një gocë tezeje e cila duke qenë nxënëse shembullore, duke pas babin komunist, me të drejtë e shkreta, rrinte larg meje, ajo mbaroi me medalje ari, dhe e cila duke qenë kaq e shkëlqyer, Shqipëria i qonte jashtë shtetit. Edhe atë e kishin dërguar në Romë, kështu që unë me mamin tim duke mos e pas fare idenë e një vendi të huaj, siç ishte Italia, marrim biletën dhe shkojmë tek ajo. E ke parasysh, ajo ishte në kolegj universitar, ishte në konvikt, dhe ne i shkuam në konvikt”, tregon Ornela duke qeshur, e cila shpjegon se këto ishin pasojat e izolimit 50 vjeçar, dhe një izolim i tillë reflekton më pas edhe budallallëqe të tilla.
Ajo tregon se për dy javë sa patën vizë, qëndruan fshehurazi në konvikt, dhe pas asaj kohe ishte lufta tjetër, se nëse do të ktheheshin në Shqipëri, apo do të vazhdonin të kërkonin tokën e premtuar. Zgjodhën këtë të fundit, edhe pse, sipas Ornelës me shumë frikë, sepse sipas saj, kapitalizmi ishte gjëja me e egër që kishte parë në jetë.
“Mu duk një tmerr, ishte një gjuhë e huaj që nuk e njihja fare, por nuk kishte gjë që mamin tim ta kthente në Shqipëri”, tregon Ornela rreth vendimit të qëndrimit në Itali.
Por 50 vjet izolim ishin shumë për dy gratë shqiptare, të cilat po përpinin habinë dhe magjinë e Milanos.
Ornela atëbotë kishte kujtuar se të gjitha gratë e Milanos janë si Sophia Loren, por edhe pse nuk ishin si Sophia, sipas saj dallonin shumë nga vajzat dhe gratë shqiptare.
“Ishin vajza të holla, ne në Shqipëri na donin me gjoks e me vithe, me flokë të zeza, ndërkohë ato të gjitha ishin bërë bionde, ishin të nxira nga dielli, nuk kuptoja se çfarë ishte kjo. Pastaj nuk i kuptoja makinat që shkonin e vinin, sepse në Tiranë ishin katër makina që rrotulloheshin në krejt Tiranën, dhe ishin aso makina që shkonin e vinin për punë. Ishte një shoqëri që e nuk e kuptoja në asnjë gjë, nuk e kuptoja as dashurinë që kishin për qentë dhe macet, përderisa ne në Shqipëri nuk kishim atë kohë as veterinar. Çdo gjë ishte një tronditje e madhe, unë do të isha kthyer në Tiranë, por mami nuk deshi”, tregon Ornela për goditjen me perëndimin, duke u detyruar që pas vendimit të qëndrimit në Milano, të bënte hapin e radhës, të bënte një copë vend për vete.
Në Milano ma thyen ëndrrën, profesori më tha: Piktura tashmë ka vdekur
Pasioni për pikturën e ndiqte edhe këtu, dhe duke pas parasysh se Shqipëria atëherë kishte ngelur te realizimi socialist, dhe shkollimi i saj po në atë pikë, Ornela Vorpsi kishte një tjetër ëndërr. Të përfundonte Akademinë e Arteve edhe në Milano.
“Dhe mbaj në mend, konkursin e fitova pa asnjë tmerr në Milano, në Aakademinë e Arteve të Bukura të Brerës, dhe pyesja vetën se si ka mundësi, sepse në Shqipëri shumë pata heqë që të pranohesha në atë Institut”, tregon Ornela, por duke mos qenë e përgatitur se furtuna e radhës veç sa se kishe goditë.
