Pas 45 ditësh punë intensive dhe 2 vjet përgatitje mbyllet “Mural Fest 2021”, organizuar nga “Dekor Tirana” dhe kuruar nga Helidon Doni Haliti dhe Kiriakos Losifidis.
Artistë me famë ndërkombëtare nga Gjermania, Italia, Spanja, Greqia, Indonezia, etj udhëtuan drejt Tiranës për artin e magjishëm të ngjyrave murale.
Gjatë këtyre ditëve, artistët dhanë mesazhet e tyre përmes hapësirave të qytetit duke sjellë një energji shumë të bukur e duke lënë një muze të hapur në natyrë.
Jeta e përditshme, rruga dhe historitë e saj u shkrinë me fasadat e godinave në Tiranë duke ridizajnuar hapësirat urbane dhe kthyer ato jo vetëm në pika të reja atraksioni në kryeqytet, por edhe destinacione për turistët e shumtë të huaj dhe ata vendas.
Ky event i kthyer tashmë në një traditë të bukur për kryeqytetin, është një festival ngjyrash, u mbështet nga Coca Cola Bottling, Albania VIZart dhe Urbanact. /atsh/ KultPlus.com
Gazetarja franceze Saliha Hadj Djilad është e njohur si promovuese e destinacioneve tërheqëse të botës dhe në fokusin e saj nuk ka shpëtuar as Shqipëria.
Saliha ka realizuar një reportazh për vendin e shqiponjave duke e nisur me vizitën e këngëtares shqiptare me famë botërore Dua Lipa.
Gazetarja thotë se nuk nevojitet as certifikatë vaksinimi për të shkuar në Shqipëri duke u shprehur se është një vend që e ka menaxhar më së miri krizës. Më pas ajo ka vizituar “Shtëpia Gjetheve”, muzeun e spiunazhit në kohën e komunizmit, për të vijuar më pas me arkitekturën e re të kryeqytetit.
“Shqiptarët janë shumë mikpritës në atë pikë sa turizmi mjekësor ëshë në lulëzim të plotë në Shqipëri, sidomos turizmi dentar ku klinika shumë serioze tërheqin turistë nga e gjithë Europa.”
Ajo e krahason rivierën shqiptare me të famshme Cote D’Azur. / KultPlus.com
Lidhur me këtë pjesë të historisë së Shqipërisë, përveç studiuesve dhe historianëve tanë, janë angazhuar dhe kanë botuar disa libra edhe studiuesit e historianët e huaj, ku si më seriozet vlerësohen ato të Kontit Ciano, ish – Ministri i Jashtëm i Italisë së asaj kohe, (“The Ciano Diaries”, “Ciano` s Hidden Diaries”, “Ciano` s Diplomatic Papers”) që ishte një nga aktorët kryesorë të atyre ngjarjeve, pas Benito Mussolinit.
Nga Dashnor Kaloçi
Ka kaluar më shumë se shtatë dekada, që nga koha kur shteti grek vendosi dhe mban ende në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë. Kjo gjë u bë me pretekstin, se: nga tokat shqiptare ishte lejuar ushtria italiane që të sulmonte Greqinë. Por si qëndron e vërteta rreth kësaj ngjarje dhe a ishte përgjegjës shteti shqiptar për sulmin Italian, karshi fqinjës së saj jugore? Lidhur me këtë pjesë të historisë së Shqipërisë, përveç studiuesve dhe historianëve tanë, janë angazhuar dhe kanë botuar disa libra edhe studiuesit e historianët e huaj, ku si më seriozet vlerësohen ato të Kontit Ciano, ish – Ministri i Jashtëm i Italisë së asaj kohe, (“The Ciano Diaries”, “Ciano` s Hidden Diaries”, “Ciano` s Diplomatic Papers”) që ishte një nga aktorët kryesorë të atyre ngjarjeve, pas Benito Mussolinit.
Këto libra të tij, si dhe të disa autorëve të tjerë, janë shfrytëzuar nga Bernd J. Fischer ( një nga studiuesit e njohur të historisë së Shqipërisë) në librin e tij voluminoz “Shqipëria gjatë luftës 1939-1945”, i cili është botuar para disa viteve në Tiranë. Duke ju referuar Fischerit, si edhe disa historianëve të huaj si: David B. Funderburk, (“Anglo-Albanian relations, 1920-1939) Mack Smith, (“Mussolini` s Roman Empire”) George M. Self (“Foreign relations of Albania”) etj., do të shohim se: shteti shqiptar asokohe kur u sulmua Greqia prej Italisë fashiste të Mussolinit, nuk kishte asnjë lloj mundësie që ta parandalonte atë sulm, pasi ai ishte i okupuar për vete nën thundrën fashiste. Përveç këtij fakti të pa mohushëm, asokohe edhe dy batalionet shqiptare që u dërguan të luftonin në frontin grek, pothuaj dezertuan të gjithë, duke mos dashur të luftonin kundra fqinjëve të tyre.
Si u përgatit terreni në Shqipëri?
Aty nga fillimi i vitit 1940, Ministri i Jashtëm i Italisë, Konti Ciano, duke parë se Hitleri po mbulohej me lavdi pas sulmeve dhe fitoreve të njëpasnjëshme që çuan në pushtimin e disa shteteve të Europës Lindore, mendoi që të shfrytëzonte Shqipërinë, duke e përdorur atë si pikënisje në sulmet që Italia do të bënte në vendet e tjera të Ballkanit. Si një njohës i mirë i historisë së popullit shqiptar dhe duke ditur se në Konferencën e Ambasadorëve në vitin 1913-të në Londër, Shqipërisë i ishin lënë jashtë kufijve politikë, një pjesa e madhe e territoreve të saja, Konti Ciano, mendonte që të shfrytëzonte faktorin shqiptar duke ndjekur vijën irredentiste në planet e tija për pushtimin e Ballkanit. Për të realizuar këtë plan, që në muajt e parë të sulmit mbi Shqipërinë, Konti Ciano filloi të propagandonte Shqipërinë e madhe, duke deklaruar para zyrtarëve shqiptarë, se Italia dëshironte zmadhimin e kufijve të Shqipërisë dhe për atë gjë, ata italianët do të ndihmonin shqiptarët në realizimin e aspiratave të tyre Kombëtare. Sipas kujtimeve të Kontit Ciano, të botuara në “Foreign Affairs and Policy Determination”, pas deklaratave të tija, këtë gjë nisën ta bënin dhe shumë zyrtarë të tjerë italianë, të cilët filluan t’i hidhnin benzinë zjarrit të irredentizmit. Kështu aty nga mesi i qershorit i vitit 1939, në një fjalim të mbajtur në qytetin e Korçës, ministri italian i Arsimit, Giuseppe Bottai, e krahasoi Shqipërinë me Piemontin dhe u shpreh rreth zgjerimit të saj, në një kohë sa më të shkurtër brenda dy ose tre vjetëve. Lidhur me këtë deklaratë, konsulli jugosllav që ishte asokohe në Korçë, u ankua dhe gazetat shqiptare që përcollën fjalimin e ministrit italian të Arsimit, nuk e shkruan atë pasazh. Po kështu, aty nga fundi i muajit qershor, përfaqësuesi i plotfuqishëm grek në Tiranë, i raportoi ministrit të tij të Jashtëm, se marshalli Badoglio, i cili ndodhej për një vizitë në Shqipëri, u kishte premtuar njerëzve që e kishin pritur dhe brohoritur, “begati më të madhe si dhe zgjerimin e kufijve të Shqipërisë”. Të njëjtat fjalë që kishte thënë marshalli Badoglio, përpara turmave, i kishte përsëritur në ceremoninë e pritjes së tij dhe Jakomoni, ambasadori italian në Shqipëri
Ciano për Shqipërinë e Madhe
Konti Ciano, për të realizuar planet dhe synimet e tija strategjike për pushtimin e Ballkanit, mendonte që të angazhonte drejt për së drejti shqiptarët në atë çështje. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në mesin e muajit gusht 1939, sipas porosive që kishte dhënë më parë, ai mbeti i kënaqur nga shkalla e mobilizimit që kishin shqiptarët. Në fjalën e tij të mirëseardhjes, Prefekti i Tiranës, shprehu dëshirën e tij për bashkimin e të gjithë shqiptarëve dhe krijimin e një Shqipërie të madhe, gjë e cila do të vinte nga ndihma e perandorisë së madhe fashiste. Mbas fjalës së prefektit, Konti Ciano, u premtoi të pranishmëve, se: Italia do të bënte çmos që Shqipëria të realizonte aspiratat e saja më të thella dhe e përfundoi fjalimin e tij duke thënë “Viva la grande Albania”. Po kështu, si rezultat i porosive të tija, autoritetet e Partisë Fashiste, ishin përkujdesur që të bënin parulla të shumta me hartën e Shqipërisë së madhe, të cilat valviteshin nga italianët me uniforma të zeza, (uniforma e Partisë Fashiste) në mitingjet që bëheshin për nder të tij, së bashku me flamurin Kombëtar të Shqipërisë. Në mes të këtyre parullave, binin në sy ato ku thuhej: “Duce, të mendojmë për shqiptarët që jetojnë kudo në botë” dhe “Duce, mendo për vëllezërit tanë”.
