“Sunny Hill’ dhe drama e ndërtuar mbi gjysmë të vërtetë

Gjylieta Mushkolaj

Është vërtetë dëshpruese që Festivali Sunny Hill nuk po mbahet në Prishtinë siç besonim të gjithë, edhepse një gjë e tillë ishte bërë e ditur një vit më parë, përveç të tjerash edhe në emisionin shumë të shikuar Krasta show! Ky lajm i vitit të kaluar u rilind këto ditë me njoftimin zyrtar nga Sunny Hill kompania ose fondacioni, Sunny Hill Foundation, ose “the Sunny Hill” sh.p.k., biznesi komercial, ose organizata e bamirësisë! Për shumë kend, krejt njejtë, por, siç thuhet, djalli është në detaje, e fshehja e detajeve e ndërton gjysëm të vërtetën. Lajmi mbi ikjen e festivalit, ose aratisjen e festivalit u bë, siç e do zakonisht gjysëm e vërteta, dramë. Drama, megjithatë, nuk filloi me këtë gjysmë të vërtetë, “ikje të befasishme.” Ikja e festivalit është vetëm “gjysëm e vërteta” e parë, por jo edhe më e gënjështra më qyqare, siç do të thishte Mark Twain.

Një ‘gjysmë e vërtetë” tjetër, është edhe ARËSYEJA e ikjes së Festivalit. Është, vonesa, zhagitja prej një muaji (?!) për dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të 17 hektarëve tokë të Komunës për Festivalin “Sunny Hill!” Lajmi merr përmasa edhe më dramatike e mjegulla sa vjen e rritet! Vonesa dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të 17 hektarëve tokë “e largoi Dua Lipën nga Prishtina!” Festivali është ngjarje, e ngjarja nuk aplikon për tokë. Aplikon individi, ose biznesi, ose ndonje organizatë tjetër. Aplikon organizatori i Festivalit! Nuk është dëgjuar ndonjë herë, në ndonjë vend që organizatori i ndonjë festivali në botë të aplikojë për dhënien e tokës në shfrytëzim në kohëzgjatje prej 99 vjetësh, por kjo është një çështje krejt tjetër. Çështja është te organizatori, Fondacioni ose Sh.P.K.-ja!

Për publikun e gjerë, organizator i festivalit është “Sunny Hill Foundation!” Kështu thotë faqja e përditësuar e Wikipedia-s! Kështu është prezantuar shumë herë Festivali edhe nga vet Dua Lipa, atëherë kur me entuziazëm e njoftonte botën për këtë ngjarje që pa ekzagjerim është bërë krenaria e Prishtinës! Dua Lipa e kishte prezantuar “Sunny Hill Foundation,” si “organizatë bamirëse e themeluar në Prishtinë-Kosovë, nën patronazhin e këngëtares/kantautores shqiptare britanike Dua Lipa.”

Megjithatë, sipërfaqen prej 17 hektarësh për të organizuar këtë Festival, nuk e ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës “Sunny Hill Foundation!” 17 hektarë tokë i ka kërkuar një entitet krejt tjetër, The Sunny Hill SH.P.K., një biznes i regjistruar si Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, ku emri i Dua Lipës nuk figuron fare!!!

Kontrata për dhënjen në shfrytëzim të sipërfaqes prej 17 hektarësh është votuar nga Kuvendi komunal, bazuar në perceptim, për të mos thënë huti, se toka po i ndahet entitetit “Sunny Hill Foundation,” Festivalit të Dua Lipës! Në të vërtetë, Kontrata, askund nuk e përmendë entitetin “Sunny Hill Foundation”! Kontrata e votuar nga Kuvendi Komunal për ti dhënë në shfrytëzim prej 99 vjetësh 17 hektarë tokë biznesit The Sunny Hill SH.P.K, me një pronar të vetëm, Dukagjin Lipën! Kontrata nuk e përmendë askund Dua Lipën!

Këto gjysëm të vërteta, për të mos thënë, si Mark Twain, rrena kaq qyqare, e kanë ndërtuar këtë dramë kaq të madhe, kaq tronditëse, kanë shkaktuar aq dëshprim, siç rëndom bën secila propagandë! E në këtë rast, nuk mund ta akuzosh askend për rrenë, se shumë lehtë mund ti ikësh përgjegjësisë për manipulim me të vërtetën nga mosdija.

Sidoqoftë, festivalet më të rëndësishme të muzikës, mund të organizohet qoftë nga fondacionet e bëmirësisë, apo nga korporatat dhe individët me qëllim përfitimi vetanak. Që të dyja janë të ligjshme. New Orleans Jazz and Heritage Festival, ku kanë performuar yjet si Stevie Wonder, e që sjellë fitim prej 400 milion dollarësh është Fondacion bëmirës; Coachella, festivali ndër më të mëdhenjtë në botë, ku ka performuar Lady Gaga është gjithashtu bëmirës; Summerfest, ku ka performuar Paul McCartney e Bob Dillan është organizatë e bëmirësisë, e lista është e gjatë, shumë e gjatë e festivaleve të bëmirësisë…Në festival të tilla, të organizuara nga Fondacione bëmirëse, merr pjesë edhe vet Dua Lipa. Në fund të këtij muaji, për shembull ajo do të këndoj në Festivalin Roskilde, që e organizon një Fondacion qind për qind bëmirës.

Edhe festivalet pronë e korporatave e individëve, janë në rregull. Festivali Glastonbury, si festivali më i rëndësishm britanik, është i tillë. Emrat më të mëdhenj të muzikës, performojnë në atë festival, madje për pagesë shumë më të vogël se zakonisht. Festivali është ngjarje madhështore e kulturës dhe sjell fitime të mëdha, por edhe e ka një veçori, se zhvillohet në Worthy farm, që është pronë private e organizatorit e jo e falur nga komuna. Edhepse biznes, që paguan taksa dhe zhvillohet në pronë të vet, Festivali Glastonbury, gati gjithë fitimin e jep për kauza të mëdha, e mbështet financiarisht organizatën Oxfam, që në tridhjetë vjetët e fundit bën punë të rëndësishme humanitare edhe te ne dhe lëvizjen GreanPeace, që vepron globalisht për parandalimin e ndryshimeve klimatike.

Përkundër kësaj, kushdoqoftë organizator i Festivalit Sunny Hill dhe sidoqë të vendosë Komuna për dhënjen në shfrytëzim prej 99 vjetësh të sipërfaqes prej 17 hektarësh tokë, procesi nuk guxon të mbetet në mjegull. Vendimet nuk guxojnë të mbështeten në gjysmë të vërteta. Transparenca duhet të jetë e plotë dhe përfundimisht, nëse një kontratë e tillë bëhet, duhet ta dijmë se kujt ia dhuron Komuna e Prishtinës në shfrytëzim prej 99 vjetësh sipërfaqen prej 17 hektarësh tokë — “Sunny Hill Foundation,” si “organizatë bamirëse e themeluar në Prishtinë-Kosovë, nën patronazhin e këngëtares/kantautores shqiptare britanike Dua Lipa, ” ose, biznesit privat the Sunny Hill SH.P.K, me një pronar të vetëm, Dukagjin Lipën! Dhe, një kontratë të këtillë, shumë të mundëshme pas këtij dëshprimi të madh, prej 17 hektarësh tokë për shfrytëzim 99 vjet, Komuna e Prishtinës, të plotë, duhet ta bëj publike në shqip e në anglisht, për ne dhe për të gjithë ndërkombatarët dashamirë, që bashkë me ne, janë zhgënjyer e mërzitur që kët vit mbetëm pa Festival.

Për këtë verë, në Prishtinë do të mjaftohemi me MANIFESTA!/ KultPlus.com

Përparim Rama: Arsyeja e zhvendosjes së ‘Sunny Hill’ në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjes së Qeverisë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka mbajtur sot një konferencë për media në lidhje me zhvendosjen e festivalit ‘Sunny Hill’ i cili së fundi është zhvendosur në Tiranë, shkruan KultPlus.

Sipas kryetarit Rama, arsyeja pse ky festival sivjet është zhvendosur në Tiranë është për shkak të zvarritjes nga ana e qeverisë në dhënien e pronës së kërkuar.

“Sunny Hill” i takon Kosovës, i takon Prishtinës, të rinjve dhe të rejave tona që me padurim e kanë pritur edicionin e sivjetmë të këtij festivali. Arsyeja pse ky festival sot është zhvendosur në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjes së qeverisë e cila pavarësisht se gjithë procesi i dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për festivalin është bërë në pajtim të plotë me ligjin, institucionet qendrore kanë tentuar vazhdimisht të ndërhyjnë në kompetencat e kuvendit komunal dhe në kompetencat e kryetarit të Komunës ashtu si e konfirmoi edhe dje Asociacioni i Komunave”, tha Rama, duke e cilësuar zhvendosjen e këtij festivali si një lajm dëshpërues për Kosovën dhe Prishtinën.

Ndërkaq, mosbajtja e festivalit në Prishtinë, pritet t’i sjellë Kosovës edhe humbje të hyrash deri në 15 milionë euro.

“Në bazë të kalkulimeve të mëparshme, përfitimi i qytetit ka qenë 7-8 milionë euro, është paraparë që do të jetë 12-15 milionë euro, këto janë humbje”, u shpreh kryetari Rama, i cili më pas deklaroi se beson që nga viti i ardhshëm ky festival do të kthehet në Prishtinë.