Ajo kujton se kishte marr një pikturë të saj për t’ia prezantuar profesorit të saj, dhe përgjigja e tij se piktura tashmë kishte vdekur, dhe se art tash janë instalacionet, artet konceptuale, video instalacionet e performancat e kishte goditur jashtë mase. Një jetë të tërë kishte luftuar për vizatimin dhe pikturën, dhe në mes të Milanos, Ornela e kupton se ajo që e kishte ëndërruar kaq shumë, tashmë kishte vdekur.
“Dhe kështu vendosa të bëja disa hulumtime në këtë art konteporan dhe të shoh se si më fle. Dhe bëra këto katër pesë vjet, që për mua ishte humbje e kohës komplet, sepse nëse në Shqipëri mësova se si të pikturoj, aty te arti konteporan, mu duk një spekulacion, dhe edhe sot e kësaj dite mendoj se është një punë koti, por njerëzit nuk kanë guxim ta thonë. Dhe unë nuk e ndjeva, nuk isha fare e kësaj udhe, njoha instalacionet, provova fotografitë, dhe nuk ma mbushi mendjen”, tregon Ornela Vorpsi për ballafaqimin me artin konteporan.
Dhe përderisa kishte mbetë pa atdhe, përderisa piktura kishte vdekur, po sipas profesorit italian, dhe përderisa nuk kishte një copë vend në Itali, Ornela Vorpsit me nguti i duhej të bënte një zgjidhje, sepse i duhej të ekzistonte në një vend të huaj.
Ornela përgjatë kohës sa ‘varroste’ pikturën, dashurinë më të madhe te jetës, bëri fotografi mode, mënyrë elementare për të siguruar jetën.
“Dhe më erdhi shkrimi, mu dhuru kjo dhuratë e madhe e shkrimit, pa asnjë lloj mendimi se mund të bëhesha shkrimtare, apo ti publikoja, pasi që ëndrra ime ishte piktura. Fillova të shkruaj, dhe fillova të shkruaj kur isha në Paris, pasi që isha pjesë e një shkëmbimi universitar mes atij të Milanos dhe Parisit. Shkova ne Paris për gjashtë muaj në Erasmus, dhe nuk u ktheva më në Milano, dhe mbaj në mend që fillova të shkruaj në Paris”, tregon Ornela për fillimin me shkrimin, e cila tash njihet për romanet e saj në 20 shtete, përderisa ajo kishte dashuri të pa kompromis pikturën.
“Vendi ku nuk vdiset kurrë” u shkrua në italisht, kisha nevojë për një gjuhë që mbanë një distancë, dhe një gjuhë që nuk e bartë fëmijërinë time
Dhe një shqiptare që kishte jetuar për gjashtë vjet në Itali, dhe sapo ishte vendosë në Paris dhe po provonte kulturën e ushqimin francez, kishte filluar ti lëshonte rrënjët e para të romanit bestseller “Vendi ku nuk vdiset kurrë” por jo në gjuhën shqipe, por ajo pavetëdijshëm kishte filluar ta shkruante në italisht.
“Qëndrova në Itali për gjashtë vjet dhe gjuha italiane ishte shumë e kollajshme, veshi ma kishte dëgjuar që kur isha në Shqipëri dhe për atë nisa të shkruaj në italisht. Shumë më kanë pyet se pse nuk e shkrova në gjuhën e nënës, në gjuhën shqipe. Nuk mund të shkruaja në shqip, sepse të gjithë demonët e së kaluarës ngrihen dhe më hanë, e gjithë e kaluara më mbytë, nuk do të shkruaja dot emocionalisht. Kisha nevojë për një gjuhë që mbanë një distancë, dhe një gjuhë që nuk e bartë fëmijërinë time. Italishtja ime nuk e barte fëmijërinë time, frëngjishtja nuk e bartë fëmijërinë time, nuk mbytem në to, ka një lloj distance, në shqip s’do të kisha shkruar kurrë atë që kisha shkruar në italisht”, thotë Ornela, e cila përpos që po fitonte distancën me gjuhën shqipe, ajo po fitonte edhe një distancë tjetër, me nënën e saj, e cila kishte mbet në Milano, përderisa Ornela po qëndronte në Paris, por që pavarësinë e saj nuk e fitonte dot, se ishin të lidhura si mish e thua.