Sipas ministrit fuqiplotë të Gjermanisë në Shqipëri, (i cili i raportonte asokohe Ministrit të Jashtëm gjerman, Ribentrop), që i ndiqte nga afër ato mitingje, manifestuesit shqiptarë kishin kohë që ishin organizuar për ato manifestime, duke valvitur flamuj e parulla, ku shkruhej “Ne jemi shqiptarë nga Kosova” dhe “Rroftë Kosova”. Në të gjitha ato manifestime irredentiste, për të mos rënë shumë në sy, gazeta “Fashizmi” nuk mori pjesë fare, por në muajin gusht të vitit 1939, ajo botoi një artikull mjaft të ashpër, ku ju bëhej thirrje shqiptarëve që: të mos harronin se një pjesë e madhe e territoreve të tyre, ishin në zotërim të Jugosllavisë dhe Greqisë. Lidhur me këtë shkrim, si ministri i plotfuqishëm grek dhe ai jugosllav në Shqipëri, u ankuan pranë drejtorit të përgjithshëm italian të Propagandës dhe Turizmit. Ai e shkarkoi nga vetja përgjegjësinë dhe ju tha atyre se: ajo gjë ishte bërë nga një student, i cili do të merrej në mbikqyrje dhe do të kishte konsekuenca për shkrimin e bërë në atë gazetë. Planet e Italianëve për pushtimin e Ballkanit dhe përgatitja e shqiptarëve për ato synime, u itensifikuan më shumë aty nga viti 1940-të, kur Benito Mussolini, nisi të mendonte rreth ndërmarrjes së veprimeve të më tejshmë ushtarake në Ballkan.
Si u përgatit sulmi Italian mbi Greqinë?
Gjatë fushatës që i parapriu sulmit italian mbi Greqinë, shumica e deklarimeve e zyrtarëve shqiptarë dhe italianë, u shoqëruan me manifestime gjoja spontane, ku folësit e ndryshëm i referoheshin bashkimit të pashmangshëm midis shqiptarëve të përtej kufijve me vendin amë. Ndër këtë fjalime, vlen të përmenden ato të kryeministrit shqiptar, Mustafa Kruja, të cilët u dhanë me artopolantë dhe u shtypën e u botuan në gazeta e fletë-palosje, duke u shpërndarë kudo. Në ato fjalime ku ai i referohej territoreve të paçliruara dhe i konsideronte kufijtë e vërtetë të Shqipërisë si: “kufinj krejt të qartë pa pikë mëdyshje, por që nuk i korrespondojnë shtrirjes efektive e të të drejtave të shqiptarëve, as përparësisë së pronës, ngjashmërive etnike të popullsisë ose fisnikërisë së përbashkët të origjinës”. Vizitat e shpeshta që Konti Ciano bëri asokohe në Shqipëri, u shoqëruan gjithmonë me manifestime irredentiste, në një nga këto vizita që u bë në muajin gusht, e cila nga autoritetet fashiste u reklamua më së miri, me foto që e paraqisnin Cianon duke ju dhënë shqiptarëve para në dorë, e duke asistuar në paradat e mëdha ushtarake, ku valviteshin flamujtë dhe parullat e mëdha, të detyruara që përshëndesnin Kosovën e Çamërinë. Duke parë gjithë ato pritje madhështore dhe entuziazmin e madh që tregohej nga shqiptarët, në një bashkim të mundshëm me Kosovën e Çamërinë, Konti Ciano, në ditarin e tij mes të tjerash shkruante: “Pritje e ngrohtë. Shqiptarët tashmë kanë hyrë mirë në rrugën e ndërhyrjes së armatosur. Ata e duan Kosovën e Çamërinë”. (“The Ciano Diaries”). Në një fjalim që mbajti në qershor të atij viti Mussolini, ku ju shpallte Aleatëve luftën, ai njëkohësisht donte t`ju jepte siguri si Jugosllavisë dhe Italisë, se ato nuk do të pushtoheshin prej tyre. Por që shqiptarët të mos i keqkuptonin ato deklarata, Piero Pariani, zëvëndësi i parë i Jakomonit, e siguroi Shefqet Vërlacin, në praninë e përfaqsuesit gjerman në Shqipëri, Panawitz, se: shqiptarët duhet të besonin tonin dhe jo përmbajtjen e fjalimit të Mussolinit.
Mbledhja e informacionit për sulmin
Akoma pa marrë miratimin e Mussolinit, aty nga maji i vitit 1940, gjatë një vizite në Tiranë, Konti Ciano filloi të mblidhte informacionin e mundshëm për të hedhur bazat e nevojshme që do t’i duheshin për planin e pushtimit të Greqisë. Gjatë asaj vizite, Ciano përfitoi nga rasti dhe pyeti kryekomandantin e forcave italiane në Shqipëri, gjeneralin Carlo Gelseo, se sa trupa do t’i duheshin për të pushtuar Greqinë. Gjenerali Gelseo, nuk shfaqi ndonjë entuziazëm të madh lidhur me projektin, të cilën e dëgjonte për herë të parë nga goja e Cianos dhe i tha atij se duheshin dhjetë ose njëmbëdhjetë divizione. Vetëm për atë përgjigje, Gjenerali Geleso u shkarkua dhe u zëvendësua, duke u larguar menjëherë nga detyra dhe në vend të tij erdhi Sebastiano Visconti Prasca. Gjenerali i ri, ritregoi entuziazëm pa kufi për projektin e Çianos dhe nuk e vrau shumë mëndjen për të mbledhur ushtrinë e nevojshme për të realizuar atë gjë. Besimi i Çianos u shtua dhe më shumë kur Jakomoni i raportoi se: milicia fashiste shqiptare kishte një dëshirë të paduruar për zgjerimin e Shqipërisë dhe perandorinsë italiane. Ndërkohë, për të vënë në vënd dhe për të arritur synimet e tija, Konti Çiano dha urdhër që në të dy anët e kufirit me Greqinë, të krijoheshin çeta luftarake, të cilat do të krijonin trazira në Çamëri. Madje ai shkoi dhe më larg në idenë e tij, duke u munduar që të gjente mundësinë e vrasjes së Mbretit të Greqisë, nëpërmjet ndonjë shqiptari. Në atë kohë, Ciano nuk shkoi më shumë me përgatitjen e planit për vrasjen e Mbretit të Greqisë, pasi Mussolini ishte i prekupuar prej shpalljes së luftës Aleatëve, si dhe dyzimeve të tija se kë shtet do të sulmonte më përpara. Për sa i përket Ballkanit, Ducja mendonte ta fillonte sulmin ndaj Jugosllavisë, por Ciano ishte i vendosur që të arrinte synimin e tij, duke sulmuar Greqinë. Ai u entuziazmua pa masë, ku i ra në dorë një mesazh grek, që e kishin kapur italianët, ku njeriu i fortë i Greqisë, gjenerali Metaksa, bënte fjalë për një sjellje brutale dhe harbute të Cianos.