Kurse Doruntinë Maloku, e cila udhëheq drejtorinë e Pronave në Komunën e Prishtinës, shpjegoi gjithë procesin e dhënies në shfrytëzim të pronës nga Komuna e Prishtinës.

“Si qeverisje e re e kemi gjetë si një proces të hapur çështjen e festivalit ‘Sunny Hill’ nga viti 2021. Më 14 qershor 2021, Kuvendi Komunal i Prishtinës, unanimisht, ka vendosur pro dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për këtë festival për 99 vjet.”, tha Maloku.

Maloku thotë se në momentin që ‘Sunny Hill’ ka kërkuar nga Komuna që t’i vazhdojnë procedurat në mënyrë që mos të ketë vonesa, për shkak që rrezikohet mosmbajtja e festivalit, komuna e ka plotësuar dokumentacionin dhe është dorëzuar në Kuvendin Komunal.

“Meqë asnjëherë nuk është kundërshtu asnjëherë nga Ministira e Administrimit dhe Pushtetit Lokal 99-vjetëshi, në Kuvendin Komunal shumica e asambleistët e kanë votuar vendimi”, u shpreh më tutje Maloku duke vazhduar më pas se MAPL pas dorëzimit të dokumentacionit, e ka zvarritur procesin./ KultPlus.com

Pas “Sunny Hill” Tirana bëhet sponsor zyrtar i “Doku Fest”

Bashkia e Tiranës sot zyrtarisht është bërë sponsor zyrtar i festivalit të suksesshëm të filmit “Doku Fest” që mbahet çdo vit në Prizren, shkruan KultPlus.

Ky lajm vjen një ditë pas atij për zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill, nga Prishtina në Tiranë, lajm ky që po vazhdon të përcillet me reagime të shumta.

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj ka bërë të ditur lajmin duke u shprehur se për ta ka rëndësi që jeta kulturore të zhvillohet kudo ku ka shqiptarë.

“Shume i lumtur qe kete vit Tirana do jete sponsor zyrtar i DokuFest ne Prizren kuruar me nga Vetoni, Erolli, Nita & miq! Ndonese jo ne Tirane, por me sh pjesmarrje nga Tirana, per ne ka rendesi qe jeta kulturore te geloje ketej, andej e gjithandej ka
shqiptare!

“Doku Fest” është festivali më i madh ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër që mbahet në qytetin e Prizrenit që tërheq artistë dhe audiencë ndërkombëtare dhe rajonale. / KultPlus.com

Stadiumi Air Albania gati për të pritur gladiatorët për finalen e madhe të Ligës së Konferencës

Roma do të përballet me Feyenoord në finalen inauguruese të UEFA Europa Conference League në Arenën Kombëtare të Tiranës, takim i cili luhet sot me fillim nga ora 21:00, shkruan KultPlus.

Stadiumi i Tiranës do të hy në histori përgjithmonë, kjo pasi do të jetë finalja e parë që zhvillohet në histori të UEFA Europa Conference League.

Roma, si një nga skuadrat më të mëdha në Itali, konsiderohet favorit në këtë takim, me trajnerin Jose Mourinho i cili ka një karrierë të bujshme në Europë dhe veçanërisht në finalen e Europës.

Feyenoord në anën tjetër, arriti që si ekip jo-favorit të kalojë në finale të kësaj gare dhe tani kërkojnë që të përmbyllin në mënyrën më të mirë të mundshme këtë ekspeditë në Evropë, konkretisht duke ngritur trofeun në Tiranë.

Një ditë më parë, tifozëritë e të dyja palëve janë përballur me policinë shqiptare, ku pati edhe trazira dhe njerëz të lënduar.

Sot pritet që stadiumi i Tiranës të jetë i stërmbushur dhe të zhvillohet një ndeshje e madhe. /KultPlus.com

Tifozët mbërrijnë në Tiranë: Publikohet harta që tregon rrugët që do të bllokohen nesër

Finalja e madhe e “Conference League” në Tiranë ka sjellë me dhjetra tifozë në kryeqytet, duke e bërë kështu të nevojshme një strukturë të mirëorganizuar, që 25 maji të mos ketë incidente të asnjë lloji. 

Një hartë, që ndihmon qytetarët për të lëvizur në kryeqytet gjatë ditës së mërkurë, është shpërndarë nga policia.

“Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes mes ekipeve të futbollit të Romës dhe Feyenoordit, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, më datë 25 maj.

Harta, e përpiluar në shqip e anglisht tregon zonën pa trafik, të dedikuar për këmbësorët e tifozët, si dhe zonat ku mund të qarkullohet me mjete, në këtë datë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tifozët mbërrijnë në Tiranë: Publikohet harta që

Në zonën ngjyrë kafe në hartë është shënuar zona e dedikuar për këmbësorët. Në rrugët e vijëzuara me ngjyrë të kuqe nuk lejohet qarkullimi, përveç automjeteve të autorizuara dhe emergjencave, rrugët e vijëzuara me të verdhë janë të dedikuara për automjete që kanë bileta për të parë ndeshjen në stadium. Rrugët me portokalli janë të dedikuara për emergjencat, ndërsa rrugët e ngjyrosura me blu janë për ata që do të hyjnë në stadium.

Rret 35 ultras të Romës dhe dhjetëra tifozë mbërritën këtë mëngjes në portin e Durrësit, për të ndjekur nesër skuadrën e preferuar që luan kundër Feyenoord-it në finalen e Conference League. Para se të nisnin dhe shijonin qëndrimin e tyre në Tiranë, të gjithë tifozët kanë marrë disa këshilla për mënyrën sesi duhet të sillen.  Ata janë paralajmëruar të zbatojnë rregullat më poshtë:

1. Shmangni ecjen vetëm ose në grupe të vogla.

2. Mos merrni me vete flamuj apo simbole të tjera. Do të ofrohen vetëm kur të mbërrini në stadium.

3. Vendtakimi ku do të grumbullohemi për të shkuar drejt stadiumit do të konfirmohet më vonë.

4. Respektoni qytetin që po na mirëpret”.

Këtë të mërkurë, më 25 maj, Tirana do të presë finalen e parë të Conference League, atë mes Romës dhe Feyenoord, që do të luhet duke filluar nga ora 21:00, një moment historik në futbollin shqiptar, pasi për herë parë në vendin tonë organizohet një event i tillë. Burimi: Euronews, Top Channel./ KultPlus.com

Tirana proteston kundër pushtimit rus, solidarizohen me Ukrainën

Gjatë ditës së sotme, në Tiranë ka ndodhur një protestë në shenjë solidarizimi me Ukrainën kundër pushtimit rus, shkruan KultPlus.

Sheshe të ndryshme evropiane janë mbushur me numër të madh të njerëzve të cilët po protestojnë kundër pushtimit rus.

“Putini kriminel”, ishte njëri prej mesazheve kryesore që Tirana tha në këtë protestë. /KultPlus.com

‘Tirana e hershme dhe fëmijnia jonë e mjerë’

Mustafa Greblleshi

E kam të gjallë Tiranën e vogël me një grusht shtëpish qerpiçi e me një hotel të vetëm po prej qerpiçi, po me nji emën me nam: “Hotel Stambolli”. Se qysh i ka qëndrue furisë së moteve e ka mbetë në kambë edhe sot e kësaj dite, i qofsha falë. E ke mbas Mapos ushqimore, ku po ngrihen apartamentet e reja, ku nis Rruga e Durrësit. Konaqe me oxhakë kishin vetëm Toptanasit. Elektriku nuk njihej. Edhe llamba me vojguri e rrallë ish. Atë e gjeje vetëm në zyrat e hyqymetit e në odat e shtëpive me oxhak. Te votrat tona, ku ngrihej tymi fjollë, mu aty te carani, ngjat flakës së druve, digjej pishtari a flaka e bishtukut. Nji fjollë e zezë tymi, ngjitej përpjetë përtueshëm e me përdredhime… Elektrik nuk kish as xhadeve. Kandila me voj, rrallë e tek, xixëllonin rrugëve e ndriçonin nji sofër vend. Në do drushta të shtrembta vareshin fenerët, Mbramjeve, nji rrogtar i ngarkuem, me nji vojnik në dorë, i qasej drushtave. Ulte fenerin me anë të nji sixhimi, e ushqente me voj, e ndizte e kalonte te tjetri, tue shkelë me hap të randë nëpër gurët e shrregullt të kalldrameve. Kalldrame, vija uji, vorre e ullij ka pasë motit Tirana. Vorrezë e ullij ish i gjithë Pazari i Ri. Vorrezë e ullij, Sheshi Skënderbej, vorrezë e selvi Sheshi i monumentit të Partizanit. Gjithkund vorrezë. Në çdo lagje. Më kujtohen mirë ato fushat e vorreve, se unë e moshatarët e mij i vizitojshim shpesh, për të mos thanë për ditë.