“Fillova ta shkruaj, sepse nuk dija çfarë të bëja me ditët e mia. Mbaj në mend se si u ula aty afër shpisë, më erdhi të shkruaj dhe shkrova një tregim dhe më pëlqeu disi, po pa i bërë pyetje vetës se pse po shkruaj në italisht, më erdhi në mënyrë organike, ato gjëra që i kam treguar në këtë libër dhe që janë të vërteta, në shqip nuk do ti tregoja kurrë, do të kisha vdekë, do të isha djegë. Shkrova një tregim të vogël, dhe ja përktheva keq e keq një shokut tim shkrimtar që ishte francez. Edhe ai është goxha i njohur, dhe më tha ‘e di që është fantastik’. Dalëngadalë shkrova, edhe mbarova këtë libër, që tashmë është i përkthyer në shumë gjuhë të botës, anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe shumë gjuhë të tjera, dhe gjuha e fundit që do të përkthehet së fundi është në gjuhën serbe”, ka thënë Ornela Vorpsi, e cila kujton edhe detajin tjetër, se iu deshën vite të tëra që të jepte dritën e gjelbër që të përkthehej edhe në gjuhën shqipe.
Babai mu lut që mos ta përktheja romanin në gjuhën shqipe, i kishin thënë se kisha shkruar shumë keq për Shqipërinë dhe nuk dëshironte që ky libër të fliste në shqip
“Mora shumë kohë deri sa vendosa ta botoj në gjuhën shqipe, sepse im atë më luti që mos ta përktheja. I kishin thënë që kisha shkruar tmerre për Shqipërinë, dhe nuk donte që ky libër të fliste edhe shqip. Por më në fund vendosa, ka tri vjet që është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe”, thotë Ornela.
Dhe përgjatë këtyre viteve të krijimtarisë në fushën e librit, Ornela ndër vite prap e ka bindë vetën se piktura nuk ka vdekur, dhe se piktura është ringjallë më shumë se kurrë, dhe paralelisht punon në të dyja, herë në libër e herë në pikturë, e me raste edhe në fotografi.
Ajo është duke shkruar në librin e ri, por është duke e shkruar në gjuhën frënge, pasi që, sipas saj, duke jetuar që një kohë të gjatë në Francë, italishtja, sipas saj ka filluar ti brishtësohej, dhe nuk ndihet mjaftueshëm e sigurt në këtë gjuhë.
Ndërkohë, përderisa shkruan dhe pikturon, Ornela Vorpsi tregon edhe një detaj që e vuan si pasojë nga Shqipëria. Ajo synon prestigjiozen për ti bindë të tjerët se arti i saj vlen. Së fundi ka fituar qëndrimin në një rezidence shumë prestigjioze, sikurse që ka ndërruar shtëpinë botuese që vlerësohet të jetë poashtu shumë prestigjioze.
“Në Shqipëri më kanë rrahur aq keq, sa që kisha dëshirë të kapja këto maja prestigjioze, është njësoj sikur të vësh pak balsam mbi trup. Sepse, në Shqipëri ngaqë kisha një natyrë të çuditshme dhe nuk më kuptonin, më konsideronin keq, sepse në Shqipëri po të jesh gocë e bukur të vlerësonin si budallaqe, dhe ky mentalitet, për mu ishte një ravansh me Shqipërinë, po për mua ishte një ravansh i madh, sepse vija nga një Shqipëri ku më copëtuan, më dërmuan në të gjitha dimensionet. Por në të njëjtën kohë pata fatin ti them këto mrekulli, dhe falënderoj Zotin, misterin që bën jetën, edhe pse ngelem njeri jashtë mase i vrarë, gjërat që kanë ndodhë nuk shërohen më”, ka thënë Vorpsi, e cila tregon se në Shqipëri e kishin quajtur tradhtare, për faktin se nuk kishte shkruar në shqip.