Ja pse shqiptarët nuk i ndihmuan italianët?
Ata në Shqipëri konsideroheshin si pushtues dhe ndjenja e irredentizmit në vend, nuk ishte aq shumë e përhapur ashtu siç ja paraqiste Konti Ciano, Benito Mussolinit. Për t’u siguruar se Ducja nuk do ta harronte Greqinë, Ciano sajoi nëpërmes Jakomonit, një numër incidentesh kufitare, të cilat dëshmonin se si propaganda italiane ashtu dhe diplomacia e saj, ishin jashtëzakonisht të ngathëta dhe krejt të paafta, si dhe vërtetësinë e fjalëve të ashpra të gjeneralit Metaksa, në drejtim të Cianos.
Sajimi i incidenteve kufitare
Ciano vendosi që të përqëndronte krejt vëmendjen në një incident që ndodhi në muajin qershor, kur disa persona të panjohur (besohet se ishin të policisë greke, vranë dhe i prenë kokën Daut Hoxhës, që ishte udhëheqësi i shqiptarëve të Greqisë së Veriut. Askohe, sipas agjensisë së lajmeve “Stefan”, lajm i cili u përsërit edhe nga zyra gjermane e shtypit, Daut Hoxha, paraqitej si një luftëtar i cili luftonte për lirinë e popullit shqiptar dhe si patriot i madh u vra nga agjentët grekë të cilët më pas i prenë edhe kokën dhe e shëtitën në të gjitha fshatrat e Çamërisë, për të frikësuar popullsinë vendase. Ndërsa ky lajm u komentua në këtë mënyrë, agjensia greke e lajmeve e hodhi poshtë atë, duke thënë se: Daut Hoxha ishte një kriminel i njohur, që autoritetet greke kishin njëzet vjet që e kërkonin për vrasje e vjedhje. Gjithashtu propaganda greke, bënte të ditur se shqiptarët e paktë që jetonin në Çamëri, jo vetëm që nuk shkaktonin trazira, por se ishin shumë të kënaqur me qeverisjen atërore dhe zemërgjerë të regjimit në grek. Për të qetësuar italianët, autoritetet greke arrestuan dy shqiptarë, të cilët i akuzuan si vrasësit e Daut Hoxhës dhe pritën një kërkesë për ekstradim nga ana e Italisë. Për ta nxitur Mussolinin dhe për të tërhequr vëmendjen e tij kundra Greqisë, Konti Ciano, më 10 gusht 1940-të, i paraqiti atij versionin italian të vrasjes së Daut Hoxhës. Pas kësaj, tepër i pezmatuar, Mussolini bëri thirrje për një veprim force ndaj Greqisë, pasi që nga viti 1923, me incidentin e Kanalit të Korfuzit, ai kishte disa hesape të vjetra të pambyllura me Greqinë, për të cilat grekët i gënjente mendja se i kishte harruar. / Memorie.al / KultPlus.com
Ambasada e Gjermanisë në Tiranë theksoi sot se, në serinë “Postim nga Postet”, Ministria e Jashtme gjermane hedh vështrimin në vende të ndryshme të botës duke përcjellë pikëpamje të punonjësve në ambasadat gjermane, transmeton KultPlus.
“Dje u raportua mbi Shqipërinë! Sepse një koleg nga ambasada gjermane në Tiranë u kthye disa ditë më parë në Berlin me një valixhe plot përvoja pozitive dhe fotografi të bukura nga Shqipëria”, thekson ambasada gjermane.
“Shqipëria” – vendi i shqiponjave, siç vendi quhet në gjuhën vendase, ka qenë për 3 vitet e fundit shtëpia e kolegut tonë më të ri në ekipin e shtypit, i cili sapo ka mbërritur në Berlin. Kohë e mjaftueshme për të zbuluar këtë vend plot larmi dhe kontraste. Përveç kryeqytetit hiper-urban “Tirona”, në të cilin jeton rreth një e treta e popullsisë vendase, jugu i vendit tërheq me plazhe të bukura ndërsa veriu me zonat e thella malore. Historikisht, Shqipëria ka qenë një vazo e shkrirjes së kulturave dhe ndikimeve të ndryshme dhe sot është një shembull i tolerancës ndërfetare”, nënvizon ambasada gjermane. / KultPlus.com
Mali me Gropa është një nga fenomenet e rralla të karstit në Shqipëri dhe një ndër më të rrallët dhe në Europë, për nga përmasat dhe shtrirja. Emrin ky mal e ka marrë nga sipërfaqja e sipërme e tij, që është e mbushur me gropa karstike, që janë formuar nga tretja e gurit gëlqëror në epokën e akullnajave.
Është ndër zonat më të reja të shpallura në mbrojtje nga Qeveria Shqiptare. Kjo zonë kufizohet ngushtë me Parkun Kombëtar të Dajtit (të zgjeruar), nga veriperëndimi i saj, dhe është, gjithashtu, ekologjikisht e lidhur ngushtë edhe me pellgun e Bovillës dhe Parkun Kombëtar të Qafështamës, që ndodhen më në veriperëndim, duke qenë vazhdim natyror i njëri-tjetrit.
Këto gropa kanë një thellësi që shkon nga disa dhjetëra metra, deri në mbi 100 metra në zona të caktuara. Disa prej këtyre gropave përfundojnë me puse të cilat zgjerohen në shpella karstike të nëndheshme. Ky mal është “prodhuesi” dhe fillesa e disa përrënjve që përshkojnë rrethin e Tiranës. Nga ky mal furnizohet me ujë burimi i Selitës. Pika më e lartë e tij arrin në 1847.3 metra që quhet dhe maja e Mcekut (njihet dhe e Micekut).
Ai është një destinacion për të gjithë të apasionuarit e ngjitjes malore dhe të skisë. Në dimer ai është pothuaj gjithnjë i mbuluar me borë, që arrin me raste deri në disa metra, duke e bërë të përshtatshëm për sportin e skisë ekstreme. Nuk ka shenja, por ka shtigje që të çojnë deri në lartësinë më të madhe. Mali është kryesisht i zhveshur nga pemët, përveç bimësisë së ulët.
Rruga për tek ai mund të vijojë në dy drejtime Tiranë -Qafëmollë dhe Tiranë – Shenmeri(Shengjergj). Rruga deri në Shenmeri dhe Qafëmollë është kryesisht më mirë. Me pas procedohet në rruge rurale dhe ngjitja në këmbë deri në destinacion. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com
Ylli i muzikës botërore, Dua Lipa, e cila ndodhet në Tiranë, u prit sot në një takim nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj.
Veliaj i dhuroi këngëtares së famshme një targë simbolike “Dua 100”, kapelen e gruas tironse, si dhe diskun muzikor me këngë popullore të Shqipërisë së mesme, realizuar në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, “Tirana 100”.
Ndërsa, Dua Lipa i dhuroi Veliajt albumin e saj më të fundit, që po thyen rekordet botërore, “Future Nostalgia”, i cili për 6 muaj ka qëndruar në top 10-en e këngëve më të mira.
Edhe pak kohë më parë babai i këngëtares së famshme, Dukagjin Lipa, u takua me kryebashkiakun e Tiranës, pas të cilit Veliaj paralajmëroi një projekt të ri muzikor të Duas në kryeqytet vitin e ardhshëm, që përkon edhe me Tiranën Kryeqytetin Europian të Rinisë.
Gjatë ditës së sotme, Veliaj dhe këngëtarja Dua Lipa do të inspektojnë edhe punimet për rindërtimin e Kopshtit 42 në Tiranë, i cili u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Këngëtarja shqiptare do të financojë mobilimin e plotë të kopshtit, me kapacitet 300 fëmijë, ndërsa godina po ndërtohet me ndihmën e Fondit të Katarit.
Dua Lipa shoqërohej nga prindërit, Dukagjin dhe Anesa Lipa, si dhe i fejuari i saj, Anwar Hadid. /atsh/ KultPlus.com
Prestigjozja “Le Monde” ka botuar, të shtunën e 27 tetorit 1990, në faqen n°8,një shkrim në lidhje me largimin e shkrimtarit Ismail Kadare nga Shqipëria dhe marrjen e azilit politik në Francë.