–A di përse na të vegjlit silleshim vorreve? – vijoi Shyqri Beqir Fuga -Te hymja e vorrezëve, me të perënduem të diellit, do të takojshim patjetër ndonji plakë te mbështjellun me napën e bardhë. Plaka e mbështjellun me napë të bardhë dhe e ulun kambëkryq, shtronte përpara nji kuze të madhe me topa hallve dhe pranë kuzes nji ibrik dheje me ujë. Me zanin e saj të mekun e të mbytun ajo ftonte kalimtarët e rrallë të marrin “rahmet” për të afërmin e saj, që kish shkue kësaj bote. Kalimtari kthehej, përkulej mbi kuzen, merrte nji shuk hallvë, pinte edhe nji hurm ujë me atë çyçën e trashë t’ibrikut si kaçarrum dhe largohej në punë të vet, si i lëshonte nji rahmet shpirtit të të vdekunit. Po kështu përkuleshim edhe na të vegjlit, përlanim sikush nga nji shuk hallvë të ngrohtë e nga nxitimi voji na rridhte nëpër buzë. Pijshim nga nji herë ujë e me radhë i lëshojshim nga nji rahmet atij që kish shkue me të shumtët. Ja kështu bridhshim vorrezë me vorrezë. Ku të gjejshim ndonji plakë me tepsi përpara se ishim, si thonë, me lugë në brez. Nji grue tjetër, po e shtëpisë së përzishme, e mbështjellun gjithë me napë të bardhë e me tepsi përpara, rrinte në krye të rrugës së lagjes. Edhe ajo u kish zanë shteg kalimtarëve e i priste si në pritë. Na të vegjlit, si të mëdhajt, dy herë në nji tepsi nuk bajshim kabull me marrë, se e kishim për keq e për gjynah. Dy herë i urojshim prehje e paqe të vdekunit, po të marrim dy topa hallvë në nji tepsi, s’e pat thanë Zoti.

Prani e dalldisi në mendime Shyqri Beqir Fuga. Si të rrekej me i renditë në mend kujtimet e largëta që i vijshin me vrull. Ai pat folë si nji nxanës i përgatitun mirë, që s’don ta ndërpresish. Po ashtu nisi e foli sërish:

-Rrallë e tek u çelën do dyqane në Rrugën 28 Nandor. Në njanin syresh, në nji dyqan me harqe përballë Sahatit, pashë nji natë nji grumbull njerzish që ishin mahnitë si u mahnita edhe unë, prej dritës së fortë të nji llambe që s’patëm pa kurrë parandej. Ish nji petromaks. S’ngiheshim tue soditë ato dy mëshikza mëndafshi, që ndriçojshin aq fort, e s’dijshim si me e spjegue atë zhurmë si zhuzhurima e bletës. Elektrik si sot pamë për herë të parë kur patën qenë këtu austriakët, nemselitë si i quejshim na. Kur ndizeshin elektrikët e nemselive, nana ime binte në shehadet, se i ngatërronte me shkreptimat. Asokohe shkeli së pari kalldramet tona automobili. I madh e i vogël, të rij e pleq, i shkojshin mbas automobilit të parë. Ish nji automobil me rrota të nalta, si qerre. Pat edhe asish që e quejtën qerrja e qoftëlargut e i ndërsyen qentë e lëshuem, qent e kasapëve. Po kështu i fuguen pas edhe Shazivar beut kur pat sjellë nga Vjena biçikletën e parë.

E tillë ish Tirana kur kremtohej Nevruzi, Moti i Ri allaturka, kur njerëzit vritshin mendjen për të sajue nji byrek me lakna e s’u shkonte ndërmend se do të vijë nji ditë që do të rendin rrugëve e dyqaneve për të ble ambëlsina, fruta, lojna e kuklla për fëmije – tha Shyqri Beqir Fuga tue e pa me të qeshun shokun e tij. – Për të kremten e Nevruzit e kisha fjalën. Na të vegjlit e pritshim darkën me padurim, vetëm për atë byrekun me spinaq që e bajshim derë për derë e që e quejshim byrek me pare. Thërriste hoxha në minare, ja niste me gjëmue lodra me topuz e tallamazi me kaish. Uleshim të gjithë rreth e qark byrekut. Ndërmjet petëve të laknorit fshihej nji koron sermi, i mbështjellë me nji shuk brumi. I pari i shtëpisë e sillte vërdallë tri herë tepsinë. Mandej zejshim fill me hangër. Kujt t’i takonte për rrisk koroni kishte të drejtë me e përvetësue. Hej ç’kismet kishte ai që peshkonte atë koron të mbështjellë me nji guaskë brumi, si karavidhe! Ajo pare e vogël sermi të bante zot për disa çaste, se me ballin nalt, e ndaloje në vend, në daç sheqerxhiun, në daç simitxhiun. Kur ta shihshin në dorë atë pare sermi, si njani tjetri, ishin gati me të shërbye si t’ishe ti bir oxhaku. I pari ulte tavllën e të lente të zgjedhish, me dorën tande, copa hallve, mollë sheqeri të kuqe, tasa hashuresh, lule Stambolli. Tjetri i kthente simitet përmbys, për me të prishë mendjen me avullin e ngrohtë e me erën e kandshme të qiqrës.

Gjellë për darkë e për davet ish byreku me spinaq, byreku me pare sermi. Bam bum e dum dum, bubullonte tej e përtej daullja me topuz e Zhing zhang, tallamazi me kaish. Tak tak, trokitte zemra jonë e vogël që dridhej e dëshirueme për të gjetë, në petat e byrekut me spinaq, paren e vogël prej sermi. Atë pare sermi, që të bante me hangër simite të ardhuna me brumë qiqre e copa hallve me susam, kurrë nuk e pata gjetë në petat e byrekut me spinaq. Më kujtohet ashtu si nëpër gjumë se nji moti e gjet nana ime. Mirëpo ajo nuk u krenue si bajshin të tjerët, heshti dhe me marifet e vu në pjesën e laknave të mija. Që të gëzohesha edhe unë. Se i pat mbetë gozhdë në zemër kur më pat rrejtë disa herë: kur kalonte sheqerxhiu me tavllën plot hallvë, hashure e lule Stambolli. Zani i fortë i hallvaxhiut buçiste e ushtonte së largu e na e dridhte shpirtin ne të vegjëlve.

“Sheqerxhiu!” ulërija unë së vogli, tha Shyqri Beqir Fuga – e doja pa derman nji grosh, se goja më lëshonte larg për të lëpimë një aso mollësh sheqeri, gjak të kuqe. Po nana, dritë i pastë shpirti – se të thashë o Maksut vdiq e re; nuk vdiq, plasi – nana, me atë zanin e saj të ambël e gjithë ankim më thosh: “Jo bir, nuk asht sheqerxhiu, asht hoxha”. Thërret hoxha në minare, se u ba vakt dreke. Hajde të të jap nana nji copë bukë! Me çka e do, me gjizë apo me ullij? “Me gjizë, jo me ullij, e doja bukën. Se ullijt i kisha mbledhë vetë, kokrra kokrra, kur i shtronte era përmbi vorret. Më pëlqejshin fort ullijt e regjun me krypë e me voj, po nuk i haja. Më dukeshin ullij të vdekunish. Ullij të njomun me vesë vorresh. Nji ditë tjetër, kur nana ish shtrue – e s’u çue ma – në rrugë buçiti sërish zani i fortë i sheqerxhiut. Ajo u drodh e më pa me ata sy të fikun. Mandej nxori nga gjini nji grosh e ma dha: “Merre bir e shko blej nji mollë sheqeri”.
– Ai grosh ish i ngrohët. M’u ba sikur ma dogj e ma përvëloi dorën. Ja ktheva prapë e i thashë: nuk e due nanë. Nuk asht sheqerxhiu. Po thërret hoxha në minare. Nana nuk foli. Veç nga ata sy të fikun, riguen çurk lotët e zbritën faqeve të zbehta. Me faqen time ja tera, e zjarri i etheve që digjte atë, më dogji edhe mue. Ky zjarr më dogji mirë nji ditë, kur te kryet e rrugës sonë, nji plakë e mbështjellun me napë të bardhë, me tepsi hallve përpara e me ibrik dheje, me za lutës u kujtonte kalimtarëve të marrin nga nji top hallvë për t’i lëshue rahmet shpirtit të nji grueje të re. Kjo grue e re që u fik përgjithmonë e që më la rrugëve, ishte nana ime. Ajo i mbylli sytë zemërplasun.

Ja Tirana e hershme dhe fëminia jonë e mjerë, – përfundoi Shyqri Beqir Fuga – Byreku me spinaq ish gjellë e rrallë. Sot kalamajt tonë e presin Motin e Ri të veshun e të qeshun. E presin me të gjitha të mirat. Kur qesh i vogël, i vogël si Ndue Gjokë Frroku, s’u gjet kush të më sjellë nji peshqesh. Sot, edhe pse im bir asht midis të gjitha të mirave në Kinë, unë mendoja ç’dhuratë t’i çoj, se më mbetej peks po ta ndaja nga këta pesë të tjerët. Ashtu si ti, që s’po të pritet gjersa të blejsh nji kukull të bukur për vajzën tande. Kujtoj se u çlodhëm, o Maksut Hasan. Shi nuk po bie ma. Çohemi e shkojmë bashkë dyqaneve për të zgjedhë nji kukull të bukur.

Në Rrugën e Postës, përballë magazive të valutës, qenë grumbullue plot njerëz. Qëndruen edhe të dy bojaxhinjtë.

– Me fal shoqe, ç’farë ka dalë këtu?

– Kukulla shok, kukulla të bukura për fëmijë. Hynë. Shitsja hapte kutitë dhe nxirrte gjithfarë kukullash të bukura, me flokë të gjatë e të shkurtën, me flokë të zes e të verdhë. Nji palë me fustane të gjata, nji palë me tuta, nji palë me veshje marine.