“Unë e ndjej vetën tërësisht shqiptare, dhe fakti që kam jetuar në Itali dhe Francë nuk më bën as italiane e as franceze. Të përdorësh një gjuhë të huaj është një mjet, që për mua ishte i shëndetshëm”, ka thënë Ornela.
Ornela Vorpsi që ka mbi supe tetë tituj të librave dhe shumë ekspozita, që nuk ka asnjë shtëpi në Tiranë, edhe përkundër faktit se babai i saj posedonte shumë prona, që vishet vazhdimisht me ngjyrë të zezë, që edhe këtë detaj e adreson te Shqipëria, sepse ky vend e la pa ngjyra dhe pa lule, që sheh akoma ëndrrat në Shqipëri, edhe pse dëshiron që ti rri larg saj, që humbi nënën gjatë pandemisë dhe që nuk arriti as ta shoh në momentet e fundit, edhe sot nuk e konsideron vetën të suksesshme, dhe sipas saj ajo e vuan këtë pjesë si njeri që ka bërë shumë pak.
Ornela Voprsi ka dëshirë që të bënte shumë më tepër, jo në nivelin e shkrimit e të pikturës. Po ëndrra e saj do të ishte që të mund të krijonte azile për të moshuar dhe të ndihmonte njerëzit e rrugëve. “Kur i shoh njerëzit nëpër rrugët e Parisit, janë pamje që më vrasin, sepse unë isha rrugëve bashkë me nënën time”, përfundon Ornela, e cila vazhdon të jetojë dhe krijojë në zemër të Parisit, bashkë më bashkëshortin, vajzën e saj dhe tri mace, tri mace në shtëpinë e kësaj Ornele që në fillet e migrimit të saj nuk i kuptonte perëndimorët për dashurinë ndaj maceve dhe qenve./ KultPlus.com
Rhine River Ramblers të Ushtrisë së SHBA vizituan Shqipërinë këtë javë për të performuar si pjesë e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Grupi Dixieland Jazz performoi së bashku me aleatët e tjerë të NATO-s në Vlorë dhe Korçë si pjesë e festës.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë theksoi se, ata do të performojnë këtë të shtunë në Tiranë në “Pallatin e Kongreseve”.
Banda e Ushtrisë së SHBA do të luajë muzikë jazz dhe blues për publikun shqiptar, muzikë që simbolizon shumëllojshmërinë e kulturave dhe etnive në Shtetet e Bashkuara të shekullit të 20-të, veçanërisht qytetin e New Orleans. /atsh /KultPlus.com
“Një atmosferë e jashtëzakonshme në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit”. Me këto fjalë e ka përshkruar ministrja e Kulturës, Margariti, koncertin e kantautorit Italian Vinicio Capossela.
Pas koncertit në Shkodër, pjesë e turneut të tij ballkanik, artisti shumëdimensional Vinicio Capossela ndaloi edhe në Tiranë, për të sjellë shijen e mirë të krijimit ku ka shumë mendim dhe ku muzika dhe fjala kanë të njëjtën peshë. Jetë, ritëm, por edhe dhimbje dhe reflektim në një performancë të rrallë.
Koncerti u zhvillua në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit dhe erdhi si një bashkëpunim mes Institutit Italian të Kulturës, Ambasadës së Italisë, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Tiranë dhe TKOBAP.
Artisti italian përpara se të performonte në Shkodër, ishte në Beograd dhe pas Tiranës do të këndojë edhe në Pejë e Shkup, përkatësisht në datat 8 dhe 9 nëntor. /atsh / KultPlus.com
Për të dytin vit radhazi një nga muralet më të bukura të MurAL Fest Tirana është pretendente për të marrë çmimin e parë botëror nga faqja e mirënjohur Street Art Cites. Mural Fest Festival ka kaluar tashmë kufijtë dhe e ka kthyer Tiranën në një pikë të ngrohtë pritëse të artit, ku pallatet e vjetra të Tiranës, po lakmohen nga artistët më të mirë botërorë të muraleve.