Shqipëri: Largimi i Ismail Kadaresë
Habi dhe zemërim në qarqet zyrtare në Tiranë
Burimi : Le Monde, 27 tetor 1990, f.8
Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare mori azil politik në Francë të enjten e 25 tetorit. Ai shkoi menjëherë, së bashku me familjen e tij, në një vendbanim të qetë (të fshehtë) ku, sipas editorit (botuesit) të tij, z. Claude Durand, pronar i Fayard, ai do të mbrohet për disa kohë nga policia.
Megjithëse nuk u njoftua nga mediat zyrtare shqiptare, vendimi i Ismail Kadaresë për të qëndruar në Francë (Le Monde, 26 tetor) u bë pothuajse i njohur menjëherë në Tiranë, për arsye të pranisë – së jashtëzakonshme – të një numri të madh të gazetarëve të huaj që shkuan për të ndjekur konferencën e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit të mërkurën dhe të enjten në kryeqytetin shqiptar.
“Kushte jetese milioneri”
Të informuar, ata, nga transmetimi në mbrëmje i Zërit të Amerikës, të rinjtë e Tiranës, pa u trembur nga policia, u shprehën të huajve kalimtarë mbështetjen e tyre për shkrimtarin.Në qarqet zyrtare shqiptare, nga ana tjetër, pas momentit të parë të habisë, vendimi i Kadaresë provokoi një farë ndjenje zemërimi ndaj një njeriu që ishte pjesë e aparatit dhe përfitonte nga një pozitë e privilegjuar në krahasim me pjesën tjetër të bashkatdhetarëve të tij.
“Kadare pati folur për refugjatët në ambasada si mbetje të shoqërisë shqiptare, tani ai veproi si ata,” i tha AFP-së një përfaqësues i ministrisë së jashtme shqiptare. “Nuk kuptoj. Ai kishte gjithçka, kushte jetese milioneri, ne botonim librat e tij, ai shkonte jashtë vendit kur të donte”, shtoi sekretari i përgjithshëm i Unionit të Gazetarëve, z. Ymer Minxhozi.Reagimet nuk ishin më pak të ashpra në qarqet letrare: “Edhe Vaclav Havel nuk u largua nga vendi i tij kur situata e tij ishte e vështirë, pas daljes nga burgu,” vuri në dukje një mik i Kadaresë, poeti Rudolf Marku.
Shqiptarë të tjerë të intervistuar nga gazetarë të huaj theksuan se lajmet për largimin e Kadaresë ndërsa Tirana organizonte një konferencë ndërkombëtare rrezikonin të zhbënin të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për të dalë nga izolimi diplomatik.Sipas Elisabeth Champseix, mësuese (pedagoge) që kaloi gjashtë vjet në Tiranë dhe bashkëautore e një libri mbi Shqipërinë, largimi i Kadaresë, “është vitrina e vendit që po thyhet (shembet)”.
Nënkryetari i Frontit Demokratik, një organizatë masive e regjimit e udhëhequr nga e veja e ish-udhëheqësit Enver Hoxha, Ismail Kadare kishte marrë pjesë aktivisht në pranverë dhe në fillim të verës, së bashku me intelektualë të tjerë shqiptarë, në një ofensivë ndaj reformatorëve të partisë kundër konservatorëve, veçanërisht në një intervistë shumë të veçantë në të përjavshmen e Unionit të Shkrimtarëve, Drita. Ai po largohet nga vendi i tij në një kohë kur, sipas vëzhguesve të huaj të vendosur në Tiranë, regjimi komunist përballet me një popullsi gjithnjë e më të irrituar dhe gjithnjë e më pak të prirur nga frika.
Projekti, tashmë i përfunduar dhe gati për të nisur nga zbatimi, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vetë publikun.
Miratohet fondi për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, gjë që i hap rrugën nisjes së punimeve për shtëpinë e re të aktrimit.
Mësohet se me miratimin e fondit, ana procedurale konsiderohet pothuajse e përfunduar, teksa shumë shpejt pritet të nisë puna edhe në terren për ndërtimin e teatrit të ri, ne te njejtin vend ku më parë ka qenë teatri i vjetër.
Sipas asaj që raporton shqiptarja.com, projekti, tashmë i përfunduar dhe gati për të nisur nga zbatimi, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vetë publikun.
Teatri i ri do të jetë disa herë më i madh se i vjetri dhe do të ofrojë kushte sipas të gjithë standardeve. Ai do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Gjithashtu, do të ketë një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla Black Box prej 200 metra katror secila. Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metra katror që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katror, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër. Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu, do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun.
Po kështu, Teatri i ri Kombëtar, përvec ambienteve të tjera ndihmëse, do të ketë edhe një parkim nëntokësor që do i shërbejë kësaj godine moderne. / dosja.al / KultPlus.com
Shekspiri, po të jetonte në Tiranë, Romeon e Zhuljetën do t’i quante Faqebardhi dhe Bukuria.
Romeon dhe Zhuljetën i njohim të gjithë. Shekspirin po ashtu, e njohim.
Por, jo të gjithë e dimë që ndoshta në veprën origjinale, siç thuhet, Zhuljeta Kapuleti dhe familja e saj vinin nga Shqipëria.
Që mbiemri “Capuleti” (Kapuleti) vjen nga kapelet ose më mirë helmetat prej hekuri që mbanin ushtarët e ardhur në Itali nga Shqipëria në 1200-ën nën Republikën e Venedikut (burimi: Treccani) Por, nuk dimë as që edhe Tirana kishte tragjedinë e saj analoge, si ajo e Romeos me Zhuljetën. Atë e përbënin Bukuria dhe Faqebardhi.
“Oh Romeo, përse je ti, Romeo…! “Oh Faqebardh, përse je ti, Faqebardh!”
Romeo dhe Zhuljeta tironas kanë ekzistuar vërtet, të paktën sipas legjendave dhe gojëdhënave të tironsave e banorëve të rrethinave të qytetit.
Nga lindin këto gojëdhëna urbane
Në rrugën Tiranë – Ndroq, nën një pemë të lartë, një rrap të moçëm gjendet një varr i madh që populli e njeh me emrin: “Varri i ashikut“. Thuhet se në atë varr janë varrosur që të dy të dashurit e pandarë edhe në jetën tjetër, Bukuria dhe Faqebardhi.
Varri i pati rezistuar mjaft luftërave, madje edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, u restaurua nga ushtarët italianë, të cilët aty afër kishin ngritur një repart të vetin. Ngjarjen, populli e përcakton si me vendndodhje në një fshat afër Pezës. Faqebardhi ishte një djalë nga fshati Bozanxhije i Ndroqit.
Për këtë ngjarje ka shkruar në botimin e tij “Studime Shqiptare” edhe albanologu gjerman Johan Georg von Hahn në vitin 1850 – 1860 mbi udhëtimin e tij në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut. Edhe historiani Kristo Frashëri e përmend këtë legjendë në botimet e tij mbi historikun e Tiranës. Legjenda e dy të rinjve të dashuruar shpjegohet me tragjedinë që ndodh ditën e dasmës së Bukuries. Bukurien e detyrojnë prindërit të martohet me një djalë kundër dëshirës së saj por, ajo donte Faqebardhin. Faqebardhi punonte si ndihmës në punishten e babait të Bukuries dhe ky i fundit e pati kundërshtuar me forcë lidhjen e tyre.
Ditën e dasmës së Bukuries, i dashuri i saj, Faqebardhi u del përpara krushqve që po shoqëronin nusen te dhëndri dhe u thotë që të ndalen e ajo martesë të pengohej sa ishin në kohë, pasi do të rezultonte një lidhje e gabuar. Krushqit nuk ia vënë veshin dhe vazhdojnë rrugën, atëherë Faqebardhi qëllon mbi nusen, të dashurën e tij, duke e vrarë. Më pas, shtrihet pranë saj dhe vret edhe veten. Që aty, shpjegojnë gojëdhënat se ata u varrosën në të njëjtin varr në rrugën Tiranë – Ndroq, i ashtuquajturi “Varri i ashikut”.