– Sa kushtojnë? – pyeti Maksut Hasani nji grue të re, e cila tue dalë nga dyqani i buzëqeshte kukllës ashtu si nji nanë e re i buzëqesh bebes. – Katërqind lekë – tha grueja e re. -E vlen për gazin që i fal fëmijës.

Maksut Hasani iu vardis shitëses:

– Të lutem shoqe, më jep nji kukull! Atë me flokë të zes e me përparse të bardhë. Duket kukull punëtore. /KultPlus.com

Tirana, 102 vjet kryeqytet i Shqipërisë

Organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës (21-31 Janar 1920) u vendosën më 11 Shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në Janar 1925.

Pas 1920 filloi popullimi me banorë të ardhur nga krahina e qytete të tjera të vendit. Më 11 shkurt 1920, populli i Tiranës priti me entuziazëm Këshillin e Lartë dhe Qeverinë, e cila u vendos pikërisht në atë ndërtesë, ku tiranasit kishin ngritur flamurin në vitin 1912. Autoritetet e larta të shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi, në marshimin e tyre (që nisi më 6 shkurt), kaluan në Kavajë dhe në pamundësi për të hyrë në Durrës, i cili ishte i pushtuar nga forcat italiane, u kthyen drejt Shijakut, për të mbërritur në Tiranë.

Arsyet që u vendos të shkohej drejt Tiranës qenë:

– Mosprania e forcave të huaja (pushtuese),

– pozita gjeografike në qendër të vendit,

– patriotizmi shumë herë treguar i popullsisë së trevës, dhe

– ndodhja e disa ndërtesave që mund të përdoreshin si zyra.

Në këtë rrugëtim të rrezikshëm, rol kryesor pati Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili kishte përkrahësit e tij të armatosur. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve, ka qenë moszbrapsja e tij përballë forcave italiane, (që tentuan t’i ndalonin përfaqësuesit e zgjedhur në Lushnje), moment kyç për suksesin e kësaj ndërmarrjeje. Me të mbërritur në Tiranë, Këshilli i Naltë dhe qeveria, më 11 shkurt 1920, mes entuziazmit popullor, e shpallën atë kryeqytet të përkohshëm. Më 1922 Tirana u shkëput si nënprefekturë nga prefektura e Durrësit dhe u bë prefekturë më vete. Më 1923 ajo kishte 12.453 banorë. Më 1924 Tirana u bë arenë e luftës së brendshme politike-Revolucionit të Qershorit dhe rikthimit të Ahmet Zogut, i cili u vu në krye të shtetit, në filim si kryetar i Republikës Presidenciale (1925-1928) pastaj si mbret (1928-1939).

Data 11 shkurt, datë në të cilën Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm, është e një rëndësie parësore në historinë tonë kombëtare; kjo zgjedhje lidhet ngushtë me veprimtarinë e dendur patriotike të tiranasve, para dhe pas pavarësisë. / KultPlus.com

Së shpejti nis “Java e Kulturës Bashkëkohore së Kosovës” në Tiranë

Në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke filluar nga data 14 shkurt, qendra kulturore ‘Tulla’ në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës dhe Bashkia Tiranë, vijnë me një program eventesh kulturore, shkruan KultPlus.

Ndërsa, lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiaku Erion Veliaj nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“Mos e humb Javën e Kulturës Bashkëkohore të Kosovës në Tiranë – KS #14 Showcase

Në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës nga data 14-20 shkurt, Tulla – Culture Center në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës dhe Bashkia Tiranë, vijnë me një program eventesh të cilat do të sjellin kinematografinë 🎞️, teatrin🎭, artin vizual 🎨 dhe muzikën më të mirë kosovare”, ka shkruar Veliaj. / KultPlus.com

Dua Lipa në hapjen e TEYC: Kjo është një mundësi e mirë për t’i treguar Europës talentin e rinisë shqiptare

Ylli i muzikës botërore, shqiptarja Dua Lipa, përmes një videomesazhi drejtuar të gjithë të rinjve shqiptarë ka përshëndetur sot në ceremoninë hapëse të eventeve të “Tirana European Youth Capital 2022”.

Dua Lipa ka premtuar një tjetër vizitë në Tiranë në kuadër të aktiviteteve për “Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë”.

Përshëndetje çuna, përshëndetje kryebashkiakut Erion. Shpresoj që po kaloni të gjithë mirë! Jam shumë e lumtur të jem pjesë e festës tuaj të madhe që do të zgjasë në të gjithë vitin në Tiranë, Kryeqyteti Europian i Rinisë. Tirana mban një vend special në zemrën time, jo vetëm prej rrënjëve të mia shqiptare, por gjithashtu dhe për atmosferën pozitive dhe energjinë e mrekullueshme. Tirana është si një shtëpi për mua dhe dua që e gjithë bota ta dijë. Kjo është një mundësi e mirë për t’i treguar Europës talentin dhe potencialin e rinisë shqiptare. Paçi fat me organizimin e mbi 1000 aktiviteteve në Tiranë dhe jam e sigurt që secila prej tyre do jetë një sukses. Mezi pres të jem aty me ju me miqtë e mi dhe të bashkohemi në festën tuaj por deri atëherë ju dërgoj shumë puthje”, u shpreh në videomesazhin e saj Dua Lipa. /atsh/KultPlus.com

Mbretëresha Geraldinë ‘rikthehet’ edhe një herë tjetër në Shqipëri

Më 1 shkurt është mbajtur ceremonia publike e inagurimit të monumentit kushtuar Trëndafilit të Bardhë të Hungarisë dhe Mbretërshes së shqiptarëve, Geraldinën, shkruan KultPlus.

Në mesin e figurave të njohura, u bë edhe inagurimi Inagurimi i shtatores së Mbretëreshes Geraldinë.

Financimin e kësaj vepre arti e ka bërë Qeveria e Hungarisë, derisa këshilli bashkiak i Tiranës e ka bërë edhe përzgjedhjen e një vendi simbolikisht domethënës për ngritjen e bustit.

Fjalimin e tij, Princ Leka e nisi duke falënderuar të pranishmit, derisa gjithashtu shtoi se kjo vepër arti do të stolisë sot e mbrapa një nga arteriet qëndrore të qytetit të Shqipërisë.

“Rastësi apo jo, është një koinçidencë që dy gratë më të famshme shqiptare të shekullit të shkuar – Nënë Tereza dhe Mbretëresha Geraldinë – kur u takuan në New York më 25 qershor 1981, ndanin me njëra-tjetrën një fat të përbashkët: të dyja ishin të djegura për të parë Shqipërinë; të dyja e kishin të ndaluar të shkelnin mbi dheun e këtij vendi”.

Ai e mbylli fjalimin, duke cituar mikun e Elias, shkrimtarin Ismail Kadare, që përpara 20 vitesh i shkruante kështu Mbretëreshës.

“Zonjë e lartë, vendimi juaj për t’u kthyer e për të jetuar në Shqipëri, ka qenë për mua, dhe kam bindjen se do të jetë për shumicën e shqiptarëve një lajm i gëzuar dhe jashtëzakonisht prekës. Ju po ktheheni në vendin që fati e solli të bëhet atdheu i juaj, ndonëse ky vend ju ka sjellë shumë më tepër brenga sesa gëzime. Me këtë akt të lartë, ju na jepni një mesazh të gjithëve, mesazhin fisnik se: Atdheu mund të jetë i dashur edhe kur është i varfër dhe i vështirë”.

Princ Leka ishte i pranishëm në këtë event së bashku me Elian dhe beben Geraldinë ,derisa skulptori Sandor Kligl u përkujdes për ta riprodhuar mjeshtrisht këtë figurë të madhe për Shqipërinë. /KultPlus.com

97 vjetori i shpalljes së Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë

Më 31 Janar 1925, Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë, pasi Asambleja Kushtetuese votoi nenin 6 të kushtetutës: “Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë.”

Që nga kjo datë kushtetutat janë ndërruar shumë herë, por ky nen ka mbetur i pa ndryshuar.

Delegatët e parlamentit të cilët më 21 janar 1925 e shpallën republikën e parë shqiptare, morën vendimin e radhës edhe për Tiranën.

Pra, 10 ditë më vonë shpallën Tiranën si kryeqytet të Shqipërisë. /KultPlus.com

*Në foto: Anëtarët e Asamblesë Kushtetuese që votuan më 31 janar 1925, Tiranën kryeqytet dhe Ahmet Zogun president

Tirana zbukurohet me flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës, Veliaj pret në takim Ramën

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, ka pritur në takim zyrtar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Veliaj, ka bërë të ditur se takimin zyrtar të Ramës e ka nisur me një vepër teatrale si Mephisto.

“Sa bukur që nisëm vizitën zyrtare të Perparim Rama në Bashkia Tiranë me një vepër teatrale si MEPHISTO – kaq të arrirë nga një trupë e aktorëve të Tiranës e Prishtinës me rastin e #EYC2022”, shkruan i pari i Tiranës në “Facebook”.

“Kryeqyteti Evropian i Rinisë” është një titull i dhënë nga Forumi Rinor Evropian (European Youth Forum EYF), i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve në shoqëri dhe për të forcuar identitetin evropian.

Kjo platformë synon që të përfshij edhe të rinjtë e Prishtinës, dhe së bashku me Tiranën të modernizohen kryeqytetet shqiptare. /KultPlus.com

Tirana merr zyrtarisht stafetën si Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022

Tirana merr zyrtarisht stafetën si Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022.