Drejtor i Përgjithshëm i Dekor Tirana dhe ideator i Tirana Mural Fest, Henril Çule thekson se Tirana ka hyrë me kokën lart në hartën e muraleve me famë botërore.
“Jemi entuziast që për të dytin vit radhazi një nga perlat e MurAL Fest Tirana është pretendente për të marrë çmimin e parë botëror nga faqja e mirënjohur Street Art Cites. Tirana ka hyrë me kokën lart në hartën e muraleve me famë botërore! Kemi ngritur një standard që na përfaqëson denjësisht. Uroj që artisti Fabian Bane Florin të kurorëzohet me çmimin e parë ashtu si u vlerësua maksimalisht kolegu i tij Gera me Muralen e vitit 2021 në Tiranë”, thekson Henril Çule.
Street Art Cities është një platformë globale me një mision për të promovuar dhe dokumentuar artin urban në botë. “Mural Fest” u organizua nga Dekor Tirana, nën kujdesin e kuratorit të njohur, Helidon Haliti. / tvklan / KultPlus.com
Në datën 10 shtator, në Tiranë do të hapet ekspozita “Novela grafike nga deti”, kushtuar skicave bashkëkohore, e organizuar nga Agjencia e Industrisë Kreative të Tiranës. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 tetor dhe hyrja do të jetë e lirë.
Gjashtë artistë shqiptarë e të huaj do të ekspozojnë vepra të pabotuara, të frymëzuara nga deti, si një metaforë për të treguar botën dhe peizazhin, si një element gjenerues që bashkon kulturat, si një hapësirë për takim, kalim, përfshirje dhe zbulim.
Ekspozita është kuruar nga Elisabetta Tramacere dhe Donata Bologna, në bashkëpunim me Agjencinë e Industrisë Kreative, me festivalin ndërkombëtar Comicdom Con Athens dhe është koordinuar nga Jonid Jorgji dhe Alice Bottega. Në shëtitoren “Murat Toptani” do të ekspozohen vepra të pabotuara të artistëve: Shpend Bengu (Shqipëri), Gianluca Costantini (Itali), Thomas Gilbert (Francë), Elena Gogou (Greqi), Roberta Muci Joe1 (Itali), Marco. Paschetta (Itali).
Ekspozita synon rritjen e kulturës së novela grafike bashkëkohore, kombëtare dhe ndërkombëtare. /atsh /KultPlus.com
Rota Ora po qëndron në Tiranë për koncertin e sotëm që e ka në Sheshin “Skënderbej”, ku Rita Ora është ylli i mbrëmjes, por në këtë koncert do të prezantohen edhe këngëtare të tjera, shkruan KultPlus.
Mes të tjerash, Rita Ora përgjatë konferencës së sotme për medie ka shpërthyer në lot për vajzën 11 vjeçare e cila është dhunuar kohë më parë në Prishtinë. Ajo ka bërë thirrje që familjet dhe komuniteti të kenë më shumë kujdes dhe të punojnë me fëmijët dhe të rinjtë, që mos të përsëriten këto gjëra.
“Ju kërkoj ndjesë, sepse mund të jem emocionale për atë se çfarë ndodhi në Kosovë, na bëri të kuptojmë edhe njëherë që të kem një fokus, që prindërit dhe komuniteti të punojë me fëmijët dhe të rinjtë, në mënyrë që mos të përsëritet situata”, ka thënë Rita Ora mes të tjerash në këtë konferencë. / KultPlus.com
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbështeti klasat e fotografisë për të rinjtë, si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Videoartit “Gjon Mili” dhe në bashkëpunim me Qendrën e Artit “Agora”.
Qendra e Artit “Agora” ndihmon në rigjallërimin e muzeumeve përmes edukimit artistik dhe duke angazhuar të rinjtë e talentuar shqiptarë në përvoja të rëndësishme arsimore.