Ja pra, që Shekspiri në Tiranë kishte një Zhuljetë e një Romeo tjetër. Më saktë, rreth Pezës homologët e personazheve të veprës madhështore shekspiriane qenë: Bukuria dhe Faqebardhi…/albanianews/ KultPlus.com
Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana mëngjesin e sotëm është ‘zgjuar’ ndryshe, e mbuluar nga bardhësia e dëborës.
Tirana nën madhështinë e dëborës ofron sot me pamjen e saj një kartolinë perfekte ku çdo cep i saj duket i zbukuruar në të bardhë dhe në këtë ditë Shën Valentini, simbol i dashurisë atmosfera në kryeqytet është mjaft e bukur.
Fotoreporteri i ATSH-së, Agim Dobi ka sjell në fokusin e aparatit pamje përmes një fotogalerie ku duket bukuria e Tiranës së ‘bardhë’, e ku qytetarë të shumtë dhe të vegjlit kanë shijuar momente të bukura duke u argëtuar e lozur me njëri-tjetrin me topa bora. / KultPlus.com
Tirana 101 vite kryeqytet vjen përmes 60 fotografive në kalanë e Tiranës. Ekspozita që u çel të enjten me titull “Historia e Tiranës së vjetër përmes fotografive” shënoi dhe 101 vjetorin e Tiranës kryeqytet në mjediset e kalasë.
Ekspozita përmban fotografi të rralla nga Arkivi Qendror Shtetëror, por edhe kartolina nga koleksionistët dhe objekte autentike dhe elementë të veshjeve tiranase.
Në hapje të kësaj ekspozite, Ardit Bido, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave theksoi rëndësinë e datave të tilla për të treguar edhe çfarë ruhet në fondet arkivore, si një moment me rëndësi për kujtesën. Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori Bido vijoi se në këtë ekspozitë tregohet një pjesë e historisë së kryeqytetit tonë.
“101 vjetorin e Tiranës vendosëm ta kremtonim përmes kësaj ekspozite, ku shfaqen imazhet e vjetra të kryeqytetit, para vitit 1945. Këtu tregohet një pjesë e historisë së tij, me ndërtesat historike me funksion publik, banesat e Tiranës, ngjarje dhe personazhe”, u shpreh drejtori Ardit Bidon në fjalën e tij për ekspozitën “Historia e Tiranës së vjetër përmes fotografive”.
Në fjalën e tyre znj. Klodiana Toptani administratore e kalasë dhe z. Andi Seferi zv/kryetar i Bashkisë Tiranë, theksuan se kjo është një datë me rëndësi jo vetëm për kryeqytetin, por për shqiptarët ndaj edhe duhet kujtuar në çdo formë. Historia e Tiranës vjen përmes dhjetëra fotografive të rralla, por objekte të ndryshme nuk janë më.
E pranishme në hapjen e ekspozitës, Mirela Bogdani, kryetare e shoqatës “Tirana Intellectum” ndër të tjera tha se duhet ruajtur ajo që ka mbetur në kryeqytet. “Shumë nga këto fotografi që ne shohim sot kanë mbetur thjesht fotografi, pasi thuajse asgjë prej tyre nuk ekziston. Kjo është jo vetëm një ditë kujtese por edhe një moment për të bërë thirrje që të ruajmë atë që ende ka mbetur në kryeqytet”, tha ajo.
Ekspozita do të qëndrojë e çelur për disa ditë në Kalanë e Tiranës, në hapësirën publike të ekspozitave për cilindo që dëshiron të shohë Tiranën siç ka qenë, përmes fotografive por edhe objekteve autentike.
Tirana, 101 vjet kryeqytet
Organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës (21-31 janar 1920) u vendosën më 11 Shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në janar 1925.
Pas 1920 filloi popullimi me banorë të ardhur nga krahina e qytete të tjera të vendit. Muzeu Historik Kombëtar dje publikoi një material, ku thuhej se më 11 shkurt 1920, populli i Tiranës priti me entuziazëm këshillin e lartë dhe qeverinë, e cila u vendos pikërisht në atë ndërtesë, ku tiranasit kishin ngritur flamurin në vitin 1912.
Autoritetet e larta të shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi, në marshimin e tyre (që nisi më 6 shkurt), kaluan në Kavajë dhe në pamundësi për të hyrë në Durrës, i cili ishte i pushtuar nga forcat italiane, u kthyen drejt Shijakut, për të mbërritur në Tiranë.
Arsyet që u vendos të shkohej drejt Tiranës qenë: Mosprania e forcave të huaja (pushtuese), pozita gjeografike në qendër të vendit, patriotizmi shumë herë treguar i popullsisë së trevës, dhe ndodhja e disa ndërtesave që mund të përdoreshin si zyra. Me të mbërritur në Tiranë, Këshilli i Naltë dhe qeveria, më 11 shkurt 1920, mes entuziazmit popullor, e shpallën atë kryeqytet të përkohshëm.
Më 1922 Tirana u shkëput si nënprefekturë nga prefektura e Durrësit dhe u bë prefekturë më vete. Më 1923 ajo kishte 12.453 banorë. Më 1924 Tirana u bë arenë e luftës së brendshme politike-Revolucionit të qershorit dhe rikthimit të Ahmet Zogut, i cili u vu në krye të shtetit, në fillim si kryetar i Republikës Presidenciale (1925-1928) pastaj si mbret (1928-1939).
Data 11 shkurt, datë në të cilën Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm, është e një rëndësie parësore në historinë tonë kombëtare, kjo zgjedhje lidhet ngushtë me veprimtarinë e dendur patriotike të tiranasve, para dhe pas pavarësisë./sot/ KultPlus.com
Presidenti i Republikës, Ilir Meta festoi së bashku me drejtues dhe anëtarë të shoqatave “Tirana”, “Tirona Intelectum”, “Bashkësia Dibrane” si dhe përfaqësues të familjeve autoktone tiranase 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet.
Në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës, u mbajt edhe një veprimtari kulturore-historike “101-vjetori i Tiranës kryeqytet” ku pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe përshëndetjeve të personaliteteve dhe historianëve, u promovuan librat “Shqipëria politike” e “Atdhetarët Shtaku”, si dhe u zhvillua ekspozita me piktura të dy mjeshtreve tiranas të penelit, Sadik dhe Buron Kaceli.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh se, “11 Shkurti i vitit 1920 është një ditë e veçantë për të gjithë ne, është një ditë e shënuar për qytetarët e Tiranës, të Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë!
Ndaj në këtë atmosferë feste, pavarësisht nga situata e pazakontë për shkak të pandemisë, dua t’i uroj të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të mbarë vendit: Gëzuar 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës, kryeqendra e shqiptarëve! Ta ruajmë dhe ta mbrojmë Tiranën, që të mbetet jo vetëm kryeqyteti ynë, por edhe krenaria jonë dhe për këtë dua të falënderoj shoqatat tuaj dhe gjithë komunitetin, për përpjekjet që ka bërë deri tani, por sidomos për ato që do të bëjmë të gjithë së bashku në të ardhmen”, tha Meta.
Meta vlerëson arkeologun dhe politikanin e shquar, Neritan Ceka me Dekoratën “Nderi i Kombit”
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi arkeologun, politikanin dhe diplomatin e shquar Neritan Ceka me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të veprës së çmuar dhe punës së palodhur si shkencëtar dhe arkeolog i përkushtuar në ndriçimin, vënien në dukje, ruajtjen dhe promovimin e thesareve të rralla të trojeve tona, të historisë së lashtë, gërmimeve intensive e afatgjata të qytetërimit ilir.
Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet e vyera e të pamohueshme, si politikan aktiv dhe diplomat, qysh në shembjen e diktaturës, vendosjen e sistemit pluripartiak si dhe më pas, në konsolidimin e institucioneve të reja demokratike në vendin tonë”.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të pranishëm në ceremoni, Presidenti Meta u shpreh se, “është kënaqësi e madhe, që në ditën e 80-vjetorit të lindjes së tij, të vlerësoj një nga personalitetet më të rëndësishme të vendit tonë, arkeologun, politikanin dhe shkencëtarin e shquar, Neritan Ceka”.
“Duke vlerësuar profesor Cekën synoj t’i transmetoj atij detyrimin e respektin, që ne kemi dhe duhet të kemi për të gjithë ata, që ia kushtuan jetën e tyre konsolidimit dhe përparimit të institucioneve kulturore të vendit tonë por edhe atyre politike”, tha Meta.
“Profesor Neritani është një nga përfaqësuesit më emblematikë të atij brezi, që u quajt i Pasçlirimit, brez që i mbijetoi mungesave dhe padrejtësive të periudhës së diktaturës komuniste”, u shpreh Meta.
“Pavarësisht nga kushtet e vështira, ky brez diti të formohet me trashëgiminë e albanologëve më të mëdhenj të kombit, si Aleks Buda, Hasan Ceka, Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Selim Islami, Gani Strazimiri, e shumë të tjerë, ku do të jepte kontributin e tij të shquar në formimin e arkeologjisë shqiptare”, theksoi Meta. /ata/ KultPlus.com
Në kuadër të 101 vjetorit të Tiranës kryeqytet në mjediset e kalasë së Tiranës janë ekspozuar për publikun 60 fotografi të vjetra nga Arkiva Qendrore e Shtetit, kartolina, objekte autentike nga koleksionistët dhe elementë të veshjeve tiranase.
Në çeljen e ekspozitës “Historia e Tiranës së vjetër përmes fotografive” të pranishëm ishin Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave; Andi Seferi, Zv/Kryetar i Bashkisë Tiranë; Klodiana Toptani, Administratore e Kalasë; Mirela Bogdani, kryetare e Shoq. Tirana Intellectum.
Ardit Bido, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave theksoi rëndësinë e datave të tilla për të treguar edhe çfarë ruhet në fondet arkivore, si një moment me rëndësi për kujtesën.
“101-vjetorin e Tiranës vendosëm ta kremtonim përmes kësaj ekspozite ku shfaqen imazhet e vjetra të kryeqytetit, para vitit 1945. Këtu tregohet një pjesë e historisë së tij, me ndërtesat historike me funksion publik, banesat e Tiranës, ngjarje dhe personazhe”, u shpreh Bido.
Në fjalën e tyre Klodiana Toptani dhe Andi Seferi theksuan se kjo është një datë me rëndësi jo vetëm për kryeqytetin por për shqiptarët ndaj edhe duhet kujtuar në çdo formë.
Mirela Bogdani, kryetare e Shoqatës “Tirana Intellectum” tha se, “shumë nga këto fotografi që ne shohim sot kanë mbetur thjesht fotiografi pasi thuajse asgjë prej tyre nuk ekziston. Kjo është jo vetëm një ditë kujtese por edhe një moment për të bërë thirrje që të ruajmë atë që ende ka mbetur në kryeqytet”.
Ekspozita do të qëndrojë e çelur për disa ditë në Kalanë e Tiranës, në hapësirën publike të ekspozitave për cilindo që dëshiron të shohë Tiranën siç ka qenë, përmes fotografive por edhe objekteve autentike. /ata/ KultPlus.com
Organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës (21-31 Janar 1920) u vendosën më 11 Shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në Janar 1925.
Pas 1920 filloi popullimi me banorë të ardhur nga krahina e qytete të tjera të vendit. Më 11 shkurt 1920, populli i Tiranës priti me entuziazëm Këshillin e Lartë dhe Qeverinë, e cila u vendos pikërisht në atë ndërtesë, ku tiranasit kishin ngritur flamurin në vitin 1912. Autoritetet e larta të shtetit shqiptar që dolën nga Kongresi, në marshimin e tyre (që nisi më 6 shkurt), kaluan në Kavajë dhe në pamundësi për të hyrë në Durrës, i cili ishte i pushtuar nga forcat italiane, u kthyen drejt Shijakut, për të mbërritur në Tiranë.
Arsyet që u vendos të shkohej drejt Tiranës qenë:
– Mosprania e forcave të huaja (pushtuese),
– pozita gjeografike në qendër të vendit,
– patriotizmi shumë herë treguar i popullsisë së trevës, dhe
– ndodhja e disa ndërtesave që mund të përdoreshin si zyra.
Në këtë rrugëtim të rrezikshëm, rol kryesor pati Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili kishte përkrahësit e tij të armatosur. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve, ka qenë moszbrapsja e tij përballë forcave italiane, (që tentuan t’i ndalonin përfaqësuesit e zgjedhur në Lushnje), moment kyç për suksesin e kësaj ndërmarrjeje. Me të mbërritur në Tiranë, Këshilli i Naltë dhe qeveria, më 11 shkurt 1920, mes entuziazmit popullor, e shpallën atë kryeqytet të përkohshëm. Më 1922 Tirana u shkëput si nënprefekturë nga prefektura e Durrësit dhe u bë prefekturë më vete. Më 1923 ajo kishte 12.453 banorë. Më 1924 Tirana u bë arenë e luftës së brendshme politike-Revolucionit të Qershorit dhe rikthimit të Ahmet Zogut, i cili u vu në krye të shtetit, në filim si kryetar i Republikës Presidenciale (1925-1928) pastaj si mbret (1928-1939).
Data 11 shkurt, datë në të cilën Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm, është e një rëndësie parësore në historinë tonë kombëtare; kjo zgjedhje lidhet ngushtë me veprimtarinë e dendur patriotike të tiranasve, para dhe pas pavarësisë. / KultPlus.com
Gazeta më e njohur dhe më e vjetër e shtypit në Izrael, “Haaretz”, i ka kushtuar një artikull të gjatë Tiranës dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.
Në shkrimin e tij, pasi ka vizituar kryeqytetin shqiptar, gazetari i mirënjohur Benny Ziffer e krahason Tiranën me Tel Avivin, duke theksuar transformimin e madh dhe të shpejtë që ka pësuar qyteti vitet e fundit, nën drejtimin e Veliajt.
Gazeta e cilëson Veliajn si një kryebashkiak karizmatik, ndërsa Tiranën si motër biologjike të Tel Avivit. Ajo veçon “ish-Bllokun” si një nga pikat më tërheqëse të kryeqytetit, si dhe arkitekturën e Tiranës dhe sheshin “Skënderbej”.
Nga ana tjetër, shkrimi paraqet faktin e tolerancës fetare që ekziston në Shqipëri, si dhe projektet e mëdha, si Teatri i ri Kombëtar, që pritet të realizohen në Tiranë. /ata/ KultPlus.com
Pas suksesit me tetë bibliotekat e para, Bashkia e Tiranës do të hapë në kryeqytet edhe 6 të tjera.
Në buxhetin për vitin 2021, Bashkia e Tiranës ka parashikuar një fond të veçantë për bibliotekat e reja me qëllim nxitjen e leximit tek të rinjtë.
Krahas funksionit të tyre kryesor, atë të një “shtëpie” të librit dhe për leximin e shtypit të shkruar, bibliotekat e reja janë konceptuar nga Bashkia e Tiranës si një mjedis që mund të shfrytëzohen nga komuniteti i zonës edhe për takime dhe aktivitete të ndryshme shoqërore.
Investimi më i fundit në këto biblioteka është dhe “BiblioTech”, iniciativa e radhës së Bashkisë Tiranë dhe UNICEF Shqipëri, me qëllim krijimin e hapësirave të reja për fëmijë e të rinj me pasion Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit. Nëpër “BiblioTech-a” herë pas here do të zhvillohen sesione informuese rreth sigurisë online, bullizmit kibernetik, mbrojtjes dhe reagimit të shpejtë në rast sulmesh online dhe abuzimesh ndaj të miturve.
Gjithashtu, një kalendar trajnimesh për fëmijë e të rinj për sigurinë online, kodim, web, robotikë, programim e shumëaftësit të reja që kanë lidhje me teknologjinë do të jenë fokusi i punës në BiblioTech.