Në arenën e elektrizuar nga muzika dhe të rinjtë, kryetari i bashkisë së Klaipedas në Letoni, Vytautas Grubliauskas, i dorëzoi në mënyrë simbolike kryebashkiakut Erion Veliaj çelësin që simbolizon marrjen e detyrës.

“Është një moment shumë i veçantë t’ia dorëzoj sot çelësin kryebashkiakut të Tiranës. Ne duhet ta mbështesim kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Shqipëria dhe Tirana janë vende për të cilat do të ndihemi krenarë dhe do të themi: -Po, ne kemi qenë kryeqytet i rinisë para këtij kryeqyteti të mrekullueshëm. Tani ky simbol besimi është në duart tuaja”, u shpreh Grubliauskas.

Si Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, Tirana do të ketë një program ambicioz që do të synojë të adresojë nevojat e të gjithë të rinjve të saj dhe do të përpiqet të lidhë qytetin dhe rininë e tij me vlerat evropiane.

Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi këtë moment një mundësi fantastike për Tiranën.

“Kemi marrë zyrtarisht stafetën nga Klaipeda e Lituanisë që ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2021. Ndaj ne do të përdorim gjithë ditët e fundit të dhjetorit për të planifikuar një kalendar që deri tani ka shkuar në 1000 aktivitete për gjithë vitin që vjen. 1000 aktivitete ku ne duam që të rinjtë të lidhen me njeri-tjetrin në shumë fusha, nga sporti, arti, kultura, sipërmarrja rinore, aktivistët e mjedisit. Është një ditë fantastike dhe një mundësi e jashtëzakonshme për Tiranën edhe si një kartolinë se çfarë është Shqipëria moderne sot dhe çfarë mund të bëhemi nesër”, tha ai.

Kreu i bashkisë theksoi se përgjatë 2022-it, do të mbështeten dhe promovohen jo vetëm të rinjtë nga Tirana, por edhe ata nga trevat e tjera shqipfolëse. “Ne duam gjithashtu që të përdorim këtë mundësi fantastike për të promovuar të rinjtë shqiptarë edhe përtej Tiranës, të rinjtë shqiptarë kudo në Shqipëri, të rinjtë shqiptarë kudo në Kosovë, në Luginën e Preshevës, në Maqedoninë Perëndimore, në jug të Malit të Zi, sepse shohim si një platformë ku ne mund të tregojmë aftësitë tona”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Bashkia e Tiranës ka hapur thirrjet për të gjithë ata që kanë një ide për aktivitete për t’u bërë pjesë e kalendarit fantastik.

“Do kemi disa aktivitete që do jenë masive nëpër të gjithë sheshet dhe terrenet e mëdha të Tiranës. Sigurisht do kemi edhe disa gjëra që janë më të vogla në nivel shkolle, lagje, në nivel komunitar. Për këto ide ne sapo kemi hapur një thirrje. Është një thirrje për të gjithë organizatat rinore, universitetet, për të gjitha organizimet rinore, qofshin ato kulturore apo sportive që të aplikojnë, që të kemi mundësi t’i mbështesim financiarisht për të realizuar të gjitha ëndrrat dhe gjithë pasionet dhe idetë që kanë në vitin 2022”, nënvizoi Veliaj.

Titulli “Tirana European Youth Capital 2022” i është akorduar të rinjve të Shqipërisë, në vitin 2019 në Aimens, Francë, si një përpjekje e finalizuar me sukses nga organizatat e shoqërisë civile, nën drejtimin e Kongresi Rinor Kombëtar dhe me mbështetjen e bashkisë së Tiranës. / KultPlus.com

Ministrja Margariti: Viti 2022 do të jetë viti i kulturës

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se, “viti 2022 do të jetë viti i kulturës”.

Margariti tha se, viti i kulturë do të vijë si një paradë shumëngjyrëshe kulturash, traditash nga e gjithë bota.

“Dje, në një mbrëmje miqësore prezantuam para përfaqësuesve të trupave diplomatike në Tiranë, nismën më të re të Qeverisë: Javët Kulturore Ndërkombëtare, si një mundësi njohjeje, bashkëpunimi, shkëmbimi mes artistëve e padyshim pasurimi të jetës kulturore jo vetëm në kryeqytet, por gjithë Shqipërinë”, tha ministrja.

Margariti bëri të ditur se, kjo është një nismë që u prit me entuziazëm nga pjesëmarrësit, teksa shtoi se “presim rezultate fantastike nga kjo iniciativë që do të mbledhë bashkë aktorë të një spektri të gjerë të artit e kulturës”. / KultPlus.com

Sot bëhen 77 vjet nga Çlirimi i Tiranës

Si sot, 77 vite më parë, u çlirua nga pushtimi nazi-fashist, qyteti i Tiranës. Operacion i madh, nga më të rëndësishmit, më të ashprit e më të suksesshmit që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.

Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korpomatës së I Sulmuese.

Shtabi i korpomatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme. Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës. Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor).

Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29, 10, – 17, 11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë.

Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH.

Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij. Menjëherë pas çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor 1944, me urdhër të Qeverisë së Përkohshme Antifashiste, e cila ato ditë ndodhej në Berat, një repart i ushtrisë partizane mori në ruajtje godinën qendrore të Bankës Kombëtare të Shqipnis në Tiranë.

Reparti partizan mori në ruajtje edhe pasurinë e saj monetare, administrative dhe arkivore. Më 15 dhjetor 1944, disa ditë pasi organet e larta të shtetit qenë vendosur në Tiranën e çliruar, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional-Çlirimtar, u ndalua dalja jashtë Shqipërisë e arit, argjendit, platinit dhe gurëve të çmuar./ KultPlus.com

Tirana ndër kryeqytetet me ushqimin më të mirë në Evropë

Kur mendojmë për pushimet të gjithëve na vijnë në mendje perceptime të ndryshme. Disa duan të pushojnë në plazh me një pije në dorë, disa të eksplorojnë rrënojat e lashta ose të përjetojnë aventura në shkretëtirë. Por ka dhe një kategori që “dashuron” ushqimim. Për dashamirët e ushqimit, gjithçka ka të bëjë me ushqimet e shijshme dhe të reja që mund të provojnë.

Uswitch ka gjetur kryeqytetet më të mira evropiane për adhuruesit e ushqimit, duke marrë parasysh kategori si ushqimi vegjetarian, kafenetë, baret, Fast-food, Brunch (mesvakt), çmimi mesatar dhe numri i restoranteve dhe ka renditur dhjetë kryeqytetet më të mira. Tirana është renditur në vendin e 4 dhe konsiderohet një ndër vendet më të mira për të ngrënë dhe pushuar.

Për ushqime me çmime të arsyeshme por edhe të shijshme dominon Athina në Greqi. Ka mbi 1000 restorante për të zgjedhur vetëm në qytet, me akoma më shumë në periferi me një vlerësim prej 9 nga 10 pikë në total me një çmim prej 19,26 dollarësh për vakt.

Beogradi pason listën e një rezultat të përgjithshëm prej 83.06 nga 100. Ky kryeqytet serb është më i miri për pijet e tyre me 9.05 pikë. Kostoja mesatare e vaktit është pak më e lirë se Athina gjithashtu, në 18.48 dollarë.

Po kërkoni diçka të shpejtë për të ngrënë në lëvizje? Sofjes, Bullgari është një nga më të mirët për ushqim të shpejtë, me 9.02 nga 10 pikë. Kafenetë padyshim që ia vlen të vizitohen gjithashtu.

Tirana, Valletta dhe Lisbona janë të gjitha vende të shkëlqyera për drekë dhe për ata që duan të gjejnë kohë për t’u shoqëruar, për të ngrënë mirë dhe për të fjetur. Të tre kryeqytetet kanë një rezultat të përgjithshëm 70 nga 100 pikë dhe janë zgjedhje shumë e mirë për adhuruesit e ushqimit. Tirana është madje në 10 vendet kryesore evropiane për makinat më të lira me qira, e cila do të jetë e përshtatshme për të udhëtuar midis të gjitha këtyre pikave ushqimore.

Kryeqytetet e Evropës Qendrore Bratislavë (Sllovaki) dhe Zagreb (Kroaci) janë dy vende të tjera me mundësi cilësore për adhuruesit e suhqimit. Ndërsa Zagrebi bie nën 70 me rezultatin e tij të përgjithshëm (68.76), e kompenson rezultatin me kafenetë e tij.

I fundit i 10 më të mirëve është Bukureshti në Rumani. Duke arritur një vlerësim të përgjithshëm prej 68.73 nga 100 pikë, ai ka rezultatet e tij më të larta për cilësinë e kafeneve (si në atmosferë ashtu edhe në vetë ushqimin) dhe fast-food. Pra, pavarësisht nëse pëlqeni të darkoni në ndërtesa simpatike ose thjesht dëshironi të hani një meze të shpejtë, Bukureshti i ka mbuluar të dyja. /dosja.al/ KultPlus.com

Mbyllet ‘Mural Fest 2021’, ja disa nga veprat që zbukuruan muret në Tiranë (FOTO)

Pas 45 ditësh punë intensive dhe 2 vjet përgatitje mbyllet “Mural Fest 2021”, organizuar nga “Dekor Tirana” dhe kuruar nga Helidon Doni Haliti dhe Kiriakos Losifidis.

Artistë me famë ndërkombëtare nga Gjermania, Italia, Spanja, Greqia, Indonezia, etj udhëtuan drejt Tiranës për artin e magjishëm të ngjyrave murale.