Këta të rinj pjesëmarrës realizuan veprat e tyre të para videoartistike, të cilat do të udhëtojnë nga Tirana në Korçë dhe më pas në Nju Jork, si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Videoartit “Gjon Mili”.
“Në datën 5 shtator, në orën 20:00, Qendra Kulturore Tulla në Tiranë do të mirëpresë aktivitetin e hapjes, me një kombinim të bukur të filmave me metrazh të shkurtër dhe muzikës xhaz e bluz, si dhe kontributit të artistit të famshëm shqiptaro-amerikan, Gjon Mili”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Shfaqje filmash nga artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë si dhe diskutime artistike do të jenë pjesë e festivalit, që do të mbahet nga 5 deri në 7 shtator, në Sallën e Koncerteve “Tonin Harapi”, Qendrën Kulturore Berk, Galerinë Kalo dhe Galerinë Tiranë.
Me thirrjen për të mos e humbur këtë përvojë të vërtetë kulturore, ambasada e SHBA-së informon se festivali do të zhvendoset në Korçë nga data 8 deri në 10 shtator./ KultPlus.com
Në datat 26 deri më 28 gusht në Tiranë do të mbahet festivali “Sunny Hill” për herë të parë që nga themelimi, shkruan KultPus.
Sunny Hill, që ka nisur në Kosovë me një emër tjetër, tashmë do të zhvendoset edhe në Tiranë.
Më 4-7 gusht është mbajtur në Prishtinë, derisa biletat“Believers” do të vlejnë edhe për hyrje në Shqipëri.
“Jemi të lumtur t’ju njoftojmë se Bileta juaj “Believers” e Prishtinës është e vlefshme për Sunny Hill Festival Tirana gjatë datave 26, 27 dhe 28 gusht. Bëhuni gati për të shënuar muajin më të mirë ndonjëherë!”, thuhet në postimin e tyre. /KultPlus.com
Shqipëria rezulton të jetë destinacioni i dytë me performancën më të mirë në Europë sa i përket rimëkëmbjes së turizmit pas pandemisë.
Kjo rezulton nga një studim i kryer nga “World Travel Market” që ka marrë në analizë fluturimet dhe udhëtimet në 100 qytete e destinacione e që analizon rikuperimin post-pandemik të destinacioneve turistike.
Referuar rezervimeve për udhëtime në periudhën korrik-gusht dhe shtator, pritshmëritë janë që Shqipëria të jetë në krye të vendeve europiane të preferuara si destinacion turistik.
Në vend të parë është Antalia në Turqi, e ndjekur nga Shqipëria që lë pas 6 destinacione turistike greke mes të cilave Mykonos, Rodos apo Selanik. Në listën me 10 vende, 6 destinacione me rikuperimin më të mirë i përkasin Greqisë, edhe për vetë faktin se Greqia ishte ndër të parat vende europiane që u hap pas pandemisë për udhëtime turistike.
Megjithatë, të 6 destinacionet greke lihen pas nga Tirana, që përbën portën ndërkombëtare të hyrjes së turistëve të huaj që kanë si destinacion plazhet shqiptare. Ndërkohë, në listën me 10 destinacionet turistike që po performojnë më mirë në aspektin e tërheqjes së turistëve janë edhe dy destinacione të tjera, njëri në Spanjë e tjetri në Portugali.
Raporti evidenton se destinacionet plazh dhe diell po preferohen më shumë sesa destinacionet urbane. Kjo, sipas raportit, është tregues i një hezitimi të udhëtareëve për të vizutuar qytetet e mëdha e të ngarkuara dhe një preferencë të shtuar për destinacionet e plazhit.