Ekspertët më të mirë vendas do të orientojnë dhe udhëzojnë nxënës të 9-vjeçareve dhe gjimnazistë të shkollave teknike dhe të përgjithshme për të kuptuar gjithnjë e më shumë për TIK-un, për sigurinë dhe mbrojtjen online si dhe do të asistojnë në krijimin e produkteve të para teknologjike duke përdorur pajisjet moderne të instaluara pranë BiblioTech-ave.
Mjediset e BiblioTech-ave do të shfrytëzohen edhe për zhvillimin e sesioneve informuese dhe aktiviteteve nga më të ndryshme në dobi të komuniteteve, gjithnjë me synim trajtimin e temave mbi teknologjinë. /a.a/ KultPlus.com
Në kuadër të aktiviteteve “Tirana 100 vjet kryeqytet” u hapë një tjetër ekspozitë në sheshin “Skënderbej”.
Ekspozita e hapur sot pasqyron kryeqytetin në disa aspekte ku ajo që spikat më shumë në këto foto është që Tirana ka qenë një vend gjithmonë social dhe mikpritës.
Rreth 150 fotografi të ekspozuara tregojnë historikun 100-vjeçar të Tiranës sa i përket ndërtesave, zhvillimit urbanistik, veshjeve, traditave, artizanatit dhe ngjarje të rëndësishme historike.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës Andi Seferi.
“Ky aktivitet është në vazhdën e të gjithë aktiviteteve që janë bërë. Do të doja të falënderoja të gjithë ata persona që ndihmuan në realizimin e kësaj ekspozite në të gjitha komponentët e saj. Ne vërtetë festojmë 100 vjetorin e Tiranës kryeqytet, por historia e këtij qyteti është shumë më e hershëm dhe e trashëguar brez pas brezi. Këto janë foto të mbledhura me shumë kujdes, por ajo që të bie më shumë në sy është një Tiranë sociale dhe historia ka treguar që ne jemi një qytet mikpritës”, tha Seferi.
Kjo ekspozitë u çel me ndihmën e fondacionit “ALSAR” dhe mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.
Ekspozita do qëndrojë e hapur nga data 11-13 dhjetor nga ora 10:00 deri në 16:00 për artdashësit kryeqytetas në sheshin “Skënderbej” dhe më pas do vendoset në të gjitha qendrat kryesore shqiptare dhe shqipfolëse. /atsh/ KultPlus.com
Shumë shtete anëtare të BE-së dhe zonës Shengen janë në “lockdown” dhe këto do të jenë Krishtlindjet më të pazakonta të festuara ndonjëherë në botë.
Por ndërkaq, Agjencia e njohur e lajmeve evropiane “Schengenvisainfo.com” e cila jep informacione në lidhje me lëvizjet dhe kufizimet në zonën Shengen, u sugjeron evropianëve disa mundësi mjaft të mira për ata që dëshirojnë të kalojnë Krishtlindjen në Evropë. Gjermania, Franca dhe vendet e tjera të BE-së mund të jenë të njohura për tregjet e tyre të Krishtlindjes, por vende të tjera si Shqipëria, Turqia dhe Rusia, e festojnë Krishtlindjen në një nivel krejt tjetër.
Ndërsa udhëtarët mund të marrin një shije të një Krishtlindjeje perëndimore në këto vende, ata gjithashtu do të hasin traditat lokale të Krishtlindjes; edhe Krishtlindjen e festuar nga fetë e tjera, ose në një datë krejt tjetër.
“Schengenvisainfo.com” shkruan se Shqipëria njihet për verërat e saj të gjata dhe të nxehta, bregdetin e saj të bukur dhe trashëgiminë kulturore. Sidoqoftë, është gjithashtu një destinacion i mrekullueshëm për ata që dëshirojnë të kalojnë pushimet e fundvitit jashtë vendit të tyre.
Me mbi gjysmën e popullsisë së saj të vetëshpallur myslimanë dhe vetëm rreth 10 për qind katolikë dhe shtatë për qind ortodoksë, ndokush do të pyeste veten se si është e mundur që Shqipëria të jetë një destinacion i Krishtlindjes.
Shpesh e quajtur “feneri i fundit i tolerancës fetare në Evropë”, Shqipëria është një vend i harmonisë fetare dhe të gjitha fetë jetojnë së bashku, jo vetëm pa shqetësuar njëra-tjetrën, por edhe duke festuar me njëri-tjetrin data të rëndësishme fetare.
“Schengenvisainfo.com” thekson se Tirana, është mbuluar me drita gjatë Krishtlindjeve dhe një pemë gjigante është zbukuruar në sheshin kryesor të kryeqytetit, ndërsa pemë të tjera janë vendosur nëpër të gjithë qytetin.
Gjithashtu, zakonisht, organizohen edhe tregjet e Krishtlindjes. “Gjëja më e rëndësishme që duhet të dini është se aktualisht, Shqipëria nuk ka një ndalim hyrjeje. Dhe megjithëse ekzistojnë procedura të kontrollit shëndetësor në aeroporte dhe porta të tjera hyrëse, nuk kërkohet asnjë test negativ i COVID-19”, shkruan “Schengenvisainfo.com”. /dp/ KultPlus.com
Nga Tirana janë 102 kilometra që mund të përshkohen me makinë. Rrugët janë përmirësuar ndjeshëm dhe udhëtimi është më se i rehatshëm. Është një kohë shumë e shkurtër për t’u gjendur në një realitet tjetër, ku natyra është treguar e pakursyer.
Reçi është një nga tre fshatrat kryesorë të Parkut Natyror Rajonal të Shkrelit (i shpallur gjashtë vjet më parë, kategoria e 4-t IUCN), në Malësinë e Madhe. Shtrihet në të djathtë të rrugës Koplik – Dedaj, e cila ndahet mes Reçit dhe Razmës. Rruga që të çon drejt fshatit me gjatësi 2 kilometra tashmë është e rehabilituar.
Vjeshta me gjithë ngjyrat e saj e bëjnë këtë zonë vërtet mahnitëse për t’u vizituar. Të dyja anët e rrugës që të çojnë në qendër të fshatit janë të mbuluara nga pemë. Shtëpitë e vogla, karakteristike e të kuruara me kujdes, ku dallohet më së miri ndikimi që kanë sjellë përvojat e emigracionit e bëjnë këtë vend edhe më tërheqës. Në qendër të fshatit, aty ky çdo 31 gusht bëhet një festë e madhe (Festa e Reçit) bien në sy gështenjat e moçme, që për banorët janë të shenjta, mosha mesatare e të cilave është 500-vjeçare. Por, gështenjat nuk janë të vetmet pasuri që ka kjo zonë, e cila së fundmi është kthyer në një trend për turizmin e fundjavës.
Një guidë rreth Shkrelit
Parku Natyror Rajonal i Shkrelit, ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 20,282 hektarësh. Ai gjendet rreth 10 kilometra në verilindje të qytetit të Koplikut. Kufizohet nga Veriu: me Kelmendin dhe Parkun e Alpeve, nga Lindja me Plutin dhe Parkun Kombëtar të Thethit, nga Jugu me Gruemirën dhe Koplikun dhe nga perëndimi me Kastratin dhe pjesërisht Koplikun. Me mbështetjen e projektit italian VIS dhe atij gjerman CABRA është hartuar një guidë e detajuar me informacion të detajuar mbi hotelet, bujtinat, restorantet, guidat dhe harta.
Shkreli është një nga bukuritë e rralla të Alpeve Shqiptare, 20 kilometra larg Shkodrës. Një vend që mund të vizitohet në çdo stinë, por vjeshta e bën më të veçantë.
Të pasionuarit pas shëtitjeve në natyrë mund të zbulojnë shtigje të shumta që përshkojnë peizazhin e zonave si të Bogës, Lohes, Qafë Gradës. Me guida lokale ju mund të vizitoni kanionin e Përroit të Thatë dhe shpellat e shumta që gjenden në këtë zonë. Ka disa mënyra për të mbërritur në Parkun Natyror Rajonal të Shkrelit: me makinë, me autobus, me avion dhe me anije (nga ura e Bunës, përmes liqenit të Shkodrës).