Gjatë këtyre ditëve, artistët dhanë mesazhet e tyre përmes hapësirave të qytetit duke sjellë një energji shumë të bukur e duke lënë një muze të hapur në natyrë.

Jeta e përditshme, rruga dhe historitë e saj u shkrinë me fasadat e godinave në Tiranë duke ridizajnuar hapësirat urbane dhe kthyer ato jo vetëm në pika të reja atraksioni në kryeqytet, por edhe destinacione për turistët e shumtë të huaj dhe ata vendas.

Ky event i kthyer tashmë në një traditë të bukur për kryeqytetin, është një festival ngjyrash, u mbështet nga Coca Cola Bottling, Albania VIZart dhe Urbanact. /atsh/ KultPlus.com

Gazetarja franceze: Shqiptarët janë shumë mikpritës

Gazetarja franceze Saliha Hadj Djilad është e njohur si promovuese e destinacioneve tërheqëse të botës dhe në fokusin e saj nuk ka shpëtuar as Shqipëria.

Saliha ka realizuar një reportazh për vendin e shqiponjave duke e nisur me vizitën e këngëtares shqiptare me famë botërore Dua Lipa.

Gazetarja thotë se nuk nevojitet as certifikatë vaksinimi për të shkuar në Shqipëri duke u shprehur se është një vend që e ka menaxhar më së miri krizës. Më pas ajo ka vizituar “Shtëpia Gjetheve”, muzeun e spiunazhit në kohën e komunizmit, për të vijuar më pas me arkitekturën e re të kryeqytetit.

“Shqiptarët janë shumë mikpritës në atë pikë sa turizmi mjekësor ëshë në lulëzim të plotë në Shqipëri, sidomos turizmi dentar ku klinika shumë serioze tërheqin turistë nga e gjithë Europa.”

Ajo e krahason rivierën shqiptare me të famshme Cote D’Azur. / KultPlus.com

Fakte dhe dokumente nga historianët dhe studiuesit e huaj, mbi rolin e qeverisë së Tiranës së asaj kohe

Lidhur me këtë pjesë të historisë së Shqipërisë, përveç studiuesve dhe historianëve tanë, janë angazhuar dhe kanë botuar disa libra edhe studiuesit e historianët e huaj, ku si më seriozet vlerësohen ato të Kontit Ciano, ish – Ministri i Jashtëm i Italisë së asaj kohe, (“The Ciano Diaries”, “Ciano` s Hidden Diaries”, “Ciano` s Diplomatic Papers”) që ishte një nga aktorët kryesorë të atyre ngjarjeve, pas Benito Mussolinit.

Nga Dashnor Kaloçi

Ka kaluar më shumë se shtatë dekada, që nga koha kur shteti grek vendosi dhe mban ende në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë. Kjo gjë u bë me pretekstin, se: nga tokat shqiptare ishte lejuar ushtria italiane që të sulmonte Greqinë. Por si qëndron e vërteta rreth kësaj ngjarje dhe a ishte përgjegjës shteti shqiptar për sulmin Italian, karshi fqinjës së saj jugore?
Lidhur me këtë pjesë të historisë së Shqipërisë, përveç studiuesve dhe historianëve tanë, janë angazhuar dhe kanë botuar disa libra edhe studiuesit e historianët e huaj, ku si më seriozet vlerësohen ato të Kontit Ciano, ish – Ministri i Jashtëm i Italisë së asaj kohe, (“The Ciano Diaries”, “Ciano` s Hidden Diaries”, “Ciano` s Diplomatic Papers”) që ishte një nga aktorët kryesorë të atyre ngjarjeve, pas Benito Mussolinit.

Këto libra të tij, si dhe të disa autorëve të tjerë, janë shfrytëzuar nga Bernd J. Fischer ( një nga studiuesit e njohur të historisë së Shqipërisë) në librin e tij voluminoz “Shqipëria gjatë luftës 1939-1945”, i cili është botuar para disa viteve në Tiranë. Duke ju referuar Fischerit, si edhe disa historianëve të huaj si: David B. Funderburk, (“Anglo-Albanian relations, 1920-1939) Mack Smith, (“Mussolini` s Roman Empire”) George M. Self (“Foreign relations of Albania”) etj., do të shohim se: shteti shqiptar asokohe kur u sulmua Greqia prej Italisë fashiste të Mussolinit, nuk kishte asnjë lloj mundësie që ta parandalonte atë sulm, pasi ai ishte i okupuar për vete nën thundrën fashiste. Përveç këtij fakti të pa mohushëm, asokohe edhe dy batalionet shqiptare që u dërguan të luftonin në frontin grek, pothuaj dezertuan të gjithë, duke mos dashur të luftonin kundra fqinjëve të tyre.

Si u përgatit terreni në Shqipëri?

Aty nga fillimi i vitit 1940, Ministri i Jashtëm i Italisë, Konti Ciano, duke parë se Hitleri po mbulohej me lavdi pas sulmeve dhe fitoreve të njëpasnjëshme që çuan në pushtimin e disa shteteve të Europës Lindore, mendoi që të shfrytëzonte Shqipërinë, duke e përdorur atë si pikënisje në sulmet që Italia do të bënte në vendet e tjera të Ballkanit. Si një njohës i mirë i historisë së popullit shqiptar dhe duke ditur se në Konferencën e Ambasadorëve në vitin 1913-të në Londër, Shqipërisë i ishin lënë jashtë kufijve politikë, një pjesa e madhe e territoreve të saja, Konti Ciano, mendonte që të shfrytëzonte faktorin shqiptar duke ndjekur vijën irredentiste në planet e tija për pushtimin e Ballkanit. Për të realizuar këtë plan, që në muajt e parë të sulmit mbi Shqipërinë, Konti Ciano filloi të propagandonte Shqipërinë e madhe, duke deklaruar para zyrtarëve shqiptarë, se Italia dëshironte zmadhimin e kufijve të Shqipërisë dhe për atë gjë, ata italianët do të ndihmonin shqiptarët në realizimin e aspiratave të tyre Kombëtare.
Sipas kujtimeve të Kontit Ciano, të botuara në “Foreign Affairs and Policy Determination”, pas deklaratave të tija, këtë gjë nisën ta bënin dhe shumë zyrtarë të tjerë italianë, të cilët filluan t’i hidhnin benzinë zjarrit të irredentizmit. Kështu aty nga mesi i qershorit i vitit 1939, në një fjalim të mbajtur në qytetin e Korçës, ministri italian i Arsimit, Giuseppe Bottai, e krahasoi Shqipërinë me Piemontin dhe u shpreh rreth zgjerimit të saj, në një kohë sa më të shkurtër brenda dy ose tre vjetëve. Lidhur me këtë deklaratë, konsulli jugosllav që ishte asokohe në Korçë, u ankua dhe gazetat shqiptare që përcollën fjalimin e ministrit italian të Arsimit, nuk e shkruan atë pasazh. Po kështu, aty nga fundi i muajit qershor, përfaqësuesi i plotfuqishëm grek në Tiranë, i raportoi ministrit të tij të Jashtëm, se marshalli Badoglio, i cili ndodhej për një vizitë në Shqipëri, u kishte premtuar njerëzve që e kishin pritur dhe brohoritur, “begati më të madhe si dhe zgjerimin e kufijve të Shqipërisë”. Të njëjtat fjalë që kishte thënë marshalli Badoglio, përpara turmave, i kishte përsëritur në ceremoninë e pritjes së tij dhe Jakomoni, ambasadori italian në Shqipëri

Ciano për Shqipërinë e Madhe

Konti Ciano, për të realizuar planet dhe synimet e tija strategjike për pushtimin e Ballkanit, mendonte që të angazhonte drejt për së drejti shqiptarët në atë çështje. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në mesin e muajit gusht 1939, sipas porosive që kishte dhënë më parë, ai mbeti i kënaqur nga shkalla e mobilizimit që kishin shqiptarët. Në fjalën e tij të mirëseardhjes, Prefekti i Tiranës, shprehu dëshirën e tij për bashkimin e të gjithë shqiptarëve dhe krijimin e një Shqipërie të madhe, gjë e cila do të vinte nga ndihma e perandorisë së madhe fashiste. Mbas fjalës së prefektit, Konti Ciano, u premtoi të pranishmëve, se: Italia do të bënte çmos që Shqipëria të realizonte aspiratat e saja më të thella dhe e përfundoi fjalimin e tij duke thënë “Viva la grande Albania”. Po kështu, si rezultat i porosive të tija, autoritetet e Partisë Fashiste, ishin përkujdesur që të bënin parulla të shumta me hartën e Shqipërisë së madhe, të cilat valviteshin nga italianët me uniforma të zeza, (uniforma e Partisë Fashiste) në mitingjet që bëheshin për nder të tij, së bashku me flamurin Kombëtar të Shqipërisë. Në mes të këtyre parullave, binin në sy ato ku thuhej: “Duce, të mendojmë për shqiptarët që jetojnë kudo në botë” dhe “Duce, mendo për vëllezërit tanë”.