Heqja e kufizimeve të udhëtimit në shumë vende ka sjellë një pritshmëri positive për turizmin në Europë këtë verë. Gjithsesi, konflikti ushtarak në Ukrainë konsiderohet si një pengesë për rikuprimin e plotë të udhëtimeve në kontinent./ ScanTv/ KultPlus.com
“Ditët e Librit Arbëresh” do të zhvillohen në Tiranë dhe në Shkodër. Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, që organizon këtë veprimtari bën me dije se do të zhvillohet në datat 9 e 10 nëntor në Tiranë, ndërsa në datën 11 nëntor kjo veprimtari do të zhvillohet edhe në Shkodër, në bashkëpunim me Qendrën Albanologjike të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
“Krahas studimit dhe botimit të autorëve e veprave të historisë retrospektive të komuniteteve arbëreshe në Itali, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) ka si qëllim të promovojë edhe autorë e vepra bashkëkohore. Ndaj lindi domosdoshmëria e organizimit të një veprimtarie të tillë, me synimin e të bërit të njohur publikut shqiptar botime të autorëve bashkëkohorë arbëreshë për gjuhën, kulturën, identitetin, etnografinë”, thuhet nga QSPA.
Sipas QSPA-së në këtë kuadër, veprimtaria parashikon një ekspozitë të pasur të librave të këtyre dhjetëvjeçarëve, e cila do t’u paraprijë dy ditëve të ngjeshura me diskutime mbi disa prej veprave (9-10 nëntor), me pjesëmarrjen e vetë autorëve arbëreshë, pas një përzgjedhjeje paraprake sipas kritereve të vendosura nga komiteti shkencor dhe organizues.
“Ftojmë të gjithë hulumtuesit, studiuesit, gjuhëtarët, studentët, historianët, gazetarët, sociologët, botuesit dhe të gjithë të interesuarit të na bashkohen në këtë aktivitet të librit arbëresh. Informacion më i hollësishëm për kriteret e përzgjedhjes dhe pjesëmarrjes, do të jetë i gatshëm në javët në vijim”, thuhet nga QSPA, që një ditë më parë shprehej se për momentin, faqja zyrtare e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët është e bllokuar, si pasojë e hakerimit të fundit të agjencive qeveritare.
QSPA thotë se me zhbllokimin e saj të interesuarit do të informoheni në vazhdim në adresën: qspa.gov.al, si dhe në faqen Facebook. / KultPlus.com
Tirana renditet në krye të destinacioneve të preferuara turistike në Evropë.
Sipas kompanisë “ForwardKeys”, e cila shqyrton trendet e udhëtimeve në rang global, bazuar në analizën e të dhënave nga fluturimet ajrore, Shqipëria përmes aeroportit të Tiranës renditet e dyta ndër destinacionet e preferuara për plazhe, duke lënë pas edhe vende si Mykonos.
“Pas dy sezonesh verore të ndikuara nga pandemia, turizmi i është rikthyer normalitetit dhe këtë e tregojnë të dhënat pozitive të periudhës janar-qershor 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019”, shprehet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në një postim në rrjetet sociale.
Edhe sipas të dhënave të INSTAT, thekson Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Shqipëria pritet që të ketë këtë vit sezonin më të mirë turistik sa i përket turistëve të huaj, duke ia tejkaluar dhe vitit 2019 para pandemisë, që deri tani mbante rekordin.
Vetëm në qershor, në vend kanë hyrë 876 mijë shtetas të huaj, me një rritje prej gati 40% në krahasim me muajin qershor të vitit 2019.
Tirana është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Evropa, por edhe më gjerë. Në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe i aventurës.
Disa prej pikave atraktive, që mund të vizitojnë turistët e huaj në Tiranë, por dhe në rrethina janë Mozaiku i Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, qendra e Tiranës “Ansambël Monumental”, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’art”, “Shtëpia me gjethe”, etj./ atsh / KultPlus.com
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka postuar në rrjetet sociale fotot nga zbukurimet me flamuj kuqezi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Veliaj shkruan se kryeqyteti i ka respektuar gjithnjë presidentët edhe pse shpesh kanë sabotuar projektet madhore të bashkisë.