Në këtë zonë mund të bëhen një seri aktivitetesh në natyrë.
Alpinizmi mund të bëhet në disa vende, si në: Majën e Madhe, në Majën e Kamshollit, në Majën e Rrabës, Radohimë, majën e Vllecikut, etj.
Ecjet në natyrë mund të zhvillohen në çdo stinë në zonën Shkrelit, por koha më e preferuar është stina e pranverës dhe vera.
Ekzistojnë disa shpella në këtë zonë që janë ende të paeksploruara e që mund të realizohen me ndihmën e guidave lokale. Shëtitja me kuaj është mënyra më e mirë për të vizituar akse, si: Dedaj– Vrith-Razëm; Razëm–Bogë; Dedaj–Ducaj–Bogë etj.
Në Shkrel mund të bëhet edhe aeronautikë, veçanërisht në zona si Boga e Maja e Veleçikut.
Për çiklizëm mund të zgjidhen rrugët e pashtruara, ku nuk mungon mjedisi i pasur me biodiversitet. Një destinacion i veçantë është edhe shpella e Pëllumbave që shtrihet në drejtim të Qafë Gradës dhe ka shtrirje vertikale, gjë që lehtëson eksplorimin. /dp/ KultPlus.com
Në kuadër të 100 vjetorit të Tiranës kompozitori Aleksandër Peçi ka publikuar dy CD me punët e tij më të fundit, inspirimi për të cilat është kryeqyteti.
“Tirana në muzikën e Aleksander Peçi” është ky projekti që do të gjallërojë muzikën e Aleksandër Peçit. Dy volume që do të risjellin xhevahiret e Tiranës që gjithmonë ka tërhequr kërshërinë time”, shkruan kompozitori. Një kërshëri e nxitur nga atmosfera festive, gjallëria e ritmeve, ndjeshmëria dhe origjinaliteti.
“Për atë virtuozitet instrumental të jashtëzakonshëm, për atë ornamentike të mrekullueshme te pipzat e Tironës, për zylet e famshme që kur themi zylet nënkuptojmë adrenalinë, kur themi adrenalinë, nënkuptojmë zylet etj”, shprehet për muzikën tradicionale të Tiranës, kompozitori.
Aleksandër Peçi ka lindur në Tiranë më 11 korrik 1951. Kreu studimet për kompozicion në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë më 1974 më pas filloi punë si kompozitor në Estradën e Shtetit (1977–1979), nga 1979-1986 ai ishte drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngët dhe Valleve Popullore. Që nga viti 1986 ai është kompozitor me kohë të plotë. Gjithashtu Peçi është Pedagog dhe që nga viti 1992 jep mësim në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë.
Peçi ka kompozuar në të gjitha format e gjinitë e muzikës: këngë, muzikë dhome, simfonike, skenike (si baleti “Kecat dhe ujku”, opera “Oirat”), muzikë filmash e deri tek muzika elektroakustike.
Aleksandër Peçit në vitin 1989 iu dha titulli “Artist i Merituar”. Peçi ka krijuar muzikë për filma të njohur si: “Dasma e Sakos”, “Kur xhirohej një film”, Në shtëpinë tonë”, “Monumenti”, “Gjeneral gramafoni”, Në çdo stinë”, “Fillim i vështirë”, “Tokë e përgjakur”. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Zyra për Informim e Komunës së Gjakovës përmes një emaili bën të ditur se nesër, më 17 shtator 2020, në Gjakovë gjatë tërë ditës do të ketë aktivitete për nder të shënimit të 100 vjetorit të themelimit të kryeqytetit shqiptar, Tiranës.
Agjenda është si më poshtë:
Arritja e Muzeut të Lëvizshëm në Gjakovë në orën 7 të mëngjesit, që do të pasohet nga pritja për nënkryetaren e s Tiranës nga kryetari i Gjakovës, pastaj bëhet hapja solemne e aktivitetit, me ç’rast do të flasin kryetari i Gjakovës dhe nënkryetarja e Tiranës, ndërsa me pikë muzikore në orën 11 do të paraqitet Ansambli i Këngëve dhe Valleve Gjakova.
Ndërkohë do të bëhen vizita te Ura e Terzive, Kanioni i Drinit dhe vende të tjera. / KultPlus.com
Ironia në mes të jetës luksoze të aristokratëve dhe asaj pa kushte elementare të tiranasëve ishte bërë temë e një reportazhi për Shqipërinë, botuar nga gazeta “Kosova”, shkruan KultPlus.
Ishte shkrim i shkruar nga Gjergj Bubani i cili mbante titull të realitetit të shprehur figurativisht, “Veshëm frakun, harruam brekët”, botuar më 5 janar 1932.
KultPlus ua sjell një fragment nga reportazhi, publikuar nga Beti Njuma dhe Biblioteka e Librave të Harruar në Facebook:
“Tirana ka bulevarde të gjera dhe sheshe simetrike, por nuk ka kanalizim, nuk ka ujë të mirë dhe të mjaftë dhe asnjë banjë moderne komunale për t’u larë mileti. Dhe në Tiranë tetë muaj në vit bën vapë, ashtu që nevoja e së larës paraqitet edhe më e madhe. Aristokratët lahen nëpër shtëpitë e tyre ose në të dy-tri hotelet e mëdhenj. Po populli? Në veprimin edilitar të Tiranës gjejmë pasqyrën e gjallë të një mentaliteti që është rrënjosur ndër ne; të gjitha punët i bëjmë për cipë, superficialisht. Edhe qytetërimin në këtë mënyrë e përqafuam: me bulevarde, elektrik, pallate, pa kanale, pa ujë, pa banjë. Shkurt: U veshëm me frak dhe këmishë mëndafshi, por harruam të ndërrojmë brekët!” /KultPlus.com
Sfida “e nxehtë” në mes Tiranës dhe klubit serb Crvena Zvezda po afrohet.
Kjo ndeshje, e cila vlen për rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, pritet me interes të madh si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e në Serbi.
Tifozët e Tiranës “Tirona Fanatics” në stërvitjen e fundit të ekipit e kanë motivuar skuadrës me një koreografi interesante, ku ishte vendosur dëshmori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Skerdilajd Llagami, nga Tirana.
“Vij me mbrojt vatan, edhe aty vdekja eshte me e sigurt”, shkruhet në transparentin e zbuluar nga tifozët e Tiranës.
Ndeshja Tirana – Crvena Zvezda luhet të martën nga ora 20:00 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. / KultPlus.com
100 punime të 100 artistëve shqiptarë janë prezantuar në ekspozitën “Tirana e Artit të tre karantinave”.
Tirana Ekspres nën përkujdesjen dhe kurimin e artistit Shpend Bengu, me rastin e Tiranës 100 vjet kryeqytet, startoi një nga ekspozitat më të mrekullueshme të qytetit me plot 100 punime të 100 artistëve shqiptarë.
Me vepra të realizuar përgjatë një shekulli nga artistet më në zë si Buza, Zajmi, Kaceli, Prizreni etj. ekspozita “Tirana e Artit të tre karantinave” ka pasqyruar kryeqytetin, nga viti 1935 -2020 duke sjellë motive nga Tirana e dikurshme dhe bashkëkohore.
Ekspozita ka qëndruar e hapur për 3 ditë ne ambientin e Tirana Ekspres në rrugën “Jani Vreto”, në oborrin e banesës numër 6.
Shpend Bengu është një artist shqiptar, i lindur më 12 maj 1962 në Tiranë dhe është diplomuar si piktor në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë.
Ai është një bashkëpunëtor aktiv në Universitetin e Kalabrisë si dhe në institucione të tjera publike të rajonit të Kalabrisë si ekspert në dizajnin grafik, pikturën, teknikat multimedia.
Ai promovon vlerat e kulturës shqiptare përmes veprimtarive të artistëve të ndryshëm. /Atsh /KultPlus.com