Sipas ministrit fuqiplotë të Gjermanisë në Shqipëri, (i cili i raportonte asokohe Ministrit të Jashtëm gjerman, Ribentrop), që i ndiqte nga afër ato mitingje, manifestuesit shqiptarë kishin kohë që ishin organizuar për ato manifestime, duke valvitur flamuj e parulla, ku shkruhej “Ne jemi shqiptarë nga Kosova” dhe “Rroftë Kosova”. Në të gjitha ato manifestime irredentiste, për të mos rënë shumë në sy, gazeta “Fashizmi” nuk mori pjesë fare, por në muajin gusht të vitit 1939, ajo botoi një artikull mjaft të ashpër, ku ju bëhej thirrje shqiptarëve që: të mos harronin se një pjesë e madhe e territoreve të tyre, ishin në zotërim të Jugosllavisë dhe Greqisë. Lidhur me këtë shkrim, si ministri i plotfuqishëm grek dhe ai jugosllav në Shqipëri, u ankuan pranë drejtorit të përgjithshëm italian të Propagandës dhe Turizmit. Ai e shkarkoi nga vetja përgjegjësinë dhe ju tha atyre se: ajo gjë ishte bërë nga një student, i cili do të merrej në mbikqyrje dhe do të kishte konsekuenca për shkrimin e bërë në atë gazetë. Planet e Italianëve për pushtimin e Ballkanit dhe përgatitja e shqiptarëve për ato synime, u itensifikuan më shumë aty nga viti 1940-të, kur Benito Mussolini, nisi të mendonte rreth ndërmarrjes së veprimeve të më tejshmë ushtarake në Ballkan.

Si u përgatit sulmi Italian mbi Greqinë?

Gjatë fushatës që i parapriu sulmit italian mbi Greqinë, shumica e deklarimeve e zyrtarëve shqiptarë dhe italianë, u shoqëruan me manifestime gjoja spontane, ku folësit e ndryshëm i referoheshin bashkimit të pashmangshëm midis shqiptarëve të përtej kufijve me vendin amë. Ndër këtë fjalime, vlen të përmenden ato të kryeministrit shqiptar, Mustafa Kruja, të cilët u dhanë me artopolantë dhe u shtypën e u botuan në gazeta e fletë-palosje, duke u shpërndarë kudo. Në ato fjalime ku ai i referohej territoreve të paçliruara dhe i konsideronte kufijtë e vërtetë të Shqipërisë si: “kufinj krejt të qartë pa pikë mëdyshje, por që nuk i korrespondojnë shtrirjes efektive e të të drejtave të shqiptarëve, as përparësisë së pronës, ngjashmërive etnike të popullsisë ose fisnikërisë së përbashkët të origjinës”. Vizitat e shpeshta që Konti Ciano bëri asokohe në Shqipëri, u shoqëruan gjithmonë me manifestime irredentiste, në një nga këto vizita që u bë në muajin gusht, e cila nga autoritetet fashiste u reklamua më së miri, me foto që e paraqisnin Cianon duke ju dhënë shqiptarëve para në dorë, e duke asistuar në paradat e mëdha ushtarake, ku valviteshin flamujtë dhe parullat e mëdha, të detyruara që përshëndesnin Kosovën e Çamërinë.
Duke parë gjithë ato pritje madhështore dhe entuziazmin e madh që tregohej nga shqiptarët, në një bashkim të mundshëm me Kosovën e Çamërinë, Konti Ciano, në ditarin e tij mes të tjerash shkruante: “Pritje e ngrohtë. Shqiptarët tashmë kanë hyrë mirë në rrugën e ndërhyrjes së armatosur. Ata e duan Kosovën e Çamërinë”. (“The Ciano Diaries”). Në një fjalim që mbajti në qershor të atij viti Mussolini, ku ju shpallte Aleatëve luftën, ai njëkohësisht donte t`ju jepte siguri si Jugosllavisë dhe Italisë, se ato nuk do të pushtoheshin prej tyre. Por që shqiptarët të mos i keqkuptonin ato deklarata, Piero Pariani, zëvëndësi i parë i Jakomonit, e siguroi Shefqet Vërlacin, në praninë e përfaqsuesit gjerman në Shqipëri, Panawitz, se: shqiptarët duhet të besonin tonin dhe jo përmbajtjen e fjalimit të Mussolinit.

Mbledhja e informacionit për sulmin

Akoma pa marrë miratimin e Mussolinit, aty nga maji i vitit 1940, gjatë një vizite në Tiranë, Konti Ciano filloi të mblidhte informacionin e mundshëm për të hedhur bazat e nevojshme që do t’i duheshin për planin e pushtimit të Greqisë. Gjatë asaj vizite, Ciano përfitoi nga rasti dhe pyeti kryekomandantin e forcave italiane në Shqipëri, gjeneralin Carlo Gelseo, se sa trupa do t’i duheshin për të pushtuar Greqinë. Gjenerali Gelseo, nuk shfaqi ndonjë entuziazëm të madh lidhur me projektin, të cilën e dëgjonte për herë të parë nga goja e Cianos dhe i tha atij se duheshin dhjetë ose njëmbëdhjetë divizione. Vetëm për atë përgjigje, Gjenerali Geleso u shkarkua dhe u zëvendësua, duke u larguar menjëherë nga detyra dhe në vend të tij erdhi Sebastiano Visconti Prasca. Gjenerali i ri, ritregoi entuziazëm pa kufi për projektin e Çianos dhe nuk e vrau shumë mëndjen për të mbledhur ushtrinë e nevojshme për të realizuar atë gjë. Besimi i Çianos u shtua dhe më shumë kur Jakomoni i raportoi se: milicia fashiste shqiptare kishte një dëshirë të paduruar për zgjerimin e Shqipërisë dhe perandorinsë italiane. Ndërkohë, për të vënë në vënd dhe për të arritur synimet e tija, Konti Çiano dha urdhër që në të dy anët e kufirit me Greqinë, të krijoheshin çeta luftarake, të cilat do të krijonin trazira në Çamëri.
Madje ai shkoi dhe më larg në idenë e tij, duke u munduar që të gjente mundësinë e vrasjes së Mbretit të Greqisë, nëpërmjet ndonjë shqiptari. Në atë kohë, Ciano nuk shkoi më shumë me përgatitjen e planit për vrasjen e Mbretit të Greqisë, pasi Mussolini ishte i prekupuar prej shpalljes së luftës Aleatëve, si dhe dyzimeve të tija se kë shtet do të sulmonte më përpara. Për sa i përket Ballkanit, Ducja mendonte ta fillonte sulmin ndaj Jugosllavisë, por Ciano ishte i vendosur që të arrinte synimin e tij, duke sulmuar Greqinë. Ai u entuziazmua pa masë, ku i ra në dorë një mesazh grek, që e kishin kapur italianët, ku njeriu i fortë i Greqisë, gjenerali Metaksa, bënte fjalë për një sjellje brutale dhe harbute të Cianos.

Ja pse shqiptarët nuk i ndihmuan italianët?

Ata në Shqipëri konsideroheshin si pushtues dhe ndjenja e irredentizmit në vend, nuk ishte aq shumë e përhapur ashtu siç ja paraqiste Konti Ciano, Benito Mussolinit. Për t’u siguruar se Ducja nuk do ta harronte Greqinë, Ciano sajoi nëpërmes Jakomonit, një numër incidentesh kufitare, të cilat dëshmonin se si propaganda italiane ashtu dhe diplomacia e saj, ishin jashtëzakonisht të ngathëta dhe krejt të paafta, si dhe vërtetësinë e fjalëve të ashpra të gjeneralit Metaksa, në drejtim të Cianos.

Sajimi i incidenteve kufitare

Ciano vendosi që të përqëndronte krejt vëmendjen në një incident që ndodhi në muajin qershor, kur disa persona të panjohur (besohet se ishin të policisë greke, vranë dhe i prenë kokën Daut Hoxhës, që ishte udhëheqësi i shqiptarëve të Greqisë së Veriut. Askohe, sipas agjensisë së lajmeve “Stefan”, lajm i cili u përsërit edhe nga zyra gjermane e shtypit, Daut Hoxha, paraqitej si një luftëtar i cili luftonte për lirinë e popullit shqiptar dhe si patriot i madh u vra nga agjentët grekë të cilët më pas i prenë edhe kokën dhe e shëtitën në të gjitha fshatrat e Çamërisë, për të frikësuar popullsinë vendase. Ndërsa ky lajm u komentua në këtë mënyrë, agjensia greke e lajmeve e hodhi poshtë atë, duke thënë se: Daut Hoxha ishte një kriminel i njohur, që autoritetet greke kishin njëzet vjet që e kërkonin për vrasje e vjedhje. Gjithashtu propaganda greke, bënte të ditur se shqiptarët e paktë që jetonin në Çamëri, jo vetëm që nuk shkaktonin trazira, por se ishin shumë të kënaqur me qeverisjen atërore dhe zemërgjerë të regjimit në grek. Për të qetësuar italianët, autoritetet greke arrestuan dy shqiptarë, të cilët i akuzuan si vrasësit e Daut Hoxhës dhe pritën një kërkesë për ekstradim nga ana e Italisë. Për ta nxitur Mussolinin dhe për të tërhequr vëmendjen e tij kundra Greqisë, Konti Ciano, më 10 gusht 1940-të, i paraqiti atij versionin italian të vrasjes së Daut Hoxhës. Pas kësaj, tepër i pezmatuar, Mussolini bëri thirrje për një veprim force ndaj Greqisë, pasi që nga viti 1923, me incidentin e Kanalit të Korfuzit, ai kishte disa hesape të vjetra të pambyllura me Greqinë, për të cilat grekët i gënjente mendja se i kishte harruar. / Memorie.al / KultPlus.com

Ambasada gjermane: Kushdo që ka qenë në Shqipëri, e mban këtë vend gjithmonë në zemër

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë theksoi sot se, në serinë “Postim nga Postet”, Ministria e Jashtme gjermane hedh vështrimin në vende të ndryshme të botës duke përcjellë pikëpamje të punonjësve në ambasadat gjermane, transmeton KultPlus.

“Dje u raportua mbi Shqipërinë!  Sepse një koleg nga ambasada gjermane në Tiranë u kthye disa ditë më parë në Berlin me një valixhe plot përvoja pozitive dhe fotografi të bukura nga Shqipëria”, thekson ambasada gjermane.

“Shqipëria” – vendi i shqiponjave, siç vendi quhet në gjuhën vendase, ka qenë për 3 vitet e fundit shtëpia e kolegut tonë më të ri në ekipin e shtypit, i cili sapo ka mbërritur në Berlin. Kohë e mjaftueshme për të zbuluar këtë vend plot larmi dhe kontraste. Përveç kryeqytetit hiper-urban “Tirona”, në të cilin jeton rreth një e treta e popullsisë vendase, jugu i vendit tërheq me plazhe të bukura ndërsa veriu me zonat e thella malore. Historikisht, Shqipëria ka qenë një vazo e shkrirjes së kulturave dhe ndikimeve të ndryshme dhe sot është një shembull i tolerancës ndërfetare”, nënvizon ambasada gjermane. / KultPlus.com

Mali me Gropa, fenomeni i rrallë në Shqipëri

Mali me Gropa është një nga fenomenet e rralla të karstit në Shqipëri dhe një ndër më të rrallët dhe në Europë, për nga përmasat dhe shtrirja. Emrin ky mal e ka marrë nga sipërfaqja e sipërme e tij, që është e mbushur me gropa karstike, që janë formuar nga tretja e gurit gëlqëror në epokën e akullnajave.

Është ndër zonat më të reja të shpallura në mbrojtje nga Qeveria Shqiptare. Kjo zonë kufizohet ngushtë me Parkun Kombëtar të Dajtit (të zgjeruar), nga veriperëndimi i saj, dhe është, gjithashtu, ekologjikisht e lidhur ngushtë edhe me pellgun e Bovillës dhe Parkun Kombëtar të Qafështamës, që ndodhen më në veriperëndim, duke qenë vazhdim natyror i njëri-tjetrit.

Këto gropa kanë një thellësi që shkon nga disa dhjetëra metra, deri në mbi 100 metra në zona të caktuara. Disa prej këtyre gropave përfundojnë me puse të cilat zgjerohen në shpella karstike të nëndheshme. Ky mal është “prodhuesi” dhe fillesa e disa përrënjve që përshkojnë rrethin e Tiranës. Nga ky mal furnizohet me ujë burimi i Selitës. Pika më e lartë e tij arrin në 1847.3 metra që quhet dhe maja e Mcekut (njihet dhe e Micekut).

Ai është një destinacion për të gjithë të apasionuarit e ngjitjes malore dhe të skisë. Në dimer ai është pothuaj gjithnjë i mbuluar me borë, që arrin me raste deri në disa metra, duke e bërë të përshtatshëm për sportin e skisë ekstreme. Nuk ka shenja, por ka shtigje që të çojnë deri në lartësinë më të madhe. Mali është kryesisht i zhveshur nga pemët, përveç bimësisë së ulët.

Rruga për tek ai mund të vijojë në dy drejtime Tiranë -Qafëmollë dhe Tiranë – Shenmeri(Shengjergj). Rruga deri në Shenmeri dhe Qafëmollë është kryesisht më mirë. Me pas procedohet në rruge rurale dhe ngjitja në këmbë deri në destinacion. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com

Dua Lipa viziton Tiranën, Veliaj i dhuron Kapelen e Gruas Tironse

Ylli i muzikës botërore, Dua Lipa, e cila ndodhet në Tiranë, u prit sot në një takim nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj.

Veliaj i dhuroi këngëtares së famshme një targë simbolike “Dua 100”, kapelen e gruas tironse, si dhe diskun muzikor me këngë popullore të Shqipërisë së mesme, realizuar në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, “Tirana 100”.

Ndërsa, Dua Lipa i dhuroi Veliajt albumin e saj më të fundit, që po thyen rekordet botërore, “Future Nostalgia”, i cili për 6 muaj ka qëndruar në top 10-en e këngëve më të mira.

Edhe pak kohë më parë babai i këngëtares së famshme, Dukagjin Lipa, u takua me kryebashkiakun e Tiranës, pas të cilit Veliaj paralajmëroi një projekt të ri muzikor të Duas në kryeqytet vitin e ardhshëm, që përkon edhe me Tiranën Kryeqytetin Europian të Rinisë.

Gjatë ditës së sotme, Veliaj dhe këngëtarja Dua Lipa do të inspektojnë edhe punimet për rindërtimin e Kopshtit 42 në Tiranë, i cili u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Këngëtarja shqiptare do të financojë mobilimin e plotë të kopshtit, me kapacitet 300 fëmijë, ndërsa godina po ndërtohet me ndihmën e Fondit të Katarit.

Dua Lipa shoqërohej nga prindërit, Dukagjin dhe Anesa Lipa, si dhe i fejuari i saj, Anwar Hadid. /atsh/ KultPlus.com

Si u prit largimi i shkrimtarit Ismail Kadare nga Tirana dhe Shoqëria civile

Nga Aurenc Bebja, Francë – 24 Qershor 2021

Prestigjozja “Le Monde” ka botuar, të shtunën e 27 tetorit 1990, në faqen n°8, një shkrim në lidhje me largimin e shkrimtarit Ismail Kadare nga Shqipëria dhe marrjen e azilit politik në Francë.

Shqipëri: Largimi i Ismail Kadaresë

Habi dhe zemërim në qarqet zyrtare në Tiranë

Burimi : Le Monde, 27 tetor 1990, f.8

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare mori azil politik në Francë të enjten e 25 tetorit. Ai shkoi menjëherë, së bashku me familjen e tij, në një vendbanim të qetë (të fshehtë) ku, sipas editorit (botuesit) të tij, z. Claude Durand, pronar i Fayard, ai do të mbrohet për disa kohë nga policia.

Megjithëse nuk u njoftua nga mediat zyrtare shqiptare, vendimi i Ismail Kadaresë për të qëndruar në Francë (Le Monde, 26 tetor) u bë pothuajse i njohur menjëherë në Tiranë, për arsye të pranisë – së jashtëzakonshme – të një numri të madh të gazetarëve të huaj që shkuan për të ndjekur konferencën e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit të mërkurën dhe të enjten në kryeqytetin shqiptar.

Kushte jetese milioneri

Të informuar, ata, nga transmetimi në mbrëmje i Zërit të Amerikës, të rinjtë e Tiranës, pa u trembur nga policia, u shprehën të huajve kalimtarë mbështetjen e tyre për shkrimtarin. Në qarqet zyrtare shqiptare, nga ana tjetër, pas momentit të parë të habisë, vendimi i Kadaresë provokoi një farë ndjenje zemërimi ndaj një njeriu që ishte pjesë e aparatit dhe përfitonte nga një pozitë e privilegjuar në krahasim me pjesën tjetër të bashkatdhetarëve të tij.

“Kadare pati folur për refugjatët në ambasada si mbetje të shoqërisë shqiptare, tani ai veproi si ata,” i tha AFP-së një përfaqësues i ministrisë së jashtme shqiptare. “Nuk kuptoj. Ai kishte gjithçka, kushte jetese milioneri, ne botonim librat e tij, ai shkonte jashtë vendit kur të donte”, shtoi sekretari i përgjithshëm i Unionit të Gazetarëve, z. Ymer Minxhozi. Reagimet nuk ishin më pak të ashpra në qarqet letrare: “Edhe Vaclav Havel nuk u largua nga vendi i tij kur situata e tij ishte e vështirë, pas daljes nga burgu,” vuri në dukje një mik i Kadaresë, poeti Rudolf Marku.

Shqiptarë të tjerë të intervistuar nga gazetarë të huaj theksuan se lajmet për largimin e Kadaresë ndërsa Tirana organizonte një konferencë ndërkombëtare rrezikonin të zhbënin të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për të dalë nga izolimi diplomatik. Sipas Elisabeth Champseix, mësuese (pedagoge) që kaloi gjashtë vjet në Tiranë dhe bashkëautore e një libri mbi Shqipërinë, largimi i Kadaresë, “është vitrina e vendit që po thyhet (shembet)”.

Nënkryetari i Frontit Demokratik, një organizatë masive e regjimit e udhëhequr nga e veja e ish-udhëheqësit Enver Hoxha, Ismail Kadare kishte marrë pjesë aktivisht në pranverë dhe në fillim të verës, së bashku me intelektualë të tjerë shqiptarë, në një ofensivë ndaj reformatorëve të partisë kundër konservatorëve, veçanërisht në një intervistë shumë të veçantë në të përjavshmen e Unionit të Shkrimtarëve, Drita. Ai po largohet nga vendi i tij në një kohë kur, sipas vëzhguesve të huaj të vendosur në Tiranë, regjimi komunist përballet me një popullsi gjithnjë e më të irrituar dhe gjithnjë e më pak të prirur nga frika.

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-monde-1990-si-u-prit-largimi-i-shkrimtarit-ismail-kadare-nga-tirana-zyrtare-dhe-shoqeria-civile/