“Kryeqyteti i ka respektuar gjithnjë presidentët, dhe pse shpesh kanë sabotuar punët, nga këndet e lodrave e gjer tek projektet madhore, Astiri e Lana. Me shpresën e madhe që më në fund do kemi një president normal, qyteti i Tiranës është stolisur kuq e zi gati për ceremoninë”, shkruan Veliaj. /KultPlus.com
Më 18 korrik 1939, qyteti i Tiranës ndërmori një hap të rëndësishëm urbanistik me fillimin e ndërtimit të sistemit të ujësjellësit.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton këtë fakt, të 83 vjetëve më parë, nëpërmjet dokumenteve e fotove arkivore, sipas të cilave Ministria e Punëve Publike ia besoi planin e kësaj sipërmarrjeje studios së inxhinierëve Angelo Omodeo-s dhe Claudio Marchello-s, me qendër në Milano. Plani i propozuar nga inxhinierët që më 1937-ën, kishte si objektiv ndërmarrjen e hapave për furnizimin me ujë të qytetit të populluar deri në 62.000 banorë, dendësi kjo që parashikohej të arrihej deri në 1970-ën.
Ky hap vinte paraprakisht edhe me nevojën e urbanizimit të Tiranës, si edhe me shtimin e popullatës kryeqytetase. Uji që do të furnizonte Tiranën do të vinte nga Selita dhe do të shtrihej në tubacione drejt një hapësire prej 5250 metrash, duke mundësuar një prurje prej 1,5 litrash në sekondë.
Krahas fotove, pasqyrohet edhe një pjesë e planit të ndërtimit të këtij ujësjellësi./atsh/ KultPlus.com
“Festa e Fërgesës” tashmë është kthyer në traditë të përvitshme në Tiranë.
Kjo festë u zhvillua në mjediset e Kalasë së Tiranës, ku restorante të ndryshme ishin të ftuar të marrin pjesë, duke sjellë recetat e tyre speciale të fërgesës.
“Festa e Fërgesës” në këtë edicion, një bashkëpunim mes 2 bashkive, asaj të Tiranës dhe bashkisë së Elbasanit, ishte një mbrëmje me kryefjalë promovimin e kulinarisë dhe traditës së Shqipërisë së Mesme.
Sipas organizatorëve, “Festa e Fërgesës”, solli konkurs gatimi, ushqim, pije, muzikë e lojëra, me temën gazmore “Rakia connecting people, Fërgesa unite them”.
Kjo festë, në thelb ka ruajtjen e traditave të kulinarisë dhe përcjelljen e tyre brezit të ri, por sjell edhe një prezantim dinjitoz e argëtues tek turistët e huaj.
“Festa e Fërgesës” u organizua për të 5-tin vit radhazi. Më herët festa është organizuar edhe në rrethinat e kryeqytetit, si në Surrel.
Mbrëmja u bë edhe më e veçantë, me performancën e ansamblit të këngëve dhe valleve “Isuf Myzyri” të Elbasanit./atsh/ KultPlus.com
Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival kanë bashkuar forcat për ta rikthyer festivalin Sunny Hill në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot ka njoftuar se Festivali po rikthehet në Prishtinë në datat 4,5,6 dhe 7 gusht 2022 i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm.
Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.
Ky lajm duket se e ka gëzuar edhe vetë artisten Dua Lipa e cila ka reaguar përmes një statusi në Instagram teksa shprehet shumë e lumtur.
“Me një zemër të plotë dhe të lumtur, jam krenare të them se është vendosur që festivali ynë Sunny Hill të vazhdojë në bazën e tij në 4,5,6,7 gusht në Prishtinë, Kosovë dhe tani do të bëjmë edhe 26, 27,28 Gusht në Tiran, Shqipëri. Mezi presim t’ju shohim të gjithëve atje! Më shumë detaje do të zbulohet së shpejti. Me dashuri Dua”. / KultPlus